OpEd

Emri i aeroportit

Rrëfim për udhëtimin e fundit për në Shkup nga Zagrebi më 1991 dhe për fluturimin e kthimit 31 vjet më pas

1.

Më 1991 isha në fluturimin e fundit Zagreb-Shkup, para se lufta ta mbyllte për një kohë të konsiderueshme aeroportin.

Qe mbledhur një turmë e madhe udhëtarësh që donin të zinin në panik një vend në avion, me fytyra e skena ngërçi që shihen në filma - për Vietnam, Iran e ndonjë revolucion të Amerikës Latine. Udhëtarët që kërkonin biletë ishin më tepër se kapaciteti i tre avionëve e në piste ishte vetëm një. Që të gjithë kishin bërë disi check-inin, që të gjithë kishin dikë të njohur në sportel, në polici, te drejtoritë e agjencive turistike, te drejtori i restorantit, te pastruesja dhe doganieri. Dhe që të gjithë pritën vetëm të hapej dera që shpinte nga godina e aeroportit për në aeroplan që ta zinin vendin.

Kisha trajtim prioritar nga autoritetet kroate, me të cilat asokohe bashkëpunonim ngushtë si pjesë e alternativës kosovare dhe u gjeta te bishti i DC-9, aty ku ishin shkallët për të hyrë. Turma më rrethoi menjëherë, duke ndrydhur pas meje një nënë të re me një fëmijë të vogël. U ndala te shkallët, i kapa me aq forcë sa kisha duke bllokuar hyrjen, derisa të mos hynte nëna me fëmijën. Pas saj, turma më shtyu në një vërshim që mbushi menjëherë vendet e avionit.

Ndërsa ngrihej avioni shihej turma e mbetur për tre avionë të tjerë joekzistues, që shtyhej nga policia dhe dëshpërimi i ulëses së munguar në fluturimin e fundit dhe në majë të godinës së aeroportit shiheshin shkronjat “Zracna luka Zagreb” (Porti ajror Zagreb).

2.

Tridhjetë e një vjet më pas e bëj rrugën prapa, nga Shkupi për në Zagreb.

Kur qesh larguar në fluturimin e fundit, Kroacia kishte shpallur pavarësinë dhe po luftonte për të, brenda shtetit me armë e jashtë tij me diplomaci. Sot ka beteja të tjera dhe ato i ka të fituara. Prej një janarit të vitit 2023 Kroacia do të jetë në zonën Shengen, ndërsa monedha e saj do të jetë euro (me figurën e Nikola Teslas në njërën prej pareve metalike). Qytetarët me pasaportë kroate kanë siguruar trajtim të veçantë nga SHBA-ja duke mundur të udhëtojnë pa viza. Në BE dhe në NATO, Kroacia ka rolin e një vendi që duke pasur më shumë përvojë mund të shërbejë si shkollë praktike për shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen në BE, apo që sapo janë përfshirë në NATO.

Tridhjetë e një vjet më parë liderët kroatë së bashku me popullin e tij u përcaktuan për një rrugëtim përkatësie në një botë euroatlantike dhe ajo rrugë tashmë po shihet e rrumbullakuar. Viza Shengen dhe vula “Zračna luka Zagreb” do të shërbejë si mjet vizual në fillimin e vitit të ardhshëm.

3.

Por, ky rrëfim nuk ka përfunduar, nëse shikohet nga një kënd tjetër.

Në Kroaci ende ka të zhdukur nga lufta e para tridhjetë vjetësh dhe ky numër, që është mbi 1.400, është shumë i afërt me atë të luftës së Kosovës.

Në narracionin politik të regjionit, ende do të dëgjohet fjalori i para tridhjetë vjetësh, mbi fashistët a “fashistët” të njërës apo të anës tjetër.

Në hapësirën publike të debatit mediatik në relacionet mes Kroacisë dhe Serbisë do të jetë e kontestueshme çdo gjë historike: që nga prejardhja e kroatëve, roli i APJ-së, operacioni “Stuhia”, që e çliroi Kroacinë nga SAO (Regjionet e vetëproklamuara autonome serbe) e si pasojë shkaktoi largimin e popullatës serbe në kolonën e mbajtur mend traktorësh. Diku në mes do të debatohet tej historisë e gjithnjë në hapësirë publike mbi kampin e përqendrimit të Jasenovcit.

Po, tridhjetë vjet më pas janë ende të hapura apo po rihapen çështjet identitare. Dhe ndonëse këto nuk janë çështje që lidhen me kontestimin e identitetit etnik kroat apo serb, janë të lidhura me përcaktimin e kuptimit të së kaluarës. E ai përcaktim qartazi nuk është i përbashkët, është rrëfim i një konfrontimi që ende vazhdon.

4.

Megjithatë e ndërkohë, rrëfimi më i madh për të kaluarën e përbashkët është bërë nga vetë kroatët.

Tridhjetë vjet më parë njëra prej figurave polarizuese të vendit ishte presidenti i parë i Kroacisë së pavarur, dr. Franjo Tugjman. Për partitë në pushtet ai ishte figura e babait të kombit; për opozitën ai ishte një figurë autoritare e për disa prej përshkrimeve më të skajshme edhe diktatoriale.

Tridhjetë vjet më pas, Kroacia dhe kroatët janë në paqe me veten e me rrëfimin e përbashkët. Emri i aeroportit të ri të Zagrebit është “Dr. Franjo Tugjman”, si një shenjë që ndan aeroportin e vjetër prej të riut dhe periudhën e rrëfimeve të brendshme konfrontuese për rolin e dr. Tugjmanit.

Ndërsa ulej aeroplani në aeroportin e Zagrebit, ndieja qetësinë e momentit që ndan të sotmen prej asaj që tashmë është histori.