Vetë i kemi fajet. Në vend se të shkruajmë, të mbledhim fakte, të krijojmë muze kujtese e dokumentacioni e besa edhe të bëjmë dokumentarë e filma, e kemi bërë të kundërtën. Thuajse kemi dashur ta shlyejmë nga kujtesa të gjithë tmerrin e t’ua lëmë të huajve të na mbrojnë. Sërish
Se Serbia ka qenë përherë mjeshtre e gënjeshtrës, tashmë jemi vërtetuar moti. Se me ngulm e ka mohuar krimin dhe vazhdon ta mohojë gjenocidin në Bosnjë, më së miri e dinë nënat e Srebrenicës. E se gjithmonë e ka pasur aftësinë për t'i ndërruar tezat dhe ta paraqesë veten viktimë duke qenë viktimizuesja, bëhet se më së miri e dimë ne.
Së fundi u bë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radio Televizioni i Serbisë kanë nisur të prodhojnë së bashku një seri prej gjashtë dokumentarësh, të quajtur “Dosja e Kosovës”, që trajton kronologjinë e ngjarjeve nga viti 1998 deri në vitin 2001. Jam më se e sigurt se këtu nuk do ta kuptojmë të vërtetën. Do ta shohim e dëgjojmë versionin e redaktuar nga redaktori “këmishëzi” Vulin nën mbikëqyrjen e kryeredaktorit fashist, Vučić, ku ajo që e kemi përjetuar, parë e shënuar është vetëm pjesë e imagjinatës sonë.
E se kështu do të jetë, mjafton të lexohet deklarata e ministrit aktual të Punëve të Brendshme të Serbisë: “Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t'i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”.
* * *
Për masakrën në Reçak kisha kuptuar të shtunën më 16 janar 1999 (tmerri kishte ndodhur të premten). Atëbotë shumë pak vetave iu lejua hyrja në fshat, si dhe qasja deri te hendeku ku i kishin hedhur trupat. Unë nuk isha aty atë ditë, prandaj edhe nuk mund të flas me kompetencë për atë që kishte ndodhur. Porse ka dëshmitarë që janë gjallë e mund të flasin, e ka edhe të tjerë që e bëjnë këtë, dhe prandaj këtë zgafellë po ua la atyre “që ta shkruajnë”.
* * *
William Walker, shef i verifikuesve të OSBE-së në Kosovë, bashkë me verifikuesit e tij, hyri në oborrin e njërës shtëpi të Reçakut, prej nga fshatarët ishin munduar të iknin të premten nga predhat e minahedhësve dhe të mitralozave antiajrore, për të parë trupin e pakokë të Banush Azemit - 60-vjeçari i vdekur.
Walker arriti të shtunën diku rreth orës 13:30 në Reçak të Shtimes, për të parë atë, që e cilësoi ai, të jetë ngjarja më trishtuese në jetën e tij. I shoqëruar nga fshatarët e Reçakut, Walker u ngjit shpatit ku konsiderohej të ishte kryer masakra e fundit kundër civilëve shqiptarë, të cilët një ditë më herët ishin kapur nga forcat serbe të sigurimit dhe ato të Armatës “jugosllave”.
Derisa po i afrohej luginës së ngushtë, Walker, i tmerruar, pa kufomat e tre meshkujve të moshuar. “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket si njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kane vrarë këta njerëz, që mua më duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu dhe nuk më intereson cili ka qenë motivi”, deklaroi Walker para gazetarëve të shumtë. Më pas Walkeri vazhdoi ngjitjen e tij drejt gropës së vdekjes, ku po qëndronin të paluara kufomat e së paku pesëmbëdhjetë civilëve të ekzekutuar. “Të shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t'i shohësh 15 në gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”, pohoi Walker.
(...) Verifikuesit e KVM-it kishin numëruar 36 trupa, ndërkaq që KDOM -i pohonte të ketë parë edhe disa të tjerë që kishin arritur numrin 45, prej të cilëve tri femra dhe 1 fëmijë. “Asnjëri prej tyre nuk ishte i veshur ndryshe përveç me rroba civile, të gjithë dukeshin si fshatarë të vuajtur dhe njerëz të thjeshtë... edhe pse nuk jam jurist, nga ajo që kam parë nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër, dhe si krim kundër njerëzimit”.
(KOHA Ditore, 17 janar 1999, fq. 3)
* * *
Nga gjysma e janarit të 1999-s, pas masakrës në Reçak, bota sërish vërshoi nga lajmet dhe imazhet e tmerrshme të krimeve të specialëve serbë. Për kushedi të satën herë qeveritë perëndimore nxjerrin përfundimin se diplomacinë duhet përkrahur me forcën e NATO-s. Vetë aksioni policor-ushtarak në Reçak... i paramenduar si akt hakmarrjeje pas vrasjes së tre policëve në zonën e Shtimes... nisi me bllokimin dhe granatimin e atij fshati në orët e hershme të mëngjesit.
Kur tanket e brigadës së mekanizuar 243 të UJ-së heshtën, kurse pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë u përpoqën të futeshin në fshat, nga pozicionet e caktuara rreth Reçakut i pritën të shtënat e automatikëve të pjesëtarëve të UÇK-së. Konflikti zgjati disa orë dhe vetëm kur UÇK-ja u tërhoq, pjesëtarët e Njësisë së Operacioneve Speciale u futën në qendër të Reçakut.
Fshatarët që i gjetën të fshehur nëpër bodrume brutalisht do t’i merrnin në pyetje dhe do t’i keqtrajtonin e më pas do t’i vrisnin shpejt, me plumb në qafë. Atë mbrëmjen e 15 janarit, pasi i vranë dhe u dehën, policët u tërhoqën në bazë në Ferizaj, kurse UÇK-ja u kthye në Reçak. I morën me vete rreth dhjetë bashkëluftëtarë të tyre, kurse verifikuesve të OSBE-së ua lënë nëpër istikame dhe vende të tjera 43 fshatarë të vrarë, një grua dhe një fëmijë. William Walker, shefi i Misionit, zëvendësit e tij dhe dhjetë gazetarë e kameramanë u tronditën me atë që panë.
Në kohën kur zhvillohej aksioni i koordinuar i ushtrisë dhe i policisë në zonën e Shtimes dhe Reçakut, gjenerali Nebojša Pavković... të cilin Udhëheqësi posa e kishte emëruar komandant të Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, që e përfshinte edhe Korpusin e Prishtinës, çeta e motorizuar e Brigadës së mekanizuar 243 të të cilit po e granatonte Reçakun... gjendej në Beograd.
Në kabinetin e Pavle Bulatovićit, ministrit federativ të Mbrojtjes, po luftonte për metrat katrorë të banesës së tij të re, kur e thirri gjenerali Dragoljub Ojdanić, kryeshefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së. Me ton të ngritur, komandanti e pyeti seç po ndodhte në Reçak dhe kush e kishte lejuar përdorimin e ushtrisë atje e që ky të mos ishte as i informuar. Pa u shqetësuar për tonin e kryeshefit e as për pyetjen, Pavkovići qetazi ia kthen se njësitet e Korpusit të Prishtinës nuk kanë marrë pjesë në atë aksion policor të MPB-së së Ferizajt. Ojdanići u lehtësua, porse menjëherë iu kujtua se Pavkovićit nuk i besohet. Me ton kërcënues i thotë se ka shënime se çeta e motorizuar e Brigadës së mekanizuar 243 kishte marrë pjesë në sulmin në Reçak.
Pavkovićin e preku dhe e nevrikosi edhe toni, e më së shumti edhe përpjekja e komandantit që ta zinte në rrenë. A bash ky farë Ojdanići... të cilin Supremi e kishte caktuar kryeshef të Shtabit të Përgjithshëm, jo për shkak të aftësisë, por për shkak të përshtatshmërisë... do ta vinte në sprovë, a bash ky do t’i thotë këtij komandantit të Armatës së Tretë se gënjen... Me zë tejet të ngritur në kabinetin e ministrit të Ushtrisë, Pavkovići i përgjigjet Ojdanićit se Brigada e mekanizuar 243 nuk ka lidhje me atë aksion... dhe se komanda e Korpusit të Prishtinës as që është informuar se ky aksion do të zhvillohej. “Nëse tashmë ke informata për të cilat beson se janë të sakta”, i thotë Pavkovići komandantit të vet, “pse po më thërret mua atëherë?” Iu përgjigj me arrogancë, ftohtë dhe me kërcënim, duke e ditur saktësisht se kush-tek e anashkalonte atë, komandantin e Armatës së Tretë, po e informonte Ojdanićin, Shtabin e Ushtrisë dhe kushedi kë tjetër, dhe jo vetëm në Beograd. Kush tjetër pos gjeneralit Aleksandar Dimitrijević, kryeshefit të Drejtorisë së Sigurisë, për të cilin ai padyshim e di se ende “i mban kontaktet me emisarët e huaj ushtarakë”... prej të cilëve ata të Departamentit për të drejtat e njeriut në Misionin e OSBE-së, në raportin e tyre zyrtar thonë: “Më 15 janar në mëngjes, Ushtria e Jugosllavisë e bombardoi fshatin Reçak e më pas në fshat hynë policët e maskuar serbë që u futën nëpër shtëpi, i nxorën burrat prej aty dhe më pas i vranë qetazi me nga një plumb në qafë. Paraprakisht i kanë keqtrajtuar e disa madje i kanë sakatuar, dhe të gjithë këtë tek këndonin, deri në 15:30, kur janë tërhequr. Gjatë operacionit verifikuesit e kanë vërtetuar se tanket kanë qëlluar nëpër shtëpi derisa njerëzit ishin brenda. Nga ato shtëpi nuk vinte kundërzjarri. Tri shtëpi u dogjën...”.
(Rade Radovanović, Qeshja nën trekëmbëshin e varjes, KOHA, 2021, fq 160-163)
* * *
Miloševići nuk mërzitet për kërcënimet e magjistrates kanadeze. Më pesëmbëdhjetë janar të vitit 1999 njësitet e tij e sulmojnë fshatin Reçak dhe i vrasin rreth katërdhjetë fshatarë kosovarë. Kështu u prish armëpushimi. Shefi i Misionit përgjegjës për mbikëqyrjen e armëpushimit në Kosovë, William Walker, menjëherë e shpall këtë “krim kundër njerëzimit”. Louise Arbour është jashtëzakonisht e hidhëruar dhe e thërret Walkerin. “Dërgoni ekspertët tuaj në afat prej 24 orësh, me vizë apo pa të”, sugjeron amerikani.
Louise Arbour, më 19 janar, vjen te kufiri ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Pengesa është e patejkalueshme. Kufitari tallet me të duke e kontrolluar pasaportën e kryeprokurores, konstaton se nuk ka vizë dhe i thotë që të kthehet prapa së bashku me alamet përcjellje të mjeteve të informimit. Humbja është edhe më e dhimbshme, ngase nuk merr asnjë përkrahje politike nga kryeqytetet që pesë vjet më herët e kishin themeluar Tribunalin. Edhe pse i vjen impulsi të japë dorëheqje, Louise Arbour përmbahet me t'u kthyer në Hagë. I gjithë Tribunali ia përgatit një mirëseardhje triumfale. Tregoi guximin. Me këtë udhëtim, në formë implicite ia kishte bërë me dije Miloševićit se ishte nën hetime.
(Florence Hartmann, Paqja dhe ndëshkimi, KOHA 2011, fq. 15)
* * *
“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [Masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Slobodan Milosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.
(REL - 10 dhjetor 2021)
* * *
Vetë i kemi fajet. Në vend se të shkruajmë, të mbledhim fakte, të krijojmë muze kujtese e dokumentacioni e besa edhe të bëjmë dokumentarë e filma, e kemi bërë të kundërtën. Thuajse kemi dashur ta shlyejmë nga kujtesa të gjithë tmerrin e t'ua lëmë të huajve të na mbrojnë. Sërish.