Aro Muriq te Vedat Muriqi. Muriqi te Milot Rashica. Rashica godet bukur për ta dërguar topin në rrjetë, pasi fillimisht me dy prekjet e para shtyn topin në fushën e blertë...
Në fushë, po. Të blertë? Vështirë!
Vetëm e blertë nuk ishte fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në mbrëmjen e ftohtë e me shi të 12 nëntorit. Kosova fitoi 1:0 ndaj Izraelit, por ajo fitore, ajo ndeshje, zbuloi shumëçka. Zbuloi humbje të shumta. Dështime të shumta.
Nuk shkuan shumë minuta pasi nisi ndeshja dhe fushën e mbuloi lloçi. Lloç më shumë se bari do të ishte ndoshta normale në një fushë modeste, në ndonjë qytezë apo fshat në ndonjë anë të vendit. Në ndonjë fushë që është ndërtuar me kontribut vullnetar e që mirëmbahet nga kush e si mundet.
Por jo në stadiumin kryesor në vend. Në stadiumin ku zhvillojnë ndeshjet të gjitha ekipet përfaqësuese, të gjitha ekipet që luajnë ndeshje evropiane e po ashtu skuadra më me nam në vend.
Lojtarët e Kosovës u ankuan për gjendjen e rënduar të fushës. Por disi butë. Më shumë u ankuan lojtarët e Izraelit. Njëri madje e krahasoi me “stallë derrash”.
Ngjalli reagime të shumta ajo deklaratë. Shumë prej komentuesve në Kosovë pajtoheshin me vlerësimin e tij. Të tjerëve u vinte rëndë dhe ndiheshin të ofenduar. Por se fusha ishte katandisur si mos më keq nuk e mohonte askush.
Komuna e Prishtinës, si pronare e stadiumit, hoqi menjëherë përgjegjësinë. Federata e Futbollit e Kosovës, si menaxhuese e stadiumit, nuk pranoi përgjegjësinë. Tha se i duhet ndihmë për ta mirëmbajtur fushën dhe madje shprehu gatishmëri për të hequr dorë nga menaxhimi i “Fadil Vokrrit”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që miliona të taksapaguasve i kishte deleguar për rinovimin e plotë, përkatësisht rindërtimin e stadiumit në Prishtinë, nuk tha ndonjë fjalë.
Asgjë e re kjo.
Në sportin e Kosovës, dhe jo vetëm, është e zakonshme që për dështim të mos marrë përgjegjësi askush. Edhe më keq, të mos kërkohet përgjegjësi prej askujt. Për shembull, nuk merret përgjegjësi e nuk kërkohet përgjegjësi që Kosova ende nuk ka normë për lojërat olimpike “Parisi 2024”, pos në xhudo. Që sportet individuale, sërish pos xhudos, janë duke u tkurrur vazhdimisht sa i përket numri të garuesve, por edhe nivelit të rezultateve. Që në basketboll investohen dhjetëra miliona euro në vit e nuk del asnjë basketbollist kosovar. Që Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka rënë nga kualifikimet e rregullta në fazë parakualifikuese. Që Federata e Volejbollit më shumë i kushton rëndësi prezantimit ndërkombëtar në volejboll në rërë se në volejbollin e zakonshëm.
Rrjedhimisht, edhe për lloçin në “Fadil Vokrri” nuk e mori askush përgjegjësinë. As FFK-ja, as Komuna, as Ministria. As përgjegjësit e mirëmbajtjes së fushës, natyrisht.
“Stalla e derrave” hapi sytë e shumë njerëzve. Presioni publik u rrit dhe nuk shkoi shumë e stadiumi u mbyll. Por pa pranuar përgjegjësi më parë. U tha se do të rinovohet fusha plotësisht, e më pas stadiumi do të hapet në pjesën e dytë të vitit 2024. Miliona të tjerë do të investohen. Miliona të taksapaguasve natyrisht.
Dhe nëse trendi i deritashëm do të vazhdojë, fusha do të rinovohet disi në nguti, mund të mos i bëhet pranimi teknik, mirëmbajtja nuk do të jetë e duhura, lloçi do të dominojë ndaj barit...
Dhe prapë askush nuk do të thirret në përgjegjësi.
Kështu ndodhi për shembull për stadiumin “Adem Jashari”. U rinovua një herë e më pas edhe një herë tjetër. U premtua një rinovim i plotë, por u tha se dolën telashe “me letra”. Pasi u bënë punë, për prishjen e objektit më shumë, çdo gjë u stopua. Dhe ka shumë e shumë muaj që stadiumi i ngjan një objekti të granatuar e të shkatërruar plotësisht.
Kështu ndodhi me palestrën në Istog. Fillimisht ndërtimi i saj zgjati mbi një dekadë. Më pas u hap me nguti. U luajtën ndeshje ndërkombëtare, ndërsa për lëshimet e absurditetet në objekt u tha që më mirë të heshtet. Sepse “ka rrezik e na e mbyllin”. Dhe tani ajo palestër është jashtë funksionit. Sa herë ka të reshura mbushet me ujë. “Ekspertët”, ata që për llafe i dinë të gjitha, thonë se në Istog erërat janë të forta dhe kjo solli dëmtimin e çatisë. Por këtë nuk e kishin përmendur derisa u shkaktua dëmi, që kushedi se kur do të rinovohet. U premtua nga MKRS-ja se kjo do të ndodhë në vitin 2023. Por nuk ndodhi.
Kështu, hendbollistet e Istogut dhe basketbollistët e Istogut u detyruan të luajnë si vendas në qytete të tjera, ndonëse kanë shpresuar se këto telashe do t’i takojnë së kaluarës.
Në Rahovec palestra e re pikon. Në Prizren palestra e rinovuar këtë vit ishte shumë e ftohtë në shumë prej ditëve të dhjetorit. Ngrohja nuk funksiononte dhe kjo nuk është ndonjë befasi, përkundër parave të shumta të investuara.
Në palestrën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në ngjarjen më të mirë të vitit – Evropianin e Hapur të Xhudos – era të shponte.
Është e gjatë lista e objekteve sportive që janë ndërtuar e rindërtuar keq. Thuajse të gjitha. Përjashtim bën salla në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Dhe kjo vetëm për faktin që mbikëqyrjen e punëve e kanë bërë drejtuesit e xhudos kosovare. Kryemjeshtri Toni Kuka dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë lejuar material të keq, punë të keqe.
Kjo ndoshta është formula – që mbikëqyrjen e punimeve ta bëjnë ata që do ta shfrytëzojnë objektin. Por përderisa punët të kryen nga ofertuesi më i lirë, që shpesh ofron çmim nën çdo mundësi, për të bërë ndonjë “fizkulturë” më vonë me të tjerë të përfshirë, gjendja me infrastrukturë sportive do të jetë e tillë.
Shumë pluhur u ngrit edhe për deklaratat e ish-selektorit të Kosovës në basketboll, grekut Christos Marmarinos. Ai kishte përmendur edhe temperaturat e papranueshme në palestra e po ashtu vrimat në parket. Kishte treguar ashtu si ishte.
Në dy dekadat e fundit janë investuar qindra miliona në infrastrukturë sportive. Për fat të keq një pjesë e mirë e atyre milionave nuk ka përfunduar në objektet sportive. Rrjedhimisht Kosova ka fare pak palestra të denja dhe pak ndonjë stadium të hajrit. Stadiumi në Podujevë duket në gjendje më të mirë. “Fadil Vokrri” është i mbyllur momentalisht. Stadiumi “Adem Jashari” është gërmadhë e “Riza Lushta” është pa mure dhe me objekt që i ka shumë dekada jetë. Në Gjilan nuk ka stadium, në Ferizaj jo, në Pejë jo.
Në Suharekë, prej nga vjen kampioni i dy vjetëve të fundit, stadiumi nuk i shkon për shtati imazhit që po mundohet ta krijojë Ballkani.
Gjithë këto fakte janë në kundërshti me atë që thonë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Thonë se kanë bërë shumë punë, se janë duke kryer shumë projekte. Por të paktën për objektet sportive, punët që kryhen janë të prekshme. I nxehti në palestra ndihet. Dhe palestra të nxehta ka fare pak.
Ka shumë fusha me bari sintetik, për të cilat ankohen lojtarët dhe ka dyshime që janë të dëmshme për shëndetin, dhe tribuna të improvizuara.
Ka shumë premtime e fjalë të mira nga përgjegjësit. Nga të huajt, një legjendë e Rumanisë është çuditur se si mund të luhet ende futboll ndërkombëtar në fusha si ajo në “Fadil Vokrri”. Një lojtar nga Izraeli e krahasoi fushën me “stallë derrash”.
Ky është realiteti momentalisht.
Fjalët e përgjegjësve duken sikur arsyetime për dështimet që vazhdojnë. Dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.