OpEd

Çfarë e kërcënon sot lirinë e shtypit?

Presidenca e Donald Trumpit ishte kthyer në doracak të Shtëpisë së Bardhë për fuqizimin e “fakteve alternative”, për përmasat e turmës pjesëmarrëse në inaugurimin e Trumpit në Capitolin amerikan dhe mbështetësit e tij të dhunshëm, që brohorisnin “Vrisni mediat” në dyert e Capitolit. Megjithëse Trumpi ia ka mbathur (tani për tani), mediat profesionale vazhdojnë të përballen me rrezikun – dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara. Grupi monitorues, “Reporterët pa Kufij”, konsideron se gjendja është “e mirë” në 12 shtete – një shifër e ulët si asnjëherë më parë.

Dhe kërcënimi më i madh për lirinë e shtypit anembanë botës vjen nga regjimet autoritare, disa prej të cilave kanë dyfishuar masat represive ndaj shtypit për të frenuar raportimin për dështimet e liderëve politikë për menaxhimin e pandemisë. Në Hungari, që renditet si vendi i 92-të në listën botërore të “Reporterëve pa Kufij”, ka pasur rënie krahasuar me vitin e kaluar kur ndodhej në vendin e 89-të. Qeveria ka kërcënuar portalet dhe mediumet me hetim për “bllokim” të përpjekjeve të Qeverisë për ta luftuar pandeminë. Mjekëve dhe infermiereve u është ndaluar të flasin me gazetarë të pavarur.

Regjimet autoritare po përdorin teknika më pak të dukshme për të kufizuar pluralizmin e mediave. Ato kanë tërhequr reklamat shtetërore (që disa herë u ngritën gjatë pandemisë) nga mediumet që janë kritike ndaj tyre. Ato ua mundësojnë biznesmenëve të afërt me to që të blejnë media, sikurse ka ndodhur në Turqi, ku oligarkët e ndërtimit të cilët kanë përfituar prej bumit të fundit të ndërtimit, po shpaguajnë borxhet politike ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke i blerë gazetat e pavarura.

Megjithëse faktorët që u japin shtytje regjimeve, si ato në Hungari e Turqi, mund të jenë krejt të ndryshme, çështjet rezultuese të qeverisjes shpesh duken të ngjashme, sepse regjimet po mësojnë nga njëri-tjetri. Dhe ky fakt e vë në dyshim iluzionin tipik të pasluftës së ftohtë në mesin e liberalëve: Historia jo vetëm që mbaroi më 1989, porse vetëm demokracitë janë të zonja të mësojnë.

Demokracitë bëjnë gabime gjatë gjithë kohës, por virtyti i tyre i vetëm, sipas një narrativës standarde liberale, është se ato të vetme mund të korrektojnë dhe mësojnë nga gabimet e tyre. Përkundrazi, regjimet autoritare supozohet se nuk munden dhe se do të stagnojnë, nëse edhe nuk do të bien si Bashkimi Sovjetik. Derisa regjimet autoritare zor se mund të binden, do të ishte naive të mendohet se rënia e tyre është e pashmangshme për shkak se ato e imunizojnë veten nga informacioni dhe nga të mësuarit. Në fakt, ato po zhvillojnë vazhdimisht politike të dobishme, si ligjet neutrale ndaj fytyrës që në fakt shërbejnë për të shtypur shoqërinë civile.

Aty ku populistët djathtistë ende nuk janë në pushtet, janë bërë të zhdërvjelltë në ndërtimin e fushatave antipublike në internet, me pjesëmarrësit që iu akuzojnë gazetarët që po mashtrojnë dhe i shtyjnë të vërtetojnë profesionalizmin e tyre, duke iu kushtuar vëmendje maksimale temave të preferuara prej së djathtës – dhe pa rënë fort në sy, për të ushtruar raportim që përfshin “dy anët” e lidhura me çështjen e caktuara. Imperativi për të vërtetuar objektivitetin duke mbuluar neutralisht të gjitha perspektivat relevante politike, funksionon mirë në demokraci funksionale. Por kur palët zbatojnë parimet antidemokratike, raportimi i ngjashëm kthehet në dorë të zgjatur për to.

Shtetet e Bashkuara janë shembull më i qartë në këtë drejtim. “Polarizimi” shpesh paraqitet si fenomen simetrik. Dikujt mund të mos i pëlqejnë idetë politike të senatorit amerikan, Bernie Sanders, ose Alexandria Ocasio-Cortezit, por ata janë figura të angazhuar fort në minimin e demokracisë. Republikanët, të cilët refuzojnë njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të vjetme presidenciale dhe që kërkojnë masa që vështirësojnë votimin, po mundohen për minimin e demokracisë; për të barazuar palët – shpesh me referencë që të mos preken temat më të skajshme – që të duken neutrale. Por, siç ka vërejtur kritiku i mediave, Jay Rosen, të paraqitësh realitetin politik asimetrik si simetrik në fakt përbën çorientim.

Gazetarët mund të mos jenë më, sikur iu ishte referuar gazetari britanik. W.T Stead në fundshekullin nëntëmbëdhjetë, “mbretër të pakurorëzuar të një demokracia të edukuar”. Por, ata po mësojnë të bëjnë dallimin ndërmjet mospajtimit të rëndomtë politik dhe kërcënimeve ndaj lirive themelore mbi të cilat varet edhe puna e tyre (edhe në qoftë se ajo linjë shpesh është e kontestueshme).

Në këmbim, audiencat po mësojnë se vlerësimi i mediave është sfidë e ndërlikuar: një medium mund të jetë gjithëpërfshirës, por jo i pavarur; një pronar mund t’i dëmtojë gjërat edhe me teket e tij. Krejt ndryshe, mund të jetë në rregull që një gazetë të përfshihet në atë që Timothy Garton tash e ka quajtur “anshmëri transparente”; duke interpretuar lajmin prej një pikëpamje socialiste ta zëmë, ishte krejt e pranueshme për të përditshmet në pronësi të partive socialdemokrate, derisa ishte e qartë për audiencat se për çka angazhoheshin dhe pse.

Është pikërisht kjo transparencë që po mungon nga platformat e mëdha mediatike sot: të gjithë, prej përdoruesve të rëndomtë deri te hulumtuesit me kompetencë të lartë janë lënë në terr në raport me ndikimin e algoritmeve që krijojnë grupe e u japin prioritet mesazheve të caktuara në internet. Kjo nuk duhet të na nxisë të dënojmë të gjitha format e vetëshprehjes, si mediat sociale. Në vend të kësaj, ne duhet të tregohemi më të ndjeshëm se si autoritarët i përdorin këto platforma për të simuluar mbështetje dhe shtypur pakënaqësinë.

Disa platforma bazohen në model biznesi, të përshkruara më së miri si “kapitalizëm mahnitës”; përdoruesit mbahen të angazhuar duke kërkuar me gisht përmbajtje edhe më ekstreme. Urrejtja shpaguhet, derisa “angazhimi” mund të mentorohet dhe vëmendja u shitet reklamuesve. Urrejtja mund të formësojë gjithashtu opinione publike prej të cilave, sikur se teoricieni francez i shkencave sociale, Gabriel Tarde, e ka vërejtur në ag të shekullit njëzetenjë, shfaqen turma radikale.

Turmat e tilla shpesh i sulmojnë gazetarët. Një arsye pse demokracitë, si Gjermania kanë shënuar rënie nga “Reporterët pa Kufij” nuk është se qeveria po i shtyp mediat, porse profesionistët që po raportonin demonstratat kundër qasjes së kancelares Angela Merkel ndaj pandemisë, janë ndeshur edhe me më shumë dhunë. Natyrisht, Facebooku, Twitteri dhe platformat e tjera sociale nuk janë ekskluzivisht përgjegjëse për nxitje të ndjenjave të dhunshme; por rregullimi i tyre më strikt, duket se tani është thelbësore për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

(Autori, profesor në Universitetin e Princetonit, është pjesë e Institutit Berlinez për Studime të Avancuara dhe autor i librit të ardhshëm, “Democracy Rules” (Farrar, Straus and Giroux, 2021).

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).