Për dy-euroshin fals që portretizon fytyrën tonë, për frikën prej tij, tentimin për ta shitur dhe fuqinë e shndërrimit të monedhës në hajmali të normalizimit të antivlerës
Limonët ishin të thartë, të pjekur me zor. Për kusur mora dy euro fals. S’e hetova dot nëse monedha qe e tillë, shitësi tjetër bri tij nuk e pranoi kur picërroi sytë për t’ia hetuar dymbëdhjetë yjet dhe të tjera detaje sikur të ishte Luc Luycxi dora vetë. Pastaj më bëhet se e peshoi, më vështroi fillimisht si me qortim. U krekos edhe më, çehrja iu mrrol, por prapë fshihte një lloj mburrjeje a thua prapa fytyrës sime ta ketë zënë të maskuar Tartuffin e Molièreit. Zuri t’i kthejë në arkë dy portokajtë e parë që i kisha përzgjedhur si me kokallë, tek provoja ta hapja qesen e hollë, mbase ngjyrë rozë e lehtë, herë duke i fryrë, herë duke pështyrë gishtat. Si për të më ndaluar që të mos bëja mund kot, qe pyetja nëse kisha të tjera para në kundërvlerë të portokajve të tjerë që do të merrja bashkë me dy që kisha përzgjedhur paraprakisht.
Shitësi i limonëve u bë toshë, me fishkëllimën e lehtë të një melodie alegro si shtirje e indiferencës, ma rikonfirmoi bindjen se veshët i kishte çipëruar sa për ta dëgjuar krejt muhabetin me pazarxhiun e portokajve që tash kishte marrë edhe një shkopth magneti për të më bindur edhe më se dyshja ishte fals. Kur magneti e tërhoqi – me “a pe sheh?” të shitësit në sfond – nxitimthi ia kërkova të ma kthente, sikur në monedhë të ishte gravuar fytyra ime e cila edhe sikur të ishte e vërtetë, i bie të mos vlente më shumë se dy euro. S’e gjeja dot vullnetin që t’i kthehesha shitësit të limonëve e ta bëja dy-euroshin “çështje kombëtare”, as guximin për t’ia kthyer bashkë me limonët e thartë e të pjekur pa diell, nën batare të sharash.
Ma ktheu humorin një lloj skenari që ia behu në kokë me një skenë ku situata acarohet aq sa unë dhe shitësi kacafyteshim keqas si dy pehlivanë ku më i zoti përfundon i shkapetur në arka, limonët e portokajtë shkapërderdhen nëpër pazarin që përherë kundërmon shëllirë, me nënqeshjet e pazarxhinjve të tjerë se dy veta u rrahën për dy euro.
Atë pasdite dy-euroshi fals ma hëngri nja një orë si bjerrakohës. Mësova se peshonte më lehtë se i vërteti, se yjet zor dalloheshin, se janë disi të pagdhendur mirë, se shenjat në buzët e monedhës ishin shkarravina. Marrja me të, mbajtja e monedhës në dorë, ma ngjallnin frikën se do t’ia jepja peshën e hajmalisë. Dreqi më fliste në vesh që kamerierit të lodhur, kacavjerrë në banak, t’ia fusja dyshen false e kusurin t’ia lija bakshish. Hem do të paguaja kafenë, hem do të shitesha si dorëlirë e xhentëlmen. S’e bëra dot, sepse m’u rikthye skena me pazarxhinjtë – çka nëse edhe ky do ta hetonte se është fals, ka shkop magnetik, ia di peshën e yjet – bashkë me frikën prej ndjesisë, çfarë nëse monedha merr vlerën e përcaktimit të fytyrës sime.
Krejt pak kohë u desh që monedhat false të bëheshin rëndomësi, që matja e peshës së saj, testimi me shkop magnetik të shndërroheshin në ritual. Kisha nisur të koleksionoja monedha false, kur tashmë falsiteti i saj ishte normalizuar, bashkë me pavlerën e saj, të pazarit më të.
Dhe dy-euroshi fals tashmë ishte bërë monedhë e fytyrës sonë.
* * *
E para monedhë fals m’u shndërrua në lloj hajmalie, përherë më gjendej nëpër xhepa, në dorë, në lojën e pavetëdije “kokë e pil” në përpjekje të kotë për ta konfirmuar në praktikë një lloj studimi mbi teorinë e gjasave që monedhën s’e bën të paanshme kur nxjerr se 50.8 për qind fiton pala që ka zgjedhur figurën që qëndron lart.
E kisha harruar në xhep edhe në pikat e kontrollit në Aeroportin e Vjenës, edhe pse kisha hequr rripin, çelësat, kuletën edhe çdo lloj metali tjetër me qëllim që serbes të kaloja sensorët që bashkë me ushtimën tërheqin edhe shikimet e udhëtarëve të tjerë, ngrenë dyshimet për një bashkudhëtar dallaveraxhi, kontrabandues, hajn e çka mos. S’u durua dot as policja, kur fishkëllima e sensorëve sherri i monedhës, ia përcaktoi vendimin të më bënte test për materie eksplozive. Mori një tip letre lakmuesi që e fërkoi për krejt pajisjet e mia pos monedhës, e konfirmoi se nuk kisha punë me eksploziv, më pyeti nëse kisha të tjera monedha nëpër xhepa. S’u mor as me peshën e saj, yjet, shkarravinat. S’kishte shkop magneti.
Ma ktheu humorin një lloj skenari që ia behu në kokë me një skenë sikur me vete ta kisha marrë krejt koleksionin e monedhave false dhe nja katër policë që më shkapetin përtokë, më ngritin prapë në këmbë tash si ta kenë zënë një kontrabandues monedhash false, të më merrnin në pyetje dhe monedha të bëhej çështje ndërkombëtare e të peshonte si përcaktuese e fytyrë sime. Më pas tituj gazetash për një shqiptar të pafytyrë të zënë në flagrancë. Dhe me ndjesinë se dy-euroshi fals është monedha e fytyrës sonë.
Kur hipa në aeroplan, tashmë kisha nisur lojën “kokë e pil”. Piloti – vetëm ai më duket nuk qe shqiptar – kreu përshëndetjen sikur ta ketë rrasur mikrofonin në gojë, kuptova vetëm uratën për fluturim të mbarë, me aeroplanin ku dominonte shqipja, me ndonjë “bismilah” ndër dhëmbë kur aeroplani u shkëput nga toka. Aq sa më zinte syri, përreth kisha shqiptarë, të qetë e të sjellshëm dhe me libra në dorë. Ne lexojmë në aeroplan edhe libra që na kanë mbetur me vite në gjysmë.
Në realitet, sot rekordi i tirazhit të librit, në rastin më të mirë, është 500 kopje, në anketa çdo i dyti na del lexues, në realitet studentët s’i kujtojnë tre titujt e fundit që kanë lexuar, filloristët s’e kuptojnë dot atë që kanë lexuar. Në fluturim, shqiptarët i buzëqeshnin njëri-tjetrit, u ndihmonin të moshuarve. Në realitet, sharja është përshëndetje, pensionistët i detyrojmë të lajmërohen se janë gjallë nëse do ta marrin pensionin fyes.
Kur aterroi aeroplani dhe udhëtarët i hoqën rripat e sigurisë si në kor, vura bast për monedhën që nëse del kokë, është monedhë e fytyrës sonë. Doli kokë!
* * *
Dy-euroshi i parë fals, ai i shitësit të limonëve, tash me vlerën e hajmalisë, ka stemën e Gjermanisë. Tri ditët e së dytës javë dhjetori më gjetën në Berlin në një vizitë redaksish të gazetave më të njohura gjermane, më shumë mision sesa shëtitje, për të na mësuar ballkanasve se si duhet puna, vendi i punës, atdheu, përpikëria, vendi që të bëhet shtëpi e dytë. Në të parën ditë më zuri inati dhe hakmarrjen gati s’e përktheva në mbrëmje, kur shitësit të disa kartolinave me Portën e Bradenburgut, desha t’ia futja dyshin fals, me një soj arsyetimi në vetvete që edhe gjermani duhet të mësohet me të tilla monedha. Se të tjerë me dyshe false do t’ia behin shpejt vendit të tij. Me monedhën e fytyrës sonë. Atë të dallaveraxhinjve, dembelëve, mashtruesve, bjerrakohësve që ankohen përhershëm. Dhe që s’e duan as vendin e punës, as atdheun. Njeriun mbi të gjitha.
Qe akull, borë e mjegull një natë më vonë kur sorollatja nëpër rrugët e Berlinit më çoi pikërisht te Porta që ishte rrethuar me skele, sepse po pastrohej a rinovohej. S’kalova dot poshtë simbolit të triumfit, ia shkrepa një foto të turbullt që s’më hynte gjë në punë, e lashë pas kur në të djathtë u shfaq objekti me xhama i Akademisë së Arteve ku emri i artistit tonë Petrit Halilaj nderohet e çmohet. Eca edhe një grimë, kalova dy pazare Krishtlindjesh me aromën e verës së vluar, galeria e objekteve impozante u shfaq me madhështi, s’u ndala para asnjërit pos të atij të Operës Shtetërore të Berlinit. Çuditërisht madhështia e një monumenti me gati 300 vjet histori nuk më përpiu, as nuk e kisha në mend ta vizitoja, isha stepur para dy vitrinave të programit në kërkim të një emri. Kërkova në mos në programin e dhjetorit, sopranoja Elbenita Kajtazi do të rikthehej po aty me Gretelën që e luajti në janarin e një viti më parë, pastaj përfytyrova se si publiku do të ishte ngritur në këmbë për ta duartrokitur furishëm, mbase edhe do ta kishte thirrur emrin e saj, pastaj pas luleve e fotove, një zë si kjo do të ketë zbritur shkallët e monumentit për të ngjitur shkallë skenash të tjera botërore.
Kur arrita te shkallët, futa duart në xhep, dy-euroshi më ktheu në realitet, te skena jonë dhe një festival që shkëlqen rrejshëm tre net, skena shkatërrohet, pastaj bëhet parking siç ka qenë, te një shfaqje baleti në sallë dasmash. S’e lëshova dot dyshen false as kur m’u kujtua se në vend të vetin një soprano si kjo e të tjera si ajo, nuk kanë skena ku të këndojnë, s’janë VIP, se vendin ua kanë zënë ca biçim në “Big Brother” që marros një popull të tërë. Si në flashback më doli një insert po prej këtij emisioni, ku një “VIP” i blertë zbërthen diçka të tipit “a më sheh ti mu, ti më sheh se unë jom k’tu, domethënë mos me kon’ s’um sheh”. Dhe duartrokitet a thua ta ketë zbërthyer transedencën e Kantit.
Pos peshës si hajmali monedha false më frikësonte me fuqinë e saj transedente.
Do ta hedh në det në natën e fundit të vitit. Për t’ia humbur peshën e falsitetit si monedhë e fytyrës sonë. Dhe t’jua uroj Vitin e Ri çiltërisht!