OpEd

Digjitalibanizmi mediatik

Në zhurmën e krijuar mediatike, një lexues apo dëgjues i rëndomtë u nënshtrohet lajmeve e zhurmave prej më të ndryshmeve. Jo medoemos ai do ta marrë mundin për t’i verifikuar ato lajme dhe për t’i filtruar zhurmat, qofshin ato si agjendë informative apo si ndotje akustike. Një pjesë e tyre do t’i marrin të gjitha informatat që u servohen nga mediumi i preferuar si diçka e mirëqenë. Mirëpo, unë jam i mendimit se një pjesë e madhe e popullatës tashmë edhe e ka arritur rritjen dhe pjekurinë digjitale dhe se në digjitalibanizmin e gjithmbarshëm notojnë mirë dhe të sigurt, duke e ruajtur pikësëpari shëndetin mendor dhe duke ditur që t’i filtrojnë zhurmat akustike, tubimet e digjitalizuara të “Kafes së Sabitit”, pa marrë parasysh nëse ai tubim ka karakter “politik” apo “kulturor”

Të jesh diplomat, politikan, udhëheqës shteti, ministër a person me përgjegjësi publike për shtetin në kohëra kur bota është e trazuar dhe kur shkruhet edhe një rend i ri botëror, s’do mend që nuk është punë e lehtë dhe se mbi supet e gjithsecilit bie pesha e përgjegjësisë së interesave të vendeve dhe popujve që i përfaqësojnë.

Hallkat e zinxhirëve të përgjegjësisë sigurisht se përcillen më tutje në të gjitha segmentet e shoqërisë. Në këtë mes mediet sigurisht se përbëjnë një nga hallkat kryesore me anë të raportimit të drejtë dhe të paanshëm në shkrime dhe në hulumtime të dëshmuara gazetareske. Jo rrallëherë kam përmendur në ditarin tim se jemi vendi i vetëm (së paku për aq sa unë kam njohuri) që disponon me dhjetëra televizione të pranishme në platforma digjitale e disa prej tyre edhe në frekuenca nacionale, të cilat përveç në "analog" dhe në digjital mbulojnë edhe platformat digjitale.

Që të gjitha këto, në baza ditore nëpër “prime time” televizive transmetojnë emisione debatesh politike me tema prej më të ndryshmeve, të shkëputura nga ngjarjet ditore. Pak a shumë janë fytyra dhe mysafirë të njëjtë që defilojnë nga një studio në tjetrën, duke shpalosur bindjet e tyre, qofshin ato politike, partiake, opozitare, profesionale, sindikaliste apo edhe ato opozitare jashtëparlamentare.

Gjithashtu, në secilën nga këto studio formohen edhe panele nga ish-gazetarë tashmë pronarë mediumesh digjitale, portalesh apo televizionesh. Shpeshherë bisedat dhe argumentet e tyre nuk shkojnë aspak përtej “Kafes së Sabitit”, ku mund të dëgjohen ekspertë të dëshmuar të politikave vendore dhe globale nën përcjelljen e “cingi-lingave”, lugëve të vogla të aluminit që prodhojnë tingujt e dallueshëm sa herë që përplasen për muret e holla të gotave të vogla të çajit të përvëluar në gjygymët e famshëm.

Të mos e lë pa e cekur edhe një fakt tjetër mediatik, i cili vendin tonë “Sui Generis” e vendos njashtu në hartën “Sui Generis” të gazetarisë. Jemi vendi i vetëm në botë në të cilin nuk shtypet dhe botohet asnjë gazetë ditore. E kuptoj vështirësinë dhe koston me të cilën sot përballet secila gazetë serioze evropiane apo botërore. I kuptoj edhe telashet që atyre ua shkaktojnë interneti dhe publikimet e përditësimet e lajmeve nga çasti në çast, në kohën kur ato ndodhin. Por, në anën tjetër, e kuptoj edhe pasionin e lexuesit ditor të gazetave, i cili dëshiron që gazetën e tij ta shfletojë shoqëruar me kafenë apo çajin e mëngjesit, që dëshiron që ta nuhasë erën e ngjyrave të shtypshkronjës, të shtypura në letrën tashmë edhe të ricikluar të gazetës së tij të preferuar ditore.

Të njëjtat arsyetime vlejnë edhe për lexuesit e pasionuar të librave. Me gjithë mundësinë që sot të disponosh edhe në telefonin tënd të mençur me mijëra tituj veprash në format digjital, lexuesit e pasionuar ende e preferojnë ndjenjën e mbajtjes së librit me dorë, të shfletimit të fletave, të marrjes së erës së ngjyrës së shkronjave të shtypura në libër, si dhe vetë interaksionin fizik të lexuesit me librin.

S’do mend se digjitalizimi ia ka lehtësuar njerëzimit qoftë proceset e kualitetin, qoftë edhe praktikimin e shumë gjërave dhe shërbimeve në jetë. Por, unë dëshiroj që ta shoh digjitalibanizmin nga një kënd tjetër.

Në garat për klikimet, për shikueshmërinë me çdo kusht, digjitalibanizmi e ka degraduar gazetarinë e mirëfilltë. Ka krijuar mercenarë titujsh bombastikë, cenues të privatësisë së personave fizikë, shkelës të të drejtave elementare ligjore njerëzore dhe krejt këto për çmimin e një titulli të karrem-clickut në faqet e portaleve të tyre digjitale në internet.

Në zhurmën e krijuar mediatike, një lexues apo dëgjues i rëndomtë u nënshtrohet lajmeve e zhurmave prej më të ndryshmeve. Jo medoemos ai do ta marrë mundin për t’i verifikuar ato lajme dhe për t’i filtruar zhurmat, qofshin ato si agjendë informative apo si ndotje akustike. Një pjesë e tyre do t’i marrin të gjitha informatat që u servohen nga mediumi i preferuar si diçka e mirëqenë.

Mirëpo, unë jam i mendimit se një pjesë e madhe e popullatës tashmë edhe e ka arritur rritjen dhe pjekurinë digjitale dhe se në digjitalibanizmin e gjithmbarshëm notojnë mirë dhe të sigurt, duke e ruajtur pikësëpari shëndetin mendor dhe duke ditur që t’i filtrojnë zhurmat akustike, tubimet e digjitalizuara të “Kafes së Sabitit”, pa marrë parasysh nëse ai tubim ka karakter “politik” apo “kulturor”.

Shumë herë më ka rastisur që miqtë e shumtë të më thonë se debatet televizive nuk i shikojnë dhe as nuk i përcjellin kurrë, thjesht nga fakti se u prodhojnë toksicitet në jetë. Ky profil i miqve është i atyre që në fushat e tyre janë profesionistë adekuatë dhe të dëshmuar.

Natyrisht se secili prej tyre e di se mendimi i çdokujt është i lirë, porse koha për t’i dëgjuar ato mendime është e shtrenjtë. Në balancimin midis gjërave të lira dhe të shtrenjta në jetë, secili prej nesh i preferojmë jetën dhe gjërat kualitative. E jeta është shumë e shtrenjtë dhe e çmueshme për t’u marrë me mendime të lira të promajave ballkanike.

Partitë politike zakonisht përgjatë zhvillimit të tyre të brendshëm demokratik synojnë drejt sintagmës “një anëtar, një votë”. Në zhvillimin demokratik të gazetarisë kosovare, kjo sintagmë si duket ka evoluar në “një gazetar, një televizion” dhe sot janë të rrallë ata që merren me gazetari tash e 10+ vjet e që nuk janë pronarë mediumesh digjitale, të njërës apo tjetrës formë.

Jemi popull gazmor. Të gjithë këndojmë, të gjithë vallëzojmë, të gjithë filozofojmë, të gjithë predikojmë, të gjithë gjykojmë dhe paragjykojmë, të gjithë analizojmë, të gjithë një oportunitet prej çfarëdo rasti për biznes e krijojmë!

Në këtë rreth të krijuar të hareshëm e gazmor, ai që është i hutuar e paguan çekun më të lartë. Naiviteti, pabrishtësia dhe sinqeriteti janë viktimat dhe martirët e parë të këtij rrethi të krijuar vicioz. Besueshmëria midis njerëzish është vetëm e nivelit superficial. Një buzëqeshje e rreme në fytyrë të ngrirë me apo pa botoks pak rëndësi ka. Një shtrëngim duarsh që të jep ndjesinë e peshkut të ftohtë në dorë, në tregun e peshqve. Biseda pa shkëmbime shikimesh në sy, por me sy të ngulitur në ekranet e telefonave të tyre të mençur që i mbajnë në duar dhe vetëm me lëkundje koke si një lloj konfirmimi “po, po, jam duke të dëgjuar, vazhdo t’i llomotite atë që ke për ta thënë me mendimin tënd të lirë, në botën time të shtrenjtë”!

Është bërë e trishtë ta hapësh Facebookun secilën ditë. Gjithmonë do ta shohësh ndonjë njoftim për dikë që mund të ketë ndërruar jetë. Mund të jetë i njohur apo edhe i panjohur, por vetë lajmi krijon një ndjesi të trishtë për një qenie njerëzore që është larguar nga kjo jetë dhe kjo botë.

Pastaj hyj tek komentet.... “Ngushllime”. “Ngushëllime”. “Ngushllime …” dhe kështu me dhjetëra të tilla identike me radhë.

Nëse mendoj që ta ngushëlloj dikë, qoftë të njohur apo të panjohur, ose do ta marr mundin që të ndaj pak nga koha ime e shtrenjtë për ta shprehur me një fjali apo paragraf, ose do ta lë atë punë fare.

E njëjta gjë tek unë vlen edhe për urimet dhe përgëzimet e ndryshme. O e marr mundin që të shkruaj një fjali apo paragraf të plotë, o e lë fare. Vetëm fjala “urime” nuk më thotë gjë, nuk më përçon gjë.

Nëse gjëja më e çmuar, të cilën e posedojmë në jetët tona është koha, atëherë edhe respektin maksimal për njerëzit do ta tregojmë duke e ndarë atë gjënë më të çmuar për dhe me ta. Do ta ndaj një minutë të kohës sime a sado që të më nevojitet që dikujt t’i shpreh ngushëllimet apo urimet e përgëzimet e mia për ndonjë të arritur të tyre jetësore për të cilat miqtë tanë e kanë ndarë mundin që ta ndajnë me ne.

“Është koha që keni humbur për trëndafilin tuaj, që e bën trëndafilin tuaj kaq të rëndësishëm” – Antoine de Saint-Exupéry, Princi i Vogël.