OpEd

Dy kute komunikimi

E gjithë java na kaloi duke dëgjuar se Kosova ka problem komunikimi me Amerikën e Evropën. Tash, në kuptimin e gjerë të fjalës komunikimi nënkupton këmbim mendimesh, idesh e bisedash mes dy a më shumë palëve. Komunikimi në kuptimin e ngushtë të fjalës është i njëanshëm dhe zakonisht quhet urdhër. E kur je në pozitë të japësh urdhra, atëherë duhet siguruar se urdhrat duhen dhënë të dyja palëve me të cilat merresh, e më pas të sigurohesh se ato janë zbatuar

Lajmi i javës, pa asnjë dyshim, është vendimi i Qeverisë, për të cilin thuhet se nuk u mor me konsensus, që ta detyrojë Agjencinë Kadastrale të Kosovës që ta regjistrojë pronën prej 24 hektarësh në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Një aktgjykim i Kushtetueses nga 2016-a mbeti në sirtar dhe nuk futej në fuqi nga asnjëra Qeveri, për shkak se me të legjitimohej bartja e pronësisë mbi pronën dikur shoqërore, që ishte bërë me vendim të Millosheviqit më 1997.

Ish-ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, Agjencia e Mirëbesimit (tash e Privatizimit) e Kosovës, si dhe Komuna e Deçanit nuk i shkuan deri në fund procedurës para Gjykatës Kushtetuese dhe e humbën mundësinë e kontestimit të këtij transferimi. Pavarësisht, partitë e atëhershme opozitare, me në krye Vetëvendosjen, e kundërshtuan zëshëm vendimin. Edhe pse vendimet gjyqësore nuk mund të kundërshtohen kur janë përfundimtare, për pasojë edhe të detyrueshme.

* * *

Dhe rasti i tokës që iu bart Manastirit është shembulli më i fuqishëm i asaj që quhet real-politikë krahasuar me politikën ideale dhe idealiste, ku krejt gjërat “zgjidhen” me fjalë e premtime. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një seancë parlamentare e kishte ilustruar ndërrimin e qëndrimit të Kurtit për shumë gjëra me të famshmet qershia, për të cilat i thoshte “se do t’i hante krejt një nga një”.

E Kurti nuk është se nuk i ka ngrënë bile një grusht qershish qëkur është bërë kryeministër – duke qenë më e madhja ajo e prioriteteve. Thoshte se negociatat me Serbinë ishin prioriteti i gjashtë a i shtatë për qeverinë e tij dhe se në vend të kësaj do të zhvillonte dialog me serbët lokalë. Kjo e fundit nuk ndodhi, e negociatat me Serbinë u bënë prioriteti numër një, për shkak se kjo punë nuk ishte punë dëshire apo e prioriteteve të tij – ishte punë që diktohej nga Evropa e SHBA-ja, për shkak se Kosova tashmë ishte futur në këtë proces që nga 2011-a dhe kishte nënshkruar disa duzina marrëveshjesh. Ndër to, më e keqja kishte qenë ajo për Zajednicën, nga 2013-a. E për ta bërë edhe më keq, ajo marrëveshje ishte realizuar me propozim të Kosovës, siç tashmë na e ka shpjeguar disa herë Marc Weller.

Edhe vendimi i tokave të Deçanit i ra hise Kurtit që ta zbatonte, pra kundërshtarit të zëshëm të vendimit të Kushtetueses, për shkak se sundimi i ligjit dhe ligjshmëria janë parime themelore të Këshillit të Evropës. Kosova, kandidate për anëtarësim në KiE, nuk do të kishte asnjë shans për t’u pranuar aty po qe se vetë shteti nuk i zbatonte vendimet e institucioneve të veta të pavarura. Se a i fali Kurti hektarët? Ligjërisht e dha urdhrin për bartje, porse faljen e bënë të gjithë të implikuarit në procedurë që nuk i shfrytëzuan të gjitha mjetet juridike që kjo të mos ndodhte.

Zbatimi i këtij vendimi iu vendos Kosovës nga KiE, dhe moszbatimi i tij do ta linte Kosovën përfundimisht jashtë. Se a do t’ia sigurojë kjo anëtarësimin tash, nuk e di, sepse politikës nuk i besohet. Dhe nuk do të ishte hera e parë që një kusht të shtresohej edhe me një a dy të tjerë: është si negociatë hesapi, ku ai që ka fuqi e nxjerr maksimumin nga ai që nuk ka shumë, por nëse edhe humb pak, thuajse i humb të gjitha.

* * *

Dhe kërcënimi i parë i këtij lloji erdhi në formë, do të thosha, blofi, nga emisari amerikan Gabriel Escobar.

Pas takimit me Kurtin, në të cilin “nuk doli ta bindte që ta ndërronte mendjen për çështjen e dinarit”, doli dhe tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në KiE: disa çështje shpronësimesh në veri dhe zbatimin e Zajednicës menjëherë.

Nuk ka asnjë dyshim se SHBA-ja ka fuqi të jashtëzakonshme lobimi dhe se shumë nga punët në lidhje me anëtarësimin në KiE do të jenë shtytur a ndihmuar nga Amerika. Porse të dalësh, pa pritur e pa kujtuar, me dy kushte të reja që në asnjë çast nuk u përmendën nga askush për këtë proces, pas takimit të dështuar me Kurtin, nuk duket asgjë më tepër sesa një reagim hidhërimi. E këtë po e them pa ditur më shumë seç kemi raportuar, ndërkohë që reagimi i deputetëve gjermanë Abraham dhe Schwabe, që e kundërshtuan Escobarin duke i thënë se kriteret për pranimin në KiE i caktojnë evropianët, disi ma vërteton teorinë.

Para kësaj deklarate, Escobar e pati edhe një tjetër, shumë ofenduese për inteligjencën tonë, sado të kufizuar që dikush do të mund ta vlerësonte. Ai tekstualisht tha: “Vendimi për dinarin - katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës...”. Tash njëmend, si mund të krijojë dinari çfarëdo kaosi në ekonominë e Kosovës, kur që nga fundi i luftës nuk është valutë zyrtare në Kosovë?

Kaosin pa dyshim ua shkakton atyre që ishin mësuar të bartnin para me kamionë, e të mos tregonin as sa, as pse, as kujt po ia nisnin. U shkakton kaos atyre që e kanë përdorur Kosovën si makinë larëse të parave të pista, e që edhe pas sulmit terrorist, e edhe pas shpalljes së fletarrestimit ndërkombëtar nga Interpoli, sillen të lirshëm nëpër Beograd e takohen me ambasadorin serb në Washington.

Të dalësh e të thuash se kjo situatë po krijon krizë humanitare është një konstruksion propagandues patetik, tipik i kuzhinës së Vuçiqit. Sepse askush nuk po i thotë Serbisë mos dërgo para tek ata që i ke në listë. Po i thotë dërgo euro, se dinari nuk mund të përdoret, por vetëm të konvertohet. E për t’u konvertuar duhet të hyjë nëpër sistemin zyrtar të pagesave, e aty do të dihet saktësisht se sa para po hyjnë dhe për çfarë qëllimesh.

Pa asnjë dyshim se është dashur një fushatë paralajmërimi dhe shpjegimi se si do të veprohet tutje. Dhe kjo ka munguar. Dhe është fakt i pamohueshëm. Por kjo nuk do të thotë se llogaritë në euro nuk mund të hapen – ani në veri as që duhen paguar hapje a mirëmbajtje. Vetëm duhet një letërnjoftim, një nënshkrim a një gisht. Kaq.

* * *

Problem shumë më i madh për Kosovën është se si do të menaxhohet vendimi i Kushtetueses, sipas të cilit miliona euro u janë marrë qytetarëve në jug për ta paguar rrymën e qytetarëve në veri, pa lejen e këtyre të parëve.

Problem shumë i madh është praktika e shëmtuar dhe absolutisht korruptive e lidhjes së kontratave njëburimore në vlera milionëshe, kur fort mirë dihet se këto mund të përdoren në raste të jashtëzakonshme emergjente apo edhe kur nuk ka ofertues të kualifikuar. Të më thuash që në Kosovën e qindra-mijëra ndërtimeve pa leje nuk ka ofertues të kualifikuar ndërtimtarie, është rrenë e madhe që as oqeani nuk e lanë.

E ikja e partisë në pushtet nga debati parlamentar për këtë temë, pavarësisht se është iniciuar nga mjeshtrit e kësaj praktike në të kaluarën, kinse për shkak të gjuhës ofenduese joparlamentare, është arsyetim koti, sepse gjuhës ofenduese i kanë kontribuuar që të gjitha partitë e ulura aty prej vjetësh: ngase gjithmonë kanë besuar se sa më shumë që të shajnë, aq më të guximshëm do të tregohen. Mëkat për paratë tona që u shkojnë atyre në xhep për këso shfaqjesh shund.

Problem tejet i madh është administrimi i drejtësisë – dhe nuk duhet shkuar më larg se dje për të parë se sa e padrejtë është drejtësia në Kosovë. Një i ri vritet me armë zjarri nga dikush që di se si duhet manipuluar me armën dhe që ia drejton atë viktimës. Rasti prej vrasjes së rëndë shndërrohet në vrasje nga pakujdesia dhe dënimi kufizohet në 7 vjet e gjysmë. Rasti ka ndodhur në shtator të 2018-s dhe nuk dihet as kur do të përfundojë. Ky është problem. Shumë i madh.

Problem e kam edhe faktin se nga të kthehesh dëgjon të na thuhet se marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit duhen zbatuar, duke insistuar që Kosova ta themelojë Zajednicën, edhe pse marrëveshjet nuk janë nënshkruar. Për më tepër, një palë ka thënë se i pranon dhe se është e gatshme të nënshkruajë, kurse tjetra ka thënë që as nuk i pranon e as nuk i nënshkruan. Atëherë për çfarë marrëveshjesh po flasim?

* * *

Po, e di. Jemi të vegjël dhe jemi dëshmuar të paaftë për t’u bërë zotë të vetes, prandaj edhe tash shndërrohemi në monedhë tregtie në kohën e zgjedhjeve në Evropë dhe përtej Atlantikut. Dikujt i vyen ta dëshmojë një sukses, çfarëdo të jetë ai – madje edhe zgjidhja e “krizës ekonomike që e krijon dinari”, apo edhe themelimi i një strukture të re të pushtetit, derisa na thuhet se hetimet për sulmin terrorist të Banjskës mund të marrin disa vjet. Apo kur për vendosjen e tabelave në gjuhët zyrtare të Kosovës në veri, BE-ja na udhëzon të konsultohet komisionari i gjuhëve (e çfarë do të na thotë ky, se shqipja mund të shkruhet me cirilikë apo çka?), porse nuk vjen asnjë koment i vetëm kur vetë serbët e qarkullojnë fotografinë e Gjuriqit me terroristin Radoiçiq në kafene.

E gjithë java na kaloi duke dëgjuar se Kosova ka problem komunikimi me Amerikën e Evropën. Tash, në kuptimin e gjerë të fjalës komunikimi nënkupton këmbim mendimesh, idesh e bisedash mes dy a më shumë palëve. Komunikimi në kuptimin e ngushtë të fjalës është i njëanshëm dhe zakonisht quhet urdhër. E kur je në pozitë të japësh urdhra, atëherë duhet siguruar se urdhrat duhen dhënë të dyja palëve me të cilat merresh, e më pas të sigurohesh se ato janë zbatuar.

E kjo politikë me dy kute komunikimi më së shumti dëm i bën Kosovës, përkatësisht qytetarëve të saj. Të gjithëve, pa dallim.

[email protected]