OpEd

Fati i librave të mikut tim Jacques

Ndeshja e së shtunës mes Kallmetit të madh dhe të voglit

1.

Miku im Jacques thotë se shkon nesër në Moravi veriore.

Jemi në darkë në Golem të Kavajës, në Mesdhe.

Moravia veriore e ka për mua një tis romantik të provincave të vjetra austrohungareze. Në natën e ngrohtë të Mesdheut Moravia veriore më ngjall përshkrimin që i bënte në “Marshin Radetzky” Joseph Roth, shkrimtari i lindur në Galicia, ajrit të ftohtë në të dy anët e kufirit mes Rusisë perandorake dhe botës së qytetëruar, asaj që i përkiste shkrimtari austrohungarez. Aty dikund zhvillohet sot lufta e Rusisë kundër Ukrainës; si në kohën e Rothit për të bërë një kufi mes Rusisë perandorake dhe botës së qytetëruar.

Natën e ngrohtë mesdhetare duket ta mbrojë sonte prej ajrit të akullt të Lindjes shinjeli i trashë i Rothit.

2.

Rruga për në Moravinë veriore e mikut tim Jacques nuk qe dëshirë e projektuar nga ai.

Kur ra komunizmi, miku im Jacques i famshëm si këshilltar i Havelit, profesor i Science-po në Paris dhe intelektual publik që u vu në mbrojtje të lirive të njeriut në Lindje - u ftua që të jetë anëtar i komisionit akreditues për universitete të reja. Në valën e decentralizimit të arsimit që kishte kapluar vendin edhe Ostrava kishte vendosur që të hapte Universitet. Prej listës së kushteve për të plotësuar në mënyrë që të hapet universiteti, ky vend arrinte vetëm një, hapësirën e një objekti industrial të braktisur.

Jacques votoi kundër, së bashku me një koleg tjetër, e pesë anëtarë të tjerë të komisionit votuan që të hapet.

Pas tridhjetë vjetësh, universiteti i padëshiruar i Ostravës vendosi që mikut tim Jacques të japë një titull nderi. Më herët për këtë do të ketë dhënë kontribut gruaja e tij, e cila kur erdhi koha për të ndërruar apartamentin në Paris, qe e vendosur që tashmë nuk kishte hapësirë për të gjitha librat e tij. U mor vendimi i përbashkët familjar që një pjesë e madhe e librave që kishin të bëjnë me Lindjen dhe komunizmin duhej të shkonin dikund tjetër - e ku më mirë se në një ish-uzinë komuniste që qe shndërruar në universitet postkomunist që nuk kishte plotësuar asnjë kriter akademik për t’u bërë i tillë? Ku më mirë se në një përshkrim të valles së përbashkët që bën komunizmi me antikomunizmin, jo rrallë nga aktorë të njëjtë?

Universiteti dërgoi kamionin e madh për të mbledhur librat, si obligim të vetëm të vetin.

Jacques nxori nga bodrumi librat që kishin pritur kohën e tyre për të zënë vendin në bibliotekë.

Të nesërmën niset për në Moravinë veriore, në një rrugëtim pajtimi me fatin e papërcaktuar tridhjetë vjet më parë dhe të kuptuarit se librat gjithnjë gjejnë një rrugë të veten, sepse nuk kanë pronarë të vërtetë; janë të gjithkujt.

3.

Librat e mikut tim Jacques dhe kallmetasit kanë të përbashkët se nuk do të mund të paramendonin se ku do t’i çonte jeta.

Kallmetasit janë të Kallmetit të madh dhe Kallmetit të vogël, që të dy janë fshatra, pra që të dy të vegjël, por njëri është më i madh se tjetri dhe me kaq përfundojnë dallimet. Kallmetin - të voglin dhe të madhin - i bën bashkë fakti se me gjithë kufizimin hapësinor e në popullatë është rrushi i Kallmetit prej të cilit bëhet vera më tradicionale (dhe për shumëkënd më e mirë e Shqipërisë), është djathi i Kallmetit dhe ulliri i Kallmetit... Pra, lehtësisht do të kualifikohej për DOC evropian, Denominim të origjinës së kontrolluar, po të ishte në Itali.

Por, nëse nuk janë Kallmeti i madh dhe ai i vogli në Itali aty janë kallmetasit. Dhe janë aq shumë në La Foca afër Peruggias sa çdo të shtunë luajnë futboll në njërën skuadër ata të Kallmetit të madh e në tjetrën ata të Kallmetit të vogël, në mos për kurrgjë tjetër për të treguar se në tërë atë vëllazëri e përbashkësi megjithatë jeta përbëhet edhe prej dallimeve të vogla dhe se pa dallime të vogla nuk ka përbashkësi.

(Faleminderit Remzi për këtë rrëfim, me shpresën e përbashkët që këtë ta lexojnë elitat politike e intelektuale në Shqipëri e Kosovë)

4.

Më pyeti një mik pse mungoi libri im i radhës në Panairin e Librit në Prishtinë.

Sepse, ndoshta është nisur për njërën bibliotekë e është e destinuar për tjetrën.

Sepse, ndoshta është e shtunë që zgjat disa vjet dhe luan herë për njërën skuadër fshati, e herë për tjetrën.

Ndoshta, sepse pret që të hyjnë në të rrëfimet që do të rrojnë vetë.