OpEd

Çka pas Lajçakut

Katër vjet të mandatit të Miroslav Lajçakut në cilësinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë sjellë zgjidhjen që synohej. Nuk mund të fajësohet vetëm ai. Por tash raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë aspak më normale sesa para katër vjetësh. Dhe tash në BE ka edhe të tillë që pyesin se a ia vlen të ketë një të dërguar të posaçëm për dialog, të shpenzohet aq shumë për ekipin e tij, dhe që të mos ketë asnjë vlerë të shtuar. Prandaj para se të vendosin për pasardhësin e Lajçakut, në BE duhet të vendosin se çfarë duan të bëjnë me dialogun.

Kanë kaluar saktësisht katër vjet prej kur deri atëherë ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirolslav Lajçak, me përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, kishte nisur mandatin në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, me mandat që të ndërmjetësojë në arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të raporteve mes këtyre dy vendeve. Aq me urgjencë insistohej në BE në emërimin e tij, sa që në vendimin e Këshillit thuhej se “mandati nis menjëherë”. Dhe mandati nisi me 1 prill. Si shumë të tjerë në atë kohë, kur kishte mbyllje totale për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, edhe Lajçaku e nisi punën duke punuar nga shtëpia. Pos mandatit për të personalisht, BE-ja kishte miratuar edhe një buxhet jo të vogël që Lajçaku të formojë ekipin e tij.

Ambiciet ishin të mëdha dhe të kuptueshme, pasi dialogu për gati dhjetë vjet nuk kishte shënuar ndonjë përparim të madh në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Thuhej se Lajçak duhet të lehtësojë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai vetë thoshte se këtë do të duhej arritur “brenda disa muajsh e jo vitesh”. Deri atëherë me dialogun merrej ekipi në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) dhe vetë përfaqësuesja apo përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri. Sepse raportet mes Kosovës dhe Serbisë pa dyshim ishin sfidë e sigurisë për rajonin me rëndësi vitale për BE-në dhe po ashtu, edhe çështje prioritare e politikës së përbashkët të jashtme të BE-së. 

“Tash kemi një person që merret vetëm me këtë çështje 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë”, thuhej nga diplomatët e lartë të BE-së.

Edhe pse kishte diplomatë që thoshin se “ky post është krijuar për Lajçakun”, duke përmendur se dihej edhe kur ishte ministër i Jashtëm i Sllovakisë se do ta marrë atë post, pa asnjë dyshim ai shihej si personi i duhur. Ishte disa vjet në strukturat e Bashkimit Evropian si drejtor menaxhues. Kishte përvojë si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë. Fliste rrjedhshëm gjuhën serbe. Kishte përvojë të madhe edhe në raportet me Rusinë si ish-student i Moskës. Në atë kohë besohej se edhe Rusia do ta mbështesë zgjidhjen dhe Kosova do të pranohej pas marrëveshjes edhe në OKB. Për këtë qëllim e mbante të informuar me rrjedhën e dialogut edhe ambasadorin e Rusisë pranë BE-së në Bruksel. Lajçaku ishte edhe kundër idesë për shkëmbimin e territorit. Për këtë mori mbështetjen e Gjermanisë që e gëzon edhe sot. Madje aq shumë Gjermania qëndronte pas Lajçkaut saqë porositi kosovarët se “kush është kundër Lajçakut është edhe kundër Gjermanisë”. Edhe kryeministri Albin Kurti në mandatin e parë bëri thirrje që të mos paragjykohet Lajçaku në bazë të shtetit nga i cili vjen. Dhe këtu kishte disa rezerva, sepse Lajçaku vinte nga Sllovakia, vend i cili nuk e njihte Kosovën dhe i cili në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kishte argumentuar kundër pavarësisë së Kosovës në kohën kur Lajçaku ishte shef i diplomacisë së këtij shteti. Dhe nuk e kishte marrë parasysh fare mendimin e GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dyshimi në paanshmërinë e Lajçakut u bë temë, ndonëse në heshtje, edhe më shumë pasi edhe shefi i tij, përfaqësuesi i lartë Borrell, vinte nga vendi që nuk e njeh Kosovën. Nga Spanja, e cila kishte qëndrim edhe më shumë kundërshtues sesa Sllovakia. Ndërsa Borrelli personalisht pati episode nga e kaluara ku bojkotoi dhe takimet ku merrte pjesë Kosova. Por puna nisi me ambicie, me arsyetimet se tash ata “zbatojnë politikat e BE-së e jo të vendeve të tyre anëtare”.

Tash pas katër vjetësh, Lajçaku është emëruar ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër. Do të përfaqësojë BE-në në një vend i cili nuk është në BE, por është shumë i lidhur me BE-në. Lajçaku ka edhe pesë muaj në këtë rol, dhe gjatë këtyre muajve mund edhe të ketë kthesë në dialog dhe të mbarojë mandatin me sukses.     

Katër vjet të mandatit të Miroslav Lajçak në cilësinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë sjellë zgjidhjen që synohej. Nuk mund të fajësohet vetëm ai. Por tash raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë aspak më normale sesa para katër vjetësh. Dhe tash në BE ka edhe të tillë që pyesin se a ia vlen të ketë një të dërguar të posaçëm për dialog, të shpenzohet aq shumë për ekipin e tij, dhe që të mos ketë asnjë vlerë të shtuar. Prandaj para se të vendosin për pasardhësin e Lajçakut, në BE duhet të vendosin se çfarë duan të bëjnë me dialogun. A duhet të ketë apo jo një të dërguar të posaçëm vetëm për dialog, me një ekip të madh. Apo duhet kthyer këtë detyrë një ekipi brenda EEAS siç ishte para se të emërohej Lajçaku. Kjo me gjasë do të vendoset gjatë verës kur të dihen edhe rezultatet e zgjedhjeve evropiane që zhvillohen në muajin qershor. Dhe pas atyre zgjedhjeve, do të dihet pak a shumë edhe përbërja e Komisionit Evropian dhe pozitat kryesore në institucionet e tjera të BE-së. Por pa dyshim se do të ketë nevojë, madje edhe më shumë sesa deri tash, për një kujdes të veçantë të BE-së dhe vendeve të saj anëtare për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Sepse ato raporte, pos që janë të nevojshme për rrugëtimin e tyre drejt BE-së, kanë rëndësi edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Përleshja e serbëve të dhunshëm me ushtarët e KFOR-it dhe sulmet në Banjskë në muajin shtator që vetë BE-ja i quajti si sulme terroriste, janë vërejtje të mjaftueshme për këtë.