OpEd

Diçka e kalbur në Prishtinë...

Por fajtorin për këtë skandal nuk duhet kërkuar vetëm në Komunën e Prishtinës, ani që është zanafilla e problemit. Zinxhirit të fajit i bashkohen Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që e ka vlerësuar procesin si të rregullt dhe Ministria e Financave që e bëri vlerësimin e tokës. Qe dhjetë ditë flitet për të njëjtën çështje dhe Ministria e Financave sillet si në këngën për Ganimete Tërbeshin, “o asnjë fjalë s’i shpëtoi o prej goje”. Asnjë fjalë e vetme për vlerësimin që ua kanë bërë tokave. As kush, as si, as pse

Një ditë para se të organizohej protesta e qytetarëve kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, që është shndërruar në hapësirën publike që iu kthye barakave të thata, e mbi të gjitha, të shëmtuara, Përparim Rama thirri konferencë për shtyp për ta paraqitur një projekt të ri.

E quajti projekt të “rigjenerimit”, dhe duke e paraqitur një render të mbushur me objekte të vendosura me kompjuter, na tregoi se rruga “Xh. Bush” dhe hapësira e Universitetit do të rigjeneroheshin me beton, pllaka, shkallë dhe oaza gjelbërimi. Kjo, me gjithë faktin se disa muaj më herët na kishte thënë që rrugën do ta shtronte me kalldrëm. Me atë të keqin që e ka ngjyrën kafe dhe që kur bie temperatura, shndërrohet në copë akulli që mund të të kushtojë me një nxjerrje kuku nga vendi, për shembull.

Nënkryetari i Prishtinës e kishte postuar këtë imazh në FB përcjellë nga komenti me ca emoji syzemër e ca drunj me këtë përmbajtje: “Sheshi 'George Bush’. Punimet fillojnë këtë vit... Prishtina do ta ketë një perlë të re së shpejti!”

I komentova në post: “Hesape pa hanxhiun Alban. E gjithë hapësira e planifikuar NUK është pronë komunale dhe NUK administrohet nga komuna. Projektin zbatues edhe mund ta bëni dhe do t’u kushtojë para qytetarëve, por pronës private si do t’ia bëni për ta tjetërsuar?”

M’u përgjigj: “Me sa kemi analizu, prona është në shumicë të madhe publike! Por edhe në raste të tjera, ka procedura shpronësimi në këtë vend! Nuk është hera e parë”.

Sipas dokumenteve të kadastrës, nuk del kështu siç po e thotë nënkryetari i Prishtinës. Një pjesë e madhe e pronës është “shoqërore”, pra nën administrimin e AKP-së, ndërkohë që ka copëza tokash edhe në pronësi private. Pra, nuk është aq e thjeshtë siç është paraqitur në një copë renderi mbushur me ngjyra.

Por kjo mbase edhe nuk është aq me rëndësi, sa është pjesa e dytë e përgjigjes së Zogajt, shkruar më 15 janar: “...ka procedura shpronësimi në këtë vend! Nuk është hera e parë!”

* * *

Vetëm pasi shpërtheu skandali i këmbimit të tokës së Badovcit me Prishtinën e re, me nismë të Ramës, me kuorumin e siguruar nga VV-ja, me bojkotimin nga PDK-ja, e kuptova peshën e asaj që e kishte shkruar Zogaj. “Nuk është hera e parë” me gjasë do të thotë se kjo qenka një praktikë që është zhvilluar apo po zhvillohet rregullisht në Komunën e Prishtinës. Por çështja është se nëse kjo po zhvillohet ashtu siç u veprua me rastin e ish-klientëve të Ramës. Nëse me lehtësi të paparë bëhet këmbimi i tokës së mbrojtur, me tokën milionëshe në hapësirën ku do të bartet e gjithë jeta administrative në të ardhmen e afërt. Më shumë se sheshi në kaskada, shumë më brengosës është menaxhimi i pronave publike.

Gjatë hulumtimit të saj, Saranda Ramaj e zbuloi edhe një këmbim pronash që ishte iniciuar në ditën e fundit që ia lejonte ligji brenda mandatit të tij të dytë Shpend Ahmetit më 2020. “Badovcalive” u ishin dhënë kushtet urbanistike gjatë mandatit të tij. Projektin e kishte hartuar Rama, i cili mbante konferenca për shtyp për ta bindur opinionin se Badovci nuk do të ndotej nga vilat që do të ndërtoheshin aty.

E pasi Abdixhiku, si ministër i Ambientit, e kishte ndaluar ndërtimin në zonën e mbrojtur, Ahmeti kishte dalë para këshilltarëve komunalë, dhe u kishte thënë si vijon: “Besomëni që ia hiqni një gajle jo vetëm këtij kryetari, por edhe cilitdo kryetar që vjen. Palët munden me na paditë në gjyq, e kemi diskutuar disa herë. E kemi marrë një letër prej Ministrisë, në momentin që ne e kemi pezulluar ndërtimin, për realizimin e së drejtës së ndërtimit pronarëve, ku ka thënë Ministria që tashmë duhet t’i shpronësoni. E atë shpronësim ose duhet me e pagu me pare ose me u këmby. Ia kemi bërë një vlerësim krejt pronave në zonën 1 dhe 2...nuk kemi buxhet të mjaftueshëm me ua ble, kështu që do të mundohemi me këmby”.

Prej kësaj deklarate dalin disa gjëra të paqarta: pse kërcënimi me padi, nëse janë caktuar kushtet urbanistike teknike, por nuk është dhënë leja e ndërtimit? Apo ajo është dhënë e kjo nuk është bërë publike? E dyta, a është Komuna kompetente për të bërë vlerësimin e pronave siç del këtu, apo kjo është çështje e Ministrisë së Financave? Dhe, si bëhet që prona te parku ku nuk lejohet ndërtimi të ketë vlerë disafish më të madhe sesa ajo në zonën ku lejohet ndërtimi i lartë? A e ka bërë këtë vlerësim MF sipas udhëzimeve të Komunës, vetë, apo në bashkëpunim me të?

Esenca është që Ahmeti e ka kryer obligimin ndaj ish-klientëve të Ramës me kalimin e vendimit në Kuvendin Komunal. Por edhe një vit më vonë, ato toka kanë qenë pronë e komunës. Deri në çastin kur këmbimin e ka nënshkruar Rama.

E ka mundur të mos e nënshkruante, me dy argumente të fuqishme: një, për shkak se ka pasur konflikt të pastër interesi, duke qenë se sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit nuk guxon të ketë asnjë raport kontraktual me ish-klientët pa kaluar pesë vjet dhe dy, për shkak se nuk duhet qenë ekspert i vlerësimit të tokave për të ditur se cila tokë ka më shumë vlerë: aty ku lejohet ndërtimi apo aty ku nuk lejohet.

Pra, ka mundur të kërkonte rivlerësimin nga organet kompetente, që do të duhej të bënin krahasimin e pronës sipas çmimit të shitjes së pronave të llojit të ngjashëm, që të përcaktohej nëse 10 hektarë të Zllatarit janë baraz me 7 hektarë të Prishtinës së re. Dhe për të qenë krejtësisht rehat me ndërgjegjen, thjesht ka mundur ta shpallte konfliktin e interesit dhe të mos nënshkruante. Por kjo nuk ndodhi.

Dhe, nuk i doli boll, e futi në procedurë kërkesën e dytë për këmbim të ri tokash që u votua nga Kuvendi Komunal në fund të 2023-s.

* * *

Por fajtorin për këtë skandal nuk duhet kërkuar vetëm në Komunën e Prishtinës, ani që aty është zanafilla e problemit. Zinxhirit të fajit i bashkohen Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që e ka vlerësuar procesin si të rregullt dhe Ministria e Financave që e bëri vlerësimin e tokës.

Qe dhjetë ditë flitet për të njëjtën çështje dhe Ministria e Financave sillet si në këngën për Ganimete Tërbeshin, “o asnjë fjalë s’i shpëtoi o prej goje”.

Asnjë fjalë e vetme për vlerësimin që ua kanë bërë tokave. As kush, as si, as pse.

Pra, siç do të thoshte një mik imi, kësaj po i vjen era ‘krim i organizuar ndërinstitucional’. Sidomos meqë nuk kemi informata edhe në sa raste të tjera ka mundur të veprohej në këtë formë si dhe meqë nuk e dimë edhe sa tokë publike ka shkuar e këmbyer për tokë të djerrë, veç pse dikush ka ditur ta shfrytëzojë lehtësinë e shpronësimit a të këmbimit të tokave.

Por heshtje më të madhe se të ministrisë e shpërfaq LDK-ja dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Skandalin që e nisi kryetari të cilin ai e përzgjodhi për kandidat më 2021, dhe të cilin e përkrahën asamblistët komunalë të LDK-së, me ndihmën e asamblistëve të AAK-së dhe të AKR-së, (dhe të mos harrojmë kuorumin që ia krijuan asamblistët e VV-së) po e injoron thuajse po ndodh në ndonjë planet tjetër. Aq më i madh injorimi kur emri i tij tashmë figuron si një nga elementet kyç të këtij skandali, ngase si ministër i Qeverisë Kurti 1, e kishte ndaluar ndërtimin te Badovci.

* * *

Sipas ligjit, ky vendim tashmë ka hyrë në fuqi.

Ekzekutimin e tij mund ta pezullojë vetëm një vendim gjyqësor për ndonjë masë të përkohshme, që ka gjasa se mund të miratohet, pas padisë së ngritur nga IKD-ja mbështetur mbi shumë argumente të qëndrueshme.

Por aktvendimi eventual në procesin administrativ nuk do të duhej të ishte përcaktuesi i fundit. Do të duhej të ishte një hetim penal, i thellë dhe i detajuar në të gjitha hallkat e këtij skandali. Dhe nëse ka përgjegjësi penale, do të duhej të kishte edhe dënime sipas ligjit.

Kjo natyrisht me kusht se lënda nuk i bie në dorë një prokurori që nuk di t’i mbrojë argumentet e veta, apo një gjyqtari kampion parashkrimesh, nën mbrojtjen e një Këshilli Gjyqësor, kryesuesi i të cilit ia fal vilën ilegalisht të ndërtuar vjehrrës së vet.

Diçka e kalbur në Prishtinë... shumë e kalbur gjithandej...

[email protected]