Viteve të fundit Kosova po promovohet vetë në botë me anë të muzikës e sportit, duke krijuar një imazh të mirë për një vend të vogël që doli i shkatërruar prej luftës më 1999, kuptohet në saje të figurave të njohura tani më, si Dua Lipa, Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Majlinda Kelmendi e të tjerë. Në anën tjetër, me gjithë “potencialin” e madh diplomatik që e kemi në botë, e sidomos në Evropë, e cila u mbush me konsullata e konsuj vend e pa vend, progresi ynë drejt Brukselit është shumë i ngadalshëm. Sipas retorikës për konsum të brendshëm, është dashur të jemi me kohë “të liberalizuar”, madje edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Dilema jonë, me “orientim evropian” e “zotime” që nuk janë në përputhje me parimet e bazat e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ndikon në imazhin tjetër të Kosovës. Tani, duke pritur ardhjen e Joe Bidenit, mikun e madh të Kosovës, në Shtëpinë e Bardhë, dhe formatimit politik në Kosovë, kultura po bën të veten në prezantim të denjë të Kosovës në fusha të ndryshme.
Në emisionin e fundit të “Deskut” në KTV kushtuar qasjes së Kosovës ndaj Lindjes së Mesme (e enjte më 26.11.2020), veterani i gazetarisë sonë për atë rajon, Nehat Islami, përmendi se si përkthimi i një romani të shkrimtarit tonë Ibrahim Kadriu në gjuhën arabe po bën jehonë të mirë të Kosovës në atë rajon, kuptohet pa ndonjë qasje të dy ministrive tona gjegjëse (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministra e Kulturës). Është e vërtetë se romani “Përtej binarëve” zgjoi aq interesim në mediat arabe prej Omanit deri në Londër (e cila është tani selia e gazetave dhe mediave televizive me ndikim në botën arabofone), sa që për tre muaj të fundit Kosova ishte e pranishme me shkrime të ndryshme për këtë roman, i cili prezanton një përvojë të dhimbshme të Kosovës si pasojë e infiltrimit të selefizmit pas 1999-s. Fjala është, kuptohet, për rekrutimin e të rinjve kosovarë për “xhihad” në Siri e Irak, me çka Kosova u dallua në nivel evropian për nga numri i “muxhahedinëve” që morën pjesë në luftëra, qoftë me ISISI-in ose me Nusra-n.
Vetëm dy ditë më vonë pas paraqitjes së Nehat Islamit në atë emision u botua, të shtunën më 28 nëntor 2020, një vështrim i ri i këtij romani në shtojcë për kulturë të gazetës “Al-Quds”. Në krahasim me vështrimet e tjera, që ishin më shumë informative për Kosovë, për autorin dhe romanin, mund të thuhet se ky vështrim meriton të prezantohet këtu për dy arsye.
Së pari, vështrimi u botua në gazetën “Al-Quds” që del në Londër, që mund të konsiderohet një ndër 10 gazetat më me ndikim në botën arabofone (pa thënë në cilin rend është), pra në një medium që lexohet më shumë në versionin elektronik, që është pa pagesë. Së dyti, autori i vështrimit, Muhamed Turki Rabi’o, është një shkrimtar sirian me banim në Stamboll, pra më afër Kosovës dhe temës së romanit. Përveç kësaj, ai njihet si shkrimtar serioz, ndaj shtron aspekte e pyetje të ndryshme në lidhje me temën e romanit.
Nën titullin “Midis Prishtinës e Halepit”, autori del me njohuri të mirë për historinë bashkëkohore të Kosovës, para dhe pas vitit 1999, duke e prezantuar përvojën e Kosovës në kuadër të Ballkanit e më gjerë në lidhje me pasojat e depërtimit të selefizmit në Ballkan pas vitit 1990, përkatësisht me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë. Këtë qasje e lidh autori me temën e romanit, sepse Ibrahim Kadriu në roman vetëm përmend sa gëzonte Kosova tolerancë ndërfetare me “islamin tradicional”, që nuk i del mjaft e qartë lexuesit arab. Ndaj, Muhamed Rabi’o prezanton shumë mirë shpirtin shqiptar që nuk e përzien fenë me kombin duke krahasuar përvojën e Kosovës me atë të Bosnjës në vitet ‘90 të shek. XX.
Kështu, në krahasim me Bosnjën, ku feja përzihet me kombin dhe ishin të mirëseardhur atje “muxhahedinët” myslimanë nga vendet e ndryshme, autori e ndriçon qëndrimin e udhëheqjes politike si dhe ushtarake më vonë (UÇK) që të mos përziejnë luftën politike e ushtarake me fenë e të mos nxisin as të pranojnë “muxhahedinë” në luftën e tyre për liri.
Nga ana tjetër, duke analizuar mirë romanin ndalet Muhamed Rabi’o në faqen e fundit të romanit, kur taksisti e merr Dijen me të dashurin për të shkuar në Vjenë që t’i vazhdojnë studimet atje, pasi që arriti Dija të çlirohet prej rrethit selefist, duke lënë të hapur pyetjen: a paraqet Vjena (Evropa) tani orientimin e ri të të rinjve kosovarë në vend të Stamboll-Halepit ?
Muhahamet Rabi’o, i cili u thellua shumë në fatin e të rinjve kosovarë që shkuan në Levent për “xhihad”, shtron pyetjen tjetër: cili është destinacioni i tyre që mbeten në Levent? Ata pasi që shkuan “përtej binarëve” dhe u ndanë prej trungut kombëtar ata tani, në bazë të intervistave me disa prej tyre, kërkonin “fronte” të reja ku të vazhdojnë rrugën e tyre pafund.
Megjithëse kultura po bën të veten për Kosovë më shumë se politika, përkatësisht institucionet, shtrohet pyetja: sa interesohen ambasadat e konsullatat tona për atë ç’shkruhet për Kosovën në mediat e Lindjes së Mesme, pra prej Turqisë deri në Oman e Egjipt, e çka bëjnë me autorët që paraqiten me shkrime që promovojnë mirë Kosovën pa qenë në Kosovë?
Këtu tani dallohen ata të karrierës me ata të politikës, përkatësisht të nepotizmit. Një ambasador i karrierës si Lulzim Mjeku në Riad nuk pret instruksione, por u lidh me botuesin në Amman dhe kërkoi 20 kopje për mysafirë specialë që i vijnë në Ambasadë. Para një kohe u paraqit në mjetet sociale në një takim me zëvendësministrin e Jashtëm saudit me një dhuratë: një kopje e romanit “Përtej binarëve” që e befasoi mysafirin. Njësoj e bëri edhe ambasadori ynë në Doha, Amir Ahmeti.
(Autori është historian kosovar, profesor shumëvjeçar (1989-2018) i historisë së Lindjes së Mesme në Jordani, tani kryeredaktor i revistës “Studime orientale” në Prishtinë).