Me mbështetjen dhe me burimet adekuate, komisionari i BE-së për barazi ndër-brezore mund ta përbëjë një precedent për mënyrën se si institucionet demokratike mund t’i përfaqësojnë më mirë interesat afatgjate të shoqërisë. Në mesin e sfidave të pashembullta globale, nisur nga ndryshimet klimatike e deri te avaritë teknologjike, një qeverisje e këtillë me shikim nga e ardhmja nuk është veç e dëshirueshme – është esenciale
Fushata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për mandatin e dytë e përmbante premtimin për caktimin e një komisionari të ri, “përgjegjësitë e të cilit do të përfshinin garantimin e paanësisë ndër-brezore”. Njoftimi i saj e reflekton vetëdijesimin në rritje për nevojën e shqyrtimit të ndikimeve afatgjata të politikave të BE-së, veçmas në kohën e një qarku politik të përqendruar kryesisht në kriza afatshkurtra. Mbase në mënyrë kundërintuitive, përqafimi i qasjes me shikim nga e ardhmja mund t’i ndihmojë politikëbërësit edhe që t’i adresojnë sfidat aktuale në mënyrë më efektive.
Por përderisa vendimi historik i von der Leyenit – që është rezultat i insistimit të vazhdueshëm nga OJQ të shumta, përfshirë Future Generations Initiative – e përfaqëson një evolucion domethënës në qeverisjen evropiane, në të ka ende shumë punë për t’u bërë.
Mbi të gjitha, komisionari i ri për Barazi Ndër-brezore duhet të jetë i pajisur me mjetet e duhura dhe me një mandat të qartë. Duke bashkëpunuar ngushtësisht me komisionarët e tjerë, komisionari i barazisë ndërbrezore mund ta ketë një ndikim të rëndësishëm në të gjitha legjislacionet e BE-së. Por për të shënuar ndryshim transformues kërkohet edhe ndryshim i thellë në mendësi. Për ta siguruar një qasje gjithëpërfshirëse në vendimmarrje, konsideratat afatgjate duhet të përfshihen në diskursin e për çdoditshëm. Krijimi i besimit mes qytetarëve është esencial për suksesin e kësaj përpjekjeje.
Disa parime fondamentale mund të ndihmojnë në formësimin e rolit të komisionarit të ri dhe në inkurajimin e politikave me shikim nga e ardhmja. Për ata që nuk e dinë, të drejtat e brezave të ardhshëm duhet të jenë ligjërisht të definuar dhe të zbatueshëm.
Në veçanti, konceptet e “solidaritetit mes brezave” dhe “zhvillimit të qëndrueshëm” veçse janë të ruajtura në Nenin 3 të Traktatit të Bashkimit Evropian dhe të reflektuara në parimin paraprak që e mbështet ligjin e BE-së.
Megjithëkëtë, për ta siguruar zbatimin, politikëbërësit duhet që t’i definojnë qartë të drejtat që kërkojnë mbrojtje. Kjo në mënyrë eksplicite e nënkupton deklarimin se barra për lehtësimin apo përshtatjen me kërcënimet e mëdha, sikurse ndryshimet klimatike, nuk duhet t’u lihet brezave të ardhshëm. Siç e ceku Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vendimin e fundit historik, politikat e shteteve anëtare duhet të udhëheqin nga “rëndësia e ndarjes së barrës mes brezave” dhe nga mbrojtja “e pjesëtarëve të shoqërisë që janë më të cenuarit” nga këto ndryshime, edhe në rast se janë “në një disavantazh të dallueshëm përfaqësimi”.
Kjo veçanërisht vlen për fushat e politikave klimatike, konservimit të natyrës, teknologjive të reja dhe përgatitjes për pandemi, në të cilat vendimet e dobëta dhe shkurtpamëse mund të shpien drejt një dëmi të qëndrueshëm dhe potencialisht të pakthyeshëm. Për të shmangur një mundësi të tillë kërkohet që të përcaktohen prioritete të qarta afatgjate dhe të sigurohet që përfaqësimi i interesave të brezave të ardhshëm të kundërpeshojë vendimmarrjen afatshkurtër.
Për më tepër, është esenciale që të bëhet dallimi midis “brezave të ardhshëm” dhe fëmijëve e të rinjve të së sotmes. Përderisa interesat e tyre mbivendosen, këto grupe janë dukshëm të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen. Politikat e destinuara për brezat e ardhshëm jo domosdoshmërish duhen përqendruan në çështjet si arsimimi apo tregu i punës; përkundrazi, synojnë ta paraqesin një perspektivë afatgjate në procesin legjislativ.
Parashikimi duhet të jetë komponentë esenciale e ligjvënies së BE-së. Çdo propozim i ri duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi rigoroz të impaktit për të siguruar se bashkërendohet me prioritetet afatgjate, se mund t’i përmbushë synimet e synuara dhe t’i adresojë çështjet që i synon për një zgjidhje efektive, të bazuar në njohuritë dhe dëshmitë shkencore më të fundit. Ky proces mund gjithashtu të ndihmojë në testimin e qëndrueshmërisë së iniciativave të tjera, duke siguruar se ato mund t’u bëjnë ballë dridhjeve dhe sfidave të parashikuara.
Së fundi, perspektivat e qytetarëve të thjeshtë duhet që të përfshihen në diskutim strategjik. Duke krijuar forume publike, si ajo e Konferencës për të Ardhmen e Evropës e Komisionit Evropian si dhe Panelet e Qytetarëve Evropianë, politikëbërësit mund ta ruajnë qëndrueshmërinë e përkushtimeve afatgjate dhe të sigurojnë që interesat e brezave të ardhshëm të luajnë rol qendror në mënyrën se si Evropa i adreson problemet kryesore shoqërore.
Zyrtarët e zgjedhur rëndom i prioritizojnë përfitimet afatshkurtra të zgjedhësve të tyre para planifikimit afatgjatë, duke krijuar tensione të thella ndër-brezore që paraqesin rreziqe sistematike. Duke e pasur parasysh këtë realitet, caktimi i një komisionari për barazi ndër-brezore e ngërthen në vete një potencial për ta transformuar politikëbërjen evropiane.
Propozimet tona mund të ndihmojnë që të garantohet se vendimet e së sotmes nuk e kompromentojnë mirëqenien e atyre që ende nuk janë lindur. Por që ky autoritet i ri ta përmbushë mandatin e tij, organizatat e shoqërisë civile, dijetarët dhe qytetarët duhet të përfshihen në të, të ofrojnë inpute dhe t’i mbajnë zyrtarët e tij përgjegjës. Vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes aktive dhe shqyrtimit publik, kjo përpjekje e re mund ta përmbushë potencialin e vet të plotë.
Me mbështetjen dhe me burimet adekuate, komisionari i BE-së për barazi ndër-brezore mund ta përbëjë një precedent për mënyrën se si institucionet demokratike mund t’i përfaqësojnë më mirë interesat afatgjate të shoqërisë. Në mesin e sfidave të pashembullta globale, nisur nga ndryshimet klimatike e deri tek avaritë teknologjike, një qeverisje e këtillë me shikim nga e ardhmja nuk është veç e dëshirueshme – është esenciale.
(Béla Kuslits është zyrtar i lartë për ekologji në “Jesuit European Social Centre” dhe menaxher i fushatës për Iniciativën e Brezave të Ardhshëm. Katalin Sulyok, asistent-profesoreshë e Ligjit Ndërkombëtar për Mjedisin dhe Ligjin për Klimën në Universitetin Eötvös Lorand, është këshilltarja kryesore ligjore e Ombudspersonit të Hungarisë për çështje të Brezave të Ardhshëm. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).