Pas rolit të Kryendërtimtarit dhe një kohë të Kryeinfermierit, kryeministri i Shqipërisë gjendet para një surprize të rolit të përkohshëm të Kryeopozitarit ose formësuesit të opozitës së re
1.
Kryeministri Edi Rama, fitoi mandatin e tretë për të qeverisur Shqipërinë edhe për shkak të një fakti që ndoshta mund të harrohet në vlugun e analizave ditore të hollësive të fushatës, faktit që opozita e vendit u dorëzua dy vjet më herët, në shkurtin e vitit 2019, duke i “djegur” mandatet e veta. Partia Demokratike dhe LSI-ja atëbotë vendosën se do ta radikalizojnë formën e vet të vepruarit, duke mos i dhënë legjitimitet Qeverisë së dalë nga, siç thanë, “vota e krimit”, dhe duke u angazhuar që me veprim jashtëparlamentar ta detyrojnë pushtetin që të hyjë në zgjedhje të parakohshme e me një reformë të duhur zgjedhore. Nga ai veprim strategjik i opozitës ndoshta ende mund të vlerësohet në ka qenë a jo reforma zgjedhore reformë, por për të gjitha rezultatet e tjera janë krijuar qartësi.
Pra, është e qartë se opozita i humbi këto zgjedhje, ndonëse lodhja e dy mandateve të pushtetit kombinuar me një tërmet (si fenomen gjeofizik, jo politik) dhe pandeminë COVID-19, duhej t’i jepnin një përparësi natyrore opozitës. Është po ashtu e qartë se opozita nuk e detyroi pushtetin të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe ndërkohë që priste zgjedhjet e rregullta dikund rrugës i humbi edhe “raison d’etre” apo arsyeja e ekzistencës së vendimit strategjik: nëse vendimi për “djegie mandatesh” ishte që të bëhet një opozitarizëm më dinamik, jeta politike nuk dëshmoi ndonjë ndryshim. Jeta politike, në fakt që i njëjti debat në tryezat televizive të mbrëmjes, me përsëritje deri në banalitet të argumenteve dhe të gjuhës së cekët për t’i shpjeguar ato. Për dikë që mund të ketë ardhur herë pas here në Shqipëri e të mos kishte përcjellë me më shumë vëmendje zhvillimet në vend nuk kishte ndonjë indikator se për dy vjet rresht opozita që garoi në këto zgjedhje kishte ndenjur jashtë Parlamentit duke kërkuar dorëheqje të Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
2.
Opozitarizmi i dy vjetëve të kaluar ka prodhuar edhe dy veprime që kanë lënë apo dhe do të lënë gjurmë në të ardhmën. I pari është vendosja e presidentit të Republikës në një situatë krejtësisht të paprecedentë e të pazakontë. Në hapësirën e një opozite të vetpërjashtuar e një gjyqësori të kapur apo në rastin e Gjykatës kushtetuese të paformuar presidenti i Republikës u shndërrua në apo perceptua si, varësisht prej këndvështrimit, lider i opozitës. Deformimi i këtillë i balancave politike e kushtetuese do të vazhdojë të jetë faktor i luftës politike edhe pas zgjedhjeve.
I dyti është rënia rapide e aksioneve të veprimit jashtëparlamentar. U tregua se veprimi jashtëparlamentar mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse i mbështetet parimit të thikës së ushtarëve nepalezë, gurkha. Gurkhat nuk e nxjerrin thikën nga këllëfi nëse nuk do ta përdorin; e frikësimi me thikë nuk quhet përdorim. Pra, në jetën politike të Shqipërisë tashmë u vërtetua se veprimi jashtëparlamentar që nuk çon në përmbysje vetvetiu nuk shpërblehet me vota dhe ky do të jetë leksion për Parlamentin e ri të vendit. Në të as kërcënimi me bojkot e as bojkoti më nuk do të kenë vlerë;do të ketë vlerë pjesëmarrja dinamike që duhet t’i bindë qytetarët se kanë të bëjnë me një lëvizje politike, e cila është në gjendje të marrë pushtetin dhe të përmbushë me të besimet e veta politike.
Në këtë pranverë të vitit 2021, opozita e ardhshme në Shqipëri tashmë me deduksion bazik mund t’i ketë të qarta dy gjëra të thjeshta: se presidenti i Republikës nuk mund të jetë zëvëndësues apo prijës i saj dhe se ajo duhet të investojë në sa më shumë e jo sa më pak pjesëmarrje në jetën institucionale të vendit.
3.
Edi Rama dëshmoi se faktorët që duhej të punonin kundër tij mund t’i shndërrojë në avantazh. Dy tërmetet që goditën vendin më 2019 dhe që mund të kishin qenë shtytës të mëtejmë e të natyrshëm të pakënaqësisë me pushtetin (pa marrë parasysh se në ndarjen e punëve mes Cezarit dhe Zotit, tërmeti nuk është punë e Cezarit, por e Zotit) u shndërruan në asete për fushatën zgjedhore. Përgjatë së paku 180 ditëve të kaluara, lajmet e çdo mbrëmjeje kanë treguar pamje të çelësave të dorëzuar të shtëpive të ndërtuara për familjet e dëmtuara në tërmetet.
Dhe, pas një starti të pakënaqshëm në rolin e pritësit të vaksinave kundër COVID-19, z.Rama u shndërrua në kërkues aktiv të tyre, duke tejkaluar vetpërmbajtjen në familjen perëndimore e duke i gjetur vaksinat në Lindje. Në kulmin e fushatës zgjedhore dhe koincidentalisht a jo Shqipëria po ashtu shënoi veten në kulmin e listës së të vaksinuarve në nivel evropian.
Kryeministri i cili ka kohë që gëzohet me imazhin e Kryendërtimtarit dhe që së fundmi në së paku gjashtëdhjetë ditë fushate mori rolin edhe të Kryeinfermierit, pas këtyre zgjedhjeve do të jetë para një surprize tjetër që mund të mos ketë imagjinuar se do ta ketë, e ajo është për ta thjeshtuar këtë shkrim, a do të jetë edhe kryeopozitar apo jo, gjegjësisht për sa kohë do të jetë kryeopozitar?
4.
Dilema nuk është aq abstrakte sa tingëllon. Kryeministri Rama me mandatin e tretë nuk fitoi vetëm të drejtën ta qeverisë vendin e me këtë edhe “të drejtën” pothuajse tradicionale që si në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor, ta shpërfillë opozitën. Partia e tij ka mandate të mjaftueshme për të qeverisur pa problem me përjashtim të ditës kur duhet të trokasë në dyert e opozitës për ta zgjedhur presidentin e vendit. Por, që nga ky moment, është e paqartë se çfarë do të jetë opozita, kush do t’i prijë, çfarë do të jetë narracioni i opozitës, cilat emra do t’i prijnë asaj? Ajo që është e qartë është se nëse opozita është ajo që ishte në katër vjetët e fundit, atëherë e vetmja opozitë ndaj Edi Ramës do të jetë kryeopozitari Edi Rama. Vendi atëbotë në masë të madhe do të varej se çfarë vërejtje do t’u bëjë opozitari Edi Rama vendimeve të mundshme të kryeministrit Edi Rama. Z.Rama do të jetë i detyruar atëbotë që gjatë ditës të jetë edhe prokuror, avokat mbrojtës e gjykatës i veprimeve të veta e në mbrëmje shpërndarës batutash në debatet televizive.
Nga të papriturat të cilat i janë vënë përballë Edi Ramës, kjo e fundit mund të jetë intelektualisht më sfiduesja. Ai i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës që në ditën e parë, pasi u bë e qartë fitorja e PS. Problemi është se nuk dihet saktësisht se nëse opozitës së cilës ia ka shtrirë dorën sot është ajo që do të jetë nesër. Z.Rama është vënë në situatë objektive ku mund të ndodhë që të formësohet opozita e re ndaj tij. A mund dhe si mund të jetë kontribuues i formësimit të saj? A ka në të hapësirë të njëjtë si në fabulat e LaFontenit që të kërkohet prej dhelprës e gjelit të mbyllur në një kotec që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për bashkëjetesë në rendin natyror të gjërave? Apo është intelektualisht më sfiduese që përtej LaFontenit e krahas ndërtimit të një pushteti bashkëkohor - gjë që ende mbetet sfidë e madhe për Shqipërinë dhe këtë kryeministër - të bëhet edhe ndërtimi i një opozite bashkëkohore?