OpEd

Fillim i ri apo vazhdim me të vjetrën në BE

Këtë javë, falë pazareve politike mes grupimeve kryesore në Parlamentin Evropian, do të votohet në seancë plenare Komisioni i ri i BE-së për mandat pesëvjeçar. Do të nisë mandatin më 1 dhjetor. Kjo shënon fazën e tranzicionit institucional në BE që zgjat plot një vit

Bashkimi Evropian do t’i presë Kërshëndellat dhe Vitin e Ri me kompletimin e të gjitha institucioneve kryesore dhe, sa i përket kësaj çështjeje, do të jetë rehat për pesë vjetët e ardhshëm, deri te zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme evropiane në qershorin e vitit 2029. Kjo shënon fazën e tranzicionit institucional në BE që zgjat plot një vit. Dhe në vitin kur zhvillohet zgjedhjet evropiane, pra në vitin e fundit të mandatit të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, nuk merren vendime të rëndësishme, sepse pritet që në bazë të rezultateve të zgjedhjeve evropiane, por edhe të konstelacioneve politike mes vendeve anëtare në Këshill, të formohen institucionet e reja e pastaj ato të merren me prioritetet që do t’ia caktojnë vetes.

Këtë javë, më saktësisht të mërkurën më 27 nëntor, falë pazareve politike mes grupimeve kryesore në Parlamentin Evropian, do të votohet në seancë plenare Komisioni i ri i BE-së për mandat pesëvjeçarë. Do të nisë mandatin më 1 dhjetor. Të njëjtën ditë mandatin do ta nisë edhe Antonio Costa në postin e presidentit të Këshillit Evropian ku do ta zëvendësojë belgun Charles Michel. Costa, për dallim nga presidentja e Komisionit Evropian, Urslula von der Leyen, ka mandat dy vjet e gjysmë, por është normë e pashkruar se do të zgjatet edhe dy vjet e gjysmë dhe të mbetet në atë post pesë vjet, aq sa edhe Komisioni i ri Evropian.

Seancat dëgjimore në komisionet e Parlamentit Evropian ishin një farsë. U zhvilluan sa për të respektuar procedurat dhe ligjet e BE-së, por u pa qartë se vendimi se cili kandidat mund të kalojë e cili jo nuk varet fare nga deputetët e Parlamentit Evropian dhe votat e tyre, por nga forcat politike jashtë Parlamentit. Kandidatët në seancat që zgjatën tri orë u kujdesën që të mos thonë asgjë të rëndësishme e as konkrete, sepse në atë mënyrë do të rrezikonin të irritojnë ndonjë fraksion politikë. Përgjigjet e tyre në pyetje ishin edhe më bajate sesa të atyre që japin zakonisht zëdhënësit në konferenca për shtyp. Shumicën e kohës që kishin në dispozicion për përgjigje e shfrytëzuan për të falënderuar deputetët për pyetje, për t’i quajtur ato pyetje si “shumë të rëndësishme“ dhe për të thënë se nuk kanë shumë kohë për t’u përgjigjur më gjerësisht në to.

Edhe ashtu se cili kandidat do të kalojë e cili jo dihej se nuk do të varet nga përformanca e tyre në seanca dëgjimore por vetëm nga konstelacioni i forcave politike. Këtë e dëshmon edhe fakti se 19 kandidat radhazi morën notat kaluese nga Komisionet përkatëse parlamentare por kur erdhi radha tek shtatë të fundit të gjithë u bllokuan për katër ditë. Sepse secili grup politik mbante në dorë mundësinë për të kundërshtuar ndonjë kandidat të partive tjera. Dhe në fund të gjithë u konfirmuan me pazare prapa dyerve të mbyllura. U pajtuan tri grupet që tradicionalisht quhen “Pro evropiane“. Partia Popullore Evropiane (EPP) që është më e madhja. Pastaj grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve nga qendra e majtë (S&D) që përkundër rënies mbetet grupimi i dytë në Parlament për nga numri i deputetëve dhe Liberalët (Renew), që tash kanë zbritur në pozitën e katërt për nga numri i deputetëve sepse e kanë tejkaluar dy grupe të ekstremit të djathtë. Së bashku këto tri parti kanë shumicën e mjaftueshme për ta votuar Komisionin e ri Evropian. Për më tepër, në favor të këtij Komisioni Evropian pritet të votojnë edhe deputetët e dy grupeve të ekstremit të djathtë sepse edhe ato kësaj radhe do të kenë komisionerët nga radhët e tyre.

Votimi në seancë plenare të mërkurën pritet të jetë vetëm formalitet sepse tashmë është vendosur se si duhet të votohet, dhe do të jetë hera e parë pas 25 vjetësh që Parlamenti Evropian të mos e refuzojë asnjë kandidat të vetëm për anëtarë të Komisionit Evropian. Që dëshmon se në ketë përbërje pritet që ky të jetë Parlamenti më i dobët në historinë e BE-së pa ndonjë fuqi që do të dëshmojë në raportet me Këshillin dhe Komisionin Evropian.

Në anën tjetër EPP do të jetë më e fuqishme se asnjëherë më parë. Do të ketë numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin Evropian, numri më të madh si kurrë më parë edhe të komisionerëve, numrin më të madh të shefave të shteteve apo qeverive në Këshill. Dhe që është më e rëndësishme do ta ketë përsëri postin e Kryetares së Komisionit Evropian. Herën e fundit kur në krye të Komisionit Evropian ka qenë një socialist ka qenë nga viti 1999 deri në vitin 2004 kur në atë post ishte Romano Prodi.

Për institucionet e BE-së do të jetë e rëndësishme që nisja e re e institucioneve me liderë të rinj, ndonëse në krye të Komisionit në mandatin e dytë do të jetë përsëri Von der Leyen, të jetë më 1 dhjetor, që i bie gati dy muaj para se Donald Trump të nisë mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë si president amerikan. Sikur për të gjithë të tjerët, ashtu edhe për BE-në, Trump do të jetë i paparashikueshëm dhe kjo do ta vërë në siklet edhe Komisionin Evropian. Nuk janë vetëm qëndrimet ndaj agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndaj krizës në Lindjen e Mesme ato që pret t’i sheh Brukseli nga administrata e re amerikane por edhe çështjet e tjera si respektimi i rregullave tregtare. Komisioni Evropian duhet të vendosë në emër të BE-së nëse nga administrata e Trumpit vendosin tarifa për importin e mallrave nga Evropa. Sepse vendet anëtare nuk mund të ketë raporte bilaterale tregtare me SHBA-në, por vetëm si bllok.

Do të jetë ky mandati i dytë i Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian, dhe në bazë të asaj që dëgjohet këto ditë nëpër korridoret e Komisionit ajo me një dorë shumë të fortë pritet ta kontrollojë Komisionin Evropian dhe komisionerët. A do të vazhdojë aty ku ka mbetur apo do të jetë ky një fillim i ri kjo do të shihet që në vitin e parë të mandatit të dytë. Nuk do të mund të evitohen problemet që janë trashëguar dhe puna në përballjen me to duhet të vazhdojë. Por, siç dëshmuan pesë vjetët e fundit me pandeminë e Covid 19, agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe eskalimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit e Hezbollahut, vendosja e prioriteteve para mandatit nuk është gjithmonë në duart e liderëve të institucioneve, sepse prioritetet imponohen edhe vetë.