Dikur betejat politike zhvilloheshin mes ideologjive: dikush ishte i majtë, dikush i djathtë. Kjo përplasje vazhdon edhe sot, por konflikti më i madh aktualisht në shoqëritë perëndimore ka të bëjë me identitetin. Nëse një këngëtar i bardhë bart frizurë me Dreadlooks (si aktorja amerikane Whoopi Goldberg, për shembull), atëherë ndodh hataja
“Lauwarm”, uji i vakët, kështu quhet një bend nga Zvicra, i cili luan muzikë të Xhamajkës. Në fund të korrikut ky grup muzikor deshi të jepte një koncert në Bernë, në kryeqytetin e Zvicrës. Pak pasi filluan të luajnë, anëtarët e bendit e ndërprenë koncertin. Disa vizitorë ishin të mllefosur për shkak se disa anëtarë të bendit bartnin kostume afrikane, të tjerët kishin frizura me Dreadlooks (si aktorja amerikane Whoopi Goldberg, për shembull).
Vizitorët e koncertit iu drejtuan organizatorit duke u ankuar se nuk ndiheshin mirë përballë këtij bendi, i cili, sipas tyre, ka bërë “përvetësim kulturor”, domethënë ka marrë diçka nga kulturat e tjera. Vizitorët e akuzonin bendin se kishte përvetësuar simbole që u përkisnin vendeve të tjera. Këto simbole, sipas vizitorëve të zemëruar, janë shenja dalluese të shtypjes apo luftës për liri të popujve të tjerë.
Ndodhi ajo që nuk pritej: koncerti u ndërpre. Dhe Zvicra mediale u përfshi në një debat të gjerë dhe të tensionuar mbi atë se si është e mundur që disa djem e vajza të mllefosur arrijnë të ndërpresin një koncert me akuza mbi “përvetësimin kulturor”. Kishte lexues që me zemërim konstatuan se sipas kësaj logjike duhet ndaluar edhe kafenë, e cila nuk i përket “kulturës burimore” perëndimore, por ka ardhur nga Afrika. Në vitin 1573 mjeku gjerman Leonhard Rauwolf e shijoi kafenë e parë në Halep të Sirisë, më 1592 kafeja arriti në Itali përmes mjekut Prospero Alpino. A duhet të ndalohet edhe kafeja tani? Dhe mjekët Rauwolf dhe Alpino të shpallen racistë?
Dikur betejat politike zhvilloheshin mes ideologjive: dikush ishte i majtë, dikush i djathtë. Kjo përplasje vazhdon edhe sot, por konflikti më i madh aktualisht në shoqëritë perëndimore ka të bëjë me identitetin. Në vitin 1995 antropologu amerikan Cliffort Geertz mbajti një referat në Vjenë mbi thelbin e rendit botëror. Sipas politologut bullgar Ivan Krastev, në atë kohë shumica e dijetarëve perëndimorë mendonin se tani po fillonte epoka e përhapjes së vlerave perëndimore, por Cliffort Geertz e shihte të ardhmen të tensionuar, me divergjenca në rritje dhe me pluralizëm dhe polarizime si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Beteja kryesore, sipas Geertz-it, do të zhvillohej mbi identitetin.
Në retrospektivë teza e Geertz-it ishte vizionare. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike për një kohë të gjatë ka injoruar klasën punëtore dhe zhdukjen e vendeve të punës sidomos në shtete me popullsi jourbane. Nga ana tjetër eksponentë të partisë zhvillonin debate të rrepta mbi atë se a duhet të ketë në New York tualete për “gjininë e tretë”, pra për njerëz që nuk ndihen as si burra, as si gra. Për një punëtor amerikan të mbetur pa punë për shkak të konkurrencës kineze, çështja se a do të ketë në New York tri tualete të ndryshme për grupe të ndryshme shoqërore është temë tejet periferike. Shqetësimet e tij janë të një natyre tjetër: si të mbajë familjen, për shembull. Kjo nuk vlen vetëm për SHBA-në, por edhe për vende të tjera perëndimore. Debatet e tilla shfrytëzohen pastaj nga e djathta për të mobilizuar klientelën e saj – nga provinca amerikane deri te fushat e Hungarisë orbaniane.
Lufta kundër diskriminimit të pakicave, lufta për barazi jo vetëm mes gjinive, por edhe të të gjitha grupeve shoqërore, është një betejë fisnike dhe legjitime. Por kjo luftë nganjëherë rrëshqet në terrene absurde. Së fundi, ta zëmë, një shtëpi botuese gjermane e tërhoqi nga shitja një libër mbi rininë e kreut të Apaçëve (indianët e Amerikës Veriore). Nga këta libra dikur janë xhiruar filmat me Winnetoun. Gjenerata të tëra janë rritur me Winnetoun, tani televizioni publik gjerman ka vendosur të mos i shfaqë më këta filma – sepse po transportuakan racizëm dhe kolonializëm. Debati tashmë ka arritur në shtyllat e rubrikës së kulturës të gazetave elitare gjermane. Polarizimi arrin deri aty, saqë nganjëherë duket se ka një garë se kush po ia nxjerr sytë tjetrit më shpejt.
Anëtarët e bendit “Lauwarm” ndërkohë kanë deklaruar se kanë respekt të madh për të gjitha kulturat, por as kjo nuk iu ka bërë punë. Një pakicë e verbër dhe e gatshme për beteja absurde ideologjike problemin e sheh te frizurat afrikane të anëtarëve të bendit.