Diçka duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe çelësi përfundimisht është në Bruksel. Sepse problemi, apo problemet, nëse nuk po krijohen, atëherë po keqësohen pikërisht në Bruksel nga dora e atyre që mbajnë dizginat e këtyre negociatave. Sepse nuk bëhet fjalë për dymbëdhjetë ditë, por dymbëdhjetë vjet “përpjekjesh normalizimi”, që vazhdojnë të prodhojnë abnormalizim, fundi i të cilit nuk shihet
“Arsyeja përse situata nuk përshkallëzoi më tepër më 29 maj ishte fakti se ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan në mënyrë shumë profesionale dhe dëshiroj të shpreh mbështetjen time të plotë për të lënduarit dhe familjet e tyre. Ata vepruan shumë profesionalisht, saqë arritën të menaxhonin që të mos përshkallëzojë situata, kështu që shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam përplasjen e të dyja palëve, përndryshe do të duhej të merreshim me probleme krejt ndryshe”.
Kjo ishte deklarata kryesore e komandantit të KFOR-it, Ristuccia, dhënë në intervistë agjencisë italiane AGE, tek e argumentonte faktin se 30 ushtarë të KFOR-it u plagosën dhe lënduan gjatë tërbimit të “protestuesve” serbë para thuajse një muaji në Zveçan. Pra, profesionalizimi i ushtarëve e parandaloi një masakër, me gjasë të policëve kosovarë, siç po mund të konkludohet nga përgjigjja.
E kur u pyet për sulmuesit, tha se sulmi nga turmat serbe ishte “qyqar”, përderisa tha se, megjithatë, përgjegjës për të ishin një numër i vogël i “ngatërrestarëve”, të cilët “përdorën çdo mjet për të bërë dëm”.
Përgjigja e gjeneralit, komandant i forcave të NATO-s në Kosovë, është, më së paku thënë, në kundërshtim me atë që kishte deklaruar pas sulmit brutal ndaj gazetarëve, kur kishte deklaruar se KFOR-i ishte forca e tretë e reagimit në Kosovë, duke mos na lënë të qartë se cila qenka forca e dytë, nëse policia është e para.
Fakti është se 9 gazetarë u lënduan dhe u rrahën nga protestuesit javën e shkuar në Leposaviq, përderisa ushtarët e KFOR-it vetëm shikonin se si zhvillohej zbrazja e mllefit mbi ata që kryenin detyrën e vet profesionale. Pra sipas përgjigjes së gjeneralit, jeta e policëve është më me vlerë sesa ajo e gazetarëve. Mbase duhet kujtuar se aty ku ka dhunë, jetët e të gjitha viktimave të shfrenimit e kanë vlerën e njëjtë. Kështu bile ka qenë parimi i cili edhe solli bombardimin e NATO-s për çlirimin e Kosovës.
* * *
Pas kidnapimit të policëve kosovarë, siç insiston qeveria, brenda territorit të Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë vazhduar me arrestimin e atyre që janë identifikuar si sulmues të gazetarëve apo të KFOR-it.
Dje, me një aksion si në filma, u arrestua Nenad Orlloviq, me nofkën “Nemac” (Gjermani). Incizimi i sulmeve ndaj KFOR-it duket se tregonte qartë se bëhej fjalë për të, ngase ishte një nga ata pak veta që nuk bartnin maska dhe kapela në kokë derisa mëshonin sa mundnin. D.m.th., nuk ishin vetëm disa “ngatërrestarë”, po disa dhjetëra sish për të cilët shërbimet inteligjente në KFOR e kanë ditur ose kanë mundur të dinë se nga kanë ardhur dhe për çfarë qëllimi. Dhe në vend se të dilet e të thuhet se e gjithë hallakama e krijuar në veri udhëhiqet e udhëzohet nga Beogradi, konkretisht Vuçiqi, dëgjohen deklarata të turli lloji, që nuk e di njeriu a të qajë apo të qeshë.
Po të njëjtën ditë, në Mitrovicën e Jugut u panë ushtarët e FSK-së duke marshuar deri në Frashër, fshat që dikur njihej si Svinjare, dhe u kthyen pas. Sinqerisht, nuk e di nëse dalja dhe marshimi i këtyre ushtarëve ka mundur të priste ndonjë ditë tjetër, edhe po qe se konfirmohet se KFOR-i e ka pasur informatën për këtë marshim. Për ne mbase është shpërfaqje krenarie, por për një diplomaci të çoroditur evropiane, si arrestimet, ashtu edhe ky marshim shikohen si provokime.
I tillë ishte edhe reagimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, pas takimeve të dështuara që mbajti me Kurtin e Vuçiqin një ditë më herët në Bruksel. Në llogarinë e tij në Twitter doli kjo porosi: “Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”.
M’u desh ta lexoj dy herë, për të parë mos nuk dita ta lexoj fjalën “extrajudicial arrests”. Pra, sipas tij, “arrestime arbitrare” të njerëzve që dyshohen për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it janë ato që kryen policia speciale në veri. Pas “qyftës” së para dy javësh kur kërkoi që Policia e Kosovës t’i koordinonte aksionet me EULEX-in, tash arrestimet i quan “arbitrare”. Pse? Për shkak se ndodhin në veri, aty ku kidnapohen tre policë kosovarë, për të cilët vazhdon të thotë se janë arrestuar, por për këtë nuk thotë se është i jashtëligjshëm. Për shkak se ndodhin në veri, aty ku marrëveshjet e “lehtësuara” nga BE-ja i mbajnë strukturat paralele gjallë; lejojnë kontrabandën e krimin dhe nuk lejojnë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës, për shkak se për të, ky është përshkallëzim që vazhdon të bëhet më i rrezikshëm dhe të cilin ai thotë se “nuk do ta tolerojmë”.
* * *
Si përfaqësues i Politikës së Jashtme dhe i Sigurisë i BE-së duhet të flasë në emër të të gjitha 27 shteteve anëtare dhe disi nuk po jam shumë e sigurt se ka pasur kohë dhe mundësi t’i kontaktojë të 27 ministrat e Jashtëm për të kuptuar nëse edhe ata po e shikojnë me të njëjtin sy atë që ndodhi dje në veri. Dhe nëse edhe ata vendosin se nuk do ta tolerojnë më këtë situatë.
Nga ana tjetër, pas fiaskos dhe skandalit që së bashku me Lajçakun e shkaktuan në Ohër, sipas rrëfimi të profesorit Marc Weller, nuk është se i ka mbetur shumë kredibiliteti për të folur për temën, edhe pse ende po sillet si pronar i krejt procesit.
Për të enjten i ftoi urgjentisht në takim Kurtin e Vuçiqin, që mbajtën takime të ndara secili me të dhe Lajçakun. Nuk ia doli t’ i bënte bashkë. Kësaj radhe ishte Vuçiqi ai i cili deklaroi se nuk do të takohej me Kurtin, të cilit nuk është se i bën shumë komplimente.
Qëllimi i takimit është depërshkallëzimi i situatës në veri. Nga Kosova u kërkua ndalja e operacioneve policore te ndërtesat e komunave e që kryetarët e komunave të operojnë në objekte alternative. Nga Serbia u kërkua që protestuesit të largohen nga objektet komunale në të njëjtën kohë me tërheqjen e policisë së Kosovës prej aty. Të dyja palëve u është thënë që të mbahen zgjedhjet e reja në të katër komunat me kushtin që në to të marrin pjesë serbët e Kosovës. Dhe, në konferencën për shtyp pas takimeve, Borrelli tha: ky është thelbi i problemit dhe thelbi i zgjidhjes. Pra zgjedhjet e reja, e më pas, kur të qetësohet situata, të vazhdohet me procesin e normalizimit (cilit, nuk e tha) nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Natyrisht, ia qëlloni, me nisjen e hartimit të statutit të mekanizmit të nenit 7, siç do ta quante Welleri. D.m.th., Asociacioni para të gjitha telasheve të tjera.
Në fund, e tha edhe një diçka që e shpjegon statusin e tij të djeshëm në Twitter: “E kemi bërë të qartë se kryerësit e dhunës nuk mund të mbesin të pandëshkuar, por këtë duhet bërë gjykata, në mënyrë profesionale dhe korrekte”. Një gjë që nuk diti apo nuk deshi ta shpjegonte është se cila gjykatë në botë bën arrestime, ashtu që ato të quheshin të autorizuara dhe jo arbitrare. Kjo do të thotë se e priti rastin e radhës të arrestimit të një huligani, për ta shprehur atë që e ka brenda në shpirt e që e bën diskriminues: se çdo arrestim serbi del të jetë arbitrar sipas pikëvështrimit të tij dhe se kjo është arsye për përshkallëzim situate.
Kur ke këso deklaratash, është shumë zor të besosh se procesi i normalizimit, siç insistojnë ta quajnë, po udhëhiqet në formë korrekte. Dhe nuk do ta përdori si argument paragjykimin se veprojnë kështu për shkak se njëri ka shtetësi spanjolle e tjetri shtetësi sllovake – pra dy shtete që nuk na e njohin pavarësinë. Po mbështetem në përshkrimin e një studiuesi të jashtëzakonshëm që e zbërtheu deri në detaje lojën në prapaskenë të të dyve me Marrëveshjen e shkurtit, e sidomos me Aneksin e bërë sallatë në Ohër.
Diçka duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe çelësi përfundimisht është në Bruksel. Sepse problemi, apo problemet, nëse nuk po krijohen, atëherë po keqësohen pikërisht në Bruksel nga dora e atyre që mbajnë dizginat e këtyre negociatave. Sepse nuk bëhet fjalë për dymbëdhjetë ditë, por dymbëdhjetë vjet “përpjekjesh normalizimi”, që vazhdojnë të prodhojnë abnormalizim, fundi i të cilit nuk shihet.