Këtë dimër Evropa do ta kalojë me siguri energjetike thotë IEA, por i ardhshmi është problem. Mësimi i një barke në Danub dhe një shtëpie në Komunën e Graçanicës
1.
Nga një restorant në Danub, në Beograd, javën e kaluar pashë skenën që pak a shumë ilustron gjendjen në botë sot. Përgjatë lumit lundronte një transportues me flamur bullgar, mbushur me thëngjill e rrugës për në termocentralin më të afërt, në Kostollc. Rrëfimi është ky: Serbia nuk ka thëngjill të mjaftueshëm për termocentralet e veta, sepse nuk ka hapur mihje të reja thëngjilli, sepse ka menduar që nuk do të ketë nevojë, sepse është orientuar siç ka bërë edhe shteti më i fuqishëm evropian, Gjermania, kah shfrytëzimi i gazit rus si burim themelor energjetik, sepse ai ishte edhe më i pastër e edhe më i lirë, sepse nuk kishte nevojë për mihje e për mund teknologjik, por vetëm pagesa të rregullta dhe gypa të shtrirë me lehtësi nëpër terrenet e rrafshëta të Serbisë...
Me sulmin rus kundër Ukrainës, siguria e gazit rus që vjen papenguar drejt pikave shpërndarëse të Serbisë është zëvendësuar me tragetin transportues që me ngarkesën e vet nuk mund t’i përmbushë nevojat as të një minute djegieje të termocentralit. Dhe, ky është rrëfim që tejkalon Serbinë, sepse i tërë kontinenti evropian ka kaluar prej parashikueshmërisë energjetike në paparashikueshmëri, përkatësisht pasiguri. Dhe, kështu, barka bullgare shndërrohet në metaforë të një Evrope që mundohet ta kalojë këtë krizë, dosido, qoftë edhe duke çuar thëngjill nëpër lumë.
2.
Ky dimër do të tejkalohet, vlerëson IEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, në raportin e vet të sapobotuar për vitin 2022. Në analizën e IEA-s del se Evropa i ka mbushur plot depozitat e veta të gazit dhe kjo është një gjendje sigurie deri në mars të vitit të ardhshëm. Problem, megjithatë, do të jetë dimri i vitit të ardhshëm, sepse furnizimi me gaz nga Katari apo nga terminalet e gazit të lëngshëm do të jenë të pamjaftueshëm. (Një faktor që nuk është marrë parasysh nga IEA është mundësia që nëpërmjet marrëveshjes Putin-Erdogan, Turqia të shndërrohet në pikën më të madhe shpërndarëse të gazit rus, duke tejkaluar kështu edhe bllokadat politike e duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese shpërndarëse, nëpër Ballkan deri në Itali apo për në Evropën Qendrore).
Dhe, në tejkalimin e kësaj pasigurie, sikur me barkën bullgare, janë përdorur ato që mund të përdoren. Greqia ka vazhduar afatin e termocentraleve të veta deri më 2028 dhe ka rritur 50 për qind mihjen e thëngjillit. Ngjashëm kanë vepruar Austria e Gjermania, ndërsa Franca ka vazhduar jetëgjatësinë e centraleve të veta bërthamore.
Një njohës i rrethanave në Serbi, ndërsa shikonim barkën me qymyr nëpër Danub, tha që tash në Serbi po mendohet që Danubi do të shërbejë si burim uji i nevojshëm për centralin bërthamor që do ndërtuar, me çfarëdo teknologjie, “ruse a franceze a të kujtdo qoftë”.
3.
Kosova është në njërën prej pozitave më të çuditshme. Përderisa për njëzet e kusur vjet me radhë është marrë me tenderë e përpjekje për ta ndërtuar termocentralin e ri, në Kosovë një konsorcium gjermano-izraelit ka ndërtuar kapacitete të prodhimit të energjisë elektrike me erë që në periudha të rëndësishme japin 10 për qind të bilancit energjetik të vendit.
Termocentralet e reja në vend nuk janë ndërtuar në masë të madhe, sepse njerëzit nga qeveritë e ndryshme që janë marrë me këtë projekt e kanë parë si autostradat, projekte me funksion primar që nëpërmjet fryrjes së çmimit investiv të krijojnë fryrjen e llogarive private në banka të jashtme. Investitorët privatë në mullinjtë e erës e tejkaluan tërë debatin për thëngjill; sollën turbinat dhe i vunë në funksion.
Tash Kosova, e treta me rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, nuk është në gjendje as të prodhojë më shumë energji elektrike e as të mihë thëngjill për eksport në vendet fqinje në momentin kur çmimi i thëngjillit ka pësuar rritje të ngjashme me atë të hidrokarbureve të tjera. Kosova është në gjendje që termocentralet dhe mihjet sipërfaqësore janë pak a shumë si ato të socializmit, të periudhës kur Rusia e Ukraina ishin pjesë të Bashkimit Sovjetik. Dhe ka para vetes sfidën se si të reagojë ndaj këtij ndryshimi epokal të kontinentit kur po realizohet pavarësimi energjetik prej Rusisë.
Sfida reale, si për të gjithë të tjerët, megjithatë është a duhet të bëhet kthimi tek thëngjilli apo të kalohet strategjikisht në burime të ripërtërishme të energjisë. Dhe, në kontekstin kosovar, sfida është si të bëhet kjo duke pasur resurset që i ka Kosova (shumë thëngjill, pak ujë, mungesë njëzetvjeçare vizioni).
4.
Përgjigjja për sfidën duhet të jetë ai i ndryshimit të një epoke dhe kjo do të thotë qartazi që duhet kthyer tek investimet në burime të ripërtërishme. Në këtë drejtim do shfrytëzuar ndryshimin epokal evropian që shënon përcaktimin e qartë (edhe financiar) për transicion të gjelbër dhe rënien e çmimeve për pajisje të energjive të ripërtërishme, në radhë të parë, diellore.
E, ky përcaktim strategjik, sikur çdo tjetër i transicionit, duhet të llogarisë se çka do të bëhet ndërkohë, derisa e tërë energjia jonë të jetë e ripërtërishme? Në rastin e Kosovës kjo do të thotë që të investohet në mihje të thëngjillit (për shitje vendeve fqinje), kapacitete më të mira për prodhim të energjisë nga thëngjilli, investim për gazifikimin e thëngjillit, investim të përbashkët në energji ujore në vendet fqinje të interesuar në të dhe... përcaktim të qartë se kjo po bëhet si nxitje energjisë së ripërtërishme, e jo si zëvendësim për të. Përkatësisht, se të gjitha këto investime do të zvogëlojnë që nga tani ndotjen e ajrit që e përjeton Kosova nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli.
Ndërkohë shteti e shoqëria mund të befasohen se me çfarë shpejtësie mund të bëhet transformimi. Një mik imi vendosi panele foto-voltaike në kulmin e shtëpisë së tij në Çagllavicë. Kjo pajisje që kushton shtatë mijë euro e që zbret në pesë mijë me subvencion shtetëror, i mjafton familjes së tij për furnizim me energji elektrike. Për më tepër, përgjatë muajve me më shumë diell prodhon më shumë energji sesa i nevojitet, por atë nuk mund t’ia shesë KEDS-it për shkak të mungesës së kontratës (të kushtëzuar me çështje procedurale të Komunës së Graçanicës e të lidhur me legalizimin e shtëpisë).
Sot Kosova ka diku 300 mijë shtëpi të palegalizuara. Po të ndihmohet legalizimi i tyre edhe me kushtëzim për energji foto-voltaike, Kosova do të mund të ishte një vend prijës në vendosjen e parësisë së burimeve të ripërtërishme. Me çmimet e sotme kjo do të kushtonte 1.5 miliardë euro. Apo, me çmimet e qeverive të njëzet vjetëve të kaluara më pak se 100 kilometra autostradë.