Kosovës i duhet rritje më e shpejtë dhe, që ta bëjë këtë, duhet të krijojë vende pune më cilësore dhe të përmirësojë nivelet e konkurrueshmërisë. Modeli aktual i rritjes ekonomike nuk është i aftë të krijojë mjaftueshëm vende pune cilësore për popullatën e re të Kosovës, dhe me këtë të mbyllë hendekun në të ardhura me BE-në dhe të përmbys trendin e emigrimit
Gjatë vitit 2022, vitit që po e lëmë pas, rajoni u përball me një kombinim të sfidave që i dolën në rrugë dhe e ndaluan rimëkëmbjen e fortë pas COVID19: lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në rritjen e mprehtë të çmimeve ndërkombëtare të mallrave, si dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike në shumicën e vendeve.
Në fillim të vitit 2023, Kosova vazhdon të përballet me një mjedis të jashtëm të vështirë që po ushtron presion jo vetëm mbi qeverinë, por edhe mbi familjet dhe firmat në vend. Rritja e ashpër e inflacionit dhe mungesa e energjisë po ndikojnë ndjeshëm në ekonomi. Si në vende tjera në botë, edhe në Kosovë rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë po ushtron presion mbi shumë qytetarë të ardhurat e të cilëve nuk po rriten bashkë me çmimet. Rritja reale e BPV-së pritet të ringrihet nëse qetësohet kriza energjetike dhe ulen presionet inflacioniste, por perspektiva mbetet shumë e pasigurt dhe me shumë risqe.
Në kohë krizash, të varfrit janë më të cenueshmit, prandaj programet nacionale për mbrojtje sociale, të cilat përfshijnë pensionet, ndihmën sociale dhe programet e tregut të punës, luajnë rol të rëndësishëm për mbrojtjen e tyre nga rënia në varfëri të mëtejshme. Edhe pse Kosova ndan një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të saj për programet për mbrojtje sociale, është e nevojshme të përmirësohen efikasiteti dhe ndikimet e tyre rishpërndarëse.
Kosova vazhdon të përballet me shumë sfida të tjera. Teksa BPV-ja reale për kokë banori në Kosovë është përmirësuar dhjetëfish, nga 400 dollarë amerikanë në vitet e 1990-ta në më shumë se 4,000 dollarë amerikanë sot, ajo është ende vetëm 12 për qind e mesatares së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ose 20 për qind e asaj të homologëve të aspiruar, dhe me ritmet aktuale të rritjes ekonomike do të duhen rreth 30 vjet që të kapërcehet hendeku në të ardhura me homologët saj të aspiruar si Letonia, Estonia, Lituania, Republika çeke dhe Sllovenia. Pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore dhe punësimi i ulët, veçanërisht te gratë, paraqesin pengesa kufizuese për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë. Edhe disa aspekte të trashëgimisë së konfliktit, përfshirë mungesën e njohjes së plotë ndërkombëtare, vazhdojnë ta sfidojnë rrugën e Kosovës drejt prosperitetit.
Pra, çka mund të bëjë Kosova që ta përmirësojë ekonominë e saj dhe të krijojë më shumë vende pune për qytetarët e saj? Kosovës i duhet rritje më e shpejtë dhe, që ta bëjë këtë, duhet të krijojë vende pune më cilësore dhe të përmirësojë nivelet e konkurrueshmërisë. Modeli aktual i rritjes ekonomike nuk është i aftë të krijojë mjaftueshëm vende pune cilësore për popullatën e re të Kosovës, dhe me këtë të mbyllë hendekun në të ardhura me BE-në dhe të përmbys trendin e emigrimit.
Modeli i rritjes ekonomike konkurruese që krijon vende pune më cilësore kërkon një transicion të përshpejtuar nga ekonomia e bazuar në remitanca në ekonomi të bazuar në eksporte, si dhe reforma të gjera për përmirësimin e kapitalit njerëzor të Kosovës. Mospërputhja e shkathtësive është një çështje serioze, e cila ndërlikohet më tej nga emigrimi i profesionistëve të kualifikuar drejt vendeve të tjera evropiane dhe të Amerikës së Veriut. Sektori i arsimit nuk ka arritur t’i pajisë studentët me shkathtësi të mjaftueshme, në mënyrë që fuqia punëtore aktuale dhe e ardhshme të kenë qasje në vende pune të gjelbra dhe me teknologji të avancuar. Punëdhënësit e kanë të vështirë të punësojnë dhe mbajnë punëtorë të kualifikuar. Produktiviteti, si në nivel të kompanive ashtu edhe në bujqësi, mbetet i ulët, rreth një e treta e atij të një kompanie mesatare në BE. Biznesi dominohet nga ndërmarrjet e vogla me baza familjare, me qasje të kufizuar në kreditim dhe që shpesh nuk arrijnë të rriten e të mbijetojnë. Kështu, Kosovës i duhet të bëjë më shumë që të thellohet dhe zgjerohet qasja në financa për sektorin privat.
Ekonomia duhet të kalojë në një ekonomi më të fortë tregu në mënyrë që të përmirësohet konkurrueshmëria dhe inovacioni. Informaliteti mbetet i lartë, kështu që duhet edhe një reformë tatimore në mënyrë që të frenohet informaliteti dhe të rritet mobilizimi i resurseve vendore, si dhe të ketë përmirësim të qëndrueshëm të mjedisit të biznesit për të reduktuar burokracinë e tepruar, duke e rritur njëkohësisht potencialin për eksport të firmave vendore. Sektori energjetik duhet të modernizohet përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, lidhjes me rrjetet rajonale dhe investimeve në transmision dhe shpërndarje. Menaxhimi i resurseve natyrore po ashtu duhet të përmirësohet, me fokus më të fortë në resurset e kufizuara ujore dhe sanimin e lokacioneve të kontaminuara për qëllime produktive.
Sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji, zgjerimi i produktivitetit, përmirësimi i infrastrukturës, si dhe digjitalizimi do të vazhdojnë të jenë objektiva kyçe për Kosovën.
Banka Botërore e përkrah Kosovën në shumë fusha kyçe zhvillimore, duke i ndihmuar vendit të gjenerojë rritje të qëndrueshme ekonomike, të investojë në njerëz dhe të krijojë reziliencë ndaj tronditjeve dhe kërcënimeve që mund ta kthejnë mbrapsht progresin e arritur. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë një gamë të gjerë të asistencës financiare dhe teknike, dhe do t’i ndihmojmë Kosovës të aplikojë njohuri dhe zgjidhje inovative për sfidat me të cilat përballet.
Në këtë moment jemi në proces të hartimit të strategjisë sonë të re pesëvjeçare të punës me Kosovën, Kornizës së Partneritetit me Vendin për periudhën 2023-2027. Aty parashtrohen objektivat kryesore zhvillimore për arritjen e të cilave Grupi i Bankës Botërore synon t’i ndihmojë vendit, si dhe propozohet një program selektiv dhe fleksibël i intervenimeve për këtë qëllim. Objektivat pasqyrojnë prioritetet zhvillimore afatgjata dhe kufizimet kryesore të vendit, të identifikuara në analizat tona më të reja. Ato fokusohen në arritjen e efikasitetit dhe cilësisë më të madhe të shërbimit publik, shtimin e vendeve formale të punës në sektorin privat, si dhe rritjen e reziliencës mjedisore.
Zotimi ynë për Vitin e Ri është të punojmë edhe më shumë që përkrahja jonë të jetë edhe më efektive dhe ta shoqërojmë Kosovën drejt përmbushjes së aspiratave të saj për t’u bërë një vend me më shumë prosperitet dhe i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo, që kjo të bëhet realitet kërkohet kontributi i të gjithëve në Kosovë.
Me shumë respekt dhe ndjenja të ngrohta, të gjithë popullit të Kosovës i uroj gëzuar Vitin e Ri!
*Autori është menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut