OpEd

Gjeopolitika e medaljeve olimpike

Duke qenë se 92 nga 206 shtetet e territoret pjesëmarrëse fituan medalje, Olimpiada e Parisit sugjeroi për një peizazh më të hapur dhe më konkurrues global. Megjithëkëtë, vetë fakti se 50 për qind e këtyre medaljeve është përqendruar te mesi i shteteve të G7-s dhe Kinës, të cilat bashkërisht e numërojnë 60-përqindëshin e GDP-së globale, tregon se ka ende shumë rrugë për t’u përshkuar. Përderisa si sporti ashtu edhe ekonomia botërore po ecin drejt multipolarizmit më të madh, ky ndryshim mund të jetë më i ngadaltë dhe më i kufizuar sesa që e presin shumica

Përse vende të caktuara i dominojnë Olimpiadat? Përgjigja mund të qëndrojë te korrelacioni midis performancës së atletëve dhe GDP-së. Lojërat Olimpike të Parisit 2024 janë rast tipik: shtatë fituesit kryesorë të medaljeve – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Japonia, Australia, Franca, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar – janë të gjithë mes 20 ekonomive më të mëdha të botës.

Kjo pjesërisht mund t’i atribuohet demografisë: një popullatë më e madhe prodhon “pishinë” më të madhe sportistësh të talentuar prej së cilës mund të zgjedhë. Sa më i populluar dhe më i zhvilluar të jetë një vend, aq më shumë gjasa ka që të fitojë medalje olimpike. 

Kjo mund të konfirmohet edhe në mënyrë empirike. Peshimi i numrit të përgjithshëm të medaljeve të fituara nga akëcili vend bazuar në vlerë – tre pikë për medalje të artë, dy për të argjendtën dhe një për të bronztën – tregon se 12 shtetet me më së shumti medalje në Paris janë krejt ekonomi të avancuara. Shtetet e G7-s, të cilat numërojnë 43.5 përqindëshin e GDP-së së botës, e fituan 33.8 përqindëshin e të gjitha medaljeve. Afrika, me hise prej 3 për qind në ekonominë globale, rrëmbeu 3.7 për qind në total. E Amerika Latine, e cila e përbën 7.3 përqindëshin e GDP-së globale, siguroi vetëm diç nën 6 për qind të të gjitha medaljeve, 29 për qind e të cilave i shkuan ekonomisë së saj më të madhe, Brazilit.
Ndonëse korrelacioni midis GDP-së dhe performancës olimpike është i fuqishëm, është larg të qenët absolut. Kijeni parasysh, për shembull, Bashkimin Evropian: me gjithë që e numëron 17.5 përqindëshin e GDP-së globale, shtetet anëtare të BE-së fituan pothuajse 30 për qind të medaljeve në Paris. Kjo sugjeron se dominimi i shteteve evropiane ndodhi pjesërisht shkaku i politikave të tyre të suksesshme kombëtare për sportin dhe të traditave sportive të rrënjosura thellë. Natyrisht, Evropa përfiton njashtu nga fakti se shumë sporte olimpike janë shpikur mu aty.

Azia, nga ana e saj, është tejet heterogjene si politikisht ashtu kulturalisht për që performanca e saj olimpike të reduktohet në një shpjegim të vetëm. Derisa Azia dhe Oqeania janë shtëpi e tri superfuqive të mëdha sportive – Kinës, Japonisë dhe Australisë – nënkontinenti indian ka historik relativisht modest olimpik.

Në fakt, India është mbase shembulli më i prekshëm i asaj se si GDP-ja mund të jetë parashikues i dobët i ekselencës olimpike. Me gjithë që e ka një popullsi prej 1.4 miliard banorësh dhe një ekonomi që e përfaqëson 7.9 përqindëshin e GDP-së globale në aspektin e barazisë së fuqisë blerëse, India u rendit e 71-ta në mesin e vendeve fituese të medaljeve në Olimpiadën e 2024-s.

Australia, me vetëm 26 milionë banorë, mori 5 përqindëshin e medaljeve, duke u renditur e katërta.
Siç edhe parashikohej, SHBA-ja dhe Kina e prinë garën e medaljeve më 2024, duke i fituar 12 dhe respektivisht 10 për qind të të gjitha medaljeve, kryesisht falë fuqisë së tyre ekonomike dhe madhësisë së popullsisë. Duke e pasur këtë parasysh, numri i medaljeve i Amerikës ishte larg më i ulët sesa do ta sugjeronte fuqia e saj ekonomike, duke e ditur se ajo e numëron pothuajse 20 përqindëshin e GDP-së globale. 

Sa për dijeni, veç zhvillimi ekonomik dhe demografia nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sukses olimpik. 

Për zhbllokimin e potencialit sportiv të një vendi kërkohen politika efektive dhe infrastrukturë adekuate, të cilat janë arsyeja përse vendet me popullsi të rrallë por megjithëkëtë tejet të zhvilluara, sikurse Australia, shpesh peshojnë më rëndë se potenciali i tyre, teksa ato me popullsi të dendur, si Nigeria, rëndom mezi se e fitojnë ndonjë medalje.

Kultura sportive njashtu e luan një rol qenësor. Vendet afrikane, për shembull, shkëlqejnë në shtigje dhe në fusha, pjesërisht në vrapime nëpër distanca të mesme dhe të gjata, kryesisht shkaku i traditës së rrënjosur thellë në Afrikën Lindore për stërvitje në lartësi të mëdha. Në një masë të konsiderueshme, vrapimet në distanca të gjata nuk kërkojnë infrastrukturë të sofistikuar apo qasje në pajisje trajnimi të nivelit të lartë, sikurse i kërkojnë sportet tjera olimpike, si noti e gjimnastika, të cilat mbesin të dominuara nga shtetet e kamura perëndimore dhe Kina. Për shembull, sensacioni francez i notit, Léon Marchand, që i fitoi katër medalje të arta në Paris, stërvitet në Shtetet e Bashkuara. Po kështu, medalistja e artë algjeriane, gjimnastja Kaylia Nemour, stërvitet në Francë.

Pabarazitë në numrin e medaljeve olimpike ofrojnë njohuri të vlefshme, ndonëse të nuancuara, gjeopolitike. Në shikim të parë, numri i medaljeve më 2024 duket se e reflekton botën tonë përherë e më multipolare. Duke qenë se 92 nga 206 shtetet e territoret pjesëmarrëse fituan medalje, Olimpiada e Parisit sugjeroi për një peizazh më të hapur dhe më konkurrues global.

Megjithëkëtë, vet fakti se 50 për qind e këtyre medaljeve është përqendruar te mesi i shteteve të G7-s dhe Kinës, të cilat bashkërisht e numërojnë 60-përqindëshin e GDP-së globale, tregon se ka ende shumë rrugë për t’u përshkuar. Përderisa si sporti ashtu edhe ekonomia botërore po ecin drejt multipolarizmit më të madh, ky ndryshim mund të jetë më i ngadaltë dhe më i kufizuar sesa që e presin shumica.

(Zaki Laïdi, profesor i Shkencave Politike, është ish-këshilltar i posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).