OpEd

Gajlet tona për “babë dovletin”

Shqiptarët aktualisht kanë ku t’i harxhojnë energjitë e tyre individuale e kolektive në mënyrë që arsimi i tyre të jetë më i dinjitetshëm, që përfaqësimi institucional të kaloj nga muskujt te trutë, që të rinjtë me ikjet e tyre të mos e shndërrojnë këtë vend në një “shtëpi të madhe pleqsh”, e shumë e shumë preokupimesh të tjera më madhore se galja për “babën dovlet”, i cili edhe ashtu nuk është kah na pyet neve.

Sigurisht që kohët e nizamëve kanë perënduar, por, si duket, jo edhe koha e mendësisë jeniçere. Kjo mendësi ende vuan pasojat e të qenit vasal të një ideologjie apo idiolatrie që pikëtakimin e gjen jo në harqet e një ure që lidhin dy kultura e dy vende, por në varkat e shpuara që nxjerrin andej lumit individë me sensibilitete të dyzuara e kaotike etno-kulturore. Se kjo është kështu flet edhe një prirje pak a shumë e deformuar e jona që ne në të kaluarën por edhe sot, me sjelljet e punët tona, sikur kemi parapëlqye të ndihemi qiragjinjë në vendin tonë, dhe dofarë jeniçerësh të lodhur në dhe të huaj.

Kemalistë, Erdoganistë, Gylenistë, pro-turq, pro-kurdë. Të gjitha këto atribuime, të ndërlidhura me emra politikanësh e kombesh të largëta jashtë hapësirës sonë, po rishfaqen edhe njëherë në manualin e gjeopolitikës sonë private. Turqia si nocion gjeografik, por pse jo edhe emocional, ditëve të fundit ka nxjerrë në sipërfaqe një radiografi interesante prirjesh e pikëpamjesh, që si shkas morën ndërhyrjet e ushtrisë turke në disa vendbanime kurde në Siri dhe gjetiu.

Asnjë ngjarje e madhe në afërsinë tonë gjeografike nuk mund të shikohet me indiferentizëm dhe, më së paku ato, si kjo që ndodhë në Turqi, që drejtpërdrejt apo tërthorazi prekin edhe sensibilitet grupore e individuale të njerëzve të hapësirës sonë. Së këndejmi, mund të mirëkuptohen edhe ato reagime që shprehin një dozë shqetësimi për fatet e këtij vendi euro-aziatik, madje përfshi edhe pozitën e shqiptarëve në të, sepse destabilizimi i tij reflektohet edhe në stabilitetin rajonal, aq më tepër kur kemi të bëjmë me vend-anëtar të NATO-s, por si ti kuptojmë ato brengosje që zhvillimet e një vendi të huaj i përkthejnë si të ishin ngjarje tona të brendshme. Protagonizmi dhe tifozeria e kësaj lloj brengosjeje nuk bazohet gjithmonë mbi impaktin që mund të kenë ato ngjarje në planimetrinë tonë të përgjithshme kombëtare, por ekskluzivisht në një dioptri të ngushtë e shtrembër, që shumë lehtë mund të identifikohet si interes klanor a grupor i njerëzve dhe qarqeve që metaforën për “babën dovlet” e kanë shndërruar në aksiomë të përditshmërisë së tyre.

Fundja, ç’të keqe ka edhe kjo metaforë, nëse ajo buron nga ndjeshmëria e pastërt e një kujtimi a nostalgjie, por s’na duket normale që lavjerrësi i animit të lëviz me aq dinamizëm në një kontekst social e kulturor tonin, e që nxjerr si përfundim atë thënien e moçme se “shqiptarët vdesin për të qenë mercenarë të huaj”.

Në krijimin dhe mirëqenien e kombit turk dhe Turqisë si shtet, shqiptarët e Ballkanit kanë dhënë jo pak mprehtësi lapsi dhe ashpërsi shpate, duke u integruar pastaj në rrjedhat shoqërore të këtij vendi me të gjitha kapacitet dhe resurset humane e intelektuale, fakt të cilin nuk e kanë mohuar edhe autoritetet e këtij vendi. Kështu kanë diktuar rrethanat dikur dhe shqiptarët nuk kanë patur fuqinë dhe fatin që t’i ndryshojnë këto rrjedha të historisë, por ajo që hë për hë del të mos ketë ndonjë sens të madh mirëkuptimi, është tendenca për t’u bërë pjesë e një milieu politik e kulturor që, jo vetëm se ndodhet fizikisht larg nesh, por në praktikë nuk prodhon kurrfarë efekti nxitës në zhvillimin shtesë të mirëqenies sonë sociale, kulturore e politike, pos atij që kthjelltësinë e alpeve e shndërron në mjegull fushe.

Shqiptarët aktualisht kanë ku t’i harxhojnë energjitë e tyre individuale e kolektive në mënyrë që arsimi i tyre të jetë më i dinjitetshëm, që përfaqësimi institucional të kaloj nga muskujt te trutë, që të rinjtë me ikjet e tyre të mos e shndërrojnë këtë vend në një “shtëpi të madhe pleqsh”, e shumë e shumë preokupimesh të tjera më madhore se galja për “babën dovlet”, i cili edhe ashtu nuk është kah na pyet neve.