OpEd

Dy rrëfime për NJËPËRQINDËSHIN

“Kur të kthehesh në vendlindje u thua arsimtarëve që s’të kanë mësuar t’ia kthejnë të gjitha pagat shtetit”

Nga droja se mund ta shpërfillin e ta bëjnë të ndihet i përjashtuar nga kolegët e klasës, Arsimi (emri i ndryshuar jo edhe historia) kishte vendosur që në ditën e parë të shkollës t’i blejë djalit veshmbathje të prodhuesve të njohur. Ishte rasti ideal që ta bind veten dhe të tjerët se sakrifica e largimit nga vendlindja për në kurbet po shpërblehet dhe se kjo është vetëm njëra nga betejat në përpjekjen e realizimit të dëshirës së madhe - që fëmijët të mos e përjetojnë fatin e hidhur të të jetuarit në skamje e padrejtësi. S’do mend se kjo fshihte edhe një qëllim - përmbushjen e boshllëqeve të tij personale, në një vend ku dallimet sociale sipas perceptimit të atyre që kriter kanë paranë, janë shumë të thella. 
Fëmija me veshje “mbresëlënëse” të nesërmen kishte vajtur në shkollë. Nuk dihet nëse ai është ndier ndryshe atë ditë, apo nëse pas këtij “transformimi përrallor” moshatarët dhe personeli kanë shfaqur sjellje admiruese ndaj tij. Me shumë gjasë ka qenë një ditë si gjithë të tjerat për një fëmijë që imagjinata dhe ëndrrat e tij shkojnë përtej atyre të prindit, në memorien e të cilit kanë zënë vend ankthet dhe përjetimet e thella “migjeniane”. 

Por, këtu nuk merr fund “eksperimenti” i Arsimit që ka zgjedhur një mënyrë të (pa)zakontë për të shfaqur dashurinë dhe përkushtimin për fëmijën. Ajo që nisi me shumë entuziazëm, shpejt merr kthesë tjetër. Kurbetçarit që kishte shoqëruar djalin deri në shkollë, ende pa u rehatuar në banesë i vjen një telefonatë nga mësuesja. I kërkohet të shkojë në takim, nëse jo atë ditë, më së largu të nesërmen. Po çfarë të nesërme – niset me vrap pa ditur arsyen e ftesës. Rrugës i shkonin në mendje shumë gjëra, ogurzeza.  

Ndërsa u fut në sallën e pritjes, zemra i rrihte fortë.  

Mësuesja e përshëndet me qetësi e i kërkon falje për shqetësimin, për t’i thënë më pas se nuk ka asgjë për t’u brengosur për djalin, se ai është shëndoshë e mirë. I tregon edhe se janë kujdesur që fëmija të mos e dijë që prindi i është ftuar për konsultim nga shkolla. 

Për të treguar sa shumë çmohet koha, ajo nuk vonon shumë dhe e njofton se arsyeja e takimit ka të bëjë me veshjen e djalit, që për Arsimin ishte i pakuptimtë, por që për shkollën ishte i domosdoshëm. Ajo e këshilloi të shkretin prind që të ketë kujdes në mënyrën se si e trajton dhe e shpërblen djalin në moshë të hershme duke i thënë se atletet dhe rrobat e “brendeve” të shtrenjta nuk kanë asnjë vlerë në shkollë, dhe nuk përçojnë mesazh të mirë. Për t’i dhënë një “shuplakë” ndërgjegjësimi, mësuesja ia kujtoi atij edhe një të dhënë “statistikore” – i thotë që të gjithë prindërit e nxënësve të tjerë të klasës janë më të pasur se ti dhe se shkolla nuk është vendi i duhur për të demonstruar fuqinë financiare apo statusin në shoqëri.

***

Ndërsa e ktheva në kujtesë rrëfimin e një të njohuri që jeton në njërin nga vendet e zhvilluara, nuk kam se si të mos e kujtoj edhe një episod timin nga shërbimi ushtarak, e që mes vete kanë disa të përbashkëta.  

Meqë kisha dosjen e nxënësit që kisha kryer drejtimin e matematikës në gjimnaz, më patën rekrutuar si llogaritar i gjuajtjeve me “haubicë” kalibri 105 mm. Ndryshe prej njësive të tjera vartëse të divizionit të artilerisë, disa nga aktivitetet e grupit tim mbaheshin në klasë. Në njërën nga orët e mësimit, oficeri me kombësi kroate nisi të “testojë” dijen e ushtarëve në matematikë. Njëri pas tjetrit, i erdhi radha një kolegut nga rrethi i Klinës. Ai kishte gjashtë muaj para meje që kishte nisur shërbimin dhe nuk e kuptova se pse po e “verifikonte” pikërisht atë. Ai pati vështirësi në zgjidhjen e detyrave, sado që ishin elementare. Pas tij më ftoi mua në tabelë, ndonëse nuk ishte radha ime. E dinte se jam shqiptar, ani që nuk isha prezantuar asnjëherë para tij. Nuk më dha detyrë tjetër, por tha zgjidhe këtë që nuk e diti kolegu yt. E ndjeva menjëherë se kolegun para meje e nxori për ta poshtëruar. E për t’i dhënë më shumë ngjyra “shfaqjes”, të njëjtën provoi me mua. Unë i nxora rezultatin përfundimtar të saktë pa shtjelluar procedurën. Më shikoi me habi dhe më dha një tjetër detyrë. Për të dukej më e komplikuar se e para, për mua ishte po aq e thjeshtë - kishte vetëm tre muaj që kisha përfunduar shkollën e mesme dhe kisha kaluar me sukses provimin pranues në Fakultetin e Elektroteknikës. Ai ndryshoi qëndrim dhe nisi një sërë pyetjesh për vendin nga vij, shkollimin, studimet... I tregova se zgjidhjen e këtyre detyrave e kam mësuar që në fillore, e në gjimnaz nuk kam pasur lëndë të matematikës, por i kam mësuar veç e veç si lëndë të ndara të gjitha disiplinat e matematikës – analizë, gjeometri, trigonometri, matematikë logjike, teori të gjasave,... pastaj kibernetikë, programim... e edhe astronomi. 
Pasi mbylli “intervistën” me mua, iu drejtua kolegut që pa fajin e tij nuk kishte shumë njohuri në matematikë, dhe jo vetëm. I tha, pak me mahi e pak përnjëmend: “Kur të kthehesh në vendlindje u thua arsimtarëve që s’të kanë mësuar që t’ia kthejnë të gjitha pagat shtetit”.

***

Demokriti (Democritus), filozof e matematikan i Greqisë së Lashtë e ka lënë një fjalë në mesin e shumë të tjerave për arsimin: “Shpresat e të arsimuarve janë më të forta se sa pasuritë e të paarsimuarve”.  

E Arsimi që aktualisht jeton në njërin nga vendet e perëndimit, gati 2400 vjet nga koha kur jetoi Demokriti, mund të mos ketë pasur në dorë literaturë për edukimin apo manual për rregullat e sjelljes në shkollë, por ka shumë të ngjarë që ka përfituar nga eksperienca me fëmijët e tij. Dhe, historia e tij me sfidat që tashmë mund të jenë të tejkaluara, na çon/kthen diku tjetër, në Kosovë. Atje ku, ashtu si ai, jo pak prindër/familje vuajnë nga e njëjta sindromë.  

Dhe jo vetëm për shkak se nuk janë të mirinformuar mbi format e reja të edukimit e arsimimit, por për shkak se e kanë lënë këtë çështje në bisht të prioriteteve brenda familjes, ashtu siç e nxjerr edhe raporti i Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare, publikuar më 2023. 

Të dhënat e kësaj ankete tregojnë se shpenzimet për veshmbathje në Kosovë janë 10 herë më të larta sesa për edukim (s’ka pasur faj Arsimi që e ka nisur projektin e shkollimit me investime në veshmbathje), e që në totalin e shpenzimeve familjare, merr pjesë me vetëm NJË PËR QIND (1%). Në këto statistika prijnë shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike me 55 për qind, pasuar nga banimi me 14, transporti 7 dhe veshmbathja 6 për qind. Edukimi sipas rezultateve të Anketës është i fundit në listën e 11 kategorive të shpenzimeve - dy herë më pak se për shpenzime hoteliere, 5 herë më pak se shpenzimet për mobilie e 6 herë më pak se për alkool e duhan.

Në Perëndim, prindi e ka marrë mesazhin e duhur, e në Kosovë dyshoj që arsimtarët e kanë marrë atë të oficerit kroat - shifrat e nxënësve, viktima të sistemit të dobët të arsimit, mbeten ende të larta.