Në qasjen ndaj Kosovës nuk ka pasur dallime në qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak se president ka qenë një republikan apo një demokrat. Është gabim të mendohet se shkëmbimi i territoreve ka qenë ide e lindur në Washington në kohën e Trumpit. Ai vetëm e ka pranuar atë si mundësi, pasi kjo ide ishte forcuar shumë në Bruksel. Bile ka të vërtetë edhe në thënien se Kosova ka përfituar më shumë në kohën e administratës së Trumpit sesa të Bidenit. Në vitet e fundit SHBA-ja në dialog të Brukselit ka shërbyer më së shumti për të rritur presionin ndaj Kosovës. Ka arsye për kureshtje se si do të sillej administrata e Trumpit, nëse ai fiton, në rastin e dialogut Kosovë-Serbi. Por kjo nuk do të thotë se menjëherë në tryezë do të kthehej ideja e ndarjes së Kosovës
Zyrtarët e BE-së kanë qenë gjithmonë kundër angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse liderët e Kosovës, sidomos në kohën kur kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj, kanë kërkuar që SHBA-ja të jetë e angazhuar edhe formalisht në ndërmjetësimin e këtij dialogu, BE-ja ka refuzuar gjithmonë ide të tilla. Kanë shkuar aq larg, saqë kanë thënë se “nëse përfshihet SHBA-ja, atëherë Serbia do të kërkojë që të përfshihet Rusia, e kështu do të vijmë prapë në një strukturë sikurse ajo e OKB-së”.
Por ka pasur raste kur Brukseli e ka mirëpritur angazhimin amerikan. Atëherë kur është dashur ai angazhim për t’i bërë presion Kosovës. Sepse në Bruksel e dinë se asnjëherë, asnjë qendër evropiane nuk mund ta ketë ndikimin te kosovarët që e ka Amerika. Edhe liderët e Kosovës e kanë përdorur angazhimin amerikan si mburojë për veprimet e tyre. Ka pasur raste kur i kemi pritur zyrtarët e Kosovës për t’iu dhënë deklarata gazetarëve e ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë para se të deklarohej më parë Departamenti amerikan i Shtetit. Dhe kur nga Departamenti amerikan përshëndesnin ndonjë veprim në dialog, atëherë dilnin zyrtarët e Kosovës si të sigurt në qëndrimet e tyre. Dhe këdo që i kritikonte ato veprime e etiketonin si “antiamerikan”.
Në anën tjetër, SHBA-ja ka raporte të veçanta me Serbinë. Ndaj Serbisë nuk bëjnë, e duket se as nuk duan të bëjnë presion sa i përket Kosovës. Edhe nëse bëjnë presion mund të mos ketë ndonjë ndikim ndaj Beogradit. Ka një kohë të gjatë, që kur Joseph Bideni ishte nënkryetar amerikan gjatë administratës së Obamas, kur SHBA-ja e ka nisur me Serbinë qasjen që rreth Kosovës “pajtohemi se nuk pajtohemi”. Prej atëherë, SHBA-ja i ka forcuar raportet me Serbinë, ndërkohë që kanë vazhduar të kenë dallime rreth Kosovës të cilat nuk kanë ndikuar në raportet mes tyre. Në anën tjetër Amerika ka forcuar raportet edhe me Kosovën. Dhe dëshiron që në një mënyrë të dërgojë porosi edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, se as njëra e as pala tjetër nuk mund të ndikojë në raportet që Washingtoni i ka me njërin apo me shtetin tjetër. Me fjalë të tjera, nuk duan që Prishtina t’i mësojë se si të sillen me Serbinë, e as që Beogradi t’i mësojë se si të sillen me Kosovën.
Pakënaqësia me angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ishte kur u paralajmërua një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. BE-së nuk i pengonte aq shumë përmbajtja e marrëveshjes, që sinqerisht ishte shumë joserioze, por e shihnin angazhimin amerikan si një dëshmi të dështimit evropian. Në fund, ajo marrëveshje pati vetëm një efekt. Njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Pikat e tjera ishin një përzierje e pakuptimtë, nga bashkëpunimi ekonomik, hapja e linjave ajrore, hapja e ambasadave në Jerusalem e deri tek angazhimi i Kosovës dhe i Serbisë në promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT nëpër botë. Dhe për habi, edhe administrata e Bidenit e vazhdoi qëndrimin se ajo që nënshkruan Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë duhet të zbatohet. Sa për të përmendur faktet se Serbia nuk zbatoi asgjë. As nuk e ndërpreu lobimin kundër njohjeve të Kosovës e as nuk e hapi ambasadën në Jerusalem, mes të tjerash.
Zemërimi i Brukselit ishte aq i madh, kur Kosova e hapi ambasadën në Izrael në qytetin e Jerusalemit, si një zotim ndaj Amerikës, saqë BE-ja e qortoj Kosovën se nuk po sillet në përputhje me aspiratat e saj evropiane. BE-së më shumë i pengonte afërsia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa afërsia e Serbisë me Rusinë. Por gjithçka ndryshoi kur administrata amerikane nisi të përfshihej në dialog, duke bërë presion ndaj Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky presion amerikan u mirëprit nga Brukseli dhe ai vazhdon edhe sot. Për shkak se Kosova nuk i përfilli thirrjet për nisjen e themelimit të Asociacionit, së paku jo pa e ditur se cili do të jetë fati i zbatimit të pikave të tjera të një marrëveshjeje për të cilën BE-ja insiston se ekzistojnë. SHBA-ja ishte në disa raste edhe nismëtare e masave ndaj Kosovës. SHBA-ja edhe tash është shumë e kujdesshme në raportet me Serbinë dhe nuk ka dhënë shenja se do të ndërmarrë masa ndaj Beogradit, as pasi nuk ndërmori masa për ta dënuar Radoiçiqin dhe të tjerët për sulmet terroriste në Kosovë. Bile ka zëra edhe në Bruksel që thonë se më shumë sesa shumë shtete të tjera, pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara që të mos ketë masa ndaj Serbisë për këtë, sepse kënaqen me premtimet që atyre ua ka dhënë Vuçiqi.
Pa marrë parasysh se a janë apo jo të kënaqur në Kosovë me rolin amerikan, ai është i pazëvendësueshëm. Sidomos pasi Kosova ka një përvojë jo të mirë me Bashkimin Evropian, i cili maksimalisht e mban Kosovën të izoluar, gjithmonë duke u arsyetuar me “qëndrimet e vendeve anëtare”, kështu Kosova është i vetmi vend evropian që nuk ka status kandidati për në BE dhe aplikimi i saj nuk është vendosur fare në shqyrtim. Kosova është i vetmi vend nën sanksione të BE-së të cilat Brukseli nuk e ka ndërmend që t’i heqë.
Po ashtu, në anën tjetër, kushdo që ka qenë në pushtet në SHBA e ka mbështetur Kosovën. Ka një mbështetje, siç quhet në Amerikë “bipartizane” (dypartiake), edhe nga administrata republikane, edhe nga ajo demokrate. Pasi edhe vetë shqiptarët në SHBA janë të ndarë si shtetas amerikanë në mbështetje të njërës apo palës tjetër, ka edhe garë se kush ka bërë më shumë për Kosovën. Gjatë demokratëve, NATO-ja ndërhyri për çlirimin e Kosovës, por gjatë republikanëve u arrit pavarësia e Kosovës. Bile gjatë mandatit të Trumpit, Kosova e formoi ushtrinë e saj, edhe pse NATO-ja, si organizatë, ishte kundër. Dhe tash ka të vërtetë edhe në thënien se gjatë administratës së Bidenit nuk ka pasur ndonjë avancim të Kosovës.
Është gabim të mendohet se shkëmbimi i territoreve ka qenë ide e lindur në Washington në kohën e Trumpit. Ai vetëm e ka pranuar atë si mundësi, pasi kjo ide ishte forcuar shumë në Bruksel. Bile ka të vërtetë edhe në thënien se Kosova ka përfituar më shumë në kohën e administratës së Trumpit sesa të Bidenit. Viteve të fundit SHBA-ja në dialog të Brukselit ka shërbyer më së shumti për të rritur presionin ndaj Kosovës. Ka arsye për kureshtje se si do të sillej administrata e Trumpit, nëse ai fiton, në rastin e dialogut Kosovë-Serbi. Por kjo nuk do të thotë se menjëherë në tryezë do të kthehej ideja e ndarjes së Kosovës.
Ideja ishte e presidentit të Serbisë, bazuar në qasjen se “nuk mund të fitojë njëra palë gjithçka e tjetra asgjë”. Sipas kësaj qasjeje, për të cilën kanë mirëkuptim edhe shumë qarqe në Bruksel, pavarësia e Kosovës, sipas planit të Ahtisaarit, kuptohet sikur shqiptarët kanë fituar gjithçka e serbët asgjë. Prandaj bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë do të krijonte përshtypjen se edhe Serbia ka fituar diçka e Kosova ka humbur diçka. Këtë ide e pranoi në një masë edhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e quajtur si marrëveshje për “korrigjimin e kufirit”. Ndërsa pati mbështetje në BE, sidomos nga ekipi i përfaqësueses së atëhershme të lartë, Federika Mogherini. Ajo e shihte si një rast që në fund të mandatit të saj të arrihej një marrëveshje. Shumë shtete të BE-së e mbështetën idenë. Asnjëherë kundër kësaj ideje nuk ishte shprehur as Shqipëria. Ishin Gjermania dhe Britania e Madhe, në bashkëpunim me disa vende të rajonit, që punuan maksimalisht në parandalimin e realizimit të kësaj ideje. Britania e Madhe tashmë nuk është në BE, ndërsa Gjermania është gjithmonë efikase në parandalimin e realizimit të ideve të dëmshme dhe të rrezikshme, por jo edhe për të shtyrë ndonjë zgjidhje tjetër. Politika e jashtme e Gjermanisë është shumë e dobët, e tillë është edhe në Ballkanin Perëndimor ku, siç shihet në raportet me Serbinë, interesat ekonomike janë prioritet më i madh sesa angazhimi për normalizim të situatës, për siguri apo sundim të ligjit. Por në rastin e parandalimit të ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territorit, Gjermania me disa vende të tjera ishte shumë e suksesshme. Sepse e dinte rrezikun që një opsion i tillë do ta kishte për tërë rajonin e jo vetëm për Kosovën. Amerikanët zakonisht kanë një qasje më të thjeshtë sesa evropianët. Nëse e shohin një opsion si mundësi, atëherë e mbështesin pa menduar shumë për pasojat afatgjata.
Ja ku është shembulli i Marrëveshjes së Daytonit për Bosnjë-Hercegovinën, e cila vërtet në vitin 1995 e ndali luftën, por ajo e ka bërë Bosnjë-Hercegovinën si shtet që vështir funksionon.
Kur është fala te zgjedhjet amerikane dhe pritjet se çfarë qasjeje do të ketë administrata e re, duhet kuptuar se Kosova nuk del të jetë prioritet. Bile qasja ndaj Kosovës e SHBA-së do të jetë problemi më i vogël për BE-në. Nëse Trumpi vjen në pushtet dhe ai vërtet e ndjek politikën e kthimit në normale të raporteve me Rusinë, nëse e vë në dyshim ekzistimin e NATO-s dhe gatishmërinë e saj për t’i mbrojtur aleatët në rast sulmi, do t’u bëjë shumë dëme raporteve euroatlantike. E në këto prishje të raporteve, edhe Kosova dhe Ballkani do të mund të kishin pasoja.