OpEd

Buzëqeshjet kineze

Autoritetet politike të kohës së pasluftës, me pak përjashtime, kishin nevojë për alibi, dhe atë jo vetëm për veten e tyre të përfshirë në procese, por edhe për të argumentuar vendimmarrjen në nivelet ndërkombëtare, që ndërlidhej me argumentet e qëndrimeve politike për nevojën e rivendosjes lidhur me statusin juridik-politik të Kosovës.

Bisedimet e Vjenës rezultuan me Pakon gjithëpërfshirëse të Ahtisaarit, si kompromis për mëvetësinë e shumëpritur, por edhe me bisedimet e Brukselit, pa dyshim, mendohej si zgjidhje, njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Por, e gjitha e menduar veç hipotetikisht, referuar gjendjes reale politike! Për aq sa bisedimet e Vjenës dhe ato të Brukselit kishin për objekt trajtimin e realitetit politik, në esencë prekën edhe aspektin subjektiv, atë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Nga propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit na derivoi Kushtetuta, e cila u arsyetua me ardhmërinë evropiane të vendit, duke krijuar "kosovarët" e rinj nga shqiptarët e hershëm. Sistemi politik i krijuar përmes frymës kushtetuese ahtisaariane është që ne të mos mund të shprehim atë që ndiejmë e besojmë, por ta shprehim atë që nuk e besojmë, multietnicitetin! Këtë na e servuan me buzëqeshje kineze.

Kosova e marrë peng! Kosovës i është marrë peng gjithçka, e para së gjithash integriteti kombëtar, sepse 94 për qind shqiptarë nuk mund të vendosin pa 6 për qind minoritar! Dhe kjo mendësi politike kushtetushmërie është antikushtetutshmëri kombëtare shqiptare. Madje, për t'i dhënë kuptim herëshmërisë shqiptare edhe arkeologu francez, Christophe Goddard, pjesë e ekipit të zbulimit të mbishkrimit të Justinianit në Kishën paleokristiane për qytetin Dardan, në Ulpianën e hershme, nga gjykimi i tij, theksoi se të gjithë ne në Evropë kemi përqindje dardane, "ne evropianët dhe shqiptarët e sotëm, jemi Ne pak si Ju dhe Ju jeni pak si Ne".

Frikësimi e terrorizimi politik nga të Buzëqeshurit Kinez! Ndërkohë që, evropianët e ndërkombëtarët me buzëqeshjet e tyre kineze vazhdojnë kërkesat për betonizimin e Serbisë brenda Kosovës, përmes Kishës Serbe Ortodokse dhe Bashkësisë së komunave me shumicë serbe ("zajednica"), të cilat paraqesin gjymtim për shoqërinë shqiptare, po edhe për idealin historik dhe liridashës, por edhe për pakicat joserbe, kështu, duke i dhënë pakicës serbe epitet hyjnie (religjioze) dhe epërsie (institucionale). Shikuar në kronologji, dy çështjet; e para, Kisha Serbe Ortodokse u zyrtarizua si kërkesë, gjatë bisedimeve të Vjenës me dakordësi të palës shqiptare (fatkeqësisht), e cila më pas u shkrua tek propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, përkatësisht tek Aneksi V mbi Trashëgiminë Fetare dhe Kulturore - ku flet për të drejtat, privilegjet dhe imunitetet e Kishës Serbe në Kosovë, e që më parë nuk ishte as tek Rezoluta 1244, dhe as tek Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme - ngaqë përgjithësisht u referohej vetëm parimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, fetare e historike; dhe e dyta, Bashkësia e komunave me shumicë serbe ("zajednica") që u zyrtarizua si kërkesë, gjatë bisedimeve të Brukselit me dakordësi të palës shqiptare (fatkeqësisht), në Dokumentin 19 prill 2013.

Po prej kohësh tashmë, procesi i bisedimeve përmbajtësisht në tërësinë e temave të trajtuara e të mbetura hapur kanë marrë ngjyrim kompleksiteti, sepse Serbia vazhdon të ketë pretendim territorial; nuk e njeh pavarësinë dhe e minon sa herë e kudo ku mundet; pengon anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë përmes fushatave të pandërprera, si dhe e pretendon trashëgiminë të krishterë ortodokse në Kosovë, të përvetësuar veç si serbe! Nga të buzëqeshurit me buzëqeshje kineze, në kohë 'paqeje' e në tavolinë bisedimesh, për epilog kanë betonizimin e Serbisë në Kosovë.

Është detyrë e jona me i dalë zot amanetit të të parëve tanë iliro-arbnorë, kishte shkruar Papa Klement Albani.

Po si ta ribëjmë e ta ruajmë kombësinë shqiptare? Duke e rrënjosur fuqinë e së vërtetës autentike shqiptare, për t'i mbajtur larg forcat e jashtme manipuluese; duke e ushqyer ndërgjegjen kombëtare shqiptare, që ndikon në nivelin e vetëdijes dhe aftësisë së veprimit politik për çdo situatë politike; duke e kultivuar fuqinë mbarëkombëtare, si forcë të brendshme tek secila pjesë e politikës për të ruajtur hershmërinë dhe vlerat shqiptare; duke e tejkaluar çdo frikë apo kërcënim politik, si motivim për përbashkim në guxim kombëtar; duke risjellë në vëmendje tek secili domosdoshmërinë e fuqisë individuale për reagime kombëtare shqiptare; duke e ruajtur ndershmërinë kombëtare, si një themel i fortë për të vepruar politikisht me integritet; duke marrë politikisht përgjegjësi kolektive, për rrethanat dhe realitetin e fateve tona kombëtarisht; duke vendosur qëllime të qarta politike, që u paraprijnë rezultateve të dëshiruara kombëtare shqiptare; duke mos i harruar idealet historike, dhe vlerat e rezistencës politike të rilindësve tanë; duke e kultivuar përbashkimin, e garantojmë rezistencën e fuqisë tonë politike; duke qenë të unifikuar në qëndrimet politike kombëtare shqiptare, paraqesim fuqinë dhe aftësitë politike për t'iu përgjigjur me mençuri çdo situate; si dhe, duke e kuptuar fuqinë kombëtare reale, veprojmë si forcë politike rajonale e evropiane. Pra, secila, veç e veç dhe të gjitha së bashku, na ofrojnë buzëqeshje kombëtare shqiptare, sepse Republika nuk është e garantuar, ajo duhet ruajtur e mbrojtur.

(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)