OpEd

Fontanë dëshirash

Përditë po bëhet më vështirë të jetohet në këtë vend. Trashëgimia e keqe e ndërtuar në dy dekadat e fundit është fakt i pamohueshëm. Porse edhe orientimi i paqartë dhe i pastrukturuar drejt një ndryshimi cilësor të asaj që kemi sot, është gjithashtu fakt. Të kërkosh të jetohet me dinjitet nuk është fontanë dëshirash

Javën vazhdoi ta shënonte hulumtimi i jashtëzakonshëm i Saranda Ramajt për keqpërdorimin e mjeteve të Fondit për shërim jashtë vendit, sikurse edhe momenti i ri: ai i referimeve të pacientëve nëpër klinika private për shkak të kinse prishjes së aparaturës në QKUK.

Pas dhjetë ditësh publikimi rrëfimesh e faktesh, u bë e gjallë Qeveria e cila paralajmëroi se “... do ta bëjë aktivizimin e të gjithë mekanizmave të vet e ofrim të bashkëpunimit për organet e drejtësisë që të hetohen rastet e dyshimeve për abuzime me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”. Gjithashtu ka thënë se abuzimet e së kaluarës do të hetohen teksa është zotuar se Fondi do t’i kthehet normalitetit.

Disi brenda po kësaj jave u mblodh Komisioni parlamentar për Shëndetësi, ku duhej raportuar ministri i Shëndetësisë. Në mbledhje u dëgjua edhe deklarata e deputetes së VV-së, Demi-Murtezi, sipas së cilës “raportimet e fundit në media (në KOHË) për Fondin kanë qenë të njohura, por tani kanë dalë në shesh”. Dhe i shtrohet pyetja legjitime dikujt që është deputete qe disa mandate: meqë paskan qenë të ditura këto gjëra, si u bë që këtë punë e paska heshtur në Kuvend dhe si u bë që askush nuk bëri bile kallëzim penal për të?

Lehtë është tash të konstatohet një gjë të cilën e shpalos një hulumtim që ka marrë shumë, shumë kohë, për shkak se është zbuluar një rrjet merimange që në fund do ta lidhë një rrjet të organizuar kriminal, ku janë përfshirë shumë njerëz që ia kanë parë hairin sëmurjes së të tjerëve.

* * *

Dje u botua edhe vazhdimi i 12-të i hulumtimit që fliste për Klinikën Ortopedike, që për shkak të një aparati, rregullimi i të cilit ka kushtuar 28 mijë euro, porse është zvarritur në pafund, e ka ngarkuar buxhetin për shërim jashtë institucioneve publike me shpenzime prej 300 mijë eurosh. Paratë kryesisht kanë shkuar te dy spitale private në Prishtinë, përderisa aparati ka mbetur jashtë funksionit për tre vjet e më shumë.

Mbase edhe kjo punë ka qenë e ditur nga deputetja Demi dhe ndonjë tjetër, porse ja që nuk është gjetur as koha, e as momenti për të bërë diçka që kjo punë të ndalet e që shërbimet të ofrohen aty ku duhet dhe ku ka kapacitet për një gjë të tillë.

Ndërkohë u botua edhe informata se ministri i Shëndetësisë i ishte nënshtruar operacionit të zorrës qorre në spitalin publik. Superlajm – meqë i pari i shëndetësisë e zgjodhi QKUK-në për ta kryer intervenimin. Por lajmi doli të ishte me bisht, ngaqë ministri para se të shkonte në spital, e kishte thirrur një mjek që ta operonte duke e anashkaluar mjekun kujdestar.

Po të isha unë mjeku kujdestar do ta paraqisja rastin në drejtori, porse jo, mjeku kujdestar madje e arsyetoi veprimin e ministrit kështu: “Nuk është se nuk ka pranuar se ai nuk na njeh... por ai e ka thirrur edhe një kirurg që e njeh... për ne, në marrëveshje me ne kuptohet... edhe me kirurgët tanë, edhe me vëzhgimin tonë... ai ka qenë nën vëzhgimin tonë... Mund të ndodhë, ne shpesh kemi raste kur dikush, ndonjë familjar apo i afërm që preferon tek unë... për mua nuk ka qenë asnjë lloj problemi”.

Sefte dëgjova se dikush mund të zgjedhë mjekun, pavarësisht se kush është kujdestar. Po e paramendoj situatën kur kushdo që të vijë në spitalin publik, mund t’i thotë kujtdo, “mua mundet me më kontrollu veç ky mjek dhe asnjë tjetër, për shkak se unë kështu po kam qejf”.

E se mjeku kujdestar, Lulzim Salihu, i cili do të duhej të ndihej tejet i ofenduar me këtë veprim të ministrit, ka folur gjepura, e vërteton mjeku Liridon Selmani që punon në QKUK, kur thotë: “Shërbimi mjekësor në institucionet publike shëndetësore do të duhej të ishte i standardizuar dhe me protokoll unik. Me fjalë të tjera, pavarësisht cili mjek qëndron kujdestar, cilësia e shërbimit që ai ofron do të duhej të ishte e njëjtë si e kolegëve të tjerë. Është abuzim i pozicionit fakti që për një intervenim rutinor dhe jokompleks dikush të ketë të drejtën të angazhojë mjek nga shtëpia, kur aty ka mjekë tashmë të dëshmuar për punën që bëjnë. Po, qytetarët e thjeshtë cilin numër do të duhej të telefononin kur janë në hall për trajtim?”.

Ministri gjendet në Njësinë qendrore të kujdesit intensiv, e rinovuar së fundmi nga TIKA turke.

* * *

Në sferat e tjera java nisi me një protestë para Kuvendit të Kosovës, që mund të shndërrohej në të dhunshme. Në të ishin mbledhur përfaqësuesit e veteranëve të cilët protestonin për ndryshimin e ligjeve, që do ta përcaktonin pagën minimale në Kosovë. Insistonin që pensionet e tyre të lidheshin për pagën minimale, siç kishte qenë në kohën kur u miratua ligji.

Po të njëjtën ditë u mbajt një konferencë për shtyp, në të cilën ministri i Financave, Murati, shpjegoi se veteranët i kushtojnë Kosovës 80 milionë euro në vit. Kjo për shkak se numri i veteranëve vazhdon të jetë i fryrë dhe se listat vazhdojnë të jenë të papastruara, përderisa në të njëjtën kohë ka një numër të akuzuarish për shkak të këtyre listave, që e presin gjykimin.

Pra, 80 milionë që krijohen edhe nga mbledhja e akcizës së naftës, e cila opozita me ngulm po kërkon që të hiqet, ashtu që çmimi i naftës të bjerë. Dhe është fakt se rritja e naftës e shtrenjton transportin e mbase edhe ndonjë prodhim simbolik, porse nafta megjithatë nuk është produkt elementar mbijetese. Shumë më të brengosur do të duhej të ishim me rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe me mungesën, tashmë kronike dhe shumë serioze, të parasë në qarkullim.

Më duket nuk ka javë që nuk e përmendi këtë fakt, porse me kalimin e kohës, ky problem po shumëfishohet, aq sa së shpejti do t’i kolapsojë firmat që tashmë janë futur në borxhe të mëdha, për shkak se borxhet ndaj tyre janë të mëdha. E vetmja shpresë që ka mbetur është që sërish të vijnë tifozët nga Irlanda e Veriut me kapacitet konsumi të pangopshëm, së paku të birrave. Ose edhe diaspora, e cila sërish do të na nxjerrë prej telasheve me një injeksion disamilionësh që do të na gëzojë nja një muaj, e më pas do t’i gëzojë Shqipërinë e Malin e Zi, adresat tradicionale të pushimeve të tyre verore.

Diçka nuk po funksionon me ekonominë e Kosovës, porse nuk e kam kapacitetin analitik për të zbërthyer se ku është problemi. Se pos që kemi shumë të punësuar në sektorin publik, e që paguhen nga buxheti i Kosovës, të cilin e mbushin privatët që tash janë në telashe, edhe këtu kemi fontanë dëshirash: krejt duan rritje rrogash; duan edhe nga 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit për Pagat; duan mbase edhe të shkojnë në det apo mal, me para të shtetit mundësisht – ndërkohë që asnjëri nuk do që ta humbë vendin e punës, edhe nëse s’punon gjë apo tregohet jocilësor në punën që e bën.

Dhe sa më shumë kohë po kalon, aq më shumë mllef po krijohet në raport me SBASHK-un dhe mësimdhënësit: të hënën e të martën e ardhshme shkollat e Prishtinës nuk do të punojnë, për shkak se do ta kremtojnë 11 qershorin, Ditën e Çlirimit të Prishtinës, në ditën kur janë futur rusët më 1999 dhe 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës, kur ka hyrë NATO-ja me këmbësori.

Pra, në vend se këto ditë të shënohen të shtunën dhe të dielën, pa qenë fare festa zyrtare, u jepen edhe dy ditë pushim, kot, tash në fund të vitit shkollor. Pse të mos lypin rritje rrogash? Fundja ata po dinë, ata po i grahin!

* * *

Mbase dikush edhe do të më kritikojë se përse vizita e kryeministrit gjerman në Prishtinë mbetet e fundit në këtë zgafelle. E gjen vendin këtu për shkak se problemet tona të përditshme janë tejet, tejet serioze që kërkojnë zgjidhje nga vetë ne, e ku as gjermani e as amerikani a francezi nuk mund të na i zgjidhin.

Deklarata më e vlefshme e Scholzit dje qe që as Kosova, as Serbia nuk mund të hyjnë në BE pa e njohur njëra-tjetrën. Duke e pasur parasysh shtegun asimetrik që kemi drejt Evropës, ku Serbia është shtet kandidat, e ne nuk jemi as shtet i njohur nga pesë anëtare të BE-së, është ëndërr e bukur të besohet se këtë që e thotë kancelari gjerman është njëmend ashtu. E mund të jetë njëmend ashtu vetëm nëse Gjermania vë veto ndaj anëtarësimit të Serbisë. Pra që s’mund të anëtarësohet pa e njohur Kosovën.

E megjithatë, jetës nuk po i dihet, e nuk po u dihet as krizave e as luftërave. Anëtarësimi eventual i Serbisë mund të ndodhë në kohën ku Scholtz mund të mos jetë më kancelar; mund të ndodhë në kohët e ndryshimit të qëndrimeve politike apo edhe të shpërthimit të një lufte tjetër diku... Pra, përderisa kjo deklaratë sot tingëllon si melhem, megjithatë nuk garanton asnjë gjë.

E mira e së mirës do të ishte që Gjermania të niste të investonte në Kosovë, ashtu që të krijonte vende pune dhe të jepte shpresë se ky vend mund të mëkëmbet pas vite dështimesh dhe humbjes së rrugës në oborr.

Përditë po bëhet më vështirë të jetohet në këtë vend. Trashëgimia e keqe e ndërtuar në dy dekadat e fundit është fakt i pamohueshëm. Porse edhe orientimi i paqartë dhe i pastrukturuar drejt një ndryshimi cilësor të asaj që kemi sot, është gjithashtu fakt. Të kërkosh të jetohet me dinjitet nuk është fontanë dëshirash.

[email protected]