Profesionistët u përmbahen parimeve etike në çdo platformë. Të tjerët do t’i shkelnin ato edhe në një faqe të shtypur gazete. Ajo që ka pësuar ndryshim është qasja ndaj gazetarisë dhe kjo ka ndodhur si pasojë e shtrembërimit së vërtetës për të. Narrativa e rrejshme kundër mediave ka dy burime: 1. ata që nuk u konvenon e vërteta dhe 2. ata që e shesin zanatin apo njohuritë për të. Derisa brezat e rinj ta kuptojnë rëndësinë e së vërtetës dhe ata më të vjetër ta rikthejnë ndjesinë dhe nevojën për të, gazetarët e vërtetë vazhdojnë punën, me sfidat dhe pa mirënjohjen e vlerësimin që meritojnë
Para disa ditësh u gjenda para një audience të jashtëzakonshme. Kjo jo vetëm se kishte diçka hyjnore në atë mes, por edhe për shkak se ajo që kisha për të thënë do të ishte një risi në jetët e tyre, një bazë e vogël mbi të cilën do të ndërtonin më vonë, më shumë. Në takim të parë më përshkoi një dashuri dhe pastaj një ndjenjë tmerruese e përgjegjësisë që 22 fëmijëve gjashtëvjeçarë t’u tregoja se çka ishte profesioni i gazetarisë!
Gjithë këto vite në këtë zanat kam folur e kam diskutuar pafund herë me pafund njerëz dhe para lloj-lloj audiencash. Por ata kanë ditur diçka për gazetarinë, ose e kanë pasur një mendim për të; e kanë ushtruar zanatin, ose veç kanë qenë ekspertë të tij; dhe shumë të tjerë që synim kanë pasur të marrin diçka që do të mund t’iu hynte në punë nga njohuritë e gazetarëve.
Sfida me gjashtëvjeçarët është shumëdimensionale dhe përcaktuese e së ardhmes. Së pari, është një e tillë të cilën vazhdimisht e kanë shpërfillur shoqëria dhe institucionet. Jo pak as pjesërisht, por plotësisht. Mosprioritetizimi i saj tregon se jemi injorantë karshi rrezikut që paraqet dëmtimi i integritetit të informacionit dhe mosedukimi mediatik, jo si teori fakultetesh po si praktikë përditshmërie. Po ashtu, kjo shpërfillje rikonfirmon që nuk mërzitet kush për eliminimin e mangësive të sistemit arsimor, e aq më pak për avancimin e tij.
Për mua ballafaqimi me nxënësit e klasës së parë ishte ndjenjë tmerruese e përgjegjësisë ngase nuk kishte të bënte vetëm me një sqarim të një profesioni, por më shumë me një përpjekje për distancim të tij nga platformat që e ngatërrojnë veten me gazetari dhe që e ndotin atë. Nganjëherë më duket se e kam marrë paksa edhe personale! Po ashtu, ai nuk ishte argumentim mes të rriturish, por diskutim me fëmijë që do të mund të ndikonte në formësimin e marrëdhënies së tyre me botën digjitale të informacionit.
Qëllimi ishte që ata ta njihnin gazetarin si zbulues të së vërtetës; si aleat të vetin dhe si dikë që duhet falënderuar. Po ashtu, duhej ta dinin që nuk janë gazetarë të gjithë ata që thonë se janë, dhe se konsumimi i informatave të parëndësishme është humbje kohe. U përpoqa këto porosi t’ua përcillja me ilustrime fiktive dhe, në mendjen time, interesante. Nuk di nëse ia dola!
Ishte e rëndësishme përpjekja, ngase këta breza ekziston rreziku që kurrë të mos ia kenë idenë se çka është gazetaria. Pra, gazetaria që e bën gazetari. Ai që e kërkon të vërtetën, që e raporton me fakte dhe që është i pozicionuar krah interesit të publikut; ai që e respekton publikun duke ia sjellë të vërtetën dhe duke mos i treguar nëse është e bukur apo e shëmtuar; që vlerësimin ia lë vetë lexuesit.
Ishte e rëndësishme, po ashtu, sepse këta breza ekziston rreziku që kurrë të mos ta kenë plotësisht të qartë konceptin e së vërtetës. Të bombarduar nga informata që shtrembërohen apo hijeshohen, të pavërteta apo gjysmë të vërteta, të prodhuara qëllimisht apo nga mosdija, koncepti i së vërtetës është lëkundur tashmë te ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë. Një strategji për fëmijët, po ta kishim vullnetin dhe t’ia dinim rëndësinë, edhe do të mund të adoptohej lehtë, ta zëmë nga Finlanda, shteti që i është ofruar Kosovës për përkrahje me gjithë potencialin. Motoja e këtij shteti nordik, që është i pari në botë për t’iu bërë ballë sulmeve dezinformuese e manipuluese, është se “kurrë nuk është shumë herët për një fëmijë edukim mediatik”.
Por, megjithatë, të rriturve do t’u duhet t’ia gjejnë çarenë vetes kur, dhe nëse, do ta kuptojnë që kanë nevojë për ndihmë. Në të kundërtën, do të vazhdojnë të lexojnë më shumë gënjeshtra se të vërteta; më shumë kotësira se gjëra që u hyjnë në punë; ta urrejnë apo ta adhurojnë dikë që nuk e meriton; të nxiten e të nervozohen nga show të njerëzve që fitojnë shuma marramendëse për të; të shikojnë video njëra pas tjetrës me orë të tëra derisa t’ua lëshojë bateria e të mos e mbajnë mend asnjërën prej tyre...
Pasojat e secilës nga këto, por edhe manifestimeve të tjera të injorancës mediatike, janë më shumë se individuale. Ndërtimi i narrativave të rrejshme dhe nxitëse janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirive thelbësore, demokracisë dhe sigurisë. Zhvendosja e vëmendjes së qytetarëve nga sfidat reale të jetës së përditshme i mbyt aktivizmin social dhe iniciativat për kërkim të përgjegjësisë nga institucionet e shtetit.
Nuk është dashur më shumë se një çerekshekulli që nga një shoqëri e gjallë, kërkuese, solidare e ambicioze të mbyllemi në qarqe nxitjeje e urrejtjeje ushqyer nga manipulime, etiketime, gënjeshtra, ofendime e çka do tjetër që kryesisht nuk është e vërtetë; që plasohet nga jashtë apo brenda Kosovës. Viti 2024 po shkon e në 2025-tën po hyjmë me përshkallëzim betejash të partive politike nëpër çdo arenë, në çdo formë që mund ta shpikin e me çdo fjalë që u bie ndërmend. Janari e shkurti do të jenë muajt kur më shumë do të ndihet mungesa e njohurive mediatike e kur të rriturit do të mund ta dëgjojnë alarmin. Ekziston një frymë në këtë periudhë para zgjedhjesh që partitë do të shkojnë “gjithçka o asgjë”, pamëshirshëm jo veç ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj qytetarëve, duke i shndërruar ata në spektatorë kacafytjesh virtuale. Me rëndësi është që spektatorët ta menaxhojnë veten sepse në fund edhe fituesi edhe humbësi do të fitojë dhe do të humbë për vete. Ky ka qenë mësimi qysh prej pas luftës dhe ndërkohë e as tash asgjë s’ka ndryshuar.
Nuk ka ndryshuar as thelbi i gazetarisë. Ai është tani madje më i domosdoshëm se ndonjëherë. Avancimet teknologjike kanë prekur në formë por jo në përmbajtje. Profesionistët u përmbahen parimeve etike në çdo platformë. Të tjerët do t’i shkelnin ato edhe në një faqe të shtypur gazete. Por, ajo që ka pësuar ndryshim është qasja ndaj gazetarisë dhe kjo ka ndodhur si pasojë e shtrembërimit të vërtetës për të. Narrativa e rrejshme kundër mediave ka dy burime: 1. ata që nuk u konvenon e vërteta dhe 2. ata që e shesin zanatin apo njohuritë për të. Derisa brezat e rinj ta kuptojnë rëndësinë e së vërtetës dhe ata më të vjetër ta rikthejnë ndjesinë dhe nevojën për të, gazetarët e vërtetë vazhdojnë punën, me sfidat dhe pa mirënjohjen e vlerësimin që e meritojnë.
Gëzuar 2025 me një urim gazetari për një vit të mbushur me të vërteta – të bukura apo të shëmtuara e vlerësoni vetë!