OpEd

Dy evropianët për shqiptarët

Kah fillimi i muajit dhjetor kur në redaksinë e Kohës u mblodhëm për të vendosur se a do ta botonim në letër edhe këtë vit numrin festiv të gazetës “Koha Ditore”, u vura pak në siklet sepse e dija që automatikisht duhej të shkruaja një kolumne. E unë që gjatë tërë jetës kam punuar televizion e tërë jetën jam munduar të shkruaj sa më shkurt, shkrimi i një kolumne deri 7 mijë karaktere nuk është që nuk më vë në vështirësi. Halli ishte se çka të zgjidhja... Dikush mund të thotë se o këtë vit ke pasur tema për çka të shkruash, o kurrë tjetër. Po nuk është që nuk kam menduar që të shkruaja për dialogun mes Kosovës e Serbisë e moszbatimin e marrëveshjeve, Asociacionin e komunave me shumicë serbe e draftstatutin e tij, arsimin e rezultatet e PISA-s, protestat e dhunshme në veri, sulmi në Banjskë, rritja e çmimeve, vrasja e grave, grushtet në Kuvendin e Kosovës, lufta në Gaza ....e deri te cenimi i sigurisë që po na bëhet çdo ditë me shtimin e bandave kriminale siç ishte rasti i argjendarisë në Suharekë. Nuk desha të shkruaj për asnjërën nga këto, se e dija që dikush nga kolegët patjetër se do të merrej me këto tema. Vendosa të shkruaja për futbollin që është pasion imi e për liberalizimin e vizave.

Evropiani i parë

Për mua shqiptarët gjatë vitit 2024 kanë dy Evropianë: i pari është kualifikimi që arriti të bënte kombëtarja e Shqipërisë në Euro 2024 në Gjermani dhe e dyta, liberalizimi i vizave për kosovarët. Të dyja këto ngjarje historike e shumë të pritura nga ne. Pa dyshim se të gjithë pajtoheni se më meritori për suksesin e Shqipërisë është trajneri brazilian, Sylvinho. Ai arriti ta transformonte këtë kombëtare nga një ekip që fitonte një herë, në dy-tri ndeshje në një skuadër pothuajse të pamposhtur e cinike, së cilës tash ia kanë frikën të gjithë. Si tifoz i Arsenalit, Sylvinhon e njihja nga koha kur ai për tre vjet luajti për ekipin nga Londra, e pastaj për super golat e tij me Barcelonën, por duke i parë eksperiencat e tij të pasuksesshme si trajner që pati ne Lyonin e Corinthiasit, isha skeptik që ai do ta përsëriste suksesin e Gianni De Biasit. Por për mua, Sylvinho nuk ishte i vetmi që pati ndikim në arritjen e këtyre rezultateve.

Kënga “Mora Fjalë” e kënduar nga këngëtarja Shkurte Fejza, e cila flet për komandantin legjendar, Adem Jashari, do t’i shoqërojë këtë verë shumë shqiptarë edhe në stadiumet e qyteteve gjermane, Dortmundi, Hamburgu e Dyseldorfi, në Evropianin në të cilën kombëtarja e Shqipërisë do të na përfaqësojë për herë të dytë. “Çohu Adem” ishin fjalët që u bënë lidhja mes futbollistëve që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë e tifozëve, që rezultoi edhe me përsëritjen e suksesit historik të futbollit shqiptar. Kjo këngë ishte ai kliku që ngjalli emocione për çdo shqiptar, e u bë hija e kombëtares në çdo ndeshje, e cila këndohej më plot emocion nga i madh e i vogël në kor pa përjashtuar këtu as lojtarët, që duhet thënë se shumica në Kombëtare janë nga Kosova. Të gjithë donin të thoshin ‘Çohu Adem’ e përjetoje suksesin tonë për të cilin e flijove tërë familjen që ne të përjetojmë këso gëzime e emocione që janë të papërshkrueshme. “Jam shumë i gëzuar, pasi edhe me ndeshjen me Çekinë që do të luhet në ‘Air Albania’, arrita të gjeja biletë për ta parë ndeshjen”, më thoshte Niti një shoku im kur e pyeta se si t’ia bëj që të gjeja bileta për atë ndeshje. “Kam pasur fat se në të gjitha ndeshjet e kombëtares kam arritur që të siguroj bileta, po atmosfera, e emocionet sidomos kur krejt po e këndojmë këngën ‘Mora Fjalë’, është wow”, thoshte Niti.
Teksa po diskutonim një mbrëmje për gazetën e Vitit të ri, ia shpjegova idenë time për kolumne Eraldinit. Po më tha, shumë mirë, po mos harro ta përmendësh edhe Mirlind Dakun. Futbollisti nga Gjilani i cili nuk u vlerësua për talentin nga dy ekipet e këtij qyteti, Drita e Gjilani, pati debutimin e ëndrrave, në ndeshjen tij të parë. Ai shënoi gol në ndeshjen që Shqipëria e fitoi me rezultat 2:0 ndaj Polonisë. Pas ndeshjes, derisa po prononcohej për media me lot në sy, tha se golin ua kushtoi dëshmorëve të atdheut. Eraldini më porositi që ta përmendja tatuazhin në shpinën e Dakut, ku shkruhej “Katana 138”, që i kushtohej dëshmorit Agim Ramadani, edhe faktin se nuk kishin dijeni se kush ishte ai shumë njerëz e edhe media në Shqipëri.

Pa viza në Evropian

Euro-gola nga Jasir Asani, Kristijan Asllanit e Nedim Bajramim, shpresoj që do të shohim e përjetojmë nga stadiumet edhe në Gjermani, pasi tash neve tifozëve nga Kosova nuk na duhen më viza. Kam pasur fatin që të mos më refuzohet viza shumë herë dhe të përjetoj shikimin e një ndeshjeje futbolli jashtë vendit. Por kur nuk do t’i harroj maltretimet që na bëheshin deri sa arrinim të merrnim një vizë. Mbledhja e një grumbulli të madh të dokumenteve, disa fare të pakuptimta, pritja para ambasadave e torturimi që na bëhej sidomos nga sigurimi, të cilët silleshin aq keq, sa nganjëherë mendoja se ata po mendojnë që e kanë fatin tënd në dorë, e jo që janë aty për ta mbajtur rendin. Aq keq silleshin, që më ka rastisur të shoh disa raste kur ata kanë marrë vendim që t’i kthenin prapa qytetarët pa e pyetur fare personelin, ngase kur arrije të hyje brenda për vizë, gjysma e punës kryhej. Personat e sigurimit shumë shpesh e merrnin të drejtën pa ua dhënë askush që t’i kontrollonin dokumentet. “Ti nuk i paske të kompletuara, më mirë kthehu e mos bëj këtu kallaballëk, se veç të shkojnë paratë kot”, u thoshin disave..
Tash këto probleme nuk do t’i kemi, mund të udhëtojmë lirshëm në shumicën e vendeve të Evropës. Na mbetet vetëm që t’i sigurojmë biletat për më 15 qershor, teksa Shqipëria do të përballet me Italinë në “Westfalenstadion” të Dortmundit, më datë 19 qershor, kundër Kroacisë në “Volksparkstadion” në Hamburg e me Spanjën, më 24 qershor në “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit. “Ah po të kualifikoheshim, që kemi shumë shanse këtë herë, kurrë nuk do ta lë pa shkuar që ta shoh ndonjë ndeshje në EURO”, vazhdonte muhabetin Niti, derisa po pinim kafe në një lokal në Prishtinë. “Ti ke qenë, e ke parë Arsenalin, e di si shkojnë pak a shumë procedurat”, vazhdonte ai. “Duhet të shkoj ta blej një biletë se s’bën, duhet ta përjetoj edhe këtë kënaqësi, se më pati mbetur merak kur ma patën refuzuar vizën e nuk pata mundur të shkoj ne Francë”, thoshte ai. Sikurse atij, edhe shumë qytetarëve të tjerë nga Kosova për shumë vjet iu mohuan shumë mundësi, shkaku i padrejtësive që na bëri Evropa me mohimin e liberalizimit të vizave.

Shqipërisë i mjafton vetëm një barazim në ndeshjen me Spanjën për vendin e parë në grup që tashmë ka arritur suksesin historik, duke kaluar fazën e grupeve në Evropian. Ky është suksesi më i madh i arritur ndonjëherë për futbollin shqiptar. Këtë fjali do ta dëshironin të gjithë shqiptarët ta dëgjonin në muajin qershor 2024, por se a do të jetë kështu, i mbetet kohës e me shpresë se po.

E tash që i kemi vizat e kemi mundësi të udhëtojmë lirshëm, na mbetet që t’i respektojmë, të mos i shkelim afatet e kthimit. I bashkohem edhe unë thirrjes së institucioneve për kujdes. Të gjithë pra, duhet ta kuptojmë se liberalizimi i vizave është për turistë, nuk është për punë e për qëndrime të gjata.