OpEd

Gjergjin e zunë rrenat

Haga e ndalon dhe bastis këdo që bën pengimin e administrimit të drejtësisë. Fakti se po u rri gati të gjithë atyre që në një formë a tjetër përpiqen të ndikojnë te dëshmitarët, qoftë me kërcënime, me joshje a “me trajnim” se çfarë duhet deklaruar në Hagë, do të thotë se stafi i angazhuar atje është profesionist e mbase edhe i pakorruptueshëm, edhe pse për këtë nuk gjen asnjë garanci në asnjë vend të botës. Sidoqoftë, është porosi e qartë se në Hagë nuk vlejnë “ligjet e egra” të sistemit në Kosovë

Disa ishin ngjarjet, pos Raportit të Progresit, që shënuan javën: dëshmia e Gjergj Dedajt në Speciale në Hagë, që u pasua nga vizita e paparalajmëruar e Lajçakut në Prishtinë dhe takimi me përfaqësuesit e opozitës; u kalua te debati në Kuvend për procesin e dialogut dhe tekstin e statutit të ri për Zajednicën që nuk është bërë publik. Për draftstatutin e dimë se dikush e ka parë dhe se numri i tyre është i kufizuar. Megjithatë, neve nuk ka kush që na e heq zanatin që të debatojmë për çfarëdo, sidomos për gjërat për të cilat i kemi “me të ndime”, e që edhe për to të paraqitemi si ekspertë. E mandej çuditemi se përse i kemi punët si i kemi.

E me gjithë këto, personaliteti i javës quhet Gjergj Dedaj.

Java nisi me paraqitjen e Gjergj Dedajt para Gjykatës Speciale në Hagë. Arsyeja për ftesën dërguar Dedajt ishte denoncimi që ai kishte bërë edhe pas luftës për arrestimin apo ndalimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shtator 1998, në Baicë e Çirez. Dedaj kishte qenë kryesues i delegacionit që u mbajt i ndaluar 48 orë. Delegacioni u tërhoq nga Qyqavica falë ndërhyrjes së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Dedaj u bë aktual me një intervistë në “Rubikon” të KTV-së, në dhjetor të 2011-s, pasi Thaçi e pati shkarkuar nga posti i zëvendësministrit të Transportit. Kjo është çfarë kishte deklaruar atëherë: “Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psiqik, moral… disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident... Gjergj Dedaj ende s’ka folë. Kur flet Gjergj Dedaj, diçka duhet të lëvizë në Kosovë”.

Për të mos folur Gjergj Dedaj, më 2018, Thaçi, atëherë kryetar i Kosovës, e emëroi ambasador të Kosovës në Maqedoni, ku shkoi nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm. Dedaj qëndroi në Shkup tre vjet, për t’u shkarkuar nga Vjosa Osmani më 2021-tën.

* * *

Dedaj u mor në pyetje tri ditë. Taktika që zgjodhi për të folur, si dëshmitar i Prokurorisë, qe ajo e mohimit të gjithçkaje që kishte thënë me vite që nga 1998-a.

“90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pas luftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm kur e kam vendosur në tryezë jetën time për lirinë e Kosovës. Jeta ime s’ka vlerë dhe sot që jam këtu, jam kufomë, s’kam asnjë vlerë”.

Pra një njeri jonormal, as në gjendje për ta thënë të vërtetën, ka qenë deputet, ka qenë disa herë zëvendësministër dhe në fund edhe ambasador i Kosovës në shtetin fqinj të Maqedonisë. Sepse me vite të tëra, kishte përsëritur publikisht se si së bashku me gjashtë deputetë - pjesë e një delegacioni që shkoi për të mbledhur informata në zonat e luftës më 1998, ishin rrahur në shkollën “Migjeni”, në Baicë nga pjesëtarë të UÇK-së. Para se të ndodhte rrahja, thoshte se e kishte parë Rexhep Selimin në veturën që i çoi nga Çirezi për në Baicë. E në Baicë, pas rrahjes, pati thënë se e kishte takuar Hashim Thaçin, nga i cili ishte marrë në pyetje.

Në gjykatë e konfirmoi takimin me Thaçin, por e mohoi të jetë marrë në pyetje nga ai. Tha se thjesht e kishin zhvilluar një bisedë për zhvillimet politike të kohës. U ballafaqua nga prokurorja me deklaratën që ia kishte dhënë ZPS-së, ku kishte thënë se Rexhep Selimi kishte qenë aty, dhe se vetë kishte qenë i shokuar, sepse kurrë më parë nuk e kishin rrahur. E më pas se ishte tronditur edhe më shumë kur i kishte parë shokët e tij të gjakosur. U përgjigj se shumica e deklaratave të mëparshme nuk qëndronin dhe se aty “nuk kishte pasur rrahje, as gjak e lëndime, por vetëm kacafytje që përfundoi brenda një minute”.

* * *

Paraqitjen teatrale e vazhdoi, por duke mohuar, edhe rrëshqiste duke komentuar diçka përtej asaj që mbase është pritur të fliste. Së paku tri ishin deklaratat që zbulojnë më shumë sesa ka dashur të mos thoshte: “Qe 25 vjet ne jemi të sëmurë, sepse çdo ditë unë fyhem, kërcënohem nga individë të caktuar për këtë rast. Çdo ditë, 25 vjet”. As i fshehur pas pretekstit se nuk ka qenë normal, Dedaj nuk ia del të mohojë se deklaratat i ka përsëritur jo një, por shumë herë gjatë shumë vjetësh. Nuk ka mundur ta mohojë se vetë i është qasur UNMIK-ut dhe EULEX-it për të njëjtën çështje, dhe në fund, nuk ka mundur të mohojë se ka qenë i kërcënuar për këto deklarata. Nga kush, nuk e thotë. Porse nuk vyen shumë imagjinatë për të nxjerrë indice që kishin treguar nga personat apo grupet e interesit.

Kur e pyeti prokurorja se si u bë që u rrëzua derisa ishte në mbajtje në Baicë, u përgjigj: “Më ka rrëshqitur këmba... Ka qenë e mundshme në oborrin e shkollës, derisa po shkoja në tualet në shkollën 'Migjeni'... tualeti ka qenë larg shkollës dhe ka qenë natë. Jam rrëzuar, jam ngritur e kjo s’është kurrfarë... në njëfarë mënyre s’kam pasur dëshirë të rrëzohem, por kam pasur të drejtë të rrëzohem. Ka qenë terr dhe shi, ka qenë lagësht”. Të drejtën për t’u rrëzuar nuk e besoj se ia ka mohuar kush, apo edhe se ia mohon. Por në këtë kontekst të thuash se ke pasur “të drejtë rrëzimi”, thuajse tregon se në fakt po i flet nëndija, sado që edhe këtë rrëzim e arsyetonte me faktin se Dedaj është person urban që nuk kishte ditur se çfarë do të mund t’i ndodhte në fshat.

Dëshminë e tij e rrumbullakoi përafërsisht kështu: “Një mijë herë do t’jua përsëris se jam distancuar nga të gjitha që i kam thënë gjatë 2001-tës, 2014-s e këto, sepse i kam thënë pa pasur informacione dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, emocionale, psikologjike...”. Mund t’i ketë rënë pishman që ka folur, por nuk mund të distancohet nga një diçka që është mbështetur mbi përvojën e tij, siç e ka përshkruar vetë. Çfarë informacionesh i janë dashur për të përshkruar atë që kishte parë apo përtej atyre, dëshmitar i të cilave ka qenë: pra ose ka pasur, ose nuk ka pasur rrahje. Ose atëherë ka gënjyer, ose gënjen tash.

* * *

Kjo dëshmi e tregon më së thjeshti arsyen se përse amerikanët kanë insistuar aq shumë që Gjykata Speciale ta ketë selinë në Hagë dhe që të gjithë prokurorët e gjyqtarët të jenë jokosovarë.

E para, për shkak se lënda e Dedajt është në qarkullim qe 25 vjet, dhe nuk është gjetur asnjë prokuror shqiptar që do të merrej me pretendimet e tij, në Kosovë.

E dyta, kërcënimi për të cilin flet Dedaj mund të jetë i vërtetë. E ky kërcënim ka mundur t’i shërbejë Dedajt për të negociuar pozita, prej të cilave është shkarkuar edhe për keqpërdorime të pretenduara. Ky ka folur para EULEX-it më 2014, Specialja është themeluar më 2015, e ky është emëruar ambasador më 2018.

E treta, nëse kërcënimet janë kaq reale për ca shuplaka të pretenduara, çfarë do të jenë kërcënimet kur duhet dëshmuar për krime më serioze, përfshirë edhe krimet e luftës. Kjo tregon se nuk ke sistem të mirëfilltë sigurie e gjyqësie që të ofron garanci se do të kalosh pa pasoja.

E katërta, kjo tregon se kemi dështuar vetë ta administrojmë drejtësinë, jo vetëm të krimeve eventuale të luftës, por edhe të krimit të përditshëm. Sepse emërimet në gjyqësor i kemi pasur politike, sikurse ka qenë me kryeprokurorin Lumezi, që ndenji shtatë vjet pa e ndjekur asnjë rast të profilit të lartë, ose duke i ndjekur me argumentime aq të dobëta, sa me kilometra shihej se të akuzuarit do të liroheshin.

E pesta, kjo gjykatë kosovare me seli në Hagë bën diçka që gjykatat kosovare me seli në Kosovë nuk e bëjnë. Haga e ndalon dhe bastis këdo që bën pengimin e administrimit të drejtësisë. Fakti se po u rri gati të gjithë atyre që në një formë a tjetër përpiqen të ndikojnë te dëshmitarët, qoftë me kërcënime, me joshje a “me trajnim” se çfarë duhet deklaruar në Hagë, do të thotë se stafi i angazhuar atje është profesionist e mbase edhe i pakorruptueshëm, edhe pse për këtë nuk gjen asnjë garanci në asnjë vend të botës. Sidoqoftë, është porosi e qartë se në Hagë nuk vlejnë “ligjet e egra” të sistemit në Kosovë.

* * *

Gjergj Dedaj ka gënjyer. Ashtu e bëri ai të qartë në gjykim. Dhe për dëshmi të rreme, atëherë apo këtë herë, mund të përfundojë në burg, sepse kjo është vepër penale. A njëmend i ka rënë pishman, apo e kanë udhëzuar se çfarë duhej të fliste, për një apo arsye tjetër, atë që ka arritur të bëjë është që ta rëndojë barrën mbi të akuzuarit.

Rrena njëmend doli t’i kishte këmbët e shkurtra.