Se si emrat e rrëfimet nuk kanë të sosur; pra edhe nuk reduktohen, jo se jo me preferenca personale
1.
Në mëngjesin e 29 nëntorit të vitit 1992 e hap ballkonin e dhomës së pushimores sindikale në Vlorë dhe dal në vezullimën e përzier të diellit e detit, një vijë e pandërprerë drite e ngrohtësie që më tregon se mund të vazhdoj të qëndroj në ballkon ashtu siç kisha dalë, në kanotierë. Nga diku ndiej aromë e agrumeve - ndoshta mandarinë, ndoshta portokall - apo mund të më dukej se e ndieja atë aromë nga kënaqësia e detit dhe diellit dhe të qëndruarit jashtë me kanotierë dy ditë pasi kisha kaluar Tetovën e Gostivarin me borë.
Një ditë më parë kisha ardhur me një kolonë të gjatë veturash, gjenerata e fundit e “Mercedes Benz” e “FIAT” që i kishte blerë pushteti i Enver Hoxhës dhe që tash i kishin kaluar në dispozicion, me qindra mijëra kilometrat e kaluara nëpër rrugët më të këqija në Evropë, pushtetit të ri. Na kishte ftuar dr.Sali Berisha në 80-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, për herë të parë ne të tjerëve, të asaj pjese të shqiptarëve që kishim mbetur jashtë atij që qe shpallur në Vlorë. Ishim ne nga Kosova, të prirë nga dr. Rugova, shqiptarët e Maqedonisë (tash të Maqedonisë së Veriut), të Malit të Zi, të Serbisë jugore, të Kroacisë e Sicilisë...
Në të nisur atë ditë nga Tirana, më 28 nëntor, çdonjëri prej nesh ndjeu një tis të lehtë historie që vinte e shkonte mes çdo veture, çdo fjale dhe çdo mendimi, ndërsa shikonim për herë të parë ullishtat e prera, fytyrat e varfërisë së fshatit shqiptar, lisat e mbijetuar që ruanin sikur selvitë para manastireve shpirtrat e atyre që ndërtuan këtë vend dhe duan të jenë në mbamendje.
2.
Flamuri ngrihet në shesh.
Kryetari i Bashkisë na shfaqet me shirit kuqezi, një imazh Mesdheu, diçka që kishim parë vetëm në filma për Italinë dhe Amerikën Latine.
Ecja e dy presidentëve drejt flamurit dhe fjalimit.
Ai i Shqipërisë bën hapat e mëdhenj dhe të shpejtë, sikur të jetë trashëguar brez pas brezi, për të kaluar shkrepat dhe lumenjtë, për të mbërritur gjithnjë para se të bjerë terri, për t’u nisur para se të dalë drita. Ai i Kosovës me ecje të brishtë, lehtësisht lëkundëse, i mbështjellë me shall, sikur të jetë trashëguar brez pas brezi, për t’u mbrojtur prej të ftohtit dhe syrit të keq - një ecje që lë përshtypje sikur këmbët të kenë nevojë të përhershme e të përsëritur urdhri nga koka për të vënë njërin hap pas tjetrit e tjetrit pastaj.
Fjalimet përmbajnë shumë fjalë të cilat treten pa ndonjë mund në puhizën e lehtë të jugut, që sjell me vete erërat e agrumeve dhe ndonjë rrëfejzë historike të fshehur diku në këtë qytet, që sytë tanë të etur për zbulim presim të na dalë.
3.
Në sallën e pritjes ka pak vend dhe shumë njerëz. Edhe po të mos kishte shumë njerëz, që të gjithë sillen sikur nuk ka hapësirë të ndërmjetme dhe duhet të rrinë sa më afër njëri-tjetrit. Me çdonjërin që kalon, prej ngado të ketë ardhur, përqafime e urime; sikur ngritja e flamurit të kishte ndodhur në atë moment, mu aty dhe mu atëherë kur gjithandej në fqinjësi të Shqipërisë kishte luftëra dhe ku ne, të gjithë të mbledhurit në atë sallë përfaqësojmë pjesë të shqiptarëve që janë të mbrojtur prej luftës, erërave të ftohta dhe syrit të keq.
Në sallën e pritjes ku ka shumë njerëz ka pak vend e edhe më pak ushqim. Kur kamerierët nisen me pjata të mëdha ovale me qofte në fillim të sallës nuk mbërrijnë as deri te gjysma e kthehen për t’i rimbushur pjatat ovale. Kur nisen sërish nuk mbërrijnë as te pika ku kishin mbërritur më herët.
Në sallën e pritjes në fund jepet shenja se festa ka mbaruar, kur kamerierët nuk dalin më me pjata ushqimi. Raki ka edhe për tri herë më shumë mysafirë se ç’ka pasur, por në atë moment avokati Bajram Kelmendi, bashkëshortja e tij Nekibja dhe unë shkojmë ta marrim me vete profesorin Fehmi Agani që të nisemi me veturë drejt Pushimores sindikale, me përkujtimin se tërë këtë ditë e shtymë me kafjallin e ngrënë në mëngjes dhe me energjinë prej krejt rrëfimeve që na janë paluar brez pas brezi në mbamendje për ditën kur u ngrit flamuri.
Në Pushimore, pas habisë fillestare për pyetjen që e bëmë, na thanë se nuk ka gjë për të ngrënë. Na e thanë sikur të dihej që gati një shekull këtu nuk ka gjë për të ngrënë. Kishin mbetur tri bukë dhe sa të duash vaj ulliri.
Një darkë e mbajtur mend e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me njerëz pa të cilët nuk mund ta paramendoja përvjetorin e Pavarësisë, të Kosovës a Shqipërisë.
4.
Mendoj për atë ngjarje të para tridhjetë vjetëve ndërsa lexoj deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë:
“Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, as vazhdimësia pas kësaj dite, LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon”.
Në fakt, ka shumë emra, të njohur e të panjohur pa të cilët një akt aq i madh simbolik, siç ishte manifestimi i përbashkët i Kuvendeve të Shqipërisë e Kosovës për 110-vjetor, nuk mund të kuptohet. Ndaj mbase do të ishte mirë të mos reduktohej i tërë rrëfimi për emra, aq më pak me preferenca personale; në fund veçimi i emrave bëhet interpretim personal i historisë.
E, ajo, historia, mund të kuptohet edhe më e gjerë e më bujare. Së bashku me dr.Ibrahim Rugovën, i cilin nuk mund të ftohet sepse nuk është ndër të gjallët, rrugëtimin për demokraci e pavarësi në LDK e filluan figura që kanë vlerën e vet, siç janë dr.Bujar Bukoshi, dr.Aliu Aliu e dr.Jusuf Buxhovi, për shembull, që të gjithë themelues të kësaj lëvizjeje; dhe këta kanë mundur të ftohen. Dhe, nëse nga UÇK-ja nuk mund të jetë Hashim Thaçi për shkak se gjendet i akuzuar e në burg, në sallë mund të jenë luftëtarë të UÇK-së që sot janë në parti të ndryshme politike, apo luftëtarë të orëve të para nëpër luftërat e ish-Jugosllavisë si Naim Maloku, një oficer profesionist, ish i burgosur politik dhe figurë që gjithherë është veçuar me pastërtinë e tij të pakontestuar të atdhedashurisë.
Një ditë, ndoshta dhjetë a njëzet vjet më vonë, në Sheshin e Flamurit në Vlorë, një puhizë jugu mund të sjellë më vete përkujtimin e përhershëm të lirisë, e në të edhe rrëfimin e LDK-së dhe UÇK-së, të emrave të njohur dhe të atyre që nuk i kemi dëgjuar, sepse emrat e rrëfimet nuk kanë të sosur.