OpEd

Fjalimet që na mungojnë

Rrallëherë (ose gati asnjëherë) politikanët e Kosovës ia dalin të mbajnë një fjalim vërtet shtetëror, të kuptueshëm dhe inspirues për sistemin demokratik. Para se Kuvendi i Kosovës të fillojë legjislaturën e re, qe një propozim se ku do të duhej të orientohej dhe të mësonte kryetari apo kryetarja e re e Parlamentit të Kosovës

Fillimi i punës së parlamentit të ri nuk është një punë sa për sy e faqe. Negociatat për krijimin e qeverisë nuk janë çështje vetëm e ndarjes së posteve. Së pari dhe më e rëndësishme është marrëveshja për koalicion dhe harmonizimi i programeve mes partive që duan të krijojnë qeverinë. Në të kaluarën kemi parë në Kosovë një letër të formatit A4, e cila i përmbante disa pika të përgjithshme dhe kryesisht me përmbajtje boshe. Kjo quhej marrëveshje për koalicion. Ishte mesazh i qartë ndaj elektoratit: harrojeni çfarë kemi premtuar gjatë fushatës elektorale. Prioritet ka ndarja e posteve. 
Më ra të shikoja, të dëgjoja dhe të lexoja fjalimin e kryetares së re të Parlamentit të Gjermanisë. Julia Klöckner, deputete shumëvjeçare dhe politikane me përvojë e partisë konservatore CDU, u zgjodh më 25 mars. Fjalimi i saj - me rreth 20 mijë karaktere - zgjati afër gjysmë ore. Dhe në pjesën më të madhe ishte vërtet inspirues, solemn, dinjitoz, largpamës, vetëkritik, këshillues dhe paralajmërues.  
Rrallëherë (ose gati asnjëherë) politikanët e Kosovës ia dalin të mbajnë një fjalim vërtet shtetëror, të kuptueshëm dhe inspirues për sistemin demokratik. Para se Kuvendi i Kosovës të fillojë legjislaturën e re, qe një propozim se ku do të duhej të orientohej dhe të mësonte kryetari apo kryetarja e re e Parlamentit të Kosovës. Le ta lexojë fjalimin e Julia Klöckner. 

Në fillim të fjalimit të saj ajo tha se zgjedhja në një post publik është më pak nder dhe më shumë detyrë apo obligim. Pastaj paralajmëroi se si do të sillet si kryetare e Bundestagut, siç quhet Parlamenti gjerman: “Kam vullnetin e fortë ta përmbush detyrën që më është besuar gjithmonë në mënyrë të paanshme, pa panik dhe e patrembur – e qartë në çështje, por gjithashtu përbashkuese në marrëdhëniet me të tjerët”.

Mandej vazhdoi: “Mbikëqyrja e kohës së fjalimeve nga karrigia e kryetares (së Parlamentit) është e lehtë; për këtë qëllim ka një orë. Por unë nuk do të shikoj vetëm orën, do të dëgjoj gjithashtu – si në foltore, ashtu edhe në sallë. Për këtë kam një masë të qartë: mirësjelljen. Duhet të zhvillojmë debat të ashpër, atë debat duhet ta përballojmë, ta durojmë – po, kjo është pjesë e punës – sipas rregullave të qarta, procedurave të qarta dhe shumicave të qarta. Do të sigurohem që të ruajmë një sjellje të civilizuar ndaj njëri-tjetrit dhe, nëse nuk e bëjmë këtë, duhet të mësojmë ta bëjmë këtë. Po, është i rëndësishëm stili i debatit dhe respekti në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Mënyra se si komunikojmë dhe shkëmbejmë argumente këtu – për këtë jam e bindur – ndikon në debatet shoqërore. Ne po përpiqemi këtu në seancë plenare për të gjetur zgjidhje për problemet që trazojnë vendin tonë”.
Fjalimi përmban edhe shumë formulime të tjera me vlerë: “Konstituimi i parlamentit të ri është gjithmonë po ashtu një moment solemn. Është një ngjarje që lidh vazhdimësinë me risinë, me përtëritjen”.

Nganjëherë njerëzit sikur harrojnë se nuk është e vetëkuptueshme të zgjedhësh në mënyrë demokratike dhe të dërgosh në parlament njerëz që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të lirë. Mbi 70 për qind e popullsisë së botës jeton në shtete me forma autokratike apo gjysmautokratike shtetërore, tha Klöckner. Këtë do të ishte mirë ta kishin të qartë politikanët dhe shoqëria kosovare.
Secili shtet ka një qeveri, por jo çdo shtet ka opozitë. Ekzistenca e opozitës e bën demokracinë të vërtetë. “Demokracia do të thotë - nga ‘Demos’, popull - pra, sundim i popullit. Nuk sundojmë ne, por populli na ka ngarkuar me këtë detyrë”, shtoi kryetarja e re e Parlamentit gjerman në vazhdën e fjalimit të saj.

Me dekada të tëra shoqëria gjermane u ka rezistuar ekstremizmave politikë. Partitë e etabluara kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, duke i mbajtur larg armiqtë e demokracisë. Por në 10 vjetët e fundit arena politike ka ndryshuar me forcimin e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila nga drejtësia gjermane është shpallur pjesërisht ekstremiste. Asnjë nga partitë e etabluara nuk është e gatshme të bashkëpunojë me AfD-në. Por është e pamundur të injorohet krejtësisht kjo parti, e cila në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt doli e dyta. Duke i pasur në mendje ndryshimet në peizazhin politik, kryeparlamentarja gjermane në fjalimin e saj theksoi: “Shumica nuk ka automatikisht të drejtë, por as pakica. Le të kritikojmë njëri-tjetrin; kjo është pjesë e procesit. Por të mos e denigrojmë njëri-tjetrin në mënyrë personale. Ne nuk zëmë në thua vetëm sepse bëjmë një hap drejt njëri-tjetrit. ‘Të mos bëjmë gabimin të dyshojmë në aftësitë mendore apo në vullnetin e mirë të çdo personi me mendim të ndryshëm’. Kjo nuk është thënie imja, por e (ish-kancelarit nga fundi i shekullit të 19-të) Otto von Bismarck”.

Një demokraci parakusht për ecje përpara është kompromisi. Kanë sukses afatgjatë vetëm ata politikanë që kur fillojnë të kërkojnë një zgjidhje e kanë parasysh se edhe pala tjetër mund të ketë të drejtë në ndonjë pikë. Dhe pikërisht këtë pikë duhet integruar në zgjidhje. Në këtë frymë ishte i ndërtuar fjalimi i Julia Klöckner.

Asnjë parlament nuk është i përsosur. S’mund të jetë, sepse as shoqëritë nuk janë të përsosura. Por kjo s’domethënë që duhet të heshtin problemet. Kryeparlamentarja gjermane përmendi përfaqësimin joadekuat të grave në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit. “Gratë përbëjnë më pak se një të tretën e deputetëve. Megjithatë, më shumë se gjysma e shoqërisë sonë përbëhet nga gratë. Një parlament që flet për të gjithë duhet të përfaqësojë në mënyrë të përshtatshme grupet shoqërore; dhe kjo, kur bëhet fjalë për gjinitë, është ende diçka që nuk është arritur kudo plotësisht. Sepse që nga viti 1918, ligji zgjedhor nuk ua ka ndaluar grave të kandidojnë, megjithatë, kushtet duket se e bëjnë ende këtë”. Për të rritur përfaqësimin e grave në parlament duhet përmirësuar kushtet. 

Dhe në fund të këtij teksti, një propozim: Duke u bazuar te praktika gjermane, Parlamenti i Kosovës mund të bëjë një ndryshim të Rregullores së Punës dhe t’ia japë të drejtën për drejtimin e seancës së parë deputetit me stazhin më të gjatë dhe jo, si deri më tani, deputetit më të moshuar. Krejt kjo për çështje efikasiteti në punë.

Fjalimi i plotë i kryetares së Parlamentit gjerman gjendet në këtë link: