OpEd

Damnatio memoriae apo dënimi i harresës

Orwell: “Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen: ai që kontrollon të tanishmen, kontrollon të kaluarën”

1.

“Damnatio memoriae” apo dënimi i harresës është përshkrim në latinisht i një fenomeni që është i vjetër sa edhe njerëzimi, ai njerëzim që ka ditur të flasë dhe të shkruajë.

Në Romën antike do të dënohej me harresë dikush prej kundërshtarëve politikë. Ai nuk duhej të mbahej në mend, dhe rrjedhimisht shpirti i tij do të kalonte në Had e do të kalonte përjetësinë si hije.

Fenomeni është shumë më i vjetër se kaq. Është veprimi i pushtetit-moral e religjioz, politik, ekonomik apo i të gjithëve së bashku-që të dëbojë nga kujtesa emrin a veprën e dikujt që është në kundërshtim me atë pushtet. Për tre mijë vjet rresht “Damnatio memoriae” ka qenë fshirja e emrit apo fytyrës së ndonjë faraoni a princi në sarkofag, thyerje e idhujve paganë për t’i liruar vend idesë së një Zoti, heqja e ndonjë libri nga lektyra apo në mungesë të “photoshopit”, retushimi me dorë i fotografive, si p.sh. të Stalinit apo Enver Hoxhës, në mënyrë që vit pas viti dhe ekzekutim pas ekzekutimi diktatorët të mbetnin me numrin minimal të lojalistëve.

Ushtrimi i “Damnatio memoriae” filloi, pra, para se të lindte ky togfjalësh në shekullin XVII dhe vazhdoi me ushtrim, duke mos ditur shumë për të. Gjatë shekullit XX janë ndërruar emrat e qyteteve e të rrugëve, janë emërtuar institucione kulturore, aeroporte, me qëllim parësor të vendosjes së autoritetit të pushtetit në fuqi. Këtë e kemi përjetuar pothuajse të gjithë, e ata që kanë moshë si nëna ime e kanë përjetuar disa herë, me ndërrimin e shpeshtë të pushteteve. Sot kemi këta emra rrugësh, institucionesh e aeroporti, sepse e këtillë ka qenë kërkesa e pushtetit në fuqi. Sot janë zhdukur disa monumente e janë ngritur disa të tjera, sepse ushtrohet dëbimi i një kujtese dhe bëhet ftesë për hyrje në një kujtesë tjetër.

George Orwell, ndonëse e përshkroi fenomenin si pjesë të totalitarizmit, në romanin “1984” dha formulën e cila fitoi aplikim universal:

“Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen: ai që kontrollon të tanishmen, kontrollon të kaluarën”.

2.

Pra, jetojmë në garën për të kontrolluar të kaluarën, rrëfimet e së kaluarës, në mënyrë që të kontrollojmë se si do të duket e ardhmja.

Por pyetja që vlen në këtë shekull është se kush e kontrollon të tashmen, rrëfimet e të tanishmes? Madje, edhe po të hiqet fjala “kontroll” si totalitare dhe të thuhet se çfarë janë rrëfimet që dominojnë të tanishmen, nuk jam i sigurt se kemi përgjigje. Hapësira publike, ajo që në shekullin XX ishte “agora”, tregu i ideve konkurruese (dhe e regjimeve që donin t’i kontrollonin këto ide), në këtë shekull janë gjithnjë e më shumë Facebook dhe Big Brother. Në të çdo mendim është i barasvlefshëm me tjetrin. Rrjedhimisht, ai që në Big Brother thotë se Toka është e rrafshët ka vlerë të njëjtë qytetarie sa edhe dy mijë vjet zhvillimi shkencor. Ai që në Big Brother thotë se Toka është e rrafshët ka vlerë të njëjtë qytetarie sa edhe Giordano Bruno, që u dogj deri në vdekje për këtë mendim. Dhe, përderisa matematikisht është lehtë e llogaritshme se njerëzit pa arsim, mendim kritik dhe njohuri janë përpjesëtimisht më të shumtë në numër sesa ata që kanë edukatë, mendim kritik dhe njohuri, atëbotë kontrolli i së tashmes në fjalët e Orwellit ka gjasa t’i përkasë gjithnjë e më shumë çiftit të atij që thotë se Toka është e sheshtë. Dhe rrëfimet e tij duhet të shërbejnë që e ardhmja t’u takojë po atyre.

3.

Në kujtesën e kësaj kategorie nuk do të hyjë arkitekti Bashkim Fehmiu.

Qe një njeri i kulturës së kujtesës.

Çdo 22 dhjetor, prej vitit 1989 e tutje, diku pas orës 6 pasdite do të vinte në banesën tonë për të qenë me ne, familjarët e shokut tij të shkollës, të asaj fillore e të gjimnazit. Sytë e tij bartnin atë ditë gëzimin e rinisë dhe adoleshencës së kaluar. Fjalët e tij bartnin kujtimet e një rinie të varfër në para e të pasur me epsh për më shumë njohuri, kulturë dhe kapërcim barrierash, posaçërisht barrierash për shqiptarët në Jugosllavinë socialiste.

Në traditën e Fehmiasve, mbase të trashëguar prej babait Ibrahimit, rrëfimi i kujtimit të tij do të fillonte me : “Ishte dikund ora 15 e 25 apo 15 e 30, rigonte pak shi atë ditë të 27 marsit dhe fillonte të ndihej pranvera, kur bleva biletën time të parë të kinemasë...”.

Dhe me të njëjtin precizitet do të përshkruante ditët kur, gjatë pushimeve të para verore si student i arkitekturës, profesori i tij e kishte angazhuar që së bashku ta bënin incizimin arkitektonik të Prizrenit. E incizimi, thoshte axha Bashko, qe ambicie e profesorit që sikundër Le Corbusie me qytetet e Magrebit, ta ruajë strukturën e qytetit me ndërlidhje kreative modernizmi. Tridhjetë vjet më vonë , kjo kujtesë i shërbente Bashkim Fehmiut për të deklaruar vizionin e tij për shekullin që vinte , ai XXI , si shekull ku Kosova bëhej megalopolis, një qytet i madh.

Sytë e përhershëm të rinisë së buzëqeshur vinin çdo 22 dhjetor , diku pas orës 18, sepse Bashkim Fehmiu besonte thellë se rrëfimi i së kaluarës është jeta vetë. Sepse duke rrëfyer për njerëzit ua japim jetën edhe pasi ajo të jetë ndalur fizikisht.

Axha Bashko, është ditë e ftohtë me pak acar, është ora që e shohim në dorë , dhe sot kur janë duke u lexuar këta rreshta ti je diku këtu, me jetën tënde të pambaruar, mes nesh.

4.

Dhe axha Bashko, kujtesa duke qenë jetë, është lëvizje.

Vajza ime Rea, fëmija im i parë, u kthye një ditë prej mësimit të shkollës fillore, atëbotë kur shkolla e tanishme “Ismail Qemali”, në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte ndarë në dysh. Pjesa më e mirë e godinës iu dha nga regjimi i dhunshëm nxënësve me mësim në gjuhën serbe , pastaj u vendos një mur dhe ana e mbetur e godinës iu dha nxënësve në gjuhën shqipe. E pyeta se si kishte kaluar dhe më tha që kishin bërë gjuhë shqipe 10 minuta, pastaj 15 minuta ushtrime fizike, pastaj 10 minuta matematikë dhe 15 minuta ushtrime fizike, dhe kështu me radhë. Të nesërmen do të kuptoja që në godinën e ndarë në dysh fëmijët shqiptarë nuk kishin ngrohje.

Djali im Nuri, fëmija im i katërt (dhe të më falin Zoja e Deti, e dyta dhe i treti që nuk po i përmendi në këtë rrëfim) u kthye nga shkolla këto ditë dhe ma tregoi testin e edukatës qytetare për të cilin kishte marrë notën më të lartë. Në test ishte paraqitur një vizatim me titull të cilin nxënësit duhej ta komentonin, dhe ai shkroi: “Me këtë fotografi unë kuptoj se mund të jemi të ndryshëm, kemi racë të ndryshme, fe të ndryshme, gjuhë të ndryshme, por akoma jemi të barabartë” . Gati tridhjetë vjet pas kujtesës së Reas po lind një rrëfim i ri, të cilin Nuri e përmblodhi me fjalinë përfundimtare:

“Askush nuk është më i rëndësishëm se tjetri”.

Dhe kjo, formësimi i një shoqërie tolerante, është përgjigjja më e mirë e gjeneratës së Nurit e Detit për kujtesën e pabarazisë që përjetuan gjenerata e Zojës dhe Reas.

Kujtesa mund të jetë edhe ndryshim.