OpEd

“Demokracia mund të jetë e brishtë”

Copëza të një fjalimi frymëzues të një kryeministreje që nuk garon për mandat të ri sepse “është qenie njerëzore dhe se duhet të tërhiqet sepse nuk ka më fuqi mendore e emocionale për të shkuar tutje”

Para tetë muajsh pata fatin dhe rastin e rrallë të dëgjoja një fjalim frymëzues nga një grua, e cila besoj, do të mund të quhej: “e jashtëzakonshme”.

Para dy ditësh, kjo grua doli në konferencë shtypi për të thënë se më nuk kishte fuqi mendore e as emocionale për ta vazhduar garën edhe për një mandat në krye të Qeverisë së shtetit të saj. Jacinda Ardern, pas pesë vjetësh e gjysmë në pushtet, deklaroi se ajo ishte vetëm një qenie njerëzore dhe se duhej të tërhiqej sepse nuk e shihte veten të gatshme për ta vazhduar punën. Ardern është 42 vjeç.

Me të dëgjuar lajmin, m’u kujtua fjalimi i saj në majin e vjetëm në Harvard. Kësaj radhe vendosa që me lexuesit e zgafelles të ndaj disa pjesë të fjalimit të saj shumë domethënës dhe me shumë porosi. Me një fjalim të këtillë, çfarëdo përpjekje “zgafellore” do të ishte e tepërt. Prandaj, ju uroj lexim të këndshëm.

* * *

Ka momente në jetë që e bëjnë botën e vogël dhe të ndërlidhur.

Ky nuk është një prej tyre.

Në Zelandë të Re jam mësuar të hyj diku e ta njoh bile dikë. E ky është njëri nga aspektet e bukura dhe të rehatshme të të jetuarit në një shtet të vogël.

Dhe derisa në këtë çast ndihem paksa në siklet, megjithatë ngushëllohem me faktin se nja 30 zelandezë të rinj studiojnë këtu dhe shikuar me statistika, bile njëri nga ta do të mund të ishte kushëri imi.

Por, janë edhe disa momente tjera që shërbejnë për të rikujtuar, se pavarësisht distancës, historive dhe përvojave shumë të ndryshme, ka shumë gjëra që na lidhin.

Në qershor të 1989-s, kryeministrja e Pakistanit ishte këtu dhe mbajti fjalimin me rastin e ceremonisë së diplomimit, të titulluar: "Kombet demokratike duhet të bashkohen".

Ajo foli për rrugëtimin e saj, rëndësinë e qytetarisë, qeverisjen përfaqësuese, të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

E takova Benazir Bhutton në Gjenevë, në qershor të 2007-s. Të dyja merrnim pjesë në një konferencë të partive progresiste nga e gjithë bota. Shtatë muaj më vonë, e vranë.

Do të ketë mendime dhe këndvështrime të ndryshme për të gjithë ne si liderë politikë. Por janë dy gjëra që historia nuk do t'i kundërshtojë për Benazir Bhutton. Ajo ishte kryeministrja e parë myslimane e zgjedhur në një vend islamik, në kohën kur ishte e rrallë ta kishe një grua në pushtet. Ajo ishte gjithashtu e para që lindi fëmijë derisa mbante postin.

Udhëheqësja e dytë dhe e vetmja që lindi, derisa ishte në detyrë, pothuajse 30 vjet më vonë, isha unë. Vajza ime, Neve Te Aroha Ardern Gayford, lindi më 21 qershor 2018. Në ditëlindjen e Benazir Bhuttos.

Rrugën që ajo e trasoi si grua është po aq e rëndësishme sot sa ishte atëherë. Dhe përderisa arsyet që e shtynë të na e jepte këtë mesazh atëherë ishin krejtësisht të tjera, fjalët e saj vazhdojnë ta kenë peshën e njëjtë. Në fjalimin e saj më 1989, ajo tha, me sa vijon: “Ne duhet të kuptojmë se demokracia… mund të jetë e brishtë”.

(. . . )

Demokracia mund të jetë e brishtë.

Kjo mënyrë e papërsosur, por e çmuar e organizimit tonë, që është krijuar për t'u dhënë zë të barabartë të dobëtëve dhe të fortëve, që është krijuar për të ndihmuar në arritjen e konsensusit - është e brishtë. Për vite me radhë duket sikur kemi supozuar se brishtësia e demokracisë përcaktohet nga kohëzgjatja. Se, disi, fuqia e demokracisë ishte si martesa - sa më shumë që zgjaste, aq më shumë gjasa kishte të qëndronte.

Por kjo është tepër që ta marrësh për të mirëqenë.

Sepse e injoron faktin se themeli i një demokracie të fortë përfshin besimin tek institucionet, ekspertët dhe qeveria – dhe se kjo mund të ndërtohet me dekada të tëra, e të shembet për pak vjet.

E injoron faktin se një demokraci e fortë mbështetet mbi debatin dhe dialogun dhe se edhe regjimet më të vjetra do të shikojnë t’i kontrollojnë këto forume, e më të rinjtë t'i çlirojnë.

E injoron faktin e asaj që ndodh, atëherë kur pavarësisht sa kohë është provuar dhe testuar demokracia - kur faktet kthehen në trillime dhe trillimet kthehen në fakte - ndalet debati për idetë dhe nis debati për konspiracionin.

E injoron realitetin e asaj me të cilën ballafaqohemi përditë.

(. . . )

E pranoj se kam njëfarë treme tek i futem diskutimit se si duhen forcuar demokracitë, kur kjo çështje shtrembërohet aq lehtë dhe aq keq, si të ishte veprim në kundërshtim me fjalën e lirë. Por këtë frikë e mbulon një edhe më e madhe: se çfarë do të ndodhë me demokracitë tona, nëse nuk veprojmë për t’i forcuar themelet e tyre. Nëse nuk e gjemë sërish aftësinë për t’i argumentuar qëndrimet tona me shumë pasion e zjarr që rrjedhin nga bindja jonë, por pa cinizëm, urrejtje dhe dhunë.

(. . . )

Platformat e mediave sociale lindën me idenë për të na ofruar lidhje e rilidhje. Me miliarda ne u futëm dhe krijuam fise e nënfise aty. Lirisht i publikuam mendimet, ndjenjat dhe idetë tona. E gjetëm një vend për të ndarë informacione, fakte, trillime të veshura si fakte, meme dhe shumë më shumë video seç kemi parafytyruar ndonjëherë. Ne gjetëm një vend për të përjetuar mënyra të reja të të menduarit dhe për t’i shprehur dallimet tona.

Por përherë e më shumë, nuk i përdorim për asnjërën nga këto.

E dyshoj shumë nëse dikush do ta ketë krijuar një grup të quajtur "Pikëpamjet politike me të cilat nuk pajtohem, por zgjedh të hyj në dialog, me respekt, për t’i kuptuar më mirë perspektivat alternative".

Si qenie njerëzore, natyrshëm jemi të predispozuar që t’i shtyjmë mendimet tona, të mblidhemi me njerëz të ngjashëm me veten dhe ta shmangim ndjenjën e frikshme të disonancës kognitive. Kërkojmë vërtetim, konfirmim, përforcim. Dhe gjithnjë e më shumë me ndihmën e algoritmeve, ajo që kërkojmë, na shërbehet, ndonjëherë edhe para se të kuptojmë se në fakt po e kërkojmë.

Pra, nuk jam këtu për të thënë nëse mediat sociale janë të mira apo të këqija. Rrjetet sociale janë mjet. Dhe si me çdo gjë tjetër, janë rregullat e lojës dhe mënyra se si merremi me të, ato që kanë rëndësi. Por mediat sociale kanë shumë rëndësi. Dhe ndoshta, shumë më tepër nga sa mendonim.

(. . . )

Së voni pata privilegjin t’i bashkohesha ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, në një panel. Mbajti pushtetin për 16 vjet. E pyeta se si ia doli. Përgjigja e saj ishte se "gjërat kanë ndryshuar shumë". Gjatë diskutimit në panel, duke iu referuar ndryshimit, komentoi: “Në të kaluarën, ndodhnin ngjarjet në shoqëritë tona, dhe televizionet raportonin. Të nesërmen të gjithë flisnin për to”.

Sot, madje edhe ky veprim i thjeshtë ka ndryshuar.

Ato që ne i konsiderojmë si media tradicionale janë përhapur, por strukturat e pronësisë nuk janë përhapur. Mediat tradicionale kanë shtresa të përgjegjësive dhe të pritshmërive të profesionit të gazetarisë, që të tjerët, të cilët gjithashtu na japin informacione, nuk i kanë. Ka konkurrencë për të ardhurat nga reklamat me shërbime parapagimi, me qëllimin që të ndihmohet mbijetesa e më të qëndrueshmëve – kurse më të qëndrueshmit përkufizohen sot për nga aftësia për të arkëtuar para nga përmbajtja që prodhojnë. Dhe esenca e gjithë kësaj është se më nuk bëhet fjalë se si i qasemi informacionit për të krijuar debatin, por nëse këtë mund ta quajmë informacion fare.

(. . . )

E pranoj se kjo që po e përshkruaj duket fotografi e keqe dhe e pakapërcyeshme. Por jam optimiste nga natyra. Dhe përderisa nuk mund ta ndërrojmë të gjithë mjedisin ku jemi, ne mund ta ndryshojmë veten. Të bëhemi më të fuqishëm e më të qëndrueshëm pavarësisht rrymimeve.

Në epokën e dezinformimit, duhet të mësojmë ta analizojmë informacionin me sy kritik. Historia e jonë na e tregon rëndësinë e kësaj. Por, po ashtu edhe e tashmja jonë.

Jeni të rrethuar dhe përherë do t’ju rrethojnë paragjykimet. Do të vazhdoni t’u jeni të ekspozuar dezinformatave. Dhe me kohën, "zhurma" që ju rrethon do të bëhet edhe më e rëndë.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, kur u miratua kushtetuta amerikane, Benjamin Franklin u pyet se çfarë ishte krijuar dhe u përgjigj: "Një republikë, nëse mund ta mbani ".

Nëse JU mund ta mbani.

Po, diversiteti i qasjes së mediave tradicionale është shumë me rëndësi. Përgjegjësia e mediave sociale është e rëndësishme. Mësimi i fëmijëve tanë për t'u marrë me dezinformatat dhe roli që e luajmë ne si udhëheqës, të gjitha kanë rëndësi.

Por edhe ju jeni të rëndësishëm.

Mënyra se si zgjidhni të angazhoheni me informacionin, të merreni me konfliktin ose të përballeni në debate, se si merreni me “karremat” apo urrejtjen – të gjitha janë të rëndësishme. Në sfidat dërrmuese që shtrihen përpara nesh, në përpjekjet tona të vazhdueshme për të arritur sa më lart në sisteme, struktura e pushtet, mos e anashkaloni ndikimin e hapave të thjeshtë që i keni përpara.

Mos e harroni ndikimin që kemi secili si individ.

Për të zgjedhur që t’i qasemi dallimit me empati dhe mirësi.

Këto janë vlerat që ekzistojnë në hapësirën ndërmjet dallimit dhe ndarjes. Janë po ato gjëra që ua mësojmë fëmijëve tanë, por më pas i shohim si dobësi te udhëheqësit tanë.

Çështjet me të cilat merremi si shoqëri vetëm sa do të intensifikohen. Dezinformimi vetëm do të rritet. Tërheqja në komoditetin e “fiseve” tona do të zmadhohet. Por varet nga ne që të sigurohemi se kjo nuk do të na thyejë. Jemi shumë më të pasur për shkak të dallimeve dhe me të varfër për shkak të ndarjeve.

Nëpërmjet debatit dhe dialogut të mirëfilltë, nëpërmjet rindërtimit të besimit te informata dhe te njëri-tjetri, nëpërmjet empatisë – duhet ta rimarrim hapësirën në mes.

Fundja, ka disa gjëra në jetë që e bëjnë botën të vogël dhe të ndërlidhur. Le të jetë mirësia njëra nga to”.

[email protected]