OpEd

Çrregullimi akut i deficitit të lidershipit

“E dëgjova deklaratën e Radojçiqit, që fliste aty nga ndonjë kodër e Leposaviqit. Deformimi im profesional nga përvoja me muzikën më bëri që ta dëgjoja tonalitetin e njëjtë, diksionin e njëjtë, fjalorin e njëjtë dhe ritmikën e fjalëve si të Vuçiqit... Presidenti i Serbisë më pas deklaroi se nuk i intereson se çfarë deklaron Radojçiqi dhe se, sipas tij, ato deklarata mund t’i bëjë prej cilit vend të dojë, sepse është një qytetar i lirë. Me këtë deklaratë Vuçiqi fillimisht e pastron veten nga trazirat e mundshme në veri në një të ardhme të afërt, duke hedhur topin kinse te Radojçiqi

Minjtë janë të parët të cilët e lëshojnë anijen që fundoset. Një ngjarje e ngjashme është duke ndodhur me Qeverinë britanike, ku deri në momentin në të cilin po shkruaj 52 (dhe ky numër rritet nga minuta në minutë) pjesëtarë të kabinetit të kryeministrit Boris Johnson kanë dhënë dorëheqjet e tyre dhe kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me joseriozitetin se si vendi është duke u udhëhequr. Përkundër faktit se të gjithë e kërkuan dorëheqjen e kryeministrit, Boris Johnson vazhdon që ta kryejë detyrën e tij dhe kërkon emra të rinj atje nga fundi i anijes për t’i zëvendësuar të dorëhequrit. Arsyet të cilat ai i jep për mosdorëheqjen e tij janë lufta në Ukrainë, situata e ndjeshme politike e financiare, si dhe masat e ndërmarra për t’i zbutur ato.

Një thënie e vjetër turke thotë "kur ta vendosësh palaçon në fron, ai nuk shndërrohet në mbret, mirëpo pallati shndërrohet në cirk". Mendoj se ky proverb më së miri e sqaron gjendjen aktuale politike me politikëbërësit e shekullit 21. “Palaço” nga të gjitha anët e globit, të cilët luajnë me fatin e 8 miliardë njerëzve e ku pjesa më e madhe e këtyre njerëzve as që ia kanë haberin se çfarë ndodh sot nëpër botë. Britania e Madhe momentalisht përballet me çrregullimin akut të deficitit të lidershipit.

***

Është interesante se si në Kosovë një ngjarje e cila bëhet aktualitet më pas përcillet nga një ngjarje tjetër, e cila pastaj edhe i zbeh qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e aktualitetit të ngjarjes fillestare.

Nëse i marrim si shembull pakënaqësitë e veteranëve, si dhe protestat e tyre për kundërshtimin e mosrritjes së pagës minimale për veteranë, si dhe argumentet e Qeverisë (të cilat gjatë viteve janë konfirmuar nga të gjithë akterët dhe udhëheqësit aktual politikë) se nuk do të mund të ketë një rritje të tillë përderisa listat e veteranëve nuk pastrohen fillimisht.

Në Kosovë i madh e i vogël, apo siç preferojnë të deklarojnë politikanët - edhe zogjtë nëpër dru e dinë se listat e veteranëve janë të fryra dhe se ata veteranë e familjarët e tyre gjatë viteve janë shfrytëzuar si basen votash për partitë dhe politikanët e caktuar. Botërisht është thënë se numri i pjesëmarrësve në luftën e fundit të zhvilluar në Kosovë ka qenë prej 12.000 – 20.000, mirëpo assesi 60.000 sa përfitojnë sot nga ai status.

Ngjarja tjetër e cila edhe pse direkt nuk ndërlidhet me pakënaqësinë e veteranëve me Qeverinë, ndërlidhet me sjelljet tribale të një veterani apo ish-gjenerali, përkatësisht të Nuredin Lushtakut, e që në mënyrë indirekte e dëmton edhe ashtu kauzën e shpifur të veteranëve të rrejshëm. Ndalimi i djalit të z. Lushtaku në orët e vona të natës nga patrulla e policisë, si dhe shqiptimi i një tikete dënimi të trafikut, solli deri te situata ku djali telefonon babanë e tij e ky pastaj së bashku me burra të tjerë familjarë vijnë në vendin e ngjarjes, ku njëri polic rrihet brutalisht e tjetri merr plagë nga arma e zjarrit.

Joserioze dhe qesharake, thënë më së buti, ishin deklaratat e z. Lushtaku, sipas të cilave policët kishin shtënë në njëri-tjetrin. E tash, pasi Prokuroria ia shqiptoi 30 ditë paraburgim, ai deklaron se ky është një rast i montuar ndaj tij.

Këso lloj abuzimesh janë bërë me qindra në Kosovën e pasluftës nga një pjesë e ish-komandantëve apo ish-ushtarëve të UÇK-së, ndoshta edhe nga ata të rrejshmit. Shoqërisë iu imponua paprekshmëria e tyre, e ashtu silleshin edhe shteti e ligjvënësit. E të paprekshmit e shfrytëzuan këtë gjë në maksimum, dhe jo vetëm ata, por edhe macet që i kishin nëpër oborret e tyre. E pastaj në ndërkohë na u shtuan edhe të paprekshmit e tjerë – politikë, partiakë, biznesmenë e çka jo tjetër. Me ligj dënohen vetëm të pafuqishmit dhe të pambrojturit. Të tjerëve iu parashkruhen lëndët e grumbulluara nëpër gjykata.

Mendoj se pikërisht drejtësia është një nga shtyllat kyç të shtetësisë së saj në të cilat Kosova ka çaluar. Vettingu është më se i nevojshëm në sistemin e drejtësisë e pse jo edhe të Policisë e edhe të segmenteve të tjera të shtetbërjes.

E përsëris veten shpeshherë duke thënë se çmimin e shtetësisë tonë e kemi paguar shumë shtrenjtë, jo vetëm me luftën e fundit, por në 150-vjeçarin e fundit. Kemi sakrifikuar shumë, e që tash ndaj shtetit të lejojmë që kushdo të sillet sikur të ishte plaçkë e tija, apo pronë e merituar dhe e trashëguar, kushdo qoftë ai.

Dështimi i sistemit tonë të drejtësisë solli edhe deri te formimi i Gjykatës Speciale në Hagë. Askush nga partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do të na merrte seriozisht se Kosova ishte e gatshme që në kuadër të sistemit të saj të drejtësisë të merrej me temë aq të ndjeshme si "krimet e mundshme të luftës", e kur ky sistem i drejtësisë ndaj peshqve të mëdhenj nuk ka qenë në gjendje të ngrejë as edhe një akuzë korrupsioni, e ku botërisht e dimë se pjesa më e madhe e politikanëve kosovarë në kohën e tyre të lirë dhe me hobi janë milionerë.

***

E dëgjova të mërkurën deklaratën e Radojçiqit, aty nga ndonjë kodër e Leposaviqit. Deformimi im profesional nga përvoja me muzikën më bëri që ta dëgjoja tonalitetin e njëjtë, diksionin e njëjtë, fjalorin e njëjtë dhe ritmikën e fjalëve si të Vuçiqit, dhe ashtu edhe e kuptova të tërën. Vuçiqi e nxori aty Radojçiqin, i cili u kërcënua për "terrorin shqiptar ndaj serbëve i cili po afrohej, mirëpo se ai do të ishte aty i gatshëm".

Vuçiqi më pas deklaroi se nuk i intereson se çfarë deklaron Radojçiqi dhe se ai ato deklarata mund t’i bëjë prej cilit vend të dojë, sepse është një qytetar i lirë. Me këtë deklaratë Vuçiqi fillimisht e pastron veten nga trazirat e mundshme në veri në një të ardhme të afërt, si dhe e hedh topin kinse te Radojçiqi dhe atë e shpall qytetar të lirë, përkundër faktit se ai është në kërkim nga drejtësia kosovare. Lojërat e pista serbe dhe ato ruse tashmë i kemi mësuar, gënjeshtrat, dhe asnjë fije serioziteti për veprimet apo deklaratat e bëra.

Bashkësia Evropiane për herë të parë në një dokument zyrtar të saj cek se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me njohjen reciproke ndërmjet tyre. Ajo gjithashtu përmend se Serbia duhet t’i vendosë sanksionet ndaj Rusisë dhe në atë mënyrë t'ia hapë vetes rrugën për bashkimin në familjen evropiane. Edhe këtë gjë Vuçiqi në deklaratat e tij e refuzoi kategorikisht si një epilog të mundshëm duke potencuar faktin se Serbia nuk do ta njohë Kosovën asnjëherë dhe as që e ka ndërmend që ndaj Rusisë të vendosë sanksione për t’u përafruar me Evropën.

Mirëpo Serbia e ka lolon e saj të Open Balkanit, kryeministrin €di Rampa, i cili përkujdeset që Evropës t'ia arsyetojë Serbinë dhe lidhjet e saj me Rusinë, dhe se Serbisë nuk është e drejtë t’i bëhet asi lloj presioni. Këtë gjë ai vazhdon që ta bëjë në çdo rast dhe oportunitet i cili i jepet atij. Pse e ka marrë rolin e gardianit dhe mbrojtësit të Serbisë nuk e kam të qartë, por si duket do të nevojitet që edhe ai të digjet nga qumështi i nxehtë e për t’i fryrë edhe kosit më pas.

P.S. Më ndodh disa herë tashmë që përderisa Ditarin tim ende nuk e kam përfunduar, zhvillime të tjera të kenë ndodhur në ndërkohë.

Boris Johnsoni do ta japë dorëheqjen e tij pas dorëheqjeve të shumta nga anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.