OpEd

Dorëheqja si akt moral

Lufta kundër krimit e korrupsionit në vitin 2022 u zëvendësua me luftë për protagonizëm në sistemin e drejtësisë. Ekzekutivi erdhi me premtimin kryesor - vetting të plotë në sistemin e drejtësisë. Por ky premtim përfundimisht u kuptua që nuk do të jetësohej në këtë mandat

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në vitin 2023, po të ishte Kosova shtet aty ku pretendon së do të shkojë, nuk do të ishte në krye të digasterit që tash e udhëheq. Të paktën për dy raste që ndodhën vitin që po lëmë pas ajo do të duhej të ofronte dorëheqje morale. Me këtë akt që ajo nuk e bëri, do të tregonte se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje është më ndryshe se ato të mëparshmet e po ashtu do të tregonte se ky vend është në rrugën e duhur.

Lëvizja Vetëvendosje ka pasur si prioritet parësor zbardhjen e rastit të vdekjes së ish-aktivistit të saj, Astrit Dehari. Kjo parti në vazhdimësi ka thënë se Dehari është vrarë nga pushteti në burgun e Prizrenit. Mandej në prag të gjashtëvjetorit të vdekjes së tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati kritikuar edhe njëherë punën që ka bërë Prokuroria e Kosovës në zbardhjen e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook pati shkruar se rrethanat për vdekjen e Deharit janë enigmë për shkak të mosveprimit të Prokurorisë. Ishte vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që disa kohë më vonë kumtoi lajmin se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë.

“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Ky institut, dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.

Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, pati thënë ajo. Për këtë rast u pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Zhdukja e tyre u konsiderua si e qëllimshme nga opozita, duke akuzuar ekzekutivin se është i paaftë ta zbardhë këtë rast. Opozita, po ashtu, kërkoi dorëheqjen e ministres Haxhiu.

Edhe sikurse të mos kërkohej dorëheqja nga opozita, ministrja Albulena Haxhiu për këtë skandal që i ndodhi ministrisë që ajo e udhëheq do të duhej ta bënte vetë atë. Ajo ishte një ndër figurat kryesore të partisë në pushtet, që në kohën sa ishte në opozitë deklaronte se kur të vinin ata në pushtet ky rast do të trajtohej me prioritet të lartë. Por, rasti jo që nuk u trajtua ashtu, por me shumë gjasë pas zhdukjes së mostrave duket se ky rast do të mbyllet për të mos u zgjidhur asnjëherë.

Megjithëse në Kosovë kemi pasur raste të rralla kur zyrtarët qeveritarë kanë ofruar dorëheqje morale në botë ka shumë të tillë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Liz Truss dha dorëheqjen si kryeministre pas vetëm 45 ditësh në detyrë. Trus në fjalimin e saj të fundit deklaroi se po largohet pasi nuk është në gjendje t’i përmbushë premtimet, me të cilat erdhi në pushtet. E di që është shumë që në Kosovë të kërkohet një standard i tillë, por të paktën duhet të marrim shembuj nga shtetet të cilat i ndjekim si shembuj.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur ministrja Haxhiu do të duhej ta bënte një gjë të tillë. Vrasja e dy grave nga bashkëshortët brenda dhjetë ditësh në fund të vitit 2022, e sidomos rasti i 35-vjecares që kishte shkuar për të lindur foshnjën e saj në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, e që u vra disa orë para kohës kur duhej të futej në sallën e operacionit për ta sjellë në jetë foshnjën djalë që po e priste, ishte një rast tjetër kur do të duhej të merrej përgjegjësi. Kjo nuk ishte hera e parë që në Kosovë, në vitin 2022 po vritej një grua edhe pse kishte urdhër mbrojtës, por që zyrtarët nuk e kryen punën e tyre për t’i mbrojtur ato. Nuk mjaftojnë reagime e protesta, me përmbajtjen e njëjtë e motot e zakonshme pas çdo vrasje, por pa veprime konkrete. Nuk mjafton, po ashtu, suspendimi i disa zyrtarëve për të treguar se ky vend me të vërtet po shkon rrugës së duhur. Duhet që të mos lakmojmë në karriget e ministrave, por ndryshimi duhet të nisë nga lart.

Ministrja e Drejtësisë me gjithë fushatën e shumtë që bëri, dështoi që ta kalonte në Kuvendin e Kosovës njërin nga projektet e saj më të mëdha. Haxhiu nuk arriti t’i binde madje as deputetët e partisë së cilës i takon për ta votuar Kodin Civil. Mosmiratimi i tij u tha se do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të Kosovës. Edhe pse premtoj që ai do të kthehej shpejt, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Lufta kundër krimit e korrupsionit në vitin 2022 u zëvendësua me luftë për protagonizëm në sistemin e drejtësisë. Ekzekutivi erdhi me premtimin kryesor - vetting të plotë në sistemin e drejtësisë. Por ky premtim përfundimisht u kuptua që nuk do të jetësohej në këtë mandat.

Nga vettingu i plotë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nisi te fliste për vettingun e pjesshëm që do t’u bëhet udhëheqësve të prokurorive e gjykatave, si dhe këshillave të sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Në mesin e muajit dhjetor u bë konstituimi i Komisionit ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, apo i njohur si procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë. Aty të gjithë u pajtuan se duhet të nisin me punë për ta bërë planin e veprimit derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me vlerësimin e saj. Megjithëse mori përkrahjen e të gjitha partive, u tha e se politika duhet të kërkojë një formë për të siguruar votën e Listës Serbe pasi që nevojiten votat e tyre për miratimin që duhet të bëhet me 2/3. Ministria e Drejtësisë, megjithatë, bëri disa ndryshime në Kodin Penal që parashohin se të dënuarve për dhunë në familje t’u ndalohet e drejta e kandidimit në pozita publike nga 3 deri në 10 vjet, por këto ndryshime nuk dihet nëse e kalojnë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Një gjë tjetër që do ta mbajmë mend nga viti 2022 është edhe polemikat në distancë mes ministres Haxhiu e Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor, se kush po e lufton më shumë korrupsionin. Ministrja e Qeveria shpeshherë u akuzuan për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Revolta mes këtyre dy institucioneve kulmoi kur ekzekutivi mori vendim për uljen e pagave të tyre. Kjo ka bërë që për një kohë të pezulloheshin shumë seanca gjyqësore e shumë qytetarë mbeten pa shërbime.

Ajo çka na mbetet neve si qytetarë është të shpresojmë se viti 2023 të jetë më i mirë në të gjitha fushat e jetës, e po ashtu edhe në atë të drejtësisë e gjithashtu të kemi sa më pak skandale e dështime.