OpEd

Frika e Ramës

Edi Rama tani ka futur veten në rrugë e cila ka vetëm dy opsione: ose do të jetë kryeministër që e anëtarësoi Shqipërinë në BE dhe kështu do të hyjë në histori, ose do të bëhet vetë histori e parëndësishme. Asgjë në mes

Këto ditë Edi Rama ka një premtim të ri. Ai zotohet se do të anëtarësojë Shqipërinë në BE deri në vitin 2030. Kjo është bërë moto kryesore e fushatës së tij zgjedhore. Kësisoj Rama i bashkëngjitet historisë së gjatë të figurave politike në Ballkan që vendosin afate ekstravagante në rrugën e tyre integruese. Por ndryshe nga ata së paku sot Rama mund të shfajësohet se nuk është vetëm Ballkani që përmend këtë datën e 2030-s. Edhe vetë BE-ja ka filluar të zbavitë 2030-shin si opsion. Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në verën e vitit 2023 përmendi 2030-shin si datë kur zgjerimi i radhës do të duhej të ndodhte, por enigmë ngelet në emër të kujt ka folur Charles Michel – të vetin personal apo 27 vendeve anëtare të BE-së; sepse që nga ajo kohë afati i 2030-s nuk është përmendur asnjëherë në asnjë dokument zyrtar të BE-së. Sidoqoftë, sikur Charles Micheli, edhe kjo punë është histori. Duke shikuar drejt të ardhmes, patjetër se do të ishte lajm i gëzueshëm nëse Shqipëria (dhe Mali i Zi) do të arrinin të anëtarësoheshin në BE deri në vitin 2030. Por shikuar objektivisht kjo është një gjë e pamundur. Për të kuptuar përse është kjo e pamundur na ndihmon që të vizualizojmë hapat që janë para Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Sot Shqipëria është zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE dhe ka hapur negociatat e anëtarësimit në tre grup-kapituj: grup-kapitullin 1 - Themelorët, grup-kapitullin 2 - Tregu i brendshëm dhe grup-kapitullin 6 - Punët e jashtme. Tani nëse synimi është që Shqipëria të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030 atëherë nga ky synim imponohet një dinamikë e ngjarjeve e cila kërkon që deri në fund të këtij viti të hapen negociatat në tre grup-kapituj të mbetur: grup-kapitullin 3:

Konkurrueshmeria dhe rritja e gjithmbarshme, grup-kapitullin 4: Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme, si dhe grup-kapitullin 5: Burimet, bujqësia dhe kohezioni. Hapi i radhës do të ishte që deri në vitin 2027 të mbyllen negociatat në të gjithë kapituj. Pastaj në vitin 2028 Komisioni Evropian duhet të publikojë opinionin e tij për gatishmërinë e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe në vitin 2029 këtë opinion duhet ta miratojnë Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian. E gjithë kjo pastaj do të hapë rrugë për ratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE nga ana e 27 vendeve të BE-së deri në vitin 2030. 

Tani vetëm duke kaluar nëpër këta hapa ne kuptojmë se uber-optimist është një skenar i këtillë, apo më mirë të themi i pamundur. Le të ndalemi te tri aspekte. 

E para, siç përmenda më lart, për të ruajtur këtë shpejtësi të anëtarësimit Shqipëria duhet të hapë këtë vit edhe tre grup-kapituj të fundit negociatorë. Fakti që për t’i hapur këta ekzistues asaj iu janë dashur dy vjet, nënvizon sfidën që Shqipëria ka para vetes. 

Së dyti, është joserioze të mendohet që Shqipëria mund të arrijë të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në gjithë kapituj brenda dy vjetësh. Kjo nënkupton se brenda dy vjetësh Shqipëria do të zbatojë të gjitha standardet evropiane në gjithë kapitujt e BE-së. Pra thënë ndryshe brenda dy vjetësh Shqipëria do të sigurojë se gjykatat e veta funksionojnë në nivelin e barabartë sikur në Portugali, apo se sistemi i saj arsimor do të jetë i barabartë me atë të Sllovenisë. Thënë ndryshe Shqipëria do të bëjë brenda dy vjetësh atë për të cilën Kroacisë iu deshën gjashtë vjet. Për të parë sa e pamundur është kjo vetëm shikoni vetë performancën e Shqipërisë. Çdo vit Komisioni Evropian publikon raportet vjetore që bëjnë vlerësimet e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE në gjithë 33 kapituj. Nga viti 2020 deri në vitin 2024 Shqipëria nuk bëri asnjë progres drejt të qenit më e përgatitur për anëtarësim në BE në plot 21 kapituj. Rrjedhimisht ideja, që brenda dy vjetësh tani Shqipëria do të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE, nuk është serioze. 

Së treti, përgjatë gjithë kësaj rruge që Shqipëria ka para vetes do të nevojitet përkrahje e vazhdueshme e 27 vendeve anëtare. Pra në çdo stad cilido vend anëtar do të këtë mundësi ta bllokojë Shqipërinë. Ne tanimë kemi parë potencialin e kësaj në raportet e Shqipërisë me Greqinë, por nuk duhet befasuar nëse edhe vende të tjera të BE-së zgjedhin të ngadalësojnë rrugën evropiane të Shqipërisë për shkak arsyeve bilaterale. Njëkohësisht, duhet pasur parasysh se zhvillimet e brendshme të vendeve të BE-së do të ndikojnë në shpejtësinë e procesit të zgjerimit. Imagjinoni qasjen e Francës ndaj zgjerimit me presidenten Le Pen, apo qasjen e qeverisë gjermane të udhëhequr nga AfD. 

Kritikët e Ramës thonë se Edi Rama i di gjitha këto, por ai ka vendosur që të bëjë anëtarësim në BE temë dominuese të zgjedhjeve sepse dëshiron të ikë nga përgjegjësia për 11 vjet të qeverisjes së tij. Dhe kështu në vend të diskutimit të rezultateve të së kaluarës, Rama dëshiron propagandën për premtimet e së ardhmes. Mund të jetë kjo, sepse edhe këtu te ne në Ballkan premtimet ekstravagante për anëtarësim në BE janë bërë streha e fundit e politikanëve në rënie. Ato ishin paralajmërues i falimentimit politik. Sa më afër rënies, aq më të mëdha premtimet. Koha do të tregojë a do të jetë Edi Rama rregull i këtij ligji ballkanas apo përjashtimi i tij. 

Por mund të jetë se edhe Rama vuan nga pasiguria e trashëgimisë së tij. Historia e një vendi nuk mban mend arritjet sikur vettingu, rritja e eksporteve apo rritja e turistëve. Ajo mban mend momente unikale nëpër të cilin kalon një popull: shpallja e pavarësisë, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, anëtarësimi në BE. Asnjë nga këto gjëra nuk ka arritur Edi Rama dhe pyetja që Rama ia bën vetes është për çfarë do të mbahem mend unë? Anëtarësimi në BE është shpresa e tij e fundit për të lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Kjo shpresë e bën edhe t’i besojë premtimeve të disa kancelarive evropiane për anëtarësimin e përshpejtuar të Shqipërisë në BE. Është fakt se disa kancelaritë evropiane në sfondin e rritjes së vëmendjes për zgjerimin po kërkojnë storie suksesi. Shqipëria përmbush kushtet për të qenë e tillë. Një vend ish-komunist i cili transformoi veten në një nga destinacionet kyçe turistike të Evropës është rrëfim tërheqës. Por kam frikë se është naive t’i besohet këtij premtimi të BE-së për anëtarësim të përshpejtuar të Shqipërisë në BE. Koha na ka mësuar se premtimet e BE-së duhet t’i marrim me skepticizëm. 

Sido që të jetë, Edi Rama tani ka futur veten në rrugë e cila ka vetëm dy opsione: ose do të jetë kryeministër që e anëtarësoi Shqipërinë në BE dhe kështu do të hyjë në histori, ose do të bëhet vetë histori e parëndësishme. Asgjë në mes.