OpEd

Deklarata multilaterale e pavarësisë së Kosovës

Kurdo që dikush përmend se Kosova më 17 shkurt 2008 ka bërë “shpalljen e njëanshme të pavarësisë” ka për qëllim që këtë akt ta relativizojë apo ta bëjë problematik. Për nga natyra shpalljet e pavarësisë janë të njëanshme. Pra i bëjnë përfaqësuesit e një populli në një territor, ndërsa të tjerët vendosin ta njohin apo jo. E tillë ka qenë edhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, edhe ajo e Kroacisë e Sllovenisë me 1991. Por nuk ka shpallje të pavarësisë në Evropën moderne të ketë qenë më pak “unilaterale” sesa ajo e Kosovës. Procesi që çoi deri tek ajo, koordinimi me faktorët kryesorë ndërkombëtarë, kushtet me të cilat u shpalla, afati kohor, përmbajtja e Kushtetutës, flamurit, himnit, e shumë elemente të tjera në fakt e bëjnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës të jetë multilaterale

Kosova po shënon përvjetorin e saj të 17-të të shpalljes së pavarësisë. Nëse krahasohet kjo moshë me atë të njeriut atëherë vitin që vjen Kosova do të mbushë moshën madhore, duke u bërë 18 vjeçe. Edhe ky përvjetor po e zë Kosovën në një situatë në të cilën ka arritur një pjekuri prej shteti, në shumë fusha më mirë sesa disa vende të tjera fqinje, ka struktura funksionale shtetërore, por nga ana tjetër, nuk e ka rrumbullakosur subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Në fakt, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar ka ngecur tash e disa vjet. Me përjashtim të njohjes nga Izraeli për shumë vite nuk ka pasur njohje të reja nga ana e ndonjë shteti tjetër.

Nuk ka pasur tentime të reja për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol ku para shumë vjetësh Kosova kishte dështuar. Dhe Kosova, me apo pa fajin e saj, në vitin 2024 dështoi të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës ku ishte shumë, shumë afër. Dështimin për t’u bërë Kosova anëtare e Këshillit të Evropës e orkestruan vendet mike si Franca, Italia, Britania e Madhe, në fund edhe Gjermania dhe këtë e bën edhe me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkaku ishte refuzimi i qeverisë së Kosovës që të dëgjojë këshillat e vendeve që përbëjnë grupin e Quintit për të dërguar një draftstatut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ose ishte kalkulim i gabuar i Qeverisë së Kosovës duke besuar se, të ndeshura me faktin se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës fuqishëm kishte rekomanduar anëtarësimin, këto vende të ndërrojnë mendjen, ose ishte kalkulim i qëllimshëm duke vlerësuar se dëmet nga Asociacioni do të ishin më të mëdha sesa dobitë nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

Dhe në fund u dëshmua se e kishin gabim ata diplomatë që mendonin se “do të bëhet një procedurë e shpejtë dhe një takim i jashtëzakonshëm brenda disa muajsh për ta pranuar Kosovën”. Jo që nuk u bë, po as që mund të bëhet deri në muajin maj, nëse edhe atëherë.   

Dështimet e Kosovës në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar janë edhe pasojë e sjelljes jokorrekte dhe joparimore të organizatave ndërkombëtare e në veçanti e Bashkimit Evropian. Po ashtu është edhe pasojë e dialogut, i cili me lehtësimin e BE-së po zhvillohet në Bruksel. Ky dialog, në vend që të ndihmojë Kosovën për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare, është bërë një prej pengesave kryesore për të arritur këtë qëllim.

BE-ja qëllimisht ka heshtur sa herë që Serbia ka bërë hapa, edhe formalë edhe joformalë, kundër njohjeve të Kosovës dhe integrimit në strukturat ndërkombëtare. Kjo është shkelje e asaj që BE-ja e quan “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, një prej pikave të së cilës thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Ky përvjetor i pavarësisë së Kosovës po e gjen atë edhe në një situatë ku qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në politikën ndërkombëtare, sidomos raportet me aleatët evropian, janë krejtësisht të paparashikueshme.

Aq janë dramatike ndryshimet, saqë presidenti amerikan kërcënon me aneksim të territoreve të vendeve aleate si Kanadaja dhe Danimarka, ndërkohë që paralajmëron bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën. Kemi një president, i cili akoma nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, ka nisur shpërbërjen e agjencive shtetërore të cilat kanë qenë pjesë e imazhit të Amerikës në botë, u ka hyrë edhe atyre të sigurisë kombëtare ndërsa bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë duan të ndërhyjnë në zgjedhjet e vendeve aleate duke mbështetur forca politike të ekstremit të djathtë.

Ndërsa respekt kanë për diktatorë dhe udhëheqës autoritarë. Ta dish me saktësi se si do të sillet kjo administratë amerikane me Kosovën duket pak pretencioze. E për Kosovën, sikur edhe për pjesë të tjera të rajonit, një konflikt i Amerikës me aleatët evropianë nuk mund të sjellë dobi. Edhe pse Ballkani, me Kosovën në të, është pjesë e Evropës, si një enklavë e rrethuar nga vendet e BE-së, problemet në këtë rajon janë zgjidhur vetëm me bashkëpunimin e plotë ushtarak, politik, ekonomik dhe humanitar mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Askush nuk mund ta dijë se si do të shkojë ky bashkëpunim tash e tutje.

Bashkësinë ndërkombëtare duhet rikujtuar se Kosova që nga fillimi i luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë ka përfillur më shumë sesa kushdo tjetër kërkesat dhe këshillat e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe nuk ka qenë e lehtë. Që nga pranimi i Marrëveshjes së Rambouilltetit e deri te Pakoja e Ahtisaarit.

Sa herë që dikush përmend se Kosova më 17 shkurt 2008 ka bërë “shpalljen e njëanshme të pavarësisë” ka për qëllim që këtë akt ta relativizojë apo ta bëjë problematik. Për nga natyra shpalljet e pavarësisë janë të njëanshme. Pra i bëjnë përfaqësuesit e një populli në një territor, ndërsa të tjerët vendosin ta njohin apo jo. E tillë ka qenë edhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë me 1912, edhe ajo e Kroacisë e Sllovenisë më 1991. Por nuk ka shpallje të pavarësisë në Evropën moderne të ketë qenë më pak “unilaterale” sesa ajo e Kosovës.

Procesi që çoi deri tek ajo, koordinimi me faktorët kryesorë ndërkombëtarë, kushtet me të cilat u shpalla, afati kohor, përmbajtja e Kushtetutës, flamurit, himnit, e shumë elemente të tjera në fakt e bëjnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës të jetë multilaterale.     

Edhe njohjet u arritën në fazën e parë më së shumti falë veprimit të përbashkët, të koordinuar, mes vendeve që ishin pjesë aktive e shpalljes multilaterale të pavarësisë së Kosovës. Shumica e vendeve që njohën Kosovën i përkasin asaj që njihet si “bota demokratike perëndimore” ose aleat dhe partner të perëndimit dhe vende ku perëndimi ka ndikim. Kjo shihet qartë edhe sot nëse shikohet harta e botës me vendet që e kanë njohur Kosovën.

Sa i përket numrit të njohjeve Serbia pretendon se 29 prej atyre që e kishin njohur Kosovë e kanë tërhequr njohjen. Nga Kosova nuk ka konfirmime të tilla. Do të ishte logjike që një vend i cili tërheq njohjen ta njoftojë vendin përkatës për të cilin e ka tërhequr atë e jo ndonjë vend tjetër. Prandaj edhe nuk mund të duket me siguri të plotë se sa vende janë sot që e kanë njohur Kosovën.

Kjo varet nga shumë faktorë.

Ja për shembull Kroacinë sot akoma nuk e kanë njohur tri shtete, edhe pse pavarësia e Kroacisë ishte shpallur para 34 vjetësh. E të tri këto shtete ndër të parat e kishin njohur Kosovën. Emrat e tyre shumë njerëz i dëgjuan për herë të parë kur u shpall se ato e kanë njohur Kosovën.    

Por për Kosovën njohjet kanë rëndësi më të madhe sesa për Kroacinë, pasi Kosova ka pengesa për t’u bërë anëtare jo vetëm e organizatave ku Rusia ka të drejtë vetoje por edhe në BE. Fakti se pas dy vjetësh nuk është shqyrtuar fare kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE e dëshmon më së miri këtë. E BE-ja kishte rolin kryesor në koordinimin e shpalljes së pavarësisë para 17 vjetësh, sepse caktohej edhe roli i saj pas asaj shpallje. Pikërisht për këtë Koha Ditore disa javë para shpalljes së pavarësisë kishte shkruar në ballinë se ajo do të shpallej më 17 shkurt, edhe pse askush nuk e dinte këtë saktësisht në atë kohë.

Koordinimi është i rëndësishëm edhe sot për të sqaruar se si Bashkimi Evropian doli të jetë elementi kryesor i cili nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe pritjeve që kishin ekzistuar në ndërmarrjen e përbashkët të shpalljes së pavarësisë multilaterale të Kosovës.

Vetë shpallja e pavarësisë erdhi pas një procesi politik ndërkombëtar, i udhëhequr nga Marti Ahtisaari si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Negociatat u zhvilluan sipas udhëzimeve të Grupit të kontaktit me të cilat u pajtua jo vetëm BE-ja por edhe Rusia. Dhe në atë proces kujdes i veçantë i kishin kushtuar nevojave të BE-së dhe rolit që ajo pritej ta luante në vazhdim të procesit. Në ekipin e Ahtisaarit numri më i madh ishte i përfaqësuesve të BE-së. Edhe në Troikën që pasoi pas propozimit të Ahtisaarit, krahas përfaqësuesit të SHBA-së dhe Rusisë ishte edhe ai i BE-së.

Prandaj doli si befasi e madhe kur BE-ja u përça keq rreth statusit të Kosovës pas shpalljes multilaterale të pavarësisë të hënën më 18 shkurt 2008 në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel. Ishte kjo hera e dytë që BE-ja e kishte tradhtuar procesin ku vet e kishte rolin kryesor. Një vit më herët një numër i vogël i shteteve të BE-së nuk e kishin mbështetur Pakon e Ahtisaarit.

Kështu Ministrat e BE-së, nën kryesimin e Ministrit të jashtëm të Sllovenisë Dimitrij Rupel, nxorën një deklaratë të pazakonshme. Në të u shprehen:

“Me 17 Shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën me të cilën e shpall Kosovën si të pavarur. Këshilli merr në dijeni se kjo rezolutë e obligon Kosovën për respektimin e parimeve të demokracisë dhe barazisë së qytetarëve të sajë, mbrojtjen e serbëve dhe minoriteteve tjera, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe mbikëqyrje ndërkombëtare”.

Këshilli po ashtu nënvizoi se BE-ja u mbetet besnike parimeve të Kartës së OKB-së dhe Aktit final të Helsinkut, përfshirë edhe parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Nënvizon besimin se, duke pasur parasysh konfliktet e viteve 1990 dhe periudhën e zgjatur të administrimit ndërkombëtarë nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Kosova paraqet një rast sui generis që nuk vë në pikëpyetje këto parime dhe Rezoluta”. 

Në komunikatën e Këshillit të BE-së flitej edhe për gatishmërinë që BE-ja të luajë rolin në terren në Kosovë përmes pranisë së vet, dhe përshëndetej edhe gatishmëria e pranive të tjera ndërkombëtare.

Asgjë në këtë reagim të parë të BE-së nuk u tha për vetë statusin dhe qëndrimin e BE-së për statusin. Ky ishte një dështim i madh politik i BE-së, pasojat e të cilit po ndihen edhe sot, edhe për Kosovën, por edhe për BE-në. Shumica e madhe e vendeve të BE-së e njohën pavarësinë e Kosovës, por 5 vende (Greqia, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Spanja) nuk e njohën.

Ato patën interpretimin se duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës po e “respektojnë të drejtën ndërkombëtare”. Në këtë mënyrë dolën në anën e Rusisë kundër shumicës së vendeve të BE-së.

Institucionet e BE-së vendosën të përdorin një argument formal, duke thënë se “BE nuk njeh shtetet por kjo është kompetencë individuale e vendeve anëtare”. Por kjo nuk është krejtësisht e  vërtetë. BE zakonisht merr qëndrim politik për njohjen e shteteve ndërsa këtë e formalizon secili vend anëtar duke vendosur raporte diplomatike me atë shtet.

Para Kosovës pavarësinë e Kishte shpallur Mali i Zi. Në atë rast BE u kishte bërë thirrje vendeve të saja anëtare që “të vendosin raporte me Malin e Zi si shtet Sovran”. Edhe Kroacinë BE e kishte njohur kolektivisht më 15 janar 1992. Njohjen nga 12 anëtarët e atëhershëm të BE-së Kroacia edhe sot e kësaj dite e feston si “ditën e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë”. Në rastin e Kosovës nuk kishte pajtim për këtë e nuk ka as sot.

BE-ja kishte humbur tri raste të rëndësishme për Kosovën. Ka dështuar në vitin 2007 të mbështes unanimisht Pakon e Ahtisaarit. Ka dështuar më 18 shkurt 2008 të ketë qëndrim politik të përbashkët për njohjen e Kosovës si shtet.

Ka dështuar në vitin 2011 për të njohur shtetësinë e Kosovës nga të gjitha shtetet pasi më nuk vlente arsyetimi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Sepse autoriteti kryesor në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ishte shprehur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare e as nuk shkelte as Rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së. Edhe tash 17 vjet më vonë akoma 5 vende të BE-së mbajnë qëndrimin e njëjtë kundër shumicës së madhe të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Pasojat janë të mëdha për Kosovën, por edhe për kredibilitetin e BE-së që synon të jetë “aktor global” e nuk ka qëndrim as për një çështje të rëndësishme në oborrin e saj. 

Dhe vërtet sot kur BE-ja vajton se nuk po konsiderohet kurrfarë faktori në botë, se po injorohet nga SHBA në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duhet të mendojë mirë se sa ka kontribuar vet që të jetë kështu. Nëse BE pas 14 vjetësh dialog nuk është në gjendje të hap një urë që lidh dy pjesë të një qyteti në Kosovë si mund të jetë faktor i respektuar në rastin e Ukrainës apo Gazës. Edhe 17 vjet pas pavarësisë, edhe 14 vjet pas nisjes së dialogut, nga BE-ja për Kosovën dëgjojmë se si “do të ulen dhe të shikojnë se si të vazhdohet tutje!!!”.