OpEd

Dilema çlirimtare millosheviqiane e A.Vuçiqit

Pas tridhjetë vjet “çlirimesh” nga popujt e Jugosllavisë, idesë evropiane, vlerave dhe identitetit Perëndimor, njerëzimit e tolerancës, Serbia tash duhet të përcaktojë se a dëshiron dhe a mundet të çlirohet nga Rusia?

1.

Ndërsa shembej Muri i Berlinit, lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, mori dy vendime historike që do të kenë pasoja deri në ditën e sotme. I pari qe të mos i bashkohej valës së shembjes së monizmit, pra hapjes ndaj demokracisë pluraliste. Në vend të sistemit shumëpartiak, ai ngulte këmbë se ishte i mundshëm pluralizmi brenda Partisë Komuniste dhe me këtë këmbëngulje bëri që Serbia të ishte vendi i fundit në ish-Jugosllavi me parti të tjera (e jo pak njerëz thonë se këto u lejuan ngase paraprakisht Shërbimi Sekret serb futi njerëzit e vet në të gjitha këshillat themeltare). Vendimi i dytë ishte që në vend të reformimit të Federatës Jugosllave që ajo të bëhet kompatibile me Bashkimin Evropian, e të integrohet në të me hap të shpejtuar, ai vendosi që ta zhbëjë atë federatë, me insistim për rol të veçantë e centralizues të Serbisë.

Natyrisht, të dyja vendimet qenë të lidhura me Kosovën. Demokracia parlamentare në Kosovë, me sundim të shumicës, do të çonte në mëvetësi të saj dhe jashtë kontrollit të Serbisë. Pastaj, pa këtë gur mbi qafë të Serbisë, një sistem pluralist do të dëbonte nga pushteti Millosheviqin dhe politikën e tij. Ndërkaq, një federatë e reformuar dhe e gatshme për aderim në BE do të thoshte njëkohësisht një republikë të barabartë të Kosovës në të dhe një sistem politik në të cilin Millosheviqi dhe partia e tij nuk do të ishin në pushtet.

2.

Kështu filloi një aventurë e politikës serbe, që nuk ka ende të sosur.

Millosheviqi e quajti ruajtje të “karakterit çlirimtar” të popullit serb, politikë të cilën e filloi me “çlirimin e Kosovës”. Pra, sipas tij, populli serb do të “çlirohej” prej dy lëvizjeve të asokohshme sinkrone: do të çlirohej nga shtytja e madhe për integrim të popujve evropianë në BE dhe do të çlirohej nga karakteri demokratik i kësaj shtytjeje.

Në këtë luftë të madhe “çlirimtare”, Serbia, duke okupuar Kosovën fillimisht u çlirua nga Jugosllavia, shteti i cili arriti t’i tubojë të gjithë serbët brenda territorit të vet. Dhe këtë “çlirim” nga Jugosllavia, Serbia e bëri duke filluar – çfarë paradoksi e ironie tragjike - një luftë të gjatë e të papërfunduar për të tubuar të gjithë serbët brenda një shteti. Gjatë këtyre luftërave të pasosura, Serbia u mbush me gjithnjë e më shumë serbë prej republikave të tjera dhe njëkohësisht përgjatë këtyre tri dhjetëvjetëshave më shumë serbë shkuan për në Evropë e Amerikë, se kurdo tjetër në histori. Sot ka më shumë serbë në Vjenë sesa në Kroaci, shtetin të cilin donte ta “çlironte” Millosheviqi.

3.

Serbia u çlirua nga identiteti i vlerave perëndimore në Bosnjë e Hercegovinë, me rrethimin e Sarajevës duke granatuar qytetin e duke gjuajtur me snajperë civilët në këtë qytet. Ky çlirim nga identiteti i vlerave perëndimore u vulos me gjenocidin në Srebrenicë, i cili ende nuk pranohet të jetë i këtillë në të folmen zyrtare në Serbi. Në këtë të folme zyrtare edhe lufta në Bosnjë e Hercegovinë mund të quhet, siç e quan sot Rusia luftën në Ukrainë, “operacion special ushtarak”.

Dhe, kufiri mes këtyre vlerave perëndimore dhe Serbisë u ravijëzua me akt të lartë dramatik gjatë ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë dhe çlirimit të Kosovës nga NATO më 1999.

Çlirimi i Kosovës në Serbi quhet okupim që në vete përbën çlirim konceptual të Serbisë nga realiteti.

Në këtë çlirim nga realiteti, të filluar nga Millosheviqi më 1989, Serbia mori një vijë të qëndrueshme historike, atë të identifikimit të Rusisë si përkrahës të vetin gjeopolitik. Prej vitit 1999 e këtej, e posaçërisht me ardhjen në pushtet të presidentit Putin, Serbia ka ndërtuar një pjesë të madhe të politikës së vet të jashtme e të sigurisë mbi qëndrimin se Serbisë i nevojitet Rusia për të ruajtur idenë e Kosovës serbe (të “okupuar” nga NATO-ja). Serbi, në veçanti me presidentin Vuçiq, po ashtu ka ndërtuar të njëjtën politikë të vet të jashtme e të sigurisë pro-ruse karshi Perëndimit, por tash, si vlerë pazari: nëse Perëndimi nuk e do Serbinë afër Rusisë duhet të rritë investimin e vet në Serbi, duke përfshirë në këtë investim jo vetëm ndihmë e para, por edhe tolerancë ndaj dobësive në sundim ligjit, mosballafaqim me të kaluarën dhe qëndrim rigjid ndaj normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

4.

Lufta në Ukrainë e sjell Serbinë në dilemat e ngjashme historike me atë të Millosheviqit. Në një analogji të vijave të trasha, madje edhe pikat sfiduese për presidentin Vuçiq janë të njëjta: Evropa dhe Kosova. Lufta në Ukrainë mund të jetë pikë kthesë në përshpejtimin e integrimit të Evropës euroatlantike dhe ky përshpejtim, sikur më 1989, do të ndajë ata popuj e shtete që duan më shumë integrim evropian prej atyre që janë kundër. Vetëm se këso here amplitudat mes dy vendimeve janë shumë më të theksuara: flasim për një Bashkim Evropian që ka kaluar kufijtë mendorë të një tregu të përbashkët e po merret me armatosjen e Ukrainës dhe po flasim për një Rusi e cila në formë të vetëdijshme po largohet prej kufijve të saj mendor të Evropës e po lidhet historikisht me Kinën.

Në këso dileme historike, Serbia duhet të vendosë se a dëshiron të mbesë një enklavë euroaziatike (të “çliruar” sërish nga Perëndimi) duke ruajtur njëkohësisht idenë për “çlirimin e Kosovës nga okupimi i NATO-s”, apo dëshiron që të jetë pjesë e Evropës atlanticiste me marrëdhënie të mira ndërshtetërore me Kosovën sovrane?

Serbia para tridhjetë vjetësh bëri vendimin e gabuar strategjik dhe hyri pastaj prej njërit në gabimin tjetër. Ky rast historik mund të jetë po aq i vrazhdë në pasoja. Dhe është po aq i vrazhdë në sfidë: pas tridhjetë vjet “çlirimesh” nga popujt e Jugosllavisë, ideja evropiane, vlerat dhe identitetin Perëndimor, njerëzimi e toleranca, Serbia tash duhet të përcaktojë se a dëshiron dhe a mundet të çlirohet nga Rusia?