Si mund të shkruash për ndonjë qytet evropian e të mos e përmendësh ndonjë takim të rastësishëm me bashkatdhetarët tanë nëpër botë. I këtillë ishte takimi i rastësishëm në rrugë me Fehmiun nga Maqedonia e Veriut, i cili ishte i rrethuar nga një grup punëtorësh të tjerë shqiptarë që po kryenin punë për një kompani telekomi dhe për shtrirjen e kabllove optike në një pjesë të qytetit. Biseda me ta ishte spontane dhe e zhvilluar ashtu në rrugë. Gjithherë, bisedat e tilla janë të ngrohta dhe plot mallëngjim për atdheun dhe familjen. Refren shumë i njohur mes shqiptarëve, me numër aq të madh të kurbetçinjve nëpër botë
Dje retë në qiellin mbi Lörrachun e Gjermanisë kishin marrë ngjyrë të portokalltë. Pamja ishte jo e rëndomtë dhe më jepte një ndjesi të çuditshme. Aq sa ishte e veçantë dhe gjithsesi jo diçka që njeriu e sheh përditë, e përçonte një lloj qetësie, ani se në të njëjtën kohë edhe një ndjenjë e çuditshme trishtimi për të cilën nuk kisha shpjegim. Ishte rëra e shkretëtirës së Saharës, të cilën rrymat e erërave të ndryshme e kishin sjellë në pjesën më të madhe të Zvicrës, si dhe në Lörrach të Gjermanisë, ku gjendem për momentin e që ndodhet vetëm 2 kilometra larg kufirit me Zvicrën dhe 12 kilometra nga qyteti i Baselit. Rezultatin e kësaj dukurie jo të shpeshtë natyrore mund ta shihja të nesërmen, pasi të gjitha veturat ishin mbuluar me një shtresë të hollë pluhuri të nuancave mes të portokalltës dhe kafesë.
Të shohësh vetura kaq të pluhurosura në Kosovë, e di se nuk është ndonjë gjë e pazakontë. Ndodh sa herë që bie shi dhe ai të përzihet me pluhurin e shumtë nëpër rrugët e Kosovës. Porse një pamje e këtillë nëpër veturat në Gjermani apo në Zvicër nuk është fort e rëndomtë, edhe sikur të mos i pastroni për javë apo edhe muaj të tërë. Kësisoj, batuta “është bërë tërë rërë” ishte më kuptimplote sot.
Lörrachi është qytezë e vogël në jugperëndim të Gjermanisë, në kufi me Zvicrën dhe me Francën. Është kryeqyteti i rrethit të Baden-Württembergut. Kjo është hera e parë që dal përtej Londrës, pas gati tre vjetësh, si pasojë e situatës që patëm me COVID-19. Për mua ishte një udhëtim më se i mirëseardhur, pasi që njeriut i nevojitet një ndryshim nga rutina e rëndomtë e përditshmërisë së vendit ku jeton.
Masat kundër COVID-19 këtu ende nuk kanë përfunduar në tërësi dhe në çdo vizitë nëpër ndonjë lokal duhet prezantuar vërtetimin e vaksinimit kundër COVID-it. Megjithëkëtë, nuk do të lejoj që kjo të m’i prishë përshtypjet e mira nga kjo qytezë e vogël dhe simpatike.
Dhe natyrisht, si mund të shkruash për ndonjë qytet evropian e të mos e përmendësh ndonjë takim të rastësishëm me bashkatdhetarët tanë nëpër botë. I këtillë ishte takimi i rastësishëm në rrugë me Fehmiun nga Maqedonia e Veriut, i cili ishte i rrethuar nga një grup punëtorësh të tjerë shqiptarë që po kryenin punë për një kompani telekomi dhe për shtrirjen e kabllove optike në një pjesë të qytetit. Biseda me ta ishte spontane dhe e zhvilluar ashtu në rrugë. Gjithherë, bisedat e tilla janë të ngrohta dhe plot mallëngjim për atdheun dhe familjen. Refren shumë i njohur mes shqiptarëve, me numër aq të madh të kurbetçinjve nëpër botë.
Kurrsesi nuk duhet të harroj që ta përmendi mikun tim virtual, Sevdailin, i cili posa e kuptoi se postimi im në Facebook ishte bërë nga Lörrachu, më kontaktoi dhe më tha se dëshironte që të më takonte. Ai jeton afër Zürichut dhe erdhi me veturën e tij nga atje, pas përfundimit të punës. Më mori dhe dolëm. E kaluam një natë të paharrueshme në Basel. Kjo lloj mikpritjeje ndodh vetëm ndër shqiptarë. Nuk e kam dëgjuar që t’ju ndodhë të tjerëve. Porse për mua, gjithsesi, nuk ishte as hera e parë që po më ndodhte një përvojë e tillë. Bisedë interesante kisha edhe me axhën Haki, i pensionuar që nga fundvitet ‘80, pas një lëndimi që i ishte shkaktuar në punë. Ai ishte me origjinë nga Peja dhe ishte në Basel që nga vitet ‘80. Kishte bujari dhe besnikëri të pashoqe. Do të pyeteshit se si mund të flisja për besnikërinë e tij po qe se aty isha vetëm si mysafir dhe se e njoh atë vetëm për një kohë të shkurtër. Po flas, në fakt, nga ajo se si e përshkruanin njerëzit e tjerë axhën Haki, të cilin e njihnin me dekada, e që edhe unë mund ta vërtetoja për këto pak ditë që po qëndroja këtu.
Njëri nga ata që ma konfirmuan besnikërinë e axhës Haki ishte edhe Shukri Ymeri, i cili rastisi që të ishte edhe kryetar i Lobit Euoatlantik-Shqiptar me seli në Lörrach. Ymeri ishte një fytyrë aq karizmatike e që fliste me aq shumë pasion për kombin, për nevojat e homogjenizimit të diasporës shqiptare, që fliste për atë se si lufta nuk kishte përfunduar në vitin 1999, porse ishte një luftë e re që sapo kishte filluar atëherë për kombin dhe shtetin tonë. Edhe pse takimi ishte spontan, bisedat tona u zgjatën e takimet u përsëritën. Ymeri kishte angazhime që nga vitet ’80. Fliste për zhgënjimet dhe sukseset, dështimet dhe fitoret, por pavarësisht të gjithave, asnjëherë nuk ishte dorëzuar në ato ideale në të cilat besonte.
Natyrisht, nuk kishim sesi ta anashkalonim edhe bisedën për situatën më të re të krijuar me luftën që po zhvillohet këtyre javëve në Ukrainë, si dhe për implikimin që ajo mund ta ketë në shtetin e Kosovës, si dhe në mbarë Evropën e edhe botën, pa përjashtim. Mirëpo, gjithnjë kthehej te thelbi i temës së tij të preferuar, për të cilën fliste me aq pasion, e që ishte homogjenizimi i diasporës shqiptare. Nuk bëhej fjalë për një parti politike, por për grumbullimin e ajkës së mbarë diasporës, krejt për qëllim të shfrytëzimit të ekspertizës dhe përvojave të tyre me anë të projekteve dhe propozimeve të ndryshme në forcimin e proceseve të shumta në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe evidentimin e nevojave të ndryshme të diasporës shqiptare në vendet e ndryshme evropiane dhe ndërlidhjen e tyre me shtetet amë. Gjithsesi se ky potencial ekziston në diasporën shqiptare, por çështja është sesi të kanalizohet dhe të shfrytëzohet i gjithë ky potencial në të mirë të shteteve, ku shqiptarët janë shumicë dhe qeverisen nga ata.
Axha Haki dhe Shukriu dje na ofruan që të shkonim edhe në një vizitë në Colmar, një qytet ky francez jo shumë larg Lörrachut. Pjesa e vjetër e qytetit të Colmarit është e shtruar me rrugë të veshura me kalldrëm, me ndërtesa mesjetare dhe të kohës së Rilindjes së hershme, të ngritura në stilin unik e të punuara gjysma nga druri dhe gjysma tjetër materialet e tjera më të forta. Kishte kisha gotike të shekullit të 13-të, si ajo e Eglise Saint-Martin që qëndron në Place de la Cathédrale. Qyteti është në Rrugën e Verës Alsace dhe vreshtat lokale specializohen në verërat Riesling dhe Gewürztraminer.
Ishte një qytet unik dhe historik, të cilit assesi nuk mund t’i rezistoja pa i bërë fotografi të shumta.
Lexuesit tanë mund t’i kujtohet nga rasti kur ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ishte ndaluar dhe arrestuar këtu, sipas një urdhërarrestimi të Serbisë në kuadër të Interpolit.
Gjithsesi se kujtimet nga kjo vizitë do të më mbesin për një kohë të gjatë, për aq kohë sa të më shërbejë kujtesa. E bisedat e shumta të zhvilluara do të nevojitet kohë për t’i zbërthyer, veçmas ato që kishin të bënin me atë se si do të duhej të vinte deri te homogjenizimi i mbarë diasporës shqiptare dhe potencialit aq të madh me të cilin disponon ajo.
***
Tash, veçse kemi hyrë në javën e tretë të luftës që po zhvillohet midis pushtuesit rus dhe Ukrainës. Ngjarjet botërore sot janë në shpejtësinë e gjashtë dhe një ditë ngërthen në vete pothuajse 10 muaj të tërë ngjarjesh.
Dje Kongresi amerikan e shpalli presidentin rus, Vladimir Putin, kriminel lufte. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës është gjithashtu në inicim e sipër të mbledhjes së fakteve rreth asaj se Putini, sikurse i mbarë zinxhiri i tij komandues, kanë shkelur rregullat ndërkombëtare dhe ato të luftës, duke kryer krime të shumta ndaj popullatës civile. Sigurisht se do të kalojnë vite të shumta derisa këto fakte të dalin në dritë, derisa të ngrihet aktakuzë dhe të sillet para gjyqit në Hagë Putini dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Por ne mbesim dëshmitarë të zhvillimit të historisë, të shkatërrimeve të paimagjinueshme dhe bombardimeve të qyteteve ukrainase, të vuajtjeve të popullatës civile, si dhe të shpërnguljes të më se 3 milionë refugjatëve nga Ukraina nëpër vendet fqinje dhe ato evropiane.
Ushtria ruse, në pamundësi të realizimit të pushtimeve të saja në qytetet e mëdha ukrainase si dhe në vetë kryeqytetit Kiev, dhe në stagnim pothuajse total për sa i përket realizimit të planeve operative, po i shfrytëzon bombardimet me aeroplanët luftarakë, si dhe hedhjen e raketave të ndryshme balistike dhe të artilerisë së rëndë nga distanca në drejtim të qyteteve dhe zonave të banuara me popullatë civile, duke mos përzgjedhur caqe. Prandaj, edhe viktimat do të jenë të shumta dhe kjo luftë do të jetë shumë e përgjakshme. Mirëpo, nuk kemi sesi të mos i admirojmë heroizmin, patriotizmin dhe trimërinë, si dhe organizimin e popullit ukrainas për mbrojtjen e vendit të tyre nga agresori rus.