Fokusimi i përpjekjeve për njohjen e Ukrainës si një vend me neutralitet permanent, sipas shembullit të Austrisë pas Luftës së Dytë Botërore, përbën zgjidhjen më optimale dhe më të pranueshme për të gjithë, të cilën edhe rusët do ta pranonin. Opsion tjetër ngelet ulja para ekranit në janar të vitit 2022 për të parë “live” agresionin rus të radhës kundër territorit e popullsisë së rajonit të Donbas, ndoshta edhe kundër krejt zonës ndërmjet lumit Dniepër dhe kufirit rus
Ukraina, para dhe pas aneksimit të Krimesë
Në faqet e kësaj gazete të respektuar, pas aneksimit rus të Krimesë kisha thënë disa fjalë për lëshimet themelore të perëndimorëve, që i kishin bërë ndaj agresionit rus atje. Këto lëshime vinin si pasojë direkte e lëshimeve amerikane, të bëra në Siri, pas helmimeve tragjike të verës së vitit 2013, kur u kërkua ndihma ruse për ta bindur Bashir al Asadin të dorëzojë armët kimike, në vend të sulmit ushtarak kundër këtij të fundit. Gjendja përshkallëzoi sërish, pa vonuar shumë, në pjesë të tjera të Ukrainës, në lindje të saj, në Luhansk dhe Donetsk (rajoni Donbas të Ukrainës). Sjelljet ruse, jashtë çdo dyshimi, flasin për një grabitqar me sjellje që janë jashtë çdo norme ndërkombëtare mbi marrëdhëniet në mes të shteteve sovrane.
Janë disa arsye pse rusët e bëjnë këtë, disa prej të cilave janë objektive dhe reale, kurse të tjerat mite brutale, që fshehin motivet reale për dominim dhe hegjemoni. Përtej fqinjëve të tyre, rusët nuk kanë fuqi për të projektuar në distancë të madhe, sepse janë shtet i dobët, pa një vitalitet që do t’i mundësonte një projektim më global të forcës. Për këtë arsye, politikat e jashtme ruse në fqinjësi të saj shoqërohen me përdorim klasik brutal të forcës ushtarake dhe metodave hibride të ndërhyrjes ushtarake (mbi 35 mijë forca paramilitare operojnë nën mbrojtjen ruse në Luhansk dhe Donetsk, në një vijë fronti të gjatë rreth 250 milje), kurse jashtë afërsisë në fjalë shohim një luftë tjetër ruse, që bazohet në përfitim nga çdo dobësi lokale që ekziston në hapësirën gjeostrategjike perëndimore, për të mbajtur nën presion Perëndimin dhe për të rritur peshën e vet specifike në ballafaqim me perëndimorët. Në llojin e fundit të angazhimit rus, duke përdorur dobësitë lokale (korrupsionin, përçarjet etnike dhe fetare, problemet financiare dhe strukturat e dobëta shtetërore dhe kështu me radhë), bëjnë pjesë edhe ndërhyrjet në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.
Konsideratat ruse të sigurisë
Para se të fitonte terren në Siri, Putini i kishte dhënë leksion Perëndimit lidhur me politikën ruse të fqinjësisë së afërt, duke goditur Gjeorgjinë: në gusht të vitit 2008 atje u krijuan dhunshëm dy entitete, Osetia e Jugut dhe Abhazia. Kjo bëhej me qëllim pengimin e këtij vendi që të vazhdojë më tutje rrugën e proklamuar euroatlantike (anëtarësimi në BE dhe NATO). Pastaj erdhi Krimeja, ku aktualisht rreth 70 mijë ushtarë gjenden në rajonin Donbas dhe Krime. Sipas “Washington Post”, aty në ndërkohë janë stacionuar edhe 175 mijë trupa të tjera, që presin sinjalin për të përsëritur Krimenë, pastaj për të vazhduar dialogun, apo procesin Minsk III: qartë shihet se, Minsk I & II të viteve 2014-2015 nuk i dhanë rezultatet e pritura nga Putini.
Në të gjitha këto agresione, Putini ka dhënë arsyetime që ankorohen në konsiderata të sigurisë ruse, i bindur se politika e proklamuar pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, e njohur si politika e fqinjësisë së afërt (“near abroad policy”), është krejtësisht legjitime dhe e natyrshme, të cilën Perëndimi duhet ta respektojë dhe çdo lider rus ta ndjekë me fanatizëm. Elementi kyç në këtë politikë të jashtme ruse është pengimi i zgjerimit të NATO-s dhe BE-së në Evropën Lindore, pjesën që kufizohet me Federatën ruse. Këtyre ditëve zëdhënësi rus i Ministrisë së Jashtme shkurt tha se Perëndimi duhet të ofrojë garanci për moszgjerim dhe mospërdorim të territorit në Evropën Lindore për qëllime ushtarake që prekin sigurinë ruse. Ndryshe... !? Ai nuk tha se çfarë ndodh nëse Perëndimi nuk i ofron këto garanci. Një gjë e tillë nënkuptohet: sulmi në juglindje të Ukrainës, me qëllim të zgjerimit të zonës së sigurisë në perëndim të Federatës së Rusisë, që kufizohet me Ukrainën. Jo rrallë, krahas këtyre konsideratave real-politike, nga establishmenti zyrtar rus dëgjojmë të thonë edhe se, ata janë një popull i njëjtë me ukrainasit, ngjashëm siç e thoshte Milosheviqi për malazeztë, përkatësisht se ata ishin “dy sytë e së njëjtës kokë me serbët”. U mor vesh, me kokë mendohej vetëm koka serbe.
I vërtetë dhe i provueshëm ngel vetëm përllogaritja gjeostrategjike e saktë ruse: duke formuar dy kuazishtete në rajonin e Donbas, Putini ka okupuar një copë të gjerë të territorit ukrainas, duke shtyrë sigurinë ruse brenda sferës së ndikimit perëndimor dhe, në të njëjtën kohë, duke mbajtur peng çdo përpjekje të Ukrainës për t’u bërë anëtar i NATO-s dhe BE-së. Riintegrimi paqësor i tyre nën sovranitetin e Kievit duket shumë iluzor, sepse është i shtrenjtë dhe krejtësisht i pamundur pa rimarrje me forcën e armëve. Kjo bën që Minsk II të jetë tërësisht në favor të Putinit, ngaqë ka krijuar një status quo që i përshtatet vetëm atij: asnjë propozim për forcë ndërkombëtare apo administratë transitore për rajonin Donbas nuk është pranuar, ani se ka qenë pjesë e propozimeve të procesit Minsk II. Qëllimi themelor i Putinit ngelet detyrimi i Ukrainës për të braktisur përfundimisht rrugën e saj perëndimore. Vështirë të gjendet lider rus që të lejojë të hyjë në tokën e rrafshët pa fund të quajtur Ukrainë, një aleancë që deri dje kishte qenë armik i përbetuar rus, në tokën ku kishin provuar të futej Napoleoni, kaiserët gjermanë e deri te Hitleri. Këtë rol, si një zonë bufer me rëndësi strategjike, Ukraina e ka pasur gjatë tërë historisë politike evropiane, që nga koha kur u bë lindja dhe unifikimi i kombeve të mëdha evropiane, unifikim që mori formën e perandorive imperiale (në gjysmën e dytë të shek. 19-të e këndej).
Në ndërkohë, viktimat e agresionit kundër Ukrainës kapin shifrën prej 15 mijë vetash, në të dy anët. Kjo situatë, së bashku me faktin që një pjesë bukur e madhe e ukrainasve ndiejnë afeksion për rusët dhe Rusinë, ka bërë që vetë zyrtarët ukrainas të pohojnë, kohë pas kohe, se më mirë të heqin qafe pjesën “autoritare” dhe “jodemokratike” të Ukrainës (rajoni Donbas), për të shkuar vetë pa ta në Perëndim, në integrimet euroatlantike. Çfarë arsyetimi naiv i pafuqisë së Kievit për të integruar territorin e vet me pjesën tjetër të vendit (sic!).
Qëndrimi amerikan para dhe pas Krimesë ka qenë vetëshkatërrues
Në dekadën e parë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ajo që ka karakterizuar politikën e jashtme amerikane ka qenë dominimi i pikëpamjeve liberale dhe jorealiste mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Madeline Olbright, sekretare e Jashtme, kishte pohuar në një rast se SHBA-ja ishte jo vetëm një forcë e pazëvendësueshme, por edhe një hegjemoni benine. Për pasojë, zgjerimi i NATO-s nuk rrezikon askënd, ani se rusët në vazhdimësi po ankoheshin që kishin shqetësime serioze të sigurisë. Në pranverë të vitit 2014, Barack Obama foli për idealet liberale perëndimore, në kontekstin e suksesit të revolucionit të portokalltë në Ukrainë, kurse pas aneksimit të Krimesë, John Kerry, një tjetër sekretar i Jashtëm, e pati thënë se përfaqësonte një politikë primitive nga shekulli i 19-të. Në këto deklarime, që dominohen nga doza të sforcuara të qasjes liberale ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, asnjë fije konsiderate për ankesat ruse nuk u shprehën, ani se janë ata që përcaktojnë se çka është shqetësim sigurie, jo Perëndimi.
Në kundërshtim me këto qasje, një shtetar dhe teorik i njohur amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, arkitekti ideor i politikës së frenimit të ish-BRSS, George Kennan, në vitin 1998 kishte thënë, në një intervistë, se gabimi më i madh i amerikanëve kishte qenë zgjerimi i NATO-s në drejtim të Rusisë, për shkak se u ofron një shkas rusëve për të rindërtuar frikën e tyre të sigurisë, si një faktor homogjenizues i shoqërinë ruse mbi baza antiperëndimore. Ky qëndrim realist dhe profetik u vërtetua në dy rastet kur Perëndimi tha se Gjeorgjia dhe Ukraina do të futeshin në NATO dhe BE. Kjo politikë perëndimore nuk ngeli pa pasoja: në gusht të vitit 2008, pak muaj pas garancive perëndimore se Gjeorgjia do të merrej në gjirin e Perëndimit, pasoi sulmi ushtarak rus. Njëjtë ndodhi me Ukrainën pas dështimit rus për të mbajtur pushtetin kukull në Kiev; njëkohësisht me okupimin e Krimesë nisën përgatitjet financiare, morale, ushtarake dhe diplomatike për aneksim të rajonit Donbas. Këto lëvizje ruse ishin shenja të qarta se Putini e kishte me gjithë mend shqetësimin mbi kërcënimin e sigurisë ruse nga zgjerimi i NATO-s dhe BE-së. Në thelb, sjellja e Perëndimit, mbi bazë të udhëzimeve liberale si më sipër, si dhe sjellja e Putinit në bazë të perceptimeve realiste të gjendjes, kanë shkaktuar gjendjen aktuale: dy anët kanë folur me terme të ndryshme të kundërta për çështje të njëjtë. Për Perëndimin, Rusia nuk ka pse të shqetësohet me zgjerimin e NATO-s dhe BE-së, për Rusinë ky zgjerim përbën një kërcënim ekzistencial të sigurisë së saj. Gj. Kennan kishte pasur të drejtë më shumë së të tjerët !
Sanksionet dhe riarmatimi i Ukrainës nuk janë zgjidhje, duhet kërcënim serioz ushtarak për ta ndalur Rusinë
Që nga rrëzimi i qeveritarëve prorus nga pushteti në Kiev, në fillim të vitit 2014, Perëndimi ka intensifikuar përpjekjet për futjen e Ukrainës në orbitën perëndimore, në strukturat euroatlantike, duke u mbështetur në pikëpamjet liberale, sipas të cilave kjo nuk paraqet asnjë rrezik për sigurinë ruse. Përkundrazi, sipas tyre, kjo përbën zgjerim të zonës së demokracive liberale dhe rikthim i Ukrainës aty ku dëshirojnë qytetarët e saj, duke mos e dëmtuar askënd. Në asnjërën prej këtyre projeksioneve SHBA-ja nuk kishte dhënë garanci se NATO-ja do të ndërhynte për ta mbrojtur Ukrainën në rast të një sulmi rus. Përkundrazi, Obama dhe zyrtarë të lartë të NATO-s në vazhdimësi kishin thënë se konfrontimi ushtarak me Rusinë nuk ishte një opsion. Krejt çfarë premtohej ishte vënia e Rusisë nën sanksione, kryesisht në sferën e listimit të magnatëve rusë, embargo ndaj disa firmave shtetërore, siguri kibernetike dhe embargo të energjisë. Kur ndodhi Krimeja atë vit, sanksionet nuk u vunë menjëherë: e desh rrëzimi i një avioni civil malejzian nga paramilitarët rusë në rajonin Donbas për të vënë në jetë premtimin e dhënë. Koha provoi se asnjë parametër makroekonomik në Federatën Ruse nuk ishte prishur nga sanksionet e vëna. Kjo shpjegohet me faktin se ekonomia ruse është ekonomi që dominohet nga joformaliteti dhe kontrolli oligarkik i saj, që me vështirësi mundëson të identifikohen objektet reale të sanksioneve, përveç nëse ato janë gjithëpërfshirëse. Të tilla priten të bëhen nëse tani, në janar 2022, Rusia sulmon rajonin Donbas me qëllim të aneksimit.
Krahas sanksioneve, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë kujdesur për riarmatimin e Ukrainës, furnizimin e saj me mjete dhe pajisje ushtarake të sofistikuara, trajnime të ushtrisë dhe shumë përpjekje të tjera për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse. Ukraina, megjithatë, ngelet një fuqi e dobët në krahasim me kundërshtarin e saj – Rusinë, fakt që nuk do shumë mund për ta kuptuar!
Në ndërkohë që po mbyllja këta rreshta, rusët e bënë të qartë sërish se kërkonin “demilitarizimin” e tërësishëm të Evropës Lindore, përkatësisht që NATO dhe Perëndimi të ofronin garanci të forta të sigurisë për Rusinë, në kuptim që territori i fqinjësisë së afërt nuk do të përdorej për qëllime ushtarake, anëtarësim në NATO dhe të ngjashme, të vendeve që kufizohen me Rusinë. Siç mund të imagjinohet, reagimi amerikan ishte i ashpër dhe i menjëhershëm: nuk mund të vendosë Rusia për zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së. Krejt legjitime është kjo përgjigje, por nuk adreson kërkesën kryesore ruse për dilemën e sigurisë, dilemë që mund të çojë në një aventurë të sërishme ushtarake të Putinit, këtë herë në rajonin Donbas. Në një “cul-de-sac”, i krijuar në mënyrë graduale nga pranvera e vitit 2014, çështja që shtrohet është si të dilet nga kjo gjendje? Perëndimi nuk mund të insistojë në opsionin e vet aktual liberal, se zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së në drejtim të kufijve lindorë të Evropës nuk paraqet një kërcënim për Rusinë, përveç nëse ofron garanci për mbrojtje ushtarake të Ukrainës në rast agresioni rus, gjë që është krejtësisht e pabesueshme. Kjo rrethanë, mungesa e një kërcënimi të besueshëm me forcë ushtarake nga ana e Perëndimit, ka shërbyer dhe shërben si nxitës për Putinin që të vazhdojë me agresionin e tij në emër të rritjes së sigurisë nacionale ruse. Nëse kjo është kështu, atëherë Perëndimi duhet të ndërrojë termat e referencës, duke ofruar një zgjidhje që mundëson NATO-n të ndërhyjë ushtarakisht në mbrojtje të Ukrainës dhe fqinjësisë së afërt ruse, siç janë Gjeorgjia, vendet baltike, Polonia dhe kështu me radhë.
Ndryshimi i termave të referencës: Neutraliteti permanent për Ukrainën, zgjidhja e vetme që ruan interesat gjeostrategjike amerikane
Ky ndryshim i termave të referencës, që propozohet këtu, është shumë i ngjashëm me planin e John Mershaimer, njëri prej studiuesve më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare të të gjitha kohërave, i shpalosur në faqet e “Foreign Affairs” më 2014. Ky plan ndryshon rolet dhe termat e referencës dhe konsiston në shndërrimin e Ukrainës në një shtet me neutralitet permanent, si një zgjidhje afatgjatë, që e liron Perëndimin nga impenjimi konstant ekonomik, ushtarak, financiar dhe tjetër në atë vend. Arsyeja për këtë propozim është fare e thjeshtë: në konjukturat aktuale ndërkombëtare Ukraina nuk mund të cilësohet si një aset strategjik kyç, në krahasim me zonat e tjera të nxehta që formojnë përbërësit e interesit strategjik nacional amerikan dhe perëndimor, siç janë: Irani, menaxhimi i fuqisë kineze dhe stabiliteti strategjik. Në dy çështjet e fundit, bashkëpunimi me Rusinë është i domosdoshëm. Për pasojë, fokusimi i përpjekjeve për njohjen e Ukrainës si një vend me neutralitet permanent, sipas shembullit të Austrisë pas Luftës së Dytë Botërore, përbën zgjidhjen më optimale dhe më të pranueshme për të gjithë, të cilën edhe rusët do ta pranonin. Opsion tjetër ngelet ulja para ekranit në janar të vitit 2022 për të parë “live” agresionin rus të radhës kundër territorit e popullsisë së rajonit të Donbas, ndoshta edhe kundër krejt zonës ndërmjet lumit Dniepër dhe kufirit rus. Në këtë skenar Kina përfiton më së shumti: një angazhim i ngurtë amerikan në konfliktin me Ukrainën përforcon politikën agresive kineze dhe dekurajon projektet amerikane për balancim të Kinës përmes “katërshes” (India, Australia, Japonia dhe SHBA-ja, me synim zgjerimin e saj me vendet e tjera nga të dy anët e detit të Kinës jugore).
(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)