Çdo vit presidentët amerikanë kanë uruar presidentin serb për Ditën e Shtetësisë dhe viteve të fundit çdo herë aty ishte edhe obligimi për njohjen e ndërsjellë apo minimalisht për normalizimin e marrëdhënieve. Nga ky vit, nuk është asnjëra
Këto ditë nuk janë ditët më të mira të presidentit serb Vuçiq. Deri më sot ai nuk ka gjetur një mënyrë efektive për t’iu përgjigjur protestave të studentëve. Ai fillimisht tentoi t’i neutralizojë ato duke i kërcënuar. Kur ajo nuk funksionoi, ai tentoi t’i njollosë ata si pazarxhinj politikë, të cilët kontrollohen nga partitë opozitare. Kur as ajo nuk funksionoi, ai tentoi t’i denigrojë ata si argatë të agjentëve të huaj që kanë për qëllim dëmtimin e Serbisë.
Deri më sot asnjë nga këto strategji nuk kanë funksionuar dhe Vuçiqi gjen veten në një rrethanë të re ku ai nuk po arrin të kontrollojë diskursin publik, i cili tani po udhëhiqet nga lëvizjet studentore. Pra për herë të parë Vuçiqi është përcjellës, jo udhëheqës i diskursit publik në Serbi.
Dhe në këtë drejtim çdo përpjekje e tij për ta kthyer kontrollin mbi diskursin publik nuk ka pasur sukses. Fillimisht ai mendoi se me shkarkimin e disa ministrave dhe disa zyrtarëve të lartë gjendja do të vihet nën kontroll. Më pastaj tentoi të kthejë besimin me largimin e kryeministrit Vuçeviq dhe kryetarit të Novi-Sadit, Gjuriq. Tani ai ka filluar një “luftë të ashpër kundër korrupsionit” me arrestimet e disa zyrtarëve të ulët të partisë së tij. Por asnjëra nga këto nuk kanë arritur deri më sot të kthejnë besimin publik drejt Vuçiqit. Lëvizjet studentore ngelin në kontroll të diskursit publik.
Ajo çfarë filloi si problem i brendshëm i Serbisë tani po merr përmasat e një krize politike me implikime ndërkombëtare për Serbinë. Ndaj tyre është dashur të reagojë edhe komisionerja e BE-së për zgjerim, znj. Marta Kos. Kjo ndodh në një kohë kur Serbia po pret hapjen e negociatave të grupkapitullit 3. Tani më edhe vetë Vuçiqi është ankuar se kriza e brendshme politike ka filluar të shkaktojë pasoja në uljen e investimeve të huaja në Serbi. Për të promovuar versionin e tij për protestat studentore Vuçiqi ka shpërndarë letrat diplomatike te të gjitha kancelaritë evropiane. Por siç duket e gjithë kjo nuk po funksionon. Dje Parlamenti Evropian diskutoi krizën politike në Serbi në seancë plenare. Gjatë seancës plenare, një numër i madh i deputetëve kërkoi ashpërsim të qëndrimit evropian karshi Serbisë. Dhe protestat nuk po japin asnjë shenjë ndaljeje.
Në gjithë këtë mes, duke parë nevojën për një fitore sado të vogël së paku në rrafshin ndërkombëtar, dje presidenti Vuçiq publikoi në Instagram letrën e presidentit Trump drejtuar atij me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Aty presidenti Trump lavdëroi bashkëpunimin çdo herë më të madh mes dy shteteve, në veçanti në fushat e teknologjisë dhe energjisë. Po ashtu, presidenti Trump falënderoi Vuçiqin për “kontributin e rëndësishëm” në mbështetjen e Ukrainës si dhe për përpjekjet për integrimin e Serbisë në komunitetin euroatlantik. Sidoqoftë, Vuçiqi nuk e publikoi këtë letër për t’u lavdëruar me çfarë kishte në të, por për të festuar një gjë që nuk ishte aty. Aty mungoi për herë të parë çfarëdo reference specifike për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Çdo vit, presidentët amerikanë kanë uruar presidentin serb për Ditën e Shtetësisë dhe viteve të fundit çdo herë aty ishte edhe referenca e qartë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nganjëherë SHBA-ja bënte thirrje për “normalizim të marrëdhënieve”, e nganjëherë për “njohje të ndërsjellë”.
Termin “njohje e ndërsjellë” e solli i pari presidenti Trump. Në vitin 2019, presidenti Trump ia nënvizoi presidentit Vuçiq se “njohja reciproke do të duhet të jetë element qendror i normalizimit të marrëdhënieve”. Sidoqoftë në vitin 2020 Trumpi uli standardin duke folur vetëm për normalizim të marrëdhënieve. Në vitin 2021 në letrën e parë si president i ri i SHBA-së, presidenti Biden shkaktoi shok në Serbi kur ai iu kthye formulimit të “njohjes së ndërsjellë”. Presidenti Biden kërkoi “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është e fokusuar në njohje të ndërsjellë”. Përshkallëzimi i fjalorit nga “normalizimi i marrëdhënieve” në “njohje të ndërsjellë” i bëri mediet proqeveritare në Beograd që të trajtojnë urimin e presidentit Biden si “provokim” dhe fjalor “skandaloz”. Vetë Vuçiqi njohu këtë ndryshim pozicioni amerikan dhe asokohe nënvizoi se “u ka thënë në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë se çfarë mendon për njohjen e ndërsjellë”. Çfarëdo që t’u këtë thënë Vuçiqi në Shtëpinë e Bardhë, pozicioni amerikan nuk ndryshoi. Përsëri në urimin e vitit 2022 presidenti Biden ia përkujtoi Vuçiqit se “Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen nga progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat, siç ju e dini, besoj duhet të jenë të bazuara në njohjen e ndërsjellë”. Ndonëse në vitin 2023 dhe 2024 urimi i presidentit Biden përsëri përfshin në mënyrë eksplicite referencën për Kosovën, ai tani kthehet te fjalori “normalizimi i marrëdhënieve”. Kjo periudhë koincidon me fillimin e luftës në Ukrainë dhe ne mund vetëm të spekulojmë se kompromiset e Serbisë karshi SHBA-së me qëllim të mbështetjes së Ukrainës si dhe zgjerimit të prezencës energjetike amerikane në Serbi kanë qenë arsyet të cilat qëndrojnë mbrapa zbutjes së fjalorit të administratës amerikane.
Sidoqoftë, tani në vitin 2025, letërurimi i presidentit Trump për herë të parë thyen një traditë ku ai fare nuk përmend më normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në letërurimin për presidentin Vuçiq. Ndonëse letërurimi është akt simbolik, në politikë simbolika është e rëndësishme. Presidenti i Serbisë do të pranojë gjatë një viti kalendarik një ose dy letra nga një president amerikan. Çdo fjalë në atë letër shkruhet, diskutohet, rishkruhet dhe kontrollohet për t’u siguruar se ajo përfaqëson me saktësi qëndrimin amerikan. Dhe fakti që presidenti amerikan vendos që të mos i referohet më normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën është një zhvillim brengosës. Dhe ky zhvillim nuk është një zhvillim i izoluar. Ai ndodh në një sfond të pozicionimit të ri të administratës amerikane në rajon. Vetë presidenti Vuçiq është lavdëruar se falë bashkëpunimit afarist me njerëzit e afërt të Trumpit ai pret një qasje më konstruktive nga administrata Trump. Vuçiqi aludon në vendimin e Serbisë për t’ia dhënë dhëndrit të Trumpit të drejtën e ndërtimit të një kompleksi gjigant afaristo-biznesor në qendrën e Beogradit. Ky projekt u fasilitua nga përfaqësuesi i tanishëm i presidentit Trump për misione të veçanta, z. Richard Grenell. Ishte vetë Grenelli, i cili që nga ajo kohë mbështeti çdo narracion të Vuçiqit, qoftë lidhur me Kosovën, apo lidhur me protestat e fundit të studentëve në Serbi. Tani së fundi Beogradin e vizitoi edhe z. Rod Blagojevich, ish-guvernatori i Shtetit Illinoisit dhe i përfoluri për ambasador të ri amerikan në Serbi.
Ka zëra të arsyeshme që thonë se nuk ka vend për brengosje dhe se administrata Trump do të vazhdojë t’i ruajë interesat e Kosovës karshi Serbisë dhe se e gjithë kjo histeri dhe grenellofobi është ekzagjerim, i cili nuk do të këtë asnjë pasojë në politikën zyrtare amerikane. Ky vështrim edhe mund të rezultojë i drejtë. Këtë koha do ta provojë. Sidoqoftë, ndërkohë duhet të jemi syhapur dhe të njohim shenjat e para të ndryshimit të realitetit para syve tanë. Kjo çfarë ndodhi me letërurimin ishte ndryshim pozicioni në favor të Serbisë. I vogël, por jo i parëndësishëm. Në vitin 2021 Vuçiqi ishte i frustruar me ashpërsimin e gjuhës së “njohjes së ndërsjellë”. Sot në vitin 2025, ai feston fitoren e një teksti të munguar.