Kosova është ngopur me politikën e vet që asnjë parim të vetëm nuk e ka. Të gjithë rrejnë, të gjithë premtojnë dhe të gjithë e shkelin fjalën në rastin e parë që iu jepet. Opozita e tashme flet për parime, kur derisa ka qenë në pushtet nuk e ka respektuar asnjë parim të vetëm. Pushteti i tanishëm flet për parime, e që në hapat e parë tregon se edhe ai mund t'i shkelë: edhe ka ministra me aktakuza e edhe emëron zëvendësministra të dënuar për keqpërdorim detyre zyrtare
Ama bash hiç nuk po më intereson lufta e juaj politike në Kuvend. Po më intereson fakti se për një javë vdiqën 65 qytetarë të këtij vendi dhe se ndërkohë numri i të infektuarve u rrit edhe për rreth 5 mijë. I jemi afruar njëqindmijëshit zyrtarisht të infektuar dhe dymijëshit që nuk u bënë ballë sëmundjes (92.198 të infektuar dhe 1.894 të vdekur).
Dhe nuk do të lodhem së përsërituri se rritja kaq e madhe e rasteve është pasojë e drejtpërdrejtë e fushatës suaj të turpshme zgjedhore dhe se tash për kalkulimet tuaja doni të na e përsëritni "dozën" me gjithë faktin se Kosova disponon vetëm me nja 23 mijë doza vaksine dhe se nuk e ka idenë as kur do t'i marrë ato të tjerat që u folën prej muajsh.
Cirku i organizuar në Aeroportin e Prishtinës, kur arriti kutia me vaksinat e Astra Zenecas, që ishin dhuratë e COVAX-it, rreshtimi për të mbajtur fjalime e fjalime qe hapi i parë i hidhur që na bëtë ta përpinim.
I dyti është ritmi tmerrësisht i ngadalshëm i vaksinimit të atyre që do të duhej të mbuloheshin në ciklin e parë. Deri dje, rreth 1300 veta ishin vaksinuar (pra rreth 250 në ditë), ndërkohë që mbi 3.000 persona janë regjistruar në portalin eKosova, prej të cilëve pak më shumë se 300 të moshës mbi 80 vjeç. Me gjithë këtë staf teknik nëpër të gjitha komunat, numri i vaksinave ditore që administrohen do të duhej të ishte bile dhjetëfish më i madh.
Po qe se vërtet e synoni vaksinimin e 60% të popullatës deri në fund të verës, fillimisht Kosova duhet t'i ketë 2 milionë doza që duhen të administrohen me ritmin e rreth 13 mijë sosh në ditë, çdo ditë të javës. A do të jetë kjo e mundur? Valla, kështu siç jeni duke vepruar këto ditë duket të jetë ëndërr e largët dhe një rrezikim i panevojshëm i popullatës për hiret tuaja politike.
* * *
Tash sharra ka ngecur te zgjedhja e Osmanit ose jo kryetare e Kosovës. Po qe se nuk i merr 61 vota në rundin e tretë me prezencën dhe votimin e së paku 80 deputetëve, Kosova shkon në zgjedhje.
Duke e parë se nuk po mund të mblidhen me gjasë votat e mjaftueshme, dje VV-ja ndërmori një hap presioni të jashtëzakonshëm, duke u përpjekur për ta futur në procedurë miratimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet. Një ligji kritikuar prej kohësh, dhe një ligj i cili ka pasur të ndryshonte që nga 2011-a, kur Jahjaga u zgjodh kryetare, mëtoi të ndryshohej për një natë, me idenë që t'i mundësohet mërgatës që të votojë nëpër ambasada dhe konsullata nëpër botë.
Përderisa votimi nëpër ambasada do të nënkuptonte plotësimin e një premtimi zgjedhor dhe do të ishte vërtet veprim normal për një shtet, megjithatë amendamentimi i një ligji kyç që prej kohësh ka qenë i keq, kërkon përfshirjen më të gjerë të të gjithëve - ngase të gjithë janë pjesë e procesit zgjedhor. Procesi që te ne është bërë si telenovelë, ngase sikurse në vazhdime, mbajmë zgjedhje parlamentare thuajse për çdo vit.
Megjithatë, procedura e shkurtuar për ta miratuar Ligjin nuk kaloi për shkak se nuk e mori shumicën e kualifikuar prej dy të tretave të deputetëve prezentë në sallë. Pjesëmarrja e deputetëve të opozitës e prishi matematikën e Vetëvendosjes dhe e krijoi një situatë të tensionuar pa fije nevoje. Dhe ia regjistroi VV-së një humbje me nokaut.
Përfundimisht, Ligji për reformën zgjedhore nuk është ligji që e ka prioritetin më të madh për Kosovën në këtë moment. E kemi një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike - dhe këtu na vyejnë veprimet me vendosmëri për të na tërhequr bile pak prej hendekut.
* * *
Nëse votat për Osmanin nuk janë, do të duhej gjetur alternativë që të mos futemi në një telashe të re me Kushtetuesen, se kush e di në cilin shtet "të zhvilluar sikurse Moldavia", do të shkojnë për të kërkuar zgjidhje juridike në rast se deri të hënën nuk zgjidhet kryetari/ja i/e ri/re.
Afati kushtetues, me sa po kuptoj unë, është prekluziv - pra po qe se skadon, e nuk ka zgjedhje kryetari, shteti duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Një variant tjetër do të mund të ishte çështje interpretimi, e ky është që procedura të iniciohej dhe që të fitohej edhe ndonjë ditë shtesë në këtë drejtim. Por shumë e besoj se kjo punë do të mund të përfundonte në Kushtetuese dhe që do të na dërgonte sërish në zgjedhje.
Nuk kam mend të mjaftueshme për t'ua dhënë atyre që i kanë hyrë kësaj gare që të gjendet zgjidhja. Sepse zgjedhjet pos që na kanë shkaktuar lodhje fizike e financiare, na kanë shkaktuar dërrmim psikik. Tetë palë zgjedhje, tetë palë të mëdha rrenash, tetë dënga enorme makinacionesh na kanë sjellë këtu ku jemi: në varfëri dhe vendnumërim.
Kosova është ngopur me politikën e vet që asnjë parim të vetëm nuk e ka. Të gjithë rrejnë, të gjithë premtojnë dhe të gjithë e shkelin fjalën në rastin e parë që iu jepet. Opozita e tashme flet për parime, kur derisa ka qenë në pushtet nuk e ka respektuar asnjë parim të vetëm. Pushteti i tanishëm flet për parime, e që në hapat e parë tregon se edhe ai mund t'i shkelë: edhe ka ministra me aktakuza, e edhe emëron zëvendësministra të dënuar për keqpërdorim detyre zyrtare.
* * *
Opozita e sotme, e pushteti i djeshëm, flet për tmerrimin e përjetuar që një ligj tentohet të kalohet natën, duke injoruar se Guns n'Roses ka ndodhur natën, e për më keq, rrëzimi i Qeverisë midis pandemisë, e pati pak a shumë regjinë e njëjtë sikurse tentimi i djeshëm për amendamentimin e Ligjit për zgjedhje.
Opozita e djeshme e pushteti i sotëm, me fizkulturën e së premtes deshi ta dëshmonte fuqinë e numrave dhe diku gaboi rrugës në kalkulime - sepse do të ketë menduar se opozita do të mund ta bojkotonte seancën, dhe atëherë lehtë do të sigurohej shumica e kualifikuar. Ose të gjithë këtë sharadë e bëri për kot, mbase për të ushtruar një presion shtesë te opozita, e besa edhe te masa - për të parë se cili është reagimi. Krejt në fund doli të ishte një shkatërrim nervash gjithëditor i krejt një populli të mbajtur në ankth.
Shumë mirë do të ishte t'i tregohej popullit se cili është plani. Po qe se Osmani do të votohet sot a nesër a mbase mbasnesër - sepse adet i politikanëve tanë është të mbajnë mbledhje në ditë festive. Që të tregojnë se u këputën duke punuar. E në fakt veç ia dalin të na i këpusin nervat.
* * *
Mirë do të ishte të kryhej procedura e zgjedhjes së kryetarit/es. Hiç nuk po më intereson se si do t'ia bëni. Po më intereson që javën tjetër të mbahet seanca e Kuvendit që do ta miratojë pakon emergjente për ndihmë ekonomike sektorit privat. Po më intereson lajmi për masat mbrojtëse anti-COVID. Nuk po më interesojnë fjalimet. Nuk po më interesojnë inatet. Po më interesojnë VAKSINAT.
Boll mâ ua dëgjuam qejfet dhe ua duruam teket. Rrituni, se shteti nuk është lodër e juaja që kur t'iu mërzitet mund ta hidhni për ta marrë tjetrën. Për dallim prej shumë prej jush, shumica nuk kemi shtet rezervë e as nuk e kemi luksin për ta humbur.
Mblidhni mendtë dhe mos na çoni në zgjedhje. Duam VAKSINA, jo zgjedhje!