Goxha shumë republikanë mund t’i sfidojnë përpjekjet e kërkimit të së vërtetës. Por të tjerët do të mund ta përdorin hetimin publik të përqendruar në përmirësimin e institucioneve amerikane për t’u distancuar nga Trumpi. Mbi të gjitha, krejt këta tanimë kanë treguar se janë asgjë më tepër sesa jooptimistë
Mes demokratëve dhe shumë republikanëve ekziston një tundim i madh për ta përjashtuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump, si një devijim bizar.
Njëjtë siç republikanët do mund të përpiqeshin t’ia vishnin fajin Trumpit për shumë shkelje të katër vjetëve të fundit, me shpresën se rolet e tyre kontribuuese do të harrohen shpejt, edhe demokratët mund të synojnë të shfaqen si vëzhgues të normave demokratike, duke u përmbajtur nga mospajtimet e së shkuarës.
Po të jetë kështu, nëse Joe Bideni ngadhënjen kur të gjitha votat e zgjedhjeve të 3 nëntorit të numërohen, atëherë Trumpi dhe administrata e tij nuk pritet që të mbahen përgjegjës për të dhënat e tyre shokuese me korrupsionin, mizorinë dhe shkeljet e parimeve themelore kushtetuese.
Krejt veçmas kalkulimeve politike, shumë vëzhgues – nisur prej ish-pretenduesit demokrat për president, Andrew Yang, dhe deri tek juristët e historianët e shquar – kanë argumentuar se vetëm në diktatura përndiqen oponentët e mundshëm. Për motivet e tija krejtësisht të qarta, prokurori i përgjithshëm amerikan, Bill Barr, po ashtu ka shprehur mendimin se “rituali i persekutimit të humbësve politikë nga fituesit politikë nuk është gjë që përkon me një demokraci të arrirë”. Megjithëkëtë, këto përgjithësime janë tejet të nxituara.
Slogani i Trumpit “mbylleni”, i adresuar ndaj Hillary Clintonit më 2016, nuk duhet përgjigjur sërish me një tjetër “mbylleni”; por “falni dhe harroni” nuk është as e vetmja alternativë.
Amerikanët duhet ta bëjnë dallimin midis tri çështjeve: krimeve që Trumpi mund t’i ketë kryer para se ta merrte detyrën; korrupsionit dhe mizorisë së kryer prej tij dhe njerëzve të tij gjatë kohës sa ishte në detyrë; dhe sjelljes që ka shpërfaqur dobësi strukturore përbrenda sistemit më të gjerë politik amerikan. Akëcila prej këtyre kërkon nga një përgjigje të ndryshme.
Historikisht transicionet e goxha shumë shteteve nga autoritarizmi – apo rimëkëmbja nga degradimi demokratik – janë karakterizuar nga gatishmëria për t’i lënë pushtetmbajtësit e dikurshëm të pandëshkuar. Siç ka vëzhguar ekspertja e shkencave politike, Erica Frantz, 59 për qind e liderëve autoritarë që janë larguar nga pushteti thjesht kanë “vazhduar me jetët e tyre normale”.
Sidoqoftë, në rastet kur demokracitë e reja apo të rimëkëmbura nuk kanë persekutuar ish-zyrtarët, ato prapëseprapë kanë formuar komisione të së vërtetës, duke u ofruar atyre amnisti në këmbim të ofrimit të informatave kredibile dhe pranimeve të fajësisë nga kryerësit e krimeve. Kjo qasje është ndjekur më theksueshëm nga Afrika Jugore e pas Aparteidit.
Veçoria e situatës aktuale amerikane është se Trumpi veçse është nën hetime për krime të mundshme që nuk ndërlidhen me presidencën e tij. Si gjykatësi i Qarkut i Manhattanit ashtu edhe prokurori i përgjithshëm i New Yorkut janë duke e hetuar Organizatën Trump për forma të ndryshme mashtrimi.
Teksa në dukje apolitike, praktikat afariste të Trumpit shpërfaqën – dhe errësuan – miqësitë e paturpshme dhe korrupsionin e presidencës së tij. Ani pse nuk ia ka dalë që ta transformojë plotësisht SHBA-në në një shtet mafioz sipas kornizave të Hungarisë së Viktor Orbanit, kjo gjë është kryesisht jashtë teme.
Për më tepër, nëse hetimet ndaj Organizatës Trump thjesht do të rrëzohen pas largimit të tij nga zyra, atëherë akuza se ato ishin puro makinacione politike do të dukej si e justifikuar, sidomos nëse merret në konsideratë fakti se zyrtarët në fjalë të zbatimit të ligjit rastisin të jenë demokratë. Në anën tjetër, nëse hetimet do të rezultonin me burgosjen e një ish-presidenti, atëherë mbështetësit me dorën mbi armë të Trumpit mund të vendosnin që ta merrnin ligjin në duart e tyre; në rastin më të mirë, ndasitë politike të vendit do të thelloheshin edhe më shumë.
Duke i pasur në mendje krejt këto rreziqe, nuk ka arsye të veçantë pse një lider politik nuk mund të ndëshkohet si duhet për një krim që ka kryer. Shumë liderë janë ndëshkuar, dhe disa i janë rikthyer jetës politike. Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ishte shtrënguar të kryente shërbime për komunitetin pas dënimit të tij për evazion fiskal (mosha e tij bëri që të merrte dënim më të butë). Sot ai është anëtar i Parlamentit Evropian, gjë kjo që ia bën të vështirë kujtdo të pretendojë se gjyqtarët liberalë thjesht deshën që ta heshtnin “cavalieren”. Por esenca e zbatimit të ligjit ishte që të dërgohet një sinjal i qartë se strategjia e Berlusconit për hyrje në politikë me qëllim të sigurimit të imunitetit dhe përhumbjes së vëmendjes prej bizneseve të tija të mjegullta nuk do të shndërrohet në precedent.
Tani vjen puna te të dhënat aktuale të Trumpit në post. Mund t’i gjenden dëshmi goxha të pakëndshme, por do të ishte gabim që të hiqej dorë prej asaj që presidenti Thomas Jefferson, pasi e pasoi John Adamsin më 1801, e quajti “siguria me të cilën gabimi në opinion mund të tolerohet, kur arsyeja lihet e lirë për ta luftuar atë”.
E njëjta nuk mund të thuhet për korrupsionin dhe mizorinë sistematike që administrata Trump ka ushtruar në përgjigjen ndaj krizës me COVID-19, dhe në ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre në kufi. Siç ka sugjeruar profesori i së drejtës në Harvard, Mark Tushnet, një Komision i Hetimeve duhet të krijohet për t’i hetuar politikat dhe aktet që shkojnë përtej paaftësisë për të kaluar në rrafshin e dashakeqësisë me motive politike. Është esenciale që të krijohet një bazë e duhur të dhënash për këto ngjarje, mbase me anë të ofrimit të butësisë në këmbim të të dhënave të fshehura. Kjo do të duhej të ndihmonte në shqyrtimin e reformave strukturore, për t’i bërë të paktën korrupsionin dhe shkeljen flagrante të së drejtave të njeriut si më pak të mundshme.
Tekefundit, Trumpi ka shkelur goxha norma joformale presidenciale, duke nisur prej atyre relativisht triviale – duke i cituar njerëzit me emër në Twitter – deri tek ato më seriozet: fshehja e të dhënave të tija tatimore. Siç kanë argumentuar shumë juristë amerikanë, një përgjigje e matur do të ishte krijimi i një komisioni të veçantë për studimin e cenueshmërisë strukturore të presidencës. Një hetim i tillë mund të tregonte se shumë normale joformale – nisur nga transparenca financiare deri te marrëdhëniet me Departamentin e Drejtësisë – duhet që të kodohen. Nuk do të kishte asgjë hakmarrëse në këtë qasje të caktuar.
Pas Wategates, Kongresi kishte hartuar një sërë ligjesh të rëndësishme etike, të cilat që të dyja partitë i kishin pranuar.
Kjo qasje tridegëzore nuk duhet të shkaktonte shpërqendrim nga detyrat më të rëndësishme të qeverisjes. Ndonëse mund të kërkonte paksa shpenzimin e kapitalit politik, kostoja e mosveprimit apo e vazhdimit neglizhent tutje mund të kushtonte më shtrenjtë, siç mbase ishte rasti pas faljes që Gerald Fordi i bëri Richard Nixonit (i cili në të vërtetë kurrë nuk ka pranuar të ketë bërë ndonjë faj), dhe butësia e treguar pas skandalit Iran-Contra dhe përdorimit të tepruar të torturës nga ana e administratës George W. Bush në ndjekje të “luftës së saj globale ndaj terrorizmit”.
Sa për siguri, goxha shumë republikanë mund t’i sfidojnë përpjekjet e kërkimit të së vërtetës. Por të tjerët do të mund ta përdorin hetimin publik të përqendruar në përmirësimin e institucioneve amerikane për t’u distancuar nga Trumpi. Mbi të gjitha, krejt këta tanimë kanë treguar se janë asgjë më tepër sesa jooptimistë.
(Jan-Werner Mueller, profesor në Universitetin e Princetonit, është pjesëtar i Institutit të Berlinit për Studime të Avancuara dhe autor i librit ende të pabotuar: “Democracy Rules”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).