OpEd

Dysh KQZ-së

Do të na zërë marsi me pasigurinë nëse do t’i kemi rezultatet zgjedhore të certifikuara. E nuk i kemi punët për të mos pasur Kuvend të konstituuar dhe një qeveri, cilado të jetë ajo që do të formohet varësisht nga numrat përfundimtarë. Ende pa i ditur shifrat flitet për opsionet nga më të ndryshmet që e përfshijnë edhe atë të zgjedhjeve të reja në afat të shkurtër. Kjo besoj do të ishte zgjidhja më e keqe në kohët kur nga ana tjetër e Atlantikut po merren vendime që, e deshëm ose jo, do të kenë ndikim në rendin botëror. E Kosova, sado e vogël, e ka një problem të madh dhe është pjesë e po këtij rendi botëror

E diela e kaluar qe një ditë shumë intensive dhe e gjatë. Qe njëmend e veçantë.

Qendrat e votimit mbetën të hapura dymbëdhjetë orë.

Dominoi kultura e lartë e sovranit që doli për të votuar, e madje në raste edhe duke pritur radhë për ta ushtruar këtë të drejtë, dhe duke i pritur me qetësi dhe pa asnjë incident rezultatet preliminare të zgjedhjeve.

Shumë nga mediumet dolën me parashikimet e tyre për renditjen e partive politike në garë, ndërkohë që të gjithë sytë ishin kthyer nga KQZ-ja për rezultatet që do të dilnin nga numërimi i votave për partitë politike në secilin vendvotim.

Por, do të ishte befasi që e gjitha të kalonte pa ndonjë problem. E kësaj radhe, problemi që shpërtheu është tepër i madh.

Kurti nervoz, ofendon

Pavarësisht rezultateve që paraqiten nga KQZ-ja, partitë politike i kanë komisionerët e tyre të shpërndarë gjithandej vendvotimeve që i furnizojnë qendrat partiake me numrat e votave. Edhe para se të kolapsonte sistemi i KQZ-së, tashmë dihej pak a shumë se si qëndronte puna.

Pra, ishte e pritshme që liderët partiakë të deklaroheshin atë natë, në rend të parë, për t’i falënderuar votuesit e më pas për ta shprehur qëndrimin e tyre personal apo edhe partiak në lidhje me procesin.

Albin Kurtin e pamë dy herë. Herën e parë para selisë së partisë, e të dytën, më vonë, afër përmendores së Skënderbeut.

Në që të dyja rastet, paraqitja e tij pasqyronte nervozizmin, pra edhe pakënaqësinë, për mosarritjen e synimeve krejt jorealiste për t’i marrë 25% të votave të korpusit zgjedhor.

Arroganca dhe gjuha fyese që i shpërfaqi gjatë gjithë fushatës (në tubimet e së cilës, përndryshe, nuk u pa asnjë flamur i vetëm i Kosovës), u përsëritën në shesh. Ofendimi që ua bëri kundërshtarëve politikë, për pasojë edhe votuesve të partive opozitare, qe i shëmtuar dhe i papranueshëm.

Partia e tij megjithatë doli fituese, madje me dallim të madh në vota.

Më e pakta që mund të pritej nga ai do të ishte komunikimi i dinjitetshëm në rend të parë me popullin, kryeministër i të cilit ka qenë katër vjet.

Abdixhiku dinjitoz

Me gjithë paralajmërimet e zëdhënësit të partisë në një paraqitje të parë (se LDK-ja kishte mbledhur më shumë se 33% të votave), pak kohë pas shfaqjes së parë të Kurtit, para gazetarëve doli Lumir Abdixhiku.

Ishte evidente se ishte i shqetësuar, ishte i pikëlluar me rezultatin dhe i kishte humbur buzëqeshja. Megjithatë, i vetëm para gazetarëve, qetazi e pranoi humbjen. E mori përgjegjësinë personalisht për dështimin zgjedhor dhe deklaroi se do të qëndronte në opozitë.

Nuk u tha, por u nënkuptua se partia do të ulej e të analizonte shkaqet e ngritjes së pamjaftueshme të partisë pas debaklit të para katër vjetëve. E mbase pjesë e kësaj analize do të mund të ishin identifikimi i fushatës së partisë vetëm me emrin e tij; kushtëzimi i paraqitjeve mediale vetëm nëse përfaqësuesit e VV-së do të ishin prezentë apo edhe hiperbolizimi i masivitetit të tubimeve zgjedhore.

Me siguri se ka edhe plot shkaqe të tjera. Por, lëvizja përpara me numra dhe paraqitja e tij pas zgjedhjeve, e bëjnë atë kandidat të fuqishëm të LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vjeshtës. Për shkak se basti i tij, Përparim Rama dhe qeverisja e tij në Prishtinë, gjithashtu mund të kenë qenë arsye shtesë që nuk e sollën rezultatin e synuar.

Hamza i padukshëm

I fundit në konferencë u shfaq zëdhënësi i PDK-së.

Bedri Hamza nuk u pa atë natë dhe besoj se ky ka qenë gabim i madh i kësaj partie, ngase, të njëjtat fjalë që i tha Stavileci, ka mundur t’i thoshte edhe ai, duke i falënderuar njëkohësisht përkrahësit që ia vërtetuan kësaj partie pozitën e forcës së dytë politike parlamentare.

Hamza, i cili nuk veçohet për nga karizma, megjithatë udhëhoqi një fushatë të mirë në komunikim të drejtpërdrejtë me votuesit. Përfundim i mirë dhe i logjikshëm i gjithë procesit do të ishte paraqitja e tij para gazetarëve për të thënë se “në ditët në vijim do të dalim me qëndrim për veprimet e mëtutjeshme”.

Dështimi i KQZ-së

KQZ-ja dështoi aty ku nuk u desh - tek informimi i saktë dhe i kohshëm i rezultateve.

Ishte hera e parë që mbaheshin zgjedhje të rregullta që nga pavarësia dhe ky trup ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u organizuar, për t’u përgatitur dhe për t’u siguruar se gjërat të shkonin pa asnjë problem.

Që nga shtatori është ditur data e zgjedhjeve, e megjithatë mungoi fushata vetëdijesuese për votuesit brenda dhe jashtë vendit. KQZ-së i bëri vakia që t’i bllokohej prodhimi i spoteve publicitare gjatë fushatës për shkak të procedurave të vona të prokurimit dhe për shkak të kufizimit të shpërndarjes së porosive në më shumë se dy mediume nacionale (madje nuk e di nëse kanë qenë dy).

Paramendoni që vendi i vetëm ku mund të përcilleshin porositë e KQZ-së kishte qenë një monitor që e kishin vendosur në hyrje të selisë së KQZ-së.

Pra, nuk ishte fare befasi se pse u anuluan që në start mbi 700 vota nga diaspora. E nuk do të jetë befasi edhe nëse numri i votave të pavlefshme në Kosovë të jetë disamijërash.

Por, shumë më serioz qe dështimi i evidencimit elektronik të votave dhe shfaqja e tyre në faqen zyrtare të KQZ-së.

Faqja ra, më shumë nuk qe e qasshme sesa që ishte, dhe shënimet në të ndryshonin në formë jo fort normale. Me një çast më askush nuk mund t’i qasej asaj dhe në mes të natës, me dukje të një njeriu të fundosur, doli kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të thënë se shënimet në faqe nuk duhej përcjellë dhe se “disi do t’jua bëjmë me dije se kush sa vota i mblodhi”.

Hutimi i krijuar me rënien e faqes që kishte pësuar sulm malicioz u rrit edhe më shumë kur shifrat u kthyen, por kur votat e numëruara nuk përputheshin me votat e hedhura për më shumë se 30 mijë sish. Edhe një goditje qe kur na u bë me dije se kishte gjasa që, në fund, votat të evidentoheshin me dorë.

Shije edhe më të hidhur la deklarata se numrat përfundimtarë do t’i kishim brenda dhjetë ditësh apo dy javësh. “Kemi diskutuar që të presim edhe sot dhe nesër se si po shkon procedura e numërimit përmes sistemit. Nëse çdo gjë është në rregull, do të vazhdojmë, nëse do të kemi probleme në disa nga qendrat e numërimit, ne menjëherë do të fillojmë një procedurë tenderuese për printimin e disa formularëve të cilët janë të nevojshëm për numërimin e votave. Ajo do të marrë kohë maksimum 4-5 ditë dhe do t’i kemi formularët dhe do të vazhdojmë me mënyrën e vjetër”.

Pra më pak se një milion vota do të marrin 14 ditë për t’u numëruar (nëse sistemi funksionon). Kjo do të duhej t’i përfshinte edhe votat e diasporës si dhe votat me kusht, për të cilat kanë thënë se u nevojiten dhjetë ditë.

E punën nuk e lehtësuan fare vetë deputetët që e kanë “kënaqë” kur kanë vendosur që votuesit t’i votonin 10 në vend të 5 deputetëve. Ani që në të kaluarën ka qenë shumë e vështirë që të zgjidheshin madje pesë sish.

Nëse KQZ-ja ka pasur besueshmëri para ditës së zgjedhjeve, që nga e diela këtë e ka humbur.

* * *

Do të na zërë marsi me pasigurinë nëse do t’i kemi rezultatet zgjedhore të certifikuara. E nuk i kemi punët për të mos pasur Kuvend të konstituuar dhe një qeveri, cilado të jetë ajo që do të formohet varësisht nga numrat përfundimtarë.

Ende pa i ditur shifrat flitet për opsionet nga më të ndryshmet që e përfshijnë edhe atë të zgjedhjeve të reja në afat të shkurtër. Kjo e besoj do të ishte zgjidhja më e keqe në kohët kur nga ana tjetër e Atlantikut po merren vendime që, e deshëm ose jo, do të kenë ndikim në rendin botëror.

E Kosova, sado e vogël, e ka një problem të madh dhe është pjesë e po këtij rendi botëror.

[email protected]