Ndërsa hyjmë në Vitin e Ri, misioni i KFOR-it mbetet jetik si kurrë më parë. Ne jemi të përgatitur të adresojmë çdo sfidë që mund të shfaqet, duke siguruar që progresi i arritur deri më tani të mbrohet dhe të ndërtohet mbi të
Ndërsa hyjmë në vitin 2025, dua të përfitoj nga ky rast për të reflektuar mbi vitin e kaluar dhe për të ndarë shpresat e mia për vitin e ardhshëm. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij të gjatë të OKB-së për të kontribuuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Angazhimi ynë, i mbështetur nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, ka qenë i palëkundur për më shumë se dy dekada dhe është i qëndrueshëm.
KFOR: Aktor i besueshëm dhe garantues i stabilitetit
KFOR-i është aktualisht misioni më i madh i NATO-s dhe është më i gjati në historinë e Aleancës Atlantike.
Mbi 25 vjet, KFOR-i ka ndihmuar në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit fetar dhe bindjeve politike. Këtë e ka bërë përmes përpjekjeve të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, angazhimet me të gjitha komunitetet lokale, aktivitetet e trajnimit, ndërveprimet e rregullta me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve që synojnë nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve.
Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka dëshmuar të jetë një aktor i besueshëm dhe i paanshëm, duke ofruar një kontribut kyç për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin në rajon.
Gjatë këtij viti jemi përballur me sfida të mëdha, duke përfshirë sulmin e fundit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Zubin-Potok. Secilën herë ne jemi testuar, por përmes gatishmërisë dhe vendosmërisë sonë, si dhe bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat e sigurisë së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve.
Misioni ynë është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës të situatës në terren.
Mbështetja e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja
Rruga drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë qëndron në dialog dhe bashkëpunim. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja. Kjo është korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është çelësi për stabilitet të qëndrueshëm. Për të ecur përpara, është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese.
Përmes aktiviteteve të tij të përditshme, KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e tij, duke krijuar hapësirën e sigurisë që dialogu politik të ecë përpara.
Bashkëpunimi me Partnerët Ndërkombëtarë
Suksesi i KFOR-it është ndërtuar mbi bashkëpunimin, jo vetëm me institucionet vendore, por edhe me anëtarët e Komunitetit Ndërkombëtar, duke përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ky bashkëpunim ka qenë thelbësor në adresimin e sfidave, krijimin e mundësive për progres dhe rritjen e stabilitetit rajonal.
Sinergjia midis pranisë ushtarake dhe angazhimit diplomatik pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe progresin.
Uniteti fiton mbi të gjitha
Motoja e mandatit tim si komandant i KFOR-it “Unitas Omnia Vincit” – Uniteti fiton mbi të gjitha – kap thelbin e misionit të KFOR-it. Uniteti është gurthemeli i përpjekjeve tona, që na mundëson të kapërcejmë sfidat dhe të arrijmë paqe të qëndrueshme. Ndërsa reflektojmë për arritjet e këtij viti, duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e vazhdimit të punës së bashku, në mënyrë që të ndihmojmë në ndërtimin e një të ardhmeje gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe të begatë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Popullit të Kosovës, veçanërisht rinisë që përfaqëson shpresën për të ardhmen, ju bëj thirrje që të përqafoni frymën e unitetit. Aspiratat dhe veprimet tuaja sot do të formësojnë Kosovën e së nesërmes.
Duke shikuar përpara më 2025
Ndërsa hyjmë në Vitin e Ri, misioni i KFOR-it mbetet jetik si kurrë më parë. Ne jemi të përgatitur të adresojmë çdo sfidë që mund të shfaqet, duke siguruar që progresi i arritur deri më tani të mbrohet dhe të ndërtohet mbi të, në përputhje me mandatin e misionit tonë në OKB. Bashkëpunimi ynë me autoritetet lokale, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë themeli i suksesit tonë dhe do të vazhdojë të përshkojë përpjekjet tona të përditshme.
Tragjeditë e së kaluarës shërbejnë si një kujtesë serioze e rëndësisë së misionit tonë. Ato përforcojnë ndjenjën e urgjencës. Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë, të përkushtuar dhe të bashkuar në përpjekjet tona për të parandaluar që historia të përsëritet. Përmes transparencës, paanshmërisë dhe vendosmërisë, KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në emër të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për një Vit të Ri paqësor dhe të begatë. Uroj qe viti 2025 të sjellë shpresë, lidhje të përforcuara dhe një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Së bashku, ne do të vazhdojmë të demonstrojmë se "Uniteti fiton mbi të gjitha".
Autori është komandant i KFOR-it