OpEd

Dorëzimi nuk është opsion

Te një gjë, Kurti ka absolutisht të drejtë, dhe ky është trajtimi jofer, sidomos nga BE-ja, i Kosovës në këtë dialog. Problemin në veri e shkaktoi Vuçiqi kur i shtyri serbët të jepnin dorëheqje për shkak të targave dhe reciprocitetit – që është marrëveshje e Brukselit, për ata që kanë harruar, e më pas edhe kur i shtyri t’i bojkotonin zgjedhjet. Huliganët serbë i plagosën dhe lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, e ata janë të dërguarit e Vuçiqit për trazira. Por në fund, sanksionet i hëngri Kosova për shkak se Kurti refuzon ta tërheqë policinë speciale prej veriut

Lajmi i javës, pa dyshim, qe lirimi i tre policëve kosovarë që u kidnapuan në territorin e Kosovës nga njësitë speciale serbe. Se përfundimisht ishin rrëmbyer e jo arrestuar, u dëshmua nga forma në të cilën, pa shumë zhurmë u kamuflua dështimi i KFOR-it dhe shkelja e Marrëveshjes së Kumanovës te rasti i policëve. Lirimi i tyre qe, natyrisht, punë diplomacie ku padyshim janë përfshirë shtetet e mëdha anëtare të NATO-s. Po ato shtete më pas shfrytëzuan kryeministrat hungarez e shqiptar që publikisht t’i drejtohen Serbisë, njëri me kërkesë e tjetri me kërcënim, dhe kështu të përçonin porosinë se po punohej në prapaskenë.

Kur përfundoi e tëra, kur policët u liruan “që të mbroheshin në liri”, meritat i morën Orbani e Rama. Orbani, pse kishte më së shumti “arsye” për t’ia kërkuar Vuçiqit “kthimin e borxhit”: 20 ushtarë hungarezë kishin hëngër dajak e plumba në Zveçan më 29 maj. Rama, sepse “po i ngrinte” raportet me partnerin e tij kryesor të “Ballkanit të hapur”, përderisa në kuadër të po këtij “Ballkani...”, lejonte mbajtjen e koncertit të Filharmonisë së Beogradit në Tiranë, tri net para lirimit të policëve. Këtë koncert nuk e anuloi siç e anuloi mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë. Dhe mos më thoni se muzika nuk duhet pasur lidhje me politikë, sepse veprimet politike e sa e sa vjetësh e dëshmojnë të kundërtën.

* * *

Dy ditë pas lirimit të tyre, u erdh radha festimeve të Bajramit të vogël dhe Vidovdanit të njëjtën ditë. Myftiu i Kosovës vendosi të merrej me politikë dhe bëri thirrje për dialog dhe shtensionim të situatës në veri. Edhe Patriku serb e mori të njëjtin vendim – që të merrej me politikë, siç kanë bërë përherë klerikët e KOS-it, dhe me një fjalim patetik, si përherë, të flasë për tokën e shenjtë serbe – pra që Kosova është serbe dhe ndryshe s’bën.

Kësaj radhe, serbët nuk u mblodhën në Gazimestan, por shkuan në Graçanicë dhe, sërish, u gjetën plot të rinj që bartnin bluza me hartën e Kosovës dhe me shkronja gotike mezi të lexueshme, nga të cilat dilte porosia: “Frikohuni qen! ‘Bijtë serbë’, rrënjët e mia: Kosovën, nuk e japim! Zoti është me ne”.

Pra, kush nuk pajtohet me ta është qen; vetëm rrënjët e tyre janë në Kosovë, të cilën e shohin pronë tyren dhe fuqinë ua jep Zoti, i cili është special vetëm i tyri. Kaq sa për pikëvështrimin e tyre për vendin ku shqiptarët autoktonë e bëjnë shumicën.

Po mirë që edhe ajo mbledhje përfundoi pa incidente.

E megjithatë, ishte një njeri i cili u ra në sy të gjithëve. Me siguri jo për bukurinë e tij, por për faktin se është i biri i madh i Aleksandar Vuçiqit. Danilo, thuhej, kishte kaluar nga Merdarja me eskortë, e cila sipas policisë, ishte kontrolluar dhe te e cila nuk ishte gjetur asgjë e dyshimtë. Por në Graçanicë, ky u pa tek sillej me bluzën së cilës në shpinë i shkruante: “Dorëzimi nuk është opsion”.

Vuçiqi i vogël, në kthim, u ndal njëherë nga Policia e Kosovës, u detyrua ta dishte bluzën dhe e vazhdoi rrugën. Natyrisht, Vuçiqi i madh doli menjëherë për të gënjyer, si ndryshe, se djalin ia kishin ndalur tri herë dhe se ky kishte refuzuar ta hiqte bluzën. E përfundoi porosinë, duke thënë se Kurti nuk tregohej kaq i guximshëm sa herë takohej me të.

Esenca e gjithë kësaj është se Policia e Kosovës e kreu detyrën – dhe mirë bëri që nuk ndërhyri në Graçanicë, por rrugës nga kthehej i biri i kryetarit serb. Për t’i treguar se në këtë shtet ka edhe polici, e ka edhe rend, dhe se kapadaillëku mund të menaxhohet thjesht dhe pa telashe.

* * *

Pra, fakti se tellalli i Vuçiqit e mbante bluzën me këtë mbishkrim, tregon se kjo është bindja dhe qasja politike e kryetarit serb dhe që politika e tij do të vazhdojë të jetë ajo e pengimit të procesit të famshëm të normalizimit. Dhe se përpjekja e përhershme e tij do të jetë që fajin t’ia lërë Kosovës për çfarëdo dështimi që do të mund të ndodhte rrugës.

Në këtë çast, disponimi perëndimor është anti-Kosovë, apo më saktësisht thënë anti-Kurti, i cili e ka një stil të veçantë të komunikimit me palët. Ky stil do të mund të thuhej se nuk është përherë më korrekti apo madje edhe më i duhuri. Nuk ka dyshim se Kurti është kokëfortë dhe jo rrallë funksionon me inate. Dhe sinqerisht nuk e di nëse këto janë tipare që do ta veçonin një politikan të mirë. Por, megjithatë, në dy vitet e fundit dhe në komunikimin me përfaqësuesit e BE-së sidomos, e ka treguar një element që nuk e kishim parë deri tash: se jo domosdo do të pajtohet me atë që i qitet përpara si akt i kryer. Dhe, se jo domosdo do t’i nënshtrohet një kërkese që vjen madje edhe nga SHBA-ja, edhe me çmimin e sanksioneve. E sanksionet, që nuk quhen të tilla, por quhen masa, tashmë janë miratuar dhe do të kenë efekt të drejtpërdrejtë te politikanët. Pra s’ka vizita e takime në BE. Kjo natyrisht nuk vlen për Kurtin e Bislimin që duhen shkuar në Bruksel për dialog sa herë që ftohen dhe e konfirmojnë pjesëmarrjen.

Por hapi i ardhshëm do të jenë edhe sanksionet ekonomike që do t’i vuajmë krejt ne. “Pezullimi i përkohshëm” siç thotë Gërvalla, i fondeve të IPA-s e të disa marrëveshjeve që rrjedhin nga MSA-ja, do të kenë efekt në ekonominë edhe ashtu të “shkoklavur” të Kosovës.

Paraja vazhdon të mungojë në treg. Të bësh afarizëm në këtë vend është çmenduri. Biznesi pa hile e ka zor të mbijetojë në këto kushte dhe na kanoset rreziku i madh se do të vijmë në situatën ku tregun do të ta rrëmbejnë fajdexhinjtë, sepse ata janë të vetmit që kanë para. Për shkak se paratë e buxhetit, tashmë e përsëritur sa herë, shpërndahen në skema kot që krijojnë dembelë e jo vende pune.

Pra politika duhet të balancohet edhe me ekonominë për të pasur stabilitet e mirëqenie. E kur je i vogël dhe i varur ekonomikisht nga tjetërkush, këto masa të vogla që mund të shndërrohen në sanksione më serioze, me automatizëm do të nënkuptojnë edhe humbjen e fuqisë politike të cilën dikush mund të besojë se e sjellë moslëvizja nga pozicioni.

* * *

Pra, ka hapësirë për kritikë jo të vogël ndaj qasjes që ka zgjedhur Kurti për ta menaxhuar edhe situatën në veri por edhe vetë dialogun. Do të kujtojmë se gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar, jo njëherë, se dialogu ishte prioriteti i pestë a i shtatë dhe se do të përqendrohej në dialogun e brendshëm me serbë. Askush nuk ia bëri hesap këtë deklaratë kur u riaktivizua çështja e dialogut dhe urgjenca për ta miratuar asociacionin sa më shpejt. Atë “Zajednicë” që ky kishte thënë se nuk do ta bënte kurrë.

Pra, dialogu tash u bë prioriteti i parë, për shkak se nuk ishte në pozitë të zgjidhte. Kështu edhe shumë gjëra të tjera do të detyrohet t’i pranojë, ngase nuk e ka fuqinë për të vendosur a vepruar ndryshe.

Por te një gjë ka absolutisht të drejtë, dhe ky është trajtimi jofer, sidomos nga BE-ja, i Kosovës në këtë dialog. Problemin në veri e shkaktoi Vuçiqi kur i shtyri serbët të jepnin dorëheqje për shkak të targave dhe reciprocitetit – që është marrëveshje e Brukselit, për ata që kanë harruar, e më pas edhe kur i shtyri t’i bojkotonin zgjedhjet. Huliganët serbë i plagosën dhe lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, e ata janë të dërguarit e Vuçiqit për trazira. Por në fund, sanksionet i hëngri Kosova për shkak se Kurti refuzon ta tërheqë policinë speciale prej veriut.

Kërkesa që Kosova t’u nënshtrohet kërkesave të Perëndimit tash quhet “koordinim me partnerët ndërkombëtarë”. Por 25 vjetët e fundit kanë dëshmuar se jo çdoherë ky koordinim ka qenë në favor të Kosovës.

E me këtë në asnjë formë nuk dua dhe nuk mundem po desha, ta minimizoj peshën e ndërhyrjes kyç ndërkombëtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Megjithatë, t’i numërojmë disa “koordinime” që kanë mundur të ishin ndryshe: kemi krijuar institucione me numër të fryrë shërbyesish civilë, sipas instruksioneve dhe imponimeve të të huajve; Kushtetuta e Kosovës e përmban Planin e Ahtisaarit, të cilin serbët nuk e kanë nënshkruar, e me të cilin po këta serbë e kanë fituar fuqinë thuajse të vetos për “çështje jetike”; është hartuar një dokument me disa pika për autonominë politike të serbëve, dhe është proklamuar sukses i madh diplomatik i BE-së, duke ditur se zbatimi i saj, e bën jofunksionale Kosovën, ashtu siç e ka bërë Daytoni Bosnjën, dhe, e fundit, “koordinimi” e solli dokumentin e Brukselit të cilin nuk e nënshkruan palët dhe e solli Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje të ndryshuar rrënjësisht brenda natës nga Lehtësuesi, për të cilin posa u krye takimi në Ohër, Vuçiqi doli e tha se nuk do ta nënshkruante kurrë. E megjithatë, Borrelli thotë se është nënshkruar. Ku? Në ajër mbase.

Kërkesa për deeskalim, siç po quhet, po i kërkon Kosovës që të heqë dorë nga sovraniteti dhe ta kthejë Mitrovicën plotësisht në duart e atyre “trimave” që i rrahën, lënduan e plagosën 30 ushtarë të KFOR-it. Kërkesa nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat mund të mbahen po qe se plotësohet njëri nga kushtet që i parasheh ligji zgjedhor, duke mos e pasur asnjë garanci nga Vuçiqi dhe marionetat e tij, se serbët do të marrin pjesë në to. Po edhe nëse mbahen zgjedhjet, cila është garancia që Vuçiqi me “trimat” e tij nuk do të sillen andej për të vazhduar me provokime, për të cilat në fund sërish do të fajësohet Qeveria?

* * *

“Dorëzimi nuk është opsion” është moto që lehtë mund ta përvetësojë Kosova në çështjen e negociatave, të cilat kanë gjasën që të përfundojnë në një konferencë ndërkombëtare. Dhe sërish, rolin e zëdhënësit për ta përhapur idenë e merr Rama, i cili para dy ditësh shkoi në Bruksel për t’ia hedhur këtë ide njeriut i cili para disa muajsh piqte qebapë bashkë me Vuçiqin, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Natyrisht konferencën, po qe se mbahet, do ta sponsorizojë ndonjë shtet i madh. Dhe aty do të mbyllen delegacionet e do të këmbejnë letra, e dokumente, dhe në fund, sipas traditës, po qe se dokumenti bazë i konferencës është plani franko-gjerman, do ta kemi edhe një konferencë ku Serbia, sërish, do të refuzojë të nënshkruajë.

[email protected]