OpEd

Demokracia në udhëkryq

“Demokraci është kur i zgjidhni vetë diktatorët tuaj, pasi ata t`i thonë ato që dëshironi t`i dëgjoni”.

Kështu gazetari e shkrimtari britanik, Alan Coren, e ka përkufizuar vite më parë demokracinë. Për ta nënkuptuar, pavetëdijshëm mbase, sistemin qeverisës që vrullshëm sundon botën. Kjo, ngase në pushtet po katapultohen politikanë që flasin në emër të popullit, ua marrin votat krejtësisht në mënyrë demokratike, porse në fund jo gjithherë i shërbejnë atij.

Kjo prodhon një formë tjetër të demokracisë, që në leksikun politik njihet si demokraturë. Kompozitë kjo e fjalëve demokraci dhe diktaturë.

Si rrjedhojë, bota ka sot 55 shtete që janë diktatura. Indeksi i demokracisë i revistës britanike “The Economist” ka treguar se 28 shtete kanë demokraci të plotë, 30 demokraci hibride (joliberale apo të pjesshme), në të cilat, ndonëse zgjedhjet mbahen, qytetarëve u mohohet qasja në aktivitetet e pushtetmbajtësve.

Në këtë kategori, “Freedom House” e rendit edhe Kosovën tash dy vjet.

Ani pse qeverisja në Kosovë është derivat i votës së qytetarit dhe me Kushtetutë është një demokraci parlamentare, me pushtete të ndara dhe llogaridhënie të garantuar, ligjet shpesh vlejnë vetëm në letër.

Kjo, pasi pushteti është monopolizuar nga një elitë politike që flet për popullin e vepron për interesa të veta.

Ato të xhepit në rend të parë. Kësisoj, pushtetarët kosovarë i anashkaluan kompetencat dhe ua rritën vetes pagat, për t`u bërë liderët me xhepat më të thellë në rajon, sakaq paga mesatare në nivel vendi është më e ulëta. I privatizuan punësimet për t’i favorizuar “dajtë”, teksa mbi 30 për qind e qytetarëve – shumica të kualifikuar e me diploma - janë pa punë. I vunë nën kthetra gjyqësorin e arsimin. Instaluan media që e favorizojnë versionin e tyre të “së vërtetës”.

Në këtë mënyrë i dhanë goditje demokracisë, të përcaktuar me Kushtetutë, dhe ngufatën zërin e qytetarit.

Betonimi i këtij rendi ka gjeneruar erozion në besimin e qytetarëve për qeverisjen demokratike. Këtë e tregon sondazhi më i fundit i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), ku rreth 40 për qind e qytetarëve janë deklaruar të pakënaqur me drejtimin politik të vendit.

******

Kjo humbje e besimit në fakt e vë në sprovë serioze edhe vetë nocionin “demokraci”, që dita-ditës merr konotacion recesioni, një trend global i shtrirë kaherë. Shumë kohë para fjalimit të 2014-s të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kur ai zotohej për një shtet joliberal, u trasua ideja e së ardhmes për sisteme politike “as perëndimore, as liberale, as demokraci liberale dhe mbase as demokraci”. Katër vjet pas, Orban e ka shndërruar Hungarinë në gjysmautoritare – të parën brenda Bashkimit Evropian. Për ta përhapur rrymën joliberale, populiste gjithandej BE-së, duke ia dridhur themelet bllokut të krijuar si një projekt i pengimit të luftërave mes fqinjëve.

E sfiduar nga problemet e shumta, nisur nga emigracioni e Brexiti, deri te krizat financiare, BE-ja sot është e ndarë në dysh. Në bllokun liberal perëndimor – të prirë nga Gjermania e Franca – dhe atë lindor ku bëjnë pjesë grupi i ish-shteteve komuniste, në të cilat demokracia dergjet.

Kjo po ndikon që politikat joliberale të liderëve të zgjedhur populistë të shndërrohen në, siç do të thoshte presidenti francez Macron, “normalen e re të Evropës”, ku deri dje demokracia çmohej si vlerë universale. Vlerë kjo që si përbrenda hemisferës së vet, ashtu edhe gjetkë po e rrezikon edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Vendimet e njëpasnjëshme të tij për tërheqjen e Amerikës nga angazhimet globale – bazuar në sloganin “Amerika në rend të parë” – po ia vështirësojnë punët 28-s së Evropës, sidomos në përballjen me një Rusi të fuqizuar. Shtet ky që edhe vetë Trumpit i ka shkaktuar telashe serioze.

Rusia e liderit autoritar, Vladimir Putin, i cili e ka konsoliduar pushtetin në duart e tij me dominimin e skenës politike herë si kryeministër e herë si president që nga 1999-a, ka shtrirë dorën e ndikimit kudo. Posaçërisht në Ballkan, kryesisht përmes pushtetit të butë me synim të instalimit në pushtet të liderëve të favorizuar. Duke qenë aleat tradicional, Putini i dha shtysë zgjedhjes së Aleksandar Vuçiqit president në Serbi, pas dy mandateve si kryeministër.

Raporti i “Freedom House” e përmend Vuçiqin, bashkë me liderin malazias, Milo Gjukanoviq, si burrështetas që kanë “kapur shtetet respektive në demokraci hibride”. Efekti i ndikimit të Rusisë në Mal të Zi shfaqet në tetor 2016, kur autoritetet malazeze të sigurisë parandaluan përpjekjet për një grusht shtet të një grupi prej mbi 20 personash që, sipas informacioneve të atjeshme, ishin të dirigjuar nga qarqet ruse. Një përpjekje kjo për t’i bërë rezistencë ambicies së Malit të Zi për t’u përafruar me Aleancën Veriatlantike.

Ky impakt u bë sebep që BE-ja ta përshpejtojë procesin e integrimit evropian për gjashtë shtetet e rajonit, që ende nuk i kanë të zgjidhura telashet e trashëguara nga luftërat e të ‘90-ve. Ama për të cilat, pavarësisht telasheve të saj, anëtarësimi në BE po konsiderohet si njëfarë shpëtimi nga implikimet e demokracisë së pakonsoliduar.

******

Këto implikime më së shumti shpërfaqen në Turqi. Vendi dikur model i demokracisë në botën myslimane ka regjistruar rënien më të thellë të parametrave demokratikë, për të rrëshqitur në një sundim tipik autoritar.

Për shumëkë, sidomos në Perëndim, fitorja e dytë radhazi e Recep Tayyip Erdoganit në zgjedhjet e qershorit ishte e zorshme për t’u kuptuar. Kjo për faktin se ai po cilësohet si një “sulltan” që po e sundon shtetin me miratimin e më shumë se gjysmës së elektoratit turk. Një veprim të cilin po e bën kryesisht me përvetësimin e artit të gjenerimit të votave përmes kartës së nacionalizmit. Pra, me ushqimin e ndjenjave nacionaliste të asaj shtrese që Erdoganin nuk e sheh si autokrat, por lider që ua transformoi vendin, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, pavarësisht se ai tashmë është shndërruar në “baba” të Turqisë, duke e sfiduar kultin e derivonshëm të themeluesit të republikës moderne, Mustafa Kemal Ataturk.

Në kulm të pushtetit, Erdogani tregoi forcë të papërmbajtshme duke shtypur këdo që sfidonte modelin e tij qeverisës. Burgoi qindra gazetarë, opozitarë, e aktivistë, për t’ia vërë kapakun me tentim grusht shtetin e parvjetmë që i shërbeu si alibi për ta përdorur fshesën masive kundrejt rivalëve të tij nga tabori i klerikut Fetullah Gulen.

Por krejt këto veprime i maskoi me pretekstin e mbrojtjes së demokracisë, në fakt pushtetit të vet. Madje, duke mos u kufizuar vetëm në territorin e tij, por duke shpërfaqur ambicie për ndikimin edhe në vendet që dikur i takonin Perandorisë Osmane, në rastin më tipik në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në të parën me kultivimin e idesë së “vëllazërisë”, nëpërmjet afërsisë dhe interesave afariste me klasën politike kosovare, teksa në të dytën me një model të përzier të ndikimit religjioz e biznesor.

Në Kosovë, nën pretekstin e asaj “vëllazërie”, anashkaloi pushtetin, duke kryer rrëmbim klasik të gjashtë profesorëve e mjekëve “gylenistë”, saga e të cilëve ende nuk ka mbaruar. Asnjëri nga përgjegjësit institucionalë shtetërorë nuk e ka pranuar të ketë pasur dijeni për aksionin e shërbimit sekret turk në tokën kosovare, por ama e sigurt është që aksioni i kreu punë Erdoganit, duke ngre pikëpyetje të shumta për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në relacion me shefin e shtetit turk.

Gjithë kjo na kthen te kriza e besimit në demokraci, në institucione dhe procedura ligjore. Ky dhe veprime të tjera që kësisoj shkelin esencën e demokracisë bënë që besueshmëria e qytetarëve kosovarë kundrejt institucioneve të luhatet skajshmërisht, siç e nxjerrin sondazhet e fundit. Kësisoj, te kosovarët është krijuar bindja se vota e tyre nuk ka fuqi ta bëjë ndryshimin. Në pritje të ndryshimit, opsion i vetëm për kosovarët është ngushëllimi nga një sentencë e shkrimtarit amerikan Mark Twain, i cili thoshte: “Nëse vota njëmend do ta bënte dallimin, kurrë nuk do të na lejonin të votonim”!