OpEd

“Debate publike” pa publik: Lufta e vazhdueshme për rritje të transparencës dhe llogaridhënies gjatë proceseve vendimmarrëse

Gjendja aktuale e debateve publike në Kosovë, të mbajtura pa publik, kërkon reforma urgjente. Përfshirja e shoqërisë civile dhe publikut të gjerë në këto debate nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një detyrë morale për të siguruar që vendimet mjedisore të merren në interesin më të mirë të të gjithë aktorëve. “CorrWatch” vazhdon të luftojë për këtë kauzë duke avokuar për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe transparente në qeverisjen mjedisore në Kosovë

Në Kosovë, në një vend të njohur për peisazhet e saja mahnitëse dhe natyrën e paprekur, ekziston një problem themelor – ndërtime pa leje dhe investime pa vlerësime të mirëfillta të ndikimit në mjedis. Çdo projekt, nga ndërtimi i fabrikave, rrugëve, dhe hidrocentraleve, që ka potencialin të ndotë ajrin, ujin dhe tokën, është i detyruar të respektojë masat e përcaktuara në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). Këto raporte hartohen nga individë të licencuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Ndonëse procesi i licencimit për individë dhe subjekte juridike, sipas legjislacionit aktual, duhet të bëhet të paktën një herë në vit përmes një thirrjeje të hapur nga MMPHI, thirrja e fundit e tillë në Kosovë ishte hapur katër vjet më parë. Aktualisht, në listën e personave të licencuar për hartimin e raporteve të VNM-së figurojnë 78 individë, por vetëm 14 prej tyre janë përgjegjës për përgatitjen e 40 raporteve këtë vit. Ndër ta, një bashkëpunëtor kishte licencën e tij të tërhequr në vitin 2023, duke ngritur shqetësime mbi cilësinë dhe integritetin e vlerësimeve që po shndërrohen në projekte të zbatueshme. Më shqetësues është fakti që debatet publike po mbahen pa praninë e publikut. Kërkesa e “CorrWatch” për pjesëmarrje direkte në mbledhjet e komisionit për shqyrtimin e aplikacioneve për lejet mjedisore dhe lejet ujore është në pritje në Ministrinë e Mjedisit për dy vjet. Ky përjashtim i pjesëmarrjes së publikut bie ndesh me dispozitat ligjore që mbrojnë përfshirjen e shoqërisë civile, duke ngjallur dyshime në rrjedhojën e këtyre proceseve. 

Debatet publike janë jetike për sigurimin e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve përgjatë zbatimit të projekteve me ndikim në mjedis. Ato mbahen me qëllim të ofrimit të një hapësire të përbashkët ku qytetarët mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe në anën tjetër investitorët të mbrojnë interesat e tyre. Mungesa e pjesëmarrjes së publikut në këto debate minon vetë thelbin e qeverisjes demokratike dhe në fund llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse.

Nga 1 janari 2024 deri më 30 qershor 2024, “CorrWatch” monitoroi 40 debate publike, megjithatë, pjesëmarrja e qytetarëve u regjistrua vetëm në 12 prej tyre. Si pasojë, raportet e VNM-së nuk u prezantuan siç duhet; në shumë raste, mbledhjet virtuale mbetën të hapura pa asnjë angazhim aktiv nga publiku. Kjo mungesë e pranisë nënkupton që MMPHI nuk mund të mbahet përgjegjës vetëm për mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e këtyre vlerësimeve mjedisore. Për më tepër, nga 78 personat e licencuar për hartimin e raporteve të VNM-së në vitin 2024, vetëm 14 kanë përgatitur 40 raportet e nevojshme për këtë vit. Të tjerët ose nuk kanë pasur mundësinë ose kanë refuzuar të punojnë, duke theksuar një hendek të rëndësishëm në procesin e licencimit dhe funksionimit. Kjo përkeqësohet më tej nga fakti që nuk janë lëshuar thirrje të reja për licencimin e individëve dhe subjekteve juridike të rinj, duke penguar futjen e ekspertizës së freskët në sistem.

“CorrWatch” avokon për një kuadër të qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ku shoqëria civile luan një rol thelbësor në monitorimin dhe sigurimin që këto procese janë duke u zbatuar në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi. Përpjekjet e konsorciumit theksojnë nevojën që si OJQ-të ashtu edhe qytetarët të jenë të angazhuar në këto procese për të parandaluar krijimin e një strukture të qeverisjes që operon në izolim nga mbikëqyrja publike.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.  Lufta e vazhdueshme për të përfshirë pjesëmarrjen e publikut në debatet mjedisore në Kosovë nxjerr në pah një problem sistemik që kërkon vëmendje të menjëhershme. Nuk është vetëm për të përmbushur kërkesat ligjore, por është për të kultivuar një kulturë transparence dhe llogaridhënieje që është themelore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurimin e një sistëmi të drejtë ligjzbatues.

Në përfundim gjendja aktuale e debateve publike në Kosovë, të mbajtura pa publik, kërkon reforma urgjente. Përfshirja e shoqërisë civile dhe publikut të gjerë në këto debate nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një detyrë morale për të siguruar që vendimet mjedisore të merren në interesin më të mirë të të gjithë aktorëve. “CorrWatch” vazhdon të luftojë për këtë kauzë, duke avokuar për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe transparente në qeverisjen mjedisore në Kosovë.

(Autori është hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP). Ky publikim i prin implementimit të projektit “CorrWatch”: "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës", mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).