Po qe se kanë dashur të na përçojnë porosi, kanë mundur ta bëjnë në formë virtuale - mu ashtu siç edhe u zhvillua festivali Sundance. Kanë mundur të na premtonin çfarë duan, se edhe ashtu na premtojnë çfarëdo që u bie ndërmend, pa pasur nevojë të takohen me askënd. Televizione ka me bollëk, FB dhe YouTube nuk po ndalen - kanë mundur që t'i paraqesin programet e tyre politike. Pse, në mos ka kush që mund t'ua kontestojë - edhe ashtu gjysmën e harrojnë posa të hipin në pushtet, e gjysmën tjetër opozita e ruan për zgjedhjet e tjera
Nga mesi i javës, Hive Social, një aplikacion i mediave sociale, doli me lajmin se brenda natës i ishin shtuar 130 mijë përcjellës. Vetë udhëheqësit e kompanisë nuk e kishin të qartë se përse kishte ndodhur ky bum i papritur dhe i paparashikuar.
Zor se do ta dinin se shkaktari i drejtpërdrejtë i kësaj rritjeje do të ishte filmi kosovar Zgjoi (në anglishte Hive), i regjisores Blerta Basholli,e cila të martën mbrëma i fitoi tri shpërblime në festivalin prestigjioz të filmit të pavarur Sundance. Mori tri nga shpërblimet më të rëndësishme: për regji, çmimin e audiencës, dhe qershinë mbi tortë, Çmimin e Jurisë - pra më të lartin e festivalit.
Festivali njëjavor, që nisi më 28 janar, përfundoi në mënyrën më të mrekullueshme për vetë autorët dhe gjithë Kosovën: me fitore absolute për një rrëfim të bazuar në ngjarje të vërtetë - në portretizimin e mundit të një të veje nga Krusha e Madhe, Fahrije Hoti, për t'i mbijetuar pasojat e luftës dhe për ta mbajtur familjen bashkë.
Kosova nuk e ka parë ende premierën e filmit që e ka arritur suksesin më të madh të kinematografisë kosovare deri tash. Porse ç'është më e rëndësishmja, Amerika e ka parë, dhe gjasat janë shumë të mëdha që filmi tash të blihet madje edhe prej Netflixit, e që kështu të mbërrijë të shfaqet në të gjithë botën.
Mbështetur në vlerësimin kritikut amerikan Patrick Gibbs, për lëvdatë të jashtëzakonshme, pos skenaristes e regjisores Basholli, janë edhe Yllka Gashi dhe Çun Lajçi - bartësit e roleve kryesore të filmit të parë të metrazhit të gjatë kosovar që merr pjesë në këtë festival.
Prandaj, thirrja e trefishtë e titullit të filmit në anglishte, Hive, bëri që aplikacioni i mediave sociale me këtë emër të rritej brenda natës, derisa nga ana tjetër, bëri që Kosova sërish të krenohej me një sukses të një gruaje: një ambasadoreje të re të Kosovës në botë.
Dhe derisa e përmbyll këtë pjesë hyrëse të zgafelles së sotme, e thërras në ndihmë sërish Agron Demin, me një citat:
- 793 mijë € është buxheti vjetor i Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2021, një trohë e të cilave shkon edhe për filma si "Zgjoi" që i fitoi tri çmime dje në Sundance, e me të cilat tash politikanët fryhen si me qenë vetë regjisorë të filmit;
-877 mijë € kushtojnë vetëm pagat e mbi 50 zëvendësministrave të emëruar koti.
Nuk jemi të varfër, Jemi të vjedhur
* * *
Në ditën kur u mor vesh për suksesin e Zgjoit, nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare 2021.
Dhe nisi me një aksion simbolik të Vetëvendosjes në Prishtinë - të rinjtë e së cilës me gjasë dolën rrugëve menjëherë pas orës 5 të mëngjesit (unë mbërrita t'i shoh nga ora 5:30, pasi ma nxorën gjumin prej muhabeteve që i bënin në rrugë) për t'i "zbukuruar" të gjithë drunjtë me nga një shami të kuqe. Dorën në zemër, asnjë zbukurim s'po e paraqesin - përkundrazi, po duken thuajse fryma i ka ngjitur leckat, disi si rastësishëm, për drunj.
Nja dy orë më vonë, u panë disa aktivistë të VV-së në qytet dhe u dëgjua deklarata e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se nuk do të kishte tollovi nëpër rrugë, ngase do të respektoheshin masat anti-Covid.
Deklaratën e tij e mori era, sepse nuk kaluan as dy apo tri orë, dhe u regjistruan tollovitë në Pejë, ku kishin shkuar Kurti e Osmani; në Podujevë, ku ishte Hoti; në Vushtrri ku kishte shkuar Hoxhaj; në Lipjan ku ishte Limaj. Veç në Prizren, ku ishte Haradinaj, kishte më pak tollovi.
Tri ditët e para të fushatës u përcollën me shkeljen absolute të masave anti-Covid nga ana e partive politike, krerëve të tyre dhe përkrahësve. Me të drejtë, jo pak njerëz u ndien të mashtruar dhe të dëshpëruar me një veprim të këtillë. Trumbetimi i të gjithëve me muaj të tërë për miratimin e një ligji për mbrojtje nga Pandemia, i cili u votua nga shumica e atyre që tash dalin rrugëve e shesheve për të kërkuar vota, tash po shkelet ashtu sikurse nuk ekziston.
Thuajse askush nuk po mërzitet për faktin se pasojat e tubimeve në masë (kur lejohen jo më shumë se 30 veta me distancë) do të na paraqiten menjëherë pas zgjedhjeve. Arsyetimi i militantëve se tashmë ne e kemi fituar imunitetin e tufës dhe se më nuk ka rrezik për ne, është sa i paqëndrueshëm, aq edhe hipokrit.
Hipokrizi më të madhe se dalja nëpër tubime me qindra e mijëra njerëz në përcjellje, nuk e di a ka. Kërkimi i votës, e më pas premtimi i luftimit të pandemisë me vaksinimin 50-60-70 e 100%, është ofendimi dhe mashtrimi më i keq mund të na e bëjnë. E nëse këta votëkërkuesit që e kanë kaluar Covidin mendojnë se janë të sigurt, vetëm le ta mendojnë mundësinë e riinfektimit apo edhe të infektimit me formën e re të virusit, që para disa ditësh u konfirmua se ekziston edhe te ne, meqë është importuar nga Britania.
Dëshpëruese deri në skaj që për ambicien për pushtet, të jenë në gjendje t'i rrezikojnë me mijëra jetë që mund të përfundojnë me fatalitet.
* * *
E se mund të përfundojnë me vdekje e dëshmon edhe një statistikë e përpunuar nga Besnik Pula, profesor universitar në Amerikë. Duke i nxjerrë shifrat e publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, Pula konstaton se në vitin 2020, Kosova kishte 1.556 më shumë vdekje sesa në vitin 2019 e 2.242 më shumë vdekje sesa në vitin 2018. Ajo që ka ndryshuar në vitin 2020 është se na shpërtheu pandemia dhe na gjeti, natyrisht, të papërgatitur.
Natyrisht, na gjeti edhe me trutë e përhershëm - si të kapet pushteti, pavarësisht të gjithave. Dhe na ndodhi, tashmë e kemi thënë sa herë, që të bëhemi i vetmi shtet në botë që e rrëzon një Qeveri në mes të pandemisë. Rrëzim që normalisht ishte dashur të çonte në zgjedhje të reja në qershor, por që Kushtetuesja vlerësoi se nuk duhej. E më pas po e njëjta Kushtetuese, për shkak se gjeti një shkelje eklatante në procesin e votimit të kësaj Qeverie, megjithatë na çoi në zgjedhje.
Po të ishin mbajtur zgjedhjet në qershor, mbase rreziku nga kjo që po na ndodh sot do të ishte më i vogël. Më 3 qershor, kur u votua qeveria Hoti, në Kosovë zyrtarisht ka pasur 1.142 të infektuar dhe 30 të vdekur. Sot, kur po vlon fushata zgjedhore nëpër rrugë, oda e salla të dasmave, Kosova regjistron 59.931 të infektuar dhe 1.492 vdekje.
Fushatë hipokrite kjo - po qe se kanë dashur të na përçojnë porosi kanë mundur ta bëjnë në formë virtuale - mu ashtu siç edhe u zhvillua festivali Sundance nga fillimi i kësaj zgafelle. Kanë mundur të na premtonin çfarë duan, se edhe ashtu na premtojnë çfarëdo që u bie ndërmend, pa pasur nevojë të takohen me askënd. Atë që e kanë bërë disa parti kanë mundur ta bënin të gjithë - televizione ka me bollëk, FB dhe YouTube nuk po ndalen - që t'i paraqesin programet e tyre politike. Pse, në mos ka kush që mund t'ua kontestojë - edhe ashtu gjysmën e harrojnë posa të hipin në pushtet, e gjysmën tjetër opozita e ruan për zgjedhjet e tjera.
Ngarendja pas votës në kohën kur Kosova ende nuk e ka vaksinuar asnjë person kundër Covidit, për shkak se as kontingjenti që duhet të vijë si donacion nuk është nisur, është tepër e papërgjegjshme, e rrezikshme dhe e pasinqertë.
Tregon për mendësinë e politikanëve kosovarë - krejt çka duan është pushteti. Dhe që të gjithë e shohin popullin si një element sekondar të një shteti hajgare siç është Kosova.
* * *
Do të thotë dikush, hajt se e mbijetojmë edhe këtë fushatë.
Ashtu qoftë.
Me mendje të shëndoshë dhe me sa më pak viktima të papërgjegjësisë, në rend të parë, politike.