OpEd

El Dorado

Termi El Dorado mbase nuk është adekuat për Kosovën, ngaqë ekziston dallimi në pasuri. Mirëpo, është e dokumentueshme që nëse zjarret fillojnë dhe shpërndahen me një intensitet të shpejtë, kostoja ekonomike do të jetë e lartë nga dëmet në shtëpi, toka, male, pemë, bimë, dhe jo vetëm. Ajo që duhet bërë për parandalimin e këtyre fatkeqësive është investimi i menjëhershëm në masa parandaluese - që jo vetëm se do të shpëtonin miliona dhe miliarda euro/dollarë, por do të ktheheshin shumëfish në të mira si rezultat i investimeve që do të bëheshin. Ndryshe, asnjë ligj nuk mund t’i obligojë fatkeqësitë që t’i kursejë vendet, pavarësisht gjeografisë, statusit ekonomik të njerëzve apo burimeve natyrore

Në një realitet ndryshe, ku në mungesë të informatave, të cilat sot merren të mirëqena falë teknologjisë së avancuar, vështirë se do të besohej se nga zjarri i vogël i nisur diku larg në një mal, një tokë dikur e mbuluar me ar do të shkatërrohej njësoj sikur të goditej nga një shpërthim i përmasave të Çernobilit. Kjo tokë nuk është e imagjinuar, por është shteti i Kalifornisë të sotshme, që Stefan Zweig, shkrimtar i njohur austriak, me të drejtë do ta quante El Dorado (lexoꓽ toka me ar) - një gjeneral i njohur, i cili kishte migruar në Amerikë gjatë Luftës së Parë Botërore, në tokën e vet kishte zbuluar metalin e çmuar të arit. 

Me fjalë të tjera, pra edhe Kalifornia e pasur, nuk u shpëtoi flakëve që me shpejtësi po shpërndaheshin dhe po digjnin çdo gjë që iu dilte përballë, që nga pemët e palmave që zbukuronin rrugët deri te shtëpitë e njerëzve me famë që kushtonin miliona dollarë. Bazuar në të dhënat që llogarisin dëmin total të kësaj fatkeqësie tregojnë se humbjet ekonomike lëvizin mes 52 miliardë dhe 57 miliardë dollarë. Shumë e frikshme për një ekonomi modeste si e Kosovës. Madje, para disa kohësh, edhe Kosova ishte viktimë e zjarreve që shkaktonin dëme të llogaritura në miliona euro. 

Sot, 63% e territorit në Kosovë mbulohet nga malet dhe, në këtë territor paraqiten pothuajse të gjitha llojet e reshjeve atmosferike. Mirëpo, për çudi, reshjet e shiut nëpër lugina dhe reshjet e borës në viset e larta malore e marrin vëmendjen kryesore - thuajse pjesët më të mëdha të sipërfaqeve në këtë territor mbulohen me ujë që me gjasë do të parandalonin zjarret eventuale. Për ata që e kujtojnë, shumë pjesë të territorit të Shqipërisë, vetëm disa kilometra larg Kosovës, u përfshinë nga 168 zjarre në të cilat ishin djegur 46 mijë e 563 hektarë, edhe pse një sipërfaqe e konsiderueshme e vendit ka pasuri të shumta ujore. Madje, edhe vendet e rajonit, siç është Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, nuk ishin të imunizuara përballë flakëve që po digjnin 95 mijë e 181 hektarë, respektivisht 43 mijë e 571 hektarë; 38 mijë e 954 hektarë dhe 23 mijë e 954 hektarë.

Sa u takon dëmeve nga zjarret në malet e Kosovës, në vitin 2024 janë regjistruar 12 mijë e 74 hektarë zona të djegura. Ndërsa, zjarret e shënuara përgjatë vitit 2007, përveç që po digjnin sipërfaqe prej afërsisht 10 mijë hektarësh, në terma ekonomikë u vlerësuan me 4,653,029 euro. Sikurse u dëshmua në Kaliforni, erërat e fuqishme rrisin shpejtësinë e shpërndarjes së flakëve, prandaj duhet konsideruar me rëndësi. Distanca gjeografike e bregdetit dhe territori me male të mbuluara me pemë dhe bimë të ndryshme, pa dyshim se e ndikon intensitetin e erërave, mirëpo jo sa për të ofruar rehati dhe për të nënvlerësuar rrezikun e zjarreve që mund të ndodhë në çdo kohë, veçanërisht gjatë sezoneve të verës si pasojë e ndryshimeve klimatike apo ndezjes së qëllimshme të tyre.

Për më shumë, të dhënat e paraqitura në një raport ndërkombëtar tregojnë se numri i fatkeqësive natyrore për vendet e rajonit pritet të përkeqësohet, andaj edhe kostoja ekonomike e mosveprimit do të jetë e lartë në qoftë se nuk do të investohej në masat parandaluese për përhapjen e zjarreve. Të dhënat në këtë raport na thonë se për çdo 1 dollar të investuar në masa parandaluese, do të fitoheshin 4 dollarë. Pra, sikur në të kaluarën e vitit 2007, të investohej në masa që do të parandalonin zjarret, jo vetëm se nuk do të lejohej që dëmet e llogaritura të kapnin vlerën 4,653,029 eurove, por nga ky investim do të fitoheshin afërsisht 8 deri në 9 milionë euro, sipas llogaritjeve të raportit.

Termi El Dorado mbase nuk është adekuat për Kosovën, ngaqë ekziston dallimi në pasuri. Mirëpo, është e dokumentueshme që nëse zjarret fillojnë dhe shpërndahen me një intensitet të shpejtë, kostoja ekonomike do të jetë e lartë nga dëmet në shtëpi, toka, male, pemë, bimë, dhe jo vetëm. Ajo që duhet bërë për parandalimin e këtyre fatkeqësive është investimi i menjëhershëm në masa parandaluese - që jo vetëm se do të shpëtonin miliona dhe miliarda euro/dollarë, por do të ktheheshin shumëfish në të mira si rezultat i investimeve që do të bëheshin. Ndryshe, asnjë ligj nuk mund t’i obligojë fatkeqësitë që t’i kursejë vendet, pavarësisht gjeografisë, statusit ekonomik të njerëzve apo burimeve natyrore.