OpEd

Çka përkujton Serbia në janar?

Më 9 janar serbët e Bosnjës përkujtojnë themelimin e “republikës serbe”, e cila u ngrit mbi kufomat e dhjetëra mijëra civilëve boshnjakë. Më 15 janar mediat e Beogradit kujtojnë vrasjen e Arkanit dhe mohojnë masakrën e trupave serbe në fshatin Reçak të Kosovës. Më 16 janar është përvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën e veriut. Vrasësit e tij, sipas të gjitha gjasave, fshihen në Serbi

Më 9 janar serbët e Bosnjë-Hercegovinës, të prirë nga presidenti i tyre provokator, Millorad Dodik, festojnë themelimin e “republikës serbe”. Kjo krijesë u themelua ilegalisht më 9 janar 1992. Me marrëveshjen e Daytonit (1995) përjetoi një ringjallje, por si entitet serb, ndonëse ruajti emrin “republikë serbe”, për ç’gjë më vonë ishte penduar ndërmjetësuesi amerikan Richard Holbrooke.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës dy herë e ka shpallur ilegal (kundërkushtetues) festimin e datës 9 janar si ditë të “republikës serbe”. Me gjithë ndalimin, çdo vit më 9 janar qeveria e serbëve të Bosnjës organizon një paradë me policë socialë, autoblinda e mjete të tjera gjysmëushtarake. Viteve të kaluara ky demonstrim i forcës organizohej në Banjallukë, në kryeqytetin e të ashtuquajturës “republika serbe”, sivjet në Sarajevën lindore, një lagje periferike e Sarajevës që i përket “republikës serbe”. Në tribunën e nderit sivjet aty ishin të gjithë: Millorad Dodiku dhe Ivica Daçiqi, ministri i Jashtëm serb, shefi i ushtrisë serbe dhe dinjitarë të kishës, i biri i Ratko Mlladiqit dhe i biri i Aleksandar Vuçiqit. Me një fjalë: elita e sotme serbe.

Më 14 janar u shënua ajo që quhet “srpska nova godina”, viti i ri serb, e më 15 gazetat e regjimit përkujtuan përvjetorin e vrasjes së Zhelko Razhnjatoviqit (Arkanit), një krimineli të luftës, karriera e të cilit nisi që në kohën e Jugosllavisë. Për këto media serbe Arkani nuk është kriminel, por “një ndër personalitetet më kundërthënëse të historisë së re serbe”. Ai u vra më 15 janar 2000, kur në Beograd (dhe në Zagreb) qarkullonin informacione se ai mund të akuzohej nga Tribunali i Hagës dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisnin arrestimin e tij përmes një operacioni special të koordinuar nga baza ushtarake amerikane në Tuzëll. Vrasësit e Arkanit e qëlluan atë me armë në hollin e hotelit “Interkontinental”. Sipas traditës së lavdishme serbe, vrasësit e tij nuk u kapën kurrë nga drejtësia. Në vitet ‘90 Arkani ishte idhulli i shoqërisë serbe. Martesa e tij me këngëtaren e turbofolkut Ceca ishte ngjarje nacionale në Serbi dhe u përcoll me vëmendje të madhe mediale. Edhe në 23-vjetorin e vrasjes së tij në fokus të mediave është “figura mitike” e Arkanit, jo krimet e tij.

Çfarë nuk kujtohet në Serbi më 15 janar 1999 është masakra e forcave serbe në fshatin Reçak të Kosovës. Reçaku në Serbi përmendet vetëm në kontekst të mohimit të krimit, në kontekst të përhapjes së teorive të komplotit, në kontekst të supozimeve boshe se masakra ishte e “inskenuar nga Perëndimi”, “nga CIA” e kështu me radhë. Në shënjestër të sulmeve si çdo vit është ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili krimin e kishte quajtur me emrin e vërtetë: masakër dhe ekzekutim masiv i civilëve nga forcat serbe.

Mjekia finlandeze e forenzikës, Helena Ranta, nuk ishte aq e guximshme sa ambasadori Walker. E frikësuar nga presioni i palës serbe, Ranta nuk e quajti masakër atë që ndodhi në Reçak, por më vonë nuk la asnjë dyshim se bëhej fjalë për ekzekutim civilësh nga afërsia dhe se nuk mund të bëhej fjalë për asnjë inskenim. Dyshimet për inskenim u ngritën nga gazeta franceze “Le Monde”, e cila me gjasë “ushqehej” nga diplomati francez Gabriel Keller, i cili ishte zëvendës i Walkerit në misionin e OSBE-së në Prishtinë. Në Gjermani me teori komploti u shqua gazeta “Berliner Zeitung”.

Më 16 janar është përvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën e Veriut. Pak para se të vritej ai kishte thënë se serbët në veri më shumë frikësohen nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit sesa nga shqiptarët. Urdhërdhënësit e vrasjes, sipas të gjitha gjasave, fshihen në Serbi. Por, kjo nuk është temë në një shtet autokratik, ku një politikan kontrollon çdo gjë dikaster qeveritar, të sigurisë dhe të gjyqësisë. Kështu e kalon Serbia janarin. Duke i lartësuar krimet e së kaluarës dhe duke u kërcënuar me krime të reja.