OpEd

Çlirimi i potencialit të pashfrytëzuar të grave - mënyrë për të avancuar zhvillimin kombëtar

Javën që lamë pas e shënuan në mënyrën më të mirë gratë, të cilat na bënë të gjithëve krenarë me vendin tonë. Kjo javë u shënua me performancë muzikore e sportive të grave të reja shqiptare të cilat pa mëdyshje e treguan forcën të cilën e ka gjinia femërore në të gjitha fushat e jetës. Megjithëqë nuk jam feminist, nuk kam se si të mos shpreh miradijen për arritjet e gjinisë femërore, të cilat po tregojnë potencialin e madh, fatkeqësisht ende të paçliruar të grave në Kosovë. Për këtë shoqëria në Kosovë, Shqipëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët duhet të bëjnë më shumë për të mundësuar vënien në lëvizje të këtij potenciali që e ndihmon përparimin dhe afirmimin e vendeve tona dhe të kombit tonë. Fuqizimi i mëtejmë i grave dhe vajzave duhet të jetë një prej prioriteteve të cilësdo qeveri, sepse në këtë mënyrë hapet një potencial i madh, që mbetet ende pa u shfrytëzuar. Në këtë mënyrë, përmes programeve të targetuara në mënyrë specifike tek gratë e reja dhe vajzat, mund të arrihen efekte të cilat ndikojnë në zhvillimin shoqëror, politik dhe ekonomik të shoqërisë sonë. Këto programe duhet të synojnë atë që quhet niveli grassroot – prej familjes, komunitetit, shkollave duke shkuar në nivelet më të larta institucionale ku sukseset e grave dhe vajzave shërbejnë si frymëzim për angazhimin shoqëror, politik e ekonomik të një numri më të madh grash dhe vajzash. 

Por cilat ishin ngjarjet të cilat tregojnë se gjinia femërore në Kosovë ka potencial të madh dhe se po të çlirohet ky potencial deri në fund, efektet pozitive për shoqëritë tona këtej e andej kufijve në rajon do të jenë të paçmueshme? 

Ngjarja e parë ishte festivali “Sunny Hill”, i cili identifikohet me emrin e pop këngëtares me famë botërore Dua Lipa. Festivali organizohet nga i ati i saj, Dukagjin Lipa, i cili është edhe menaxher i Duas. Megjithëkëtë, është fama e Dua Lipës ajo që e bën këtë festival të suksesshëm dhe atraktiv për shumë këngëtarë të nivelit botëror të cilët vijnë të performojnë para publikut, që nuk është vetëm nga Kosova, por edhe më gjerë. Siç e ka thënë edhe BBC, ky festival po e ndryshon imazhin e Kosovës për të mirë. Një ngjarje e tillë e vendos Kosovën në hartën e vendeve normale evropiane, që është shumë e nevojshme për Kosovën, e cila vazhdon të njihet në botë si një vend në konflikt me fqinjin e saj verior dhe për pasojë me jostabilitet politik. Mu ky festival pra tregon se Kosova ka potencial dhe dëshirë të jetë faktor stabiliteti dhe ku komunikimi ndërkulturor nuk është problematik. Ardhja e Bebe Rexhës, pop këngëtares tjetër shqiptare me fame botërore në festivalin “Sunny Hill”, ishte ngjarja që e shënoi suksesin e këtij festivali, të dominuar nga emrat e grave shqiptare, të cilat me punën e tyre i arritën majat e muzikës botërore. Emri i Bebe Rexhës është i njohur tash e sa kohë në SHBA, ku ajo edhe jeton dhe krijon, si dhe në vendet e tjera të botës. Mirëpo, nuk ishte vetëm performanca e saj në “Sunny Hill” që duhet të bëjë krenar çdo shqiptar. Ishin edhe mesazhet e fuqishme që ajo i dha nga vendi i origjinës së saj, Dibrës. Ajo me këto mesazhe afirmoi shqiptarët si popull dhe me pak fjalë, duke thënë se “Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva – të gjitha janë Shqipëria e ime”, tregoi se shqiptarët kanë nevojë të jenë një entitet i bashkuar, nëse jo politikisht, për shkak të rrethanave gjeopolitike, atëherë, të paktën kulturalisht dhe pse jo edhe ekonomikisht e në aspekte të tjera, po. Ky mesazh duhet të jetë frymëzim për të gjithë shqiptarët, sidomos për gjininë femërore, dhe tregon se ndër shqiptarët në rajon ekziston një potencial i pashfrytëzuar, i cili po të çlirohet mund të krijojë rrethana të reja, në të cilat shqiptarët nuk do të jenë peng i gjeopolitikës, por faktor i fuqishëm ekonomik, kulturor shoqëror e i stabilitetit politik në rajon. 

Ngjarja tjetër që u shënua nga vajzat është pa dyshim Olimpiada në Paris. Shtatë nga nëntë sportistët që e përfaqësojnë Kosovën në këtë Olimpiadë janë gra. Nga to dy veç kanë fituar medalje olimpike: Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu medaljen e bronztë. Derisa po i shkruaj këta rreshta, në garë për medalje mbeten Gresa Bakraçi dhe Hana Beiqi, të cilat, si fituan, si s’fituan medalje së bashku me garuesit dhe garueset e tjera në këtë Olimpiadë, janë duke ia zbardhur fytyrën Kosovës si ambasadorët më të mirë të saj. Mos të harrojmë se i kemi edhe tri medaliste të arta olimpike: Majlinda Kelmendi, e cila u shpall kampione olimpike më 2016 në Rio de Zheneiro, si dhe Distria Krasniqi e Nora Gjakova, që u shpallën kampione olimpike të xhudos në kategoritë e tyre më 202 në Tokio. Me rastin e këtyre fitoreve ishte flamuri i Kosovës dhe himni i saj që u valëvitën dhe u intonuan në sytë e të gjithë botës. Ky është afirmimi më i mirë që dikush mund t’ia bëjë Kosovës. Me meritën e këtyre vajzave dhe trajnerit të tyre, Driton Kuka, Kosova sot radhitet e 24-ta në ranglistën olimpike dhe është e para në Ballkan me numrin e medaljeve të fituara, sipas Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Pra këto vajza e gra, e edhe shumë të tjera në fusha të ndryshme, që me punën e tyre të palodhshme kanë arritur majat e suksesit botëror në muzikë, kulturë, sport, arsim e fusha të tjera, janë dëshmi e potencialit të madh që e ka gjinia femërore, por që ende mbetet i pashfrytëzuar në tërësinë e tij. Është në të mirë të shoqërive tona që ky potencial të mos cungohet, por që ai të çlirohet sepse kemi të bëjmë me një potencial pothuajse të pakufishëm që mund t’u japë shumë më shumë shoqërive tona sesa investimi që e kërkon për t’u bërë. Investimi i vetëm që e ka për detyrim ta bëjnë familjet, shkollat, shoqëria dhe institucionet tona janë mbështetja, barazia, edukimi dhe ofrimi i mundësive të barabarta për të kontribuar në mirëqenien kombëtare. Besoj se cilado grua është e gatshme të japë maksimumin për përparimin e saj dhe të shoqërisë. Vetëm duhet krijuar vetëdija se roli i grave dhe vajzave në shoqëri është po aq i rëndësishëm sa e dhe i burrave dhe djemve.